Gruaja nga Vlora, zjarri me qymyr dhe kryeministri i paduruar

Gruaja nga Vlora, zjarri me qymyr dhe kryeministri i paduruar

E.Gj. Dukati  /

Prirem të mendoj se nuk keni pasur qëllim të ligë e as arrogant z. kryeministër, por përgjigja juaj ishte e tillë ndaj asaj gruaje në Vlorë që ju tha se po luftonte me një kancer dhe se qoftexhiu në lagjen e saj përdor qymyr për të ndezur zjarrin e kjo ndot ambjentin. Atë lagje unë e nuk di ku është, por mund të them se si ajo lagje gjen shumë në këtë Shqipërinë tonë sidomos në kohë turzimi kur qoftet ecin shumë.

Por le të kthehemi te gruaja nga Vlora dhe zjarri me qymyr. Ndërsa ajo grua po ju thonte hallin e saj ju e ndërpretë duke i thënë: “Ju kuptova, por kjo nuk është puna ime”. Çfarë do të thotë “Nuk është puna ime?”

Problemi i asaj gruaje është aq i madh saqë përgjigja juaj zoti kryeministër, krahasuar me të, është thjesht banale, për të mos thënë sarkastike, cinike dhe arrogante. Ndoshta ju nuk e dini çfarë do të thotë për një grua (nënë më duket në këtë rast) të jetë e sëmurë me kancer, ose edhe nëse e di, do të thotë që keni dashur ta shmangni për të mos e kujtuar, por në hipotezën e dytë nuk kishit pse të ndërhynit në atë mënyrë dhe ta ndërprisnit. Kishit dalë për të dëgjuar? Dëgjoni! Çdo hall i çdo qytetari është edhe halli i kryeministrit derisa të mbajë atë post. Dhe ajo grua është njëra nga ato gratë e lagjes që ju ka votuar vazhdimisht se ndryshe nuk do të ishte në dëgjesën publike.

Çështja është më e madhe se kaq e gjithsesi zoti kryeministër nuk ka të bëjë vetëm me dëgjesat publike që nuk po i analizoj këtu, duke ndarë plotësisht analiza të bëra tashmë nga të tjerë, por ka të bëjë në këtë rast më shumë me sensin qytetar dhe qasjen ndaj sëmundjes e ndaj personave të sëmurë. Përgjigja juaj është simptomë tipike e një mënyre sjelljeje arrogante ndaj një aspekti thelbësor në jetën e një njeriu, sikurse është sëmundja e në këtë rast një sëmundje specifike, sikurse është kanceri. Ajo grua nuk po kërkonte nga kryeministri t’i shëronte kancerin, me atë po lufton vetë ajo, ashtu sikurse luftojnë me mijëra e mijëra vetë në Shqipëri dhe kjo për shkak të ndotjes së madhe dhe ushqimit të pakontrolluar, të paktën si po na thonë mjekët këto kohët e fundit. Ajo grua po kërkon thjesht një standard në jetën e lagjes së saj të vogël, në përdorimin e elementëve jo ndotës për të ndezur zjarrin dhe në ndotjen që krijon qymyri kur pjek qoftet te lokali ngjitur. Si nuk qenka punë e kryeministrit kjo? E kujt është? E kryetarit të Bashkisë? Po kryetari i Bashkisë nuk është i kryeministrit, pavarësisht nga ngjyra politike?

Ajo është një grua që në fund të fundit nuk po ankohet vetëm për veten e saj, sepse ajo po lufton vetë. Ju siguroj kryeministër se ajo grua po bën një luftë më të madhe se sa ajo e juaja me kanabisin dhe me korrupsionin e administratës. Asaj gruaje “llafet” e kryeminsitrit përballë luftës së saj për jetën i duken një asgjë e megjithatë ajo, një fije shpresë që ka, flet me kryeministrin e saj. Sa i privilegjuar duhet të jetë një kryeministër kur një qytetar, e sidomos një grua, i thotë sëmundjen që ka para të gjithëve, jo për t’ia shëruar, por për ta ndihmuar që së paku, ndërsa bën luftën e saj të brendshme, të ketë mundësinë të dalë në dritare për të folur me komshijen apo për t’i bërtitur Zotit një lutje a ndonjë fjalë rebelimi, apo kur të rrijë me shoqet e saja duke biseduar, të thithë ajrin e pastër. Ajrin e pastër që Zoti ia ka falur Vlorës e Shqipërisë begatshëm. Sa e thjeshtë është kjo gjë: ajër i pastër. Ajo thjesht këtë kërkoi: që të tjera gra të mos sëmuren. Ah çfarë altruizmi që vetëm gratë e nënat dinë ta bëjnë! Por këtë si duket ju zoti kryeministër nuk e morët parasysh. Ndoshta u ngutët, ndoshta ajo grua ju foli më shumë brenda vetes tuaj se sa jashtë e atëherë reaguat ashtu, si për t’i ikur i pafuqishëm diçkaje që ju nuk keni çfarë të bëni edhe pse nuk ju kërkua diçka që nuk mund të bëni. Ajo grua nuk ju kërkoi të jeni Zot e të ndalni kancerin e saj, por të jeni kryeministër e të ndalni ndotjen e ambjentit nga njerëz të papërgjegjshëm.

Kam prirjen të mendoj se nuk ishte e qëllimshme nga ana juaj kjo lloj sjelljeje, por mjaft treguese. Edhe nëse do të ishte lapsus, këto të fundit janë tregues të jashtëzakonshëm të asaj çka ne jemi. Nuk mendoj që deshët të tregoheshit i keq, i padrejtë apo cinik me përgjigjen e tuaj, por ajo përgjigje ishte e keqe, e padrejtë dhe cinike me këtë grua kaq të sinqertë. Së paku në dëgjesën e ardhshme publike t’i thoni: “I kërkoj falje publikisht asaj gruaje që më kërkoi të bëja diçka për ndotjen në lagjen e saj, sepse u tregova i pakujdesshëm dhe cinik”.

Mund të shërbejë edhe kjo gjë, sado e vogël mund të duket, dhe mund të jepet një urdhër që t’i bëhet një kontroll nga inspektorët e mjedisit qoftexhiut të lagjes ku banon ajo grua.

Previous Merrni zgjedhën time... Unë do t’ju çlodh
Next Dinjiteti i punëtorëve dhe respektimi i të drejtave të tyre

Sugjerime

0 Komente

Nuk ka komente!

Ju mund te jeni i pari qe komentoni ne kete artikull!