Në burgun e sigurisë së lartë të Burrelit, “JEZUSI ËSHTË PAS HEKURAVE”. Prifti katolik ju shkruan miqve të tij.

SHQIPËRI, MISIONI I SUÇ – BAZIT (Mat)

JEZUSI ËSHTË PAS HEKURAVE.

Në burgun e sigurisë së lartë të Burrelit.

 

                                                              Baz, e enjte 29 qershor 2017, festa e shën Pjetrit e shën Palit.

 

Të dashur miq të misionit,

sot dua t’ju komunikoj ndjenjat e mia në lidhje me një përvojë që jam duke bërë para disa kohësh: takimi me të burgosurit e Burrelit! Nuk arrij t’i mbaj përbrenda emocionet që jam duke ndier. Nuk e di se kush do të ketë guximin apo durimin të më lexojë deri në fund… por unë po e provoj.

Sot e mërkurë, nga ora 9 deri në mesditë, unë dhe Genti (bashkëpunëtori im besnik) hyjmë në burg! Tri orë në javë… pastaj na lënë të lirë. Por këto tri orë e ndryshojnë jetën tonë.

Përfytyroni, pra, çfarë mund të ndryshojë në jetën e atij që rri “brenda” për 15, 20 apo 30 vite e më shumë!

Po, është e vërtetë… aty brenda mund të ndryshosh për mirë apo për keq: por burgu, sidoqoftë, të ndryshon!

Para së gjithash, dua t’ju them se emocioni im, duke hyrë në burgun më “famëkeq” të Shqipërisë, vjen prej faktit se aty brenda janë burgosur dhe torturuar disa martirë të kishës shqiptare, të lumnuar nëntorin e kaluar. Njëri (Karl Serreqi) ka vdekur pikërisht aty, për shkak të mundimeve dhe torturave.

E pastaj, ngushëllimi që ndiej këtë mëngjes që ia kushtoj vizitës së të burgosurve, më vjen prej fjalëve të Ungjillit: “Ejani të bekuarit e Atit tim… sepse isha në burg e erdhët tek unë” (Mt 25,36).

Prandaj, në atë moment, duke takuar ata persona, duke u shtrënguar atyre dorën, duke i përqafuar, duke folur e duke u lutur me ta… ndihem vërtet para Jezusit! Emocioni është unikal.

E pastaj, kur jam “brenda” për pak orë… përsëris me vete shpesh frazën që Papa Françesku u ka thënë të burgosurve në Regina Coeli: “Pse jeni ju këtu dhe jo unë?”. Duke kujtuar se edhe unë bëj shumë gabime, shumë mëkate… që me hirin e Hyjit nuk janë “të dënueshme” prej ligjit, por që më nganjëherë më bëjnë të ndihem edhe më keq se sa ata të burgosur. Sepse unë, në ndryshim prej tyre, kam pasur, dhe vazhdoj të kem, të gjitha kushtet e volitshme për të qenë “i mirë”… dhe, pavarësisht prej kësaj, gaboj njësoj. Pendohem, por tashmë është bërë!

Mirë, tani po kaloj në përshkrimin e tri orëve në të cilat takoj Jezusin që gjendet “pas hekurave”.

Unë dhe Genti hyjmë përpikërisht në orën 9, pasi kemi pirë një kafe në lokalin përballë burgut për “të rishikuar” veprimtarinë që kemi përgatitur për të burgosurit.

Policja e re që gjendet tek dera na pret me një buzëqeshje. Tashmë na njeh. I pëlqejmë. Edhe ajo, sipas meje, është një vajzë e këndshme.

Të gjithë “të punësuarit” e burgut na presin mirë. Arrijmë të bëjmë që të gjithë të na presin me buzëqeshje, edhe pse u sjellim atyre pak punë më shumë. Janë punëtorë në një situatë të vështirë. Janë edhe të paguar pak dhe rrezikojnë… e, nganjëherë, duhet të jenë “të ashpër”. Por me ne janë mikpritës. Edhe ata e kuptojnë se prania jonë, aty brenda, u bën mirë të gjithëve.

Pasi kryejmë praktikat e hyrjes… shkojmë në “sallën e vogël” të kontrollit. Leka, polici i ngarkuar me këtë punë, hedh gjithmonë disa batuta për të lehtësuar situatën dhe, në mënyrë mjaft formale, “na fut duart në xhep”. Nuk ekziston një scanner për kontrollet… gjithçka bëhet në mënyrë manuale!

Pastaj, pasi edhe “fletët” tona të përgatitura për takimin janë vërejtur një nga një… hyjmë në “zonën B”, ku ka të burgosur të dënuar përfundimisht për krime të rënda (në shumicën e rasteve, për vrasje).

Kalojmë oborrin “e ajrit” të rrethuar nga katër mure të mëdha (20 m x 30 dhe 5 metra lartësi). Në përgjithësi, ka rreth njëzet të burgosur që janë duke shëtitur… Na përshëndesin përzemërsisht. Disa afrohen për të na shtrënguar dorënmano. Genti më tregon “bosat” atje në qoshe… që përshëndesin me një shenjë të kokës. “Bosat” kanë një dinjitet të tyre… nuk afrohen.

Oborri, ashtu si edhe qelitë ku janë të mbyllur të burgosurit, është akullnajë në dimër dhe furrë në verë. Nuk ka një fije bari. Dje i hodha një batutë një të burgosuri që ishte me trup të zhveshur, krejt i nxirë: “Ehhh… paske qenë në det këtë javë!”. Dhe ai, si përgjigje, bëri një të qeshur të fortë që zmadhon zemrën dhe e bën të kalojë disa minuta të kthjellëta.

Faleminderit, Jezus, për të qeshurën tënde! Me pak gjë arrita të të bëj të kënaqur!

Pasi kaluam edhe dy kangjella të tjera (me hekura me diametër 3 cm, që japin një përshtypje shumë mbresëlënëse “mbylljeje”, sidomos kur shulat përplasen me zhurmë pas shpinës sonë), hyjmë në “sallën e takimeve dhe të veprimtarive socio-edukative”.

Një mjedis i zhveshur, i pambajtur, që ndoshta mund ta përfytyrojnë vetëm ata që kanë ardhur të paktën një herë në mision, dhe që kanë parë varfëritë strukturore të Shqipërisë.

Kohë më parë, don Roberti, nismëtari i kësaj veprimtarie, e kishte pajisur dhomën me ndonjë tryezë dhe stol plastike… disa kanë përfunduar në qelitë, por atje ka ende mjaft të tilla.

Në një raft kemi vënë disa Bibla dhe libra e fashikuj të tjerë… sidomos të gjinisë “shpirtërore”, por edhe të tjera. Secili mund të marrë çfarë dëshiron për ta lexuar në qeli.

Dje, Gjoni, “pajtori im i shenjtë”, që është edhe bashkëmoshatar i imi, ishte entuziast se kishte lexuar librin që përshkruan jetën dhe mrekullitë e Shna Ndout (të paktën 5 herë! më tha). Ai është brenda prej rreth pesëmbëdhjetë vjetësh sepse një ditë i kërceu gjaku në kokë prej disa problemesh të rënda familjare… Por ka një fe të madhe që e mban.

Një prej emocioneve më të forta që jam duke ndier në këtë periudhë të jetës sime është pikërisht kur takoj Gjonin. Ai, në takim, vjen gjithmonë “i rruar” dhe i veshur mirë, elegant në maksimum. Më ka mësuar se kur njeriu shkon për të takuar Zotin, duhet të vishet “sa më mirë”.

E kështu, që kur ma ka thënë këtë, edhe unë vishem gjithmonë mirë kur shkoj në burg: sikur të shkoja te Papa! Çdo të mërkurë, me sytë që shndrisin prej kënaqësisë, më thotë gjithmonë: “Jam lutur për ty këtë javë… një rruzare në ditë!”. Dhe kur ma thotë nën zë, unë prekem gjithmonë.

Jezusi që lutet për mua… është diçka e jashtëzakonshme! E përqafoj pa arritur të them asnjë fjalë.

Pastaj është Florjani… Jezusi Fëmijë. Ai është rritur pa familje. Në moshën 5 vjeçare ishte në rrugë. Dhe duhej të jetonte “prej rrugës”. Kurrë nuk ka shkuar në shkollë. Nuk dinte as të lexonte as të shkruante deri kur, në burg, një “koleg” u bë mësuesi i tij.  Tani është 37 vjeç. Që prej 18 vjetësh është në burg sepse në një grabitje ka qëlluar, dhe, ka ende edhe 5 vjet të tjera për të bërë.

Javën e kaluar, gjatë takimit, i thashë: “Tashmë je në tatëpjetë… të kanë mbetur edhe 5!”. Dhe ai, para të gjithëve, u përgjigj: “Nuk më shqetësojnë këta pesë vjet. Para së gjithash… sepse jeni ju që vini këtu çdo javë dhe më jepni forcë” (e këtu u ndal disa sekonda për të theksuar vërtetësinë e asaj që po thoshte). Dhe, duke vazhduar, shtoi: “Pastaj sepse jam duke u përgatitur: kur të dal, dua të ndërtoj një familje të vërtetë, të ndryshme prej asaj që kam pasur unë”.

Është Jezusi fëmijë që dëshiron ta rindërtojë jetën e vet. E jashtëzakonshme!

Atje brenda është edhe Emanueli, një djalë 25 vjeç që është rritur “në kishë”… pikërisht si djemtë e misionit të Suçit dhe Bazit që ju i njihni. Atij, disa vjet më parë, i ka “ndodhur” të godasë një fëmijë që po kalonte andej, gjatë një shkëmbimi të shtënash me pistoletë mes adoleshentësh të pamend. Tashmë ka ndodhur, dhe vitet që ka ende për të kaluar “brenda” janë shumë. Nuk gjen paqe, por ka ndodhur… dhe është e drejtë, sipas ligjit, që të paguajë. Por mua më duket se edhe ai është paksa si Jezusi… përballë masakrës së fëmijëve të pafajshëm. Ndoshta edhe Ai, Jezusi, Emanueli, është ndier keq kur ka zbuluar se shumë fëmijë ishin vrarë… “për shkak të tij”! Pa e dashur këtë, kuptohet.

Gjergji, një baba i ri 30 vjeçar, ka përfunduar pas hekurave… për një “marrëzi”, do të thoshim ne. Ka hedhur në erë makinën e vet që të mund të tregonte se ishte i përndjekur, duke shpresuar, kështu, të pranohej në Europë si refugjat-i përndjekur, së bashku me familjen e vet. Për t’u dhënë bukë fëmijëve të vet… donte të arrinte të ishte si Jezusi “i mërguar në Egjipt”. Por e kanë akuzuar për terrorizëm dhe i kanë dhënë mjaft vjet burg. Tani, në burg, ai ndërton kryqe, të çdo lloji dhe të çdo mase, me kruese dhëmbësh, ngjitës, rërë të oborrit… dhe materiale të tjera “të rastit”. Kryqet i bën mirë, janë të bukura… Me të kemi bërë marrëveshje për t’i blerë dhe për t’i shpërndarë në shtëpitë e fshatrave kur ne misionarët shkojmë për bekimet. Kështu ai do të mund të ndihmojë pak gruan dhe dy fëmijët që kanë mbetur jashtë, për disa vjet, pa babain.

E kështu me radhë…

Tundimi do të ishte ai që të vazhdoj e të përshkruaj të gjithë këta “jezusa”. Por e kuptoj se do të përfundoja duke ju mërzitur.

Dua t’ju flas vetëm edhe për një “engjëll” tjetër: për Juljanin, një djalë që ka kaluar shumë të zeza, që është rritur “vetëm” në Romë, pasi që prindërit e kishin lënë në dorë të fatit, dhe që pastaj ka hyrë edhe në “tunelin” e heroinës për disa vjet. I ekstraduar nga Italia në Burrel… sepse ka shitur drogë, atë “zonjën” që ka marrë në dorë jetën e tij të varfër.

Tani paraqitet entuziast kur vjen në takim me ne (në zonën tjetër të burgut, në atë të të burgosurve në pritje të gjykimit përfundimtar). Është i lumtur që mund të lajmërojë, çdo herë, se ia ka arritur ta pakësojë ende me disa gramë dozën e metadonit. Është 20 vjeç, flet shumë, ka nevojë të komunikojë me hapje dhe sinqeritet të skajshëm. Në njëfarë mënyre është një njeri që befason, që di të përçojë dëshirën për “ta fituar” jetën, përtej vështirësive që ndeshen dhe goditjeve që merren.

Është një Jezus që nuk dorëzohet kurrë! Jezusi, para së keqes, është pikërisht kështu, si ai.

Epo mirë, po ndalem këtu.

Ja, e kuptuat se përse burgu është duke më ndryshuar: sepse takoj atë Jezus që dëshiron të rifillojë gjithmonë. Është ai Jezus që më ndihmon të ngrihem gjithnjë në këmbë pasi jam rrëzuar, gjithmonë në ecje në rrugën e duhur, pasi kam gabuar drejtim. Pikërisht siç është duke bërë Ai, atje brenda.

Për këtë gjë jam i sigurt, nuk kam dyshime. Sepse dëshminë e kam atje, para syve, çdo të mërkurë, kur hyj në burgun “e sigurisë së lartë” të Burrelit.

Kur, pastaj, “atje brenda”, në dhomën e degradimit, kremtojmë Meshën e Shenjtë (sikurse bëmë dje), prania e Jezusit është “e shndritshme”. Intensiteti i atij momenti u shtie zilinë edhe kremtimeve më të bukura që bëhen në Sh. Pjetër në Romë dhe të gjithë ceremonierëve më të zotë të kësaj bote.

Faleminderit Jezus, për praninë tënde pas hekurave! Nuk ka vend më madhështor e kremtor se sa ky ku të mund të të takojmë.

 

Don Gianfranco  Cadenelli

Misionar “fidei donum” në Shqipëri, dioqeza Rrëshen.

 

-Përktheu prej italishtes Angjelina Gjeka

Previous Fuqia e besimit – reflektim psiko-shpirtëror mbi Psalmet 1-19
Next Merrni zgjedhën time... Unë do t’ju çlodh

Sugjerime