Rreth Nesh

Rreth Nesh

Peregrinus?

 

Peregrinus.al është një website me frymëzm të krishterë katolik. Njeriu bashkëkohor ka nevojë për përshpirtëri e nënkuptuar si jeta e cdo dite e prirur drejt amshimit. Kjo përshpirtëri nuk është dhe nuk mund të jetë e shkëputur nga jeta konkrete e cdo dite që burra dhe gra, pleq e fëmijë jetojnë. Prandaj kjo përshpirtëri, apo takim me një horizont të përtejmë, gjendet në rrugëtimin e cdo njeriu, në situatat e tij konkrete si individ e si societas. Të krishterët nuk janë të shkëputur nga kjo botë, madje janë kripa tokës dhe drita e botës. Mishërimi është thelbi i të qënit i krishterë cka do të thotë se i krishteri jeton përditshmërinë e tij në familje, në shoqëri, në pjesëmarrjen në politikë, në ekonomi e për këtë arësye ai kërkon disa përgjigje e me jetën e tij u përgjigjet disa pyetjeve.

Në këtë website, dhe me anë të tij, dëshirojmë të arrijmë te sa më shumë njerëz të jetë e mundur, në gjuhën tonë shqipe, me djem e vajza, laikë e laike, meshtarë e motra duke trokitur me shumë delikatesë në zemrën dhe mendjen e secilit, duke parashtruar një vizion të krishterë të realitetit. Jemi të bindur se ky vizion hera herës përkon me arësyen e hera herës e tejkalon atë apo kthehet edhe në një paradoks për të. Gjithashtu jemi të bindur se ky vizion përkon me shumë vizione të tjera që vijnë nga kontekste fetare të ndryshme nga krishtërimi, ashtu sikurse dallon prej tyre krejtësisht në disa aspekte shpesh edhe thelbësore. Po ashtu ky vizion është në dialog të vazhdueshëm edhe me ata që për jetën e tyre kanë zgjedhur vetëm një horizont të këtejmë. Ajo që kërkojmë është e mira e të gjithëve.

 

Vizioni i krishterë mbi jetën dhe realitetin, sidomos mbi atë shqiptar, në këtë ëebsite, nuk dëshiron të jetë një imponim, por një dialog. Së pari jemi në dëgjim të përvojave të të tjerëve edhe kur ato nuk na bindin apo nuk përkojnë me të tonat. E së dyti ofrojmë një mënyrë të të parit e të këndvështrimit të realitetit që niset nga premisat e virtyteve teologale të dashurisë, shpresës dhe besimit, të shpalosura dhe shtjelluara më së miri në Shkrimin e Shenjtë, Traditën e Kishës Katolike dhe Magjisterin e saj shoqëror.

Kemi vënë titullin peregrinus të bindur se jemi në rrugëtim bashkë me të gjithë njerëzit drejt një aspirate të natyrshme brenda njeriut, ajo e pafundësisë. Ne nuk jemi të arrirë, jemi në rrugëtim, në shtegtim, jemi shtegtarë… !

 

Çfarë do të gjeni në këtë web site? Gjithmonë një editorial rreth temave tw aktualitetit dhe sigurisht thellime të temave të veçanta. Shkrimet nuk kanë karakter shkencor, pasi nuk është një organ shkencor, por herë pas here do të ketë katekeza të Atit të Shenjtë, përsiatje të mësuesve shpirtërorë rreth tematikave të jetës shpirtërore, ngjarje nga aktualiteti kishtar dhe shoqëror, tekste që na ndihmojnë në krijimin e një vizioni sa më të larmishëm rreth realitetit. Po ashtu një kënd do t’i kushtohet gjithmonë Etërve të Kishës me teskte të shkurtra të tyre e gjithashtu një koment i përjavshëm i Fjalës së ditës së djelë.

Lundrim të këndshëm!

Peregrinus.al