Merrni zgjedhën time… Unë do t’ju çlodh

Merrni zgjedhën time… Unë do t’ju çlodh

Dritan Ndoci   /

E DIELA E XIV GJATË VITIT

Zak 9, 9-10; Ps 145 (144); Rom 8, 9.11-13; Mt 11, 25-30

«Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh». «Ejani» thotë Jezusi, e ne të gjithë jemi gati të ngrejmë dorën e të themi «Po vij edhe unë, edhe unë, edhe unë». Kjo sepse secili prej nesh, në një masë apo në një tjetër, e ndiejmë se kemi nevojë për çlodhje, ngaqë, në një formë apo në një tjetër, e ndiejmë se na rëndon mbi shpatulla ndonjë barrë e rëndë.

I godituri nga pikëllimet e vdekjet, do të strukej në prehrin e Jezusit për lypur pak ngushëllim; i dërrmuari nga sëmundjet do të kërkonte shëndetin; i përndjekuri në trup e në shpirt nga padrejtësitë e ndryshme, do të lypte drejtësi; ai që kërkon në jetë disa përgjigje, mungesa e të cilave nganjëherë prodhon turbullim e mbase edhe ankth jo më pak të rëndë se ato që përmendëm më sipër, do të kërkonte pak dritë; mëkatari do të dëshironte ta mbështeste kokën në prehrin e Jezusit për t’u ndierë edhe një herë i falur, i dashur, i pastër… E kështu të gjithë me radhë.

Por, në Ungjillin e sotëm Jezusi vazhdon me këto fjalë: «Merrni mbi vete zgjedhën time». Është shumë domethënëse një fjali e tillë, sepse duket sikur Jezusi vë në kundërshtim me njëra-tjetrën barrën e rëndë që na lodhte më parë me zgjedhën e Tij, e cila sjell çlodhjen. Si të thoshte se shkaku i lodhjes sonë gjendet në faktin se mbartim pesha të cilat nuk na janë dhënë prej Tij.

E kjo është e vërtetë. Duke iu drejtuar edhe një herë rasteve që përmendëm më sipër, mund të ndodhë që, ai i cili është i goditur nga pikëllimi i vdekjes, të lodhet tepër ngaqë po e përballon vdekjen ashtu si nuk na ka mësuar Krishti. Nuk duhet harruar shpresa e krishterë.

I sëmuri, edhe pse nuk bën gabim ta kërkojë nga Jezusi shëndetin, gjithsesi nuk duhet lënë mënjanë mundësia që, nëpërmjet asaj sëmundjeje, Zoti mund të ketë në plan të arrijë rezultate të tjera për të mirën e vetë të sëmurit dhe të botës. Ai që pëson padrejtësi, ta dijë se nuk është zgjedhë e Krishtit të shtrydhet e të ndrydhet nga zëmërimi për të keqen e pësuar. Kjo është barrë e jona. Zgjedhë e Krishtit është largpamësia, zemërgjerësia, maturia, lutja për atë që të përndjek dhe falja. Këto do ta bashkojnë me Krishtin, ato të tjerat jo. Apo ndoshta nuk është fort e madhe dëshira për t’u bashkuar me Të?

Mëkatari, duke vrapuar te Krishti, të jetë i sigurtë për faljen e Tij. Por duhet të ketë kujdes dy gjëra: së pari të mos e mbajë kokën pas në të kaluerën e tij duke e qarë pandërprerë mëkatin e vet, sepse kjo nuk është zgjedha e Krishtit. Krishti do të dëshironte vrullin drejt së mirës dhe drejt bashkimit me të. Së dyti, njëkohësisht, të mos e harrojë mëkatin e vet: kjo do ta ndihmojë të jetë i vetëdijshëm për dobësinë e vet, do ta ndihmojë të jetë i përvujtë, të jetë i mëshirshëm me mëkatarët e tjerë, vigjilent për rastet e tjera dhe ta falënderojë Zotin që i ka dhënë hirin e largimit nga ajo rrugë ku ishte nisur.

Vazhdon Jezusi: «Pranoni t’ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë». Besoj se kemi arritur në zemrën e leximeve të sotme. Në leximin e parë thotë Zoti nëpërmjet profetit Zakari: «Gëzo me gjithë shpirt, Bija e Sionit, galdo, Bija e Jerusalemit! Ja, mbreti yt, po vjen te ti: është i drejtë e Shpëtimtar, por i përvujtë e në shpinë të gomarit, në shpinë të gaçit, zogut të gomarit!». Gomari në atë kohë ishte “mjeti i transportit” për të varfrit, ndërkohë që, për të pasurit ishin kuajt e karrocat. Prandaj edhe teksti vazhdon kështu: «Nga Efraimi do ta zhdukë karrocën, kalin nga Jerusalemi». Pra: do të lihen mënjanë shenjat e madhështisë e do të parapëlqehen ato të përvujtërisë. Në hyrjen e tij kremtore në Jerusalem, Jezusi zgjidhi pikërisht një gomar.

Teksti i leximit të parë na tregon se Hyji ynë është Hyj i përvujtë. Këtë përvujtëri të veten ai na e ka treguar duke u bërë njeri i varfër, i thjeshtë, i kollajtë për t’u takuar, i përvujtë pra.

«Zoti është vetë butësia e mëshira, / i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri. / Zoti është i mirë për të gjithë, / i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta” – brohoret psalmisti në psalmin e sotëm, i gëzuar se ka të bëjë me një Hyj të dashur e të thjeshtë.

Është shumë e rëndësishme që edhe ne të jemi të përvujtë. Nëse duam të takojmë atë që është i përvujti absolut, duhet që edhe ne ta kemi përzemër përvujtërinë. Nëse jemi plot me vetveten, plot me egoizëm, nuk do të dimë të biem kurrë në sintoni me Hyjin tonë të përvujtë. Këtë na e dëshmon edhe fillimi i Ungjillit të sotëm, ku Jezusi brohoret: «Po të bekoj, o Atë, Zotëruesi i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit, e ua zbulove të vegjëlve. Mirë, o Atë, pse ty të përlqeu kështu!». Para se të shqiptojë këto fjalë, ungjilli i Mateut tregon se si Jezusi ishte duke folur për nevojën e kthimit kah Hyji, për nevojën e kapjes së shenjave të pranisë së Hyjit në jetën e botës dhe për shëlbimin e amshuar që kjo sjell. Por, ata që mbahen si të mëdhenjtë e kësaj bote, nuk e vrasin mendjen për këto gjëra. E pra, për jetën e pasosur duhet menduar seriozisht. «Qëllimi i jetës së njeriut është të shohë Hyjin në parajsë» – do të theksojë pa frikë Shën Toma i Akuinit, teolog e filozof absolutisht i madh, por që vetëm në këtë të vërtetë e shihte të realizuar njeriun.

Ka shumë njerëz në këtë botë që dijnë të bëjnë biznes, dijnë të bëjnë politikë, të fitojnë para andej e këndej, të njohin në hollësi se si funksionojnë ligjet e natyrës e të kozmosit, por që shpërfillin të jenë të përvujtë, të thjeshtë, njerëzorë. Janë të kapur kaq fort pas këtyre ideve, saqë kujtojnë se në to do të gjejnë kuptimin e jetës. Por janë tepër të mjerë: kuptimi i jetës së njeriut gjendet në diçka tjetër, në bashkimin e lum me Hyjin në parajsë.

Gjëja që është edhe më e madhe, e që duhet të na bëjë të mendojmë shumë, është se vetë Hyji u fshihet këtyre njerëz, e shkon e u zbulohet të vegjëlve, të thjeshtëve, të përvujtëve: «I fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit, e ua zbulove të vegjëlve». Ah sikur këta njerëz t’i ruanin të gjitha ato aftësi të bukura, por duke mos harruar përvujtërinë, sa shumë do të merrnin nga Hyji!

«Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj»: vetëm kështu njeriu gjen pushim. Po kur do të na mbushet mendja se pushimin njeriu (duke filluar qysh në këtë jetë) do ta gjejë vetëm kur të fillojë të pëlqejë gjërat e përvujta më fort se madhështitë?

Vazhdon Jezusi: «Sepse, vërtetë, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë». «E ëmbël». Një ndër shtatë dhuratat e Shpirtit Shenjt, që marrim në krezmim, është edhe dhurata e urtisë. Kjo nuk ka për qëllim të na bëjë më të mençur se të tjerët në aspektin njerëzor, por na bën të aftë të ndiejmë kënaqësi në gjërat e Hyjit. Na bën ta shijojmë Hyjin. Kur dëgjojmë Fjalën e Tij, kur bëjmë vullnesën e Tij, kur përqeshemi apo përndiqemi se i kryejmë të gjitha këto: në të gjitha na shoqëron njëfarë kënaqësie, një farë ëmbëlsie në shpirt. Është Shpirti Shenjt që, zgjedhën e Krishtit, na e bën të ëmbël. Prandaj Shën Pali, në leximin e dytë, thotë: «Vëllezër, ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por në atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banoni në ju». Në disa shenjtër kjo shije e ëmbël prekte edhe shqisat trupore. Shën Françeskut të Asizit i ndodhte deri edhe të lëpinte buzët kur përmendte emrin e Jezusit, kaq ëmbëlsi i shkaktonte në shpirt e në trup një gjë e tillë.

«E lehtë»: po, sepse është zgjedha e tij e jo barra e jonë. Kur ai na jep zgjedhën e vet, na jep edhe hirin që ta mbarim atë, aq sa të na duket deri edhe e lehtë. Të martuarit e kanë më «të lehtë» martesën dhe të qenit prindër, ngaqë hiri i martesës i dhënë atyre në sakrament fillon të veprojë e nuk resht kurrë së vepruari. Të kushtuarit do të kenë të «lehtë» kushtimin e tyre ngaqë hiri, të cilin Hyji përgatit pikërisht për ta, do t’u vijë në ndihmë. E pastaj, edhe në jetën e përditshme, në varësi të detyrave që na duhet të marrim përsipër në jetë, ekziston edhe një hir i posaçëm që lehtëson e ëmbëlson gjithçka, edhe pse, patjetër, nuk na e zëvendëson shpirtin e sakrificës e të përkushtimit që duhet të kemi.

Pastaj ka edhe shembuj të tjerë tejet të fortë që tregojnë se deri në ç’pikë Krishti mund ta bëjë «të lehtë zgjedhën e tij». Thuhet se, në vitin 1535, Shën Tomë Mori, ministri i famshëm i mbretit anglez Enriku VIII, të cilit i prenë kokën ngaqë nuk pranonte të mohonte primatin e papës në Kishë, në çastet kur po e ngjitnin në podiumin e gijotinës, i kishte thënë me humor xhelatit që po e shoqëronte: «Më ndihmo të ngjitem, se për të zbritur do të zbres vetë». Le t’ia lejojmë vetes pak fantazi këtu: ta imagjinojmë xhelatin i cili nuk arrin ta kuptojë domethënien e një kërkese kaq të çuditshme, e cila në fakt nuk kishte asnjë kuptim tjetër përveçse të ishte thjesht një batutë humori. Një batutë humori… në ato çaste!

Ta lusim, pra, Jezusin, dhe ta lejojmë Atë që të na e «mësojë» përvujtërinë e tij. Të pranojmë në këtë jetë «zgjedhën e tij», e të mos i ngarkojmë vetes barra që nuk janë të tijat. Kështu Ai do të na japë «pushim për shpirtrat tanë» e… do të na «çlodhë».

 

 

Previous Në burgun e sigurisë së lartë të Burrelit, "JEZUSI ËSHTË PAS HEKURAVE". Prifti katolik ju shkruan miqve të tij.
Next Gruaja nga Vlora, zjarri me qymyr dhe kryeministri i paduruar

Sugjerime