Fuqia e besimit – reflektim psiko-shpirtëror mbi Psalmet 1-19

Fuqia e besimit – reflektim psiko-shpirtëror mbi Psalmet 1-19

Marjan Uka  /

Kulturës shqiptare, e në veçanti asaj të krishterë, po i shtohet edhe një vepër shumë me vlerë e meshtarit të zellshëm Don Anton Uka, me titull: “Fuqia e besimit – reflektim psiko-shpirtëror mbi Psalmet 1-19”.

Përzgjedhja dhe përcaktimi i Autorit për këtë vullkan të pashuar të dashurisë është sa i guximshëm, aq edhe i hirshëm. Gjatë gjithë kohës së leximit të kësaj vepre na paraqitet ideja e një simbioze të njeriut me Zotin dhe anasjelltas si dhe të njeriut me Fjalën e tij. Prandaj, edhe unë lirisht, mund të them me Shën Tomën nga Akuini, se libri i Psalmeve përmban në vete gjithë Shkrimin e Shenjtë dhe jam dakord me shumë studiues se komentimi më i mirë i Psalmeve është vetë Bibla. André Chouraqui duke e përshkruar librin e Psalmeve si libër me 150 udhëpërshkrime nga lindja deri në vdekje dhe me 150 pasqyrime të rebelimit dhe të besnikërisë tonë, të agonisë dhe të ngjalljes, thotë se hebreu lind me këtë libër në gji. Për të, Psalmet, janë më shumë se një libër. Ato janë qenie e gjallë që flet, vuan, rënkon, vdes dhe ngjallet; qenie që këndon në prag të amshimit dhe na prin në amshim. Në anën tjetër sipas Alfons Deissler, Psalmet shënojnë 150 periudha të ciklit të leximit të pesë librave të Moisiut, duke ia bashkëngjitur nga një Psalm çdo teksti liturgjik; ndërsa bartësi i 16 doktoratave të nderit dhe fituesi i çmimit Nobel për letërsi, poeti Thomas Stearns Eliot, i quante Psalmet “kopsht i simboleve dhe i përfytyrimeve”, në çka Autori vazhdimisht aludon.

Meqë në Psalme pulson jeta e Popullit të Zgjedhur gjatë tërë Besëlidhjes së Vjetër, me to dhe në to, Izraeli u përgjigjet Fjalëve dhe veprave të Hyjit. Duke e ditur se hebraishtja është një gjuhë shumë e pasur nga fuqia e të shprehurit që sugjeron përherë më shumë sesa thotë, vlen të theksohet se nganjëherë  një rresht biblik mund të ofrojë deri në 70 kuptime. Kjo është një ndër arsyet pse Autori në disa raste përqendrohet më shumë në një rresht, sesa në një tjetër.

Autori, vazhdimisht, thekson se psalmisti simbolizon njeriun besimtar, i cili frymon dhe i vë ndjenjat e veta në shërbimin hyjnor dhe përjetimet religjioze mundohet t’i shfaqë me këngë, me gjeste dhe me muzikë. Jo rastësisht, Davidi qe bari, poet dhe këngëtar, i cili me zërin magjepsës të shoqëruar me vegla muzikore (sidomos me harpë), ia pakësonte dhimbjet dhe marrëzinë mbretit (1 Sam 16, 17-23), i këndonte elegji Saulit dhe Jonatanit (2 Sam 1, 17-27), i jepte lavdi Hyjit (2 Sam 22) dhe e lavdëronte Atë në Liturgji (2 Sam 6, 5-15).

Sipas Autorit, këto psalme që janë mbëltuar nëpër ngrehinat e kohës së historisë së Popullit të Zgjedhur dhe si yj ndriçues shndrisin deri në ditët tona me ngarkesën e rëndë të radioaktivitetit të lartë shpirtëror, përligjin dashurinë dhe kujdesin e thellë të Zotit ndaj njeriut, si dhe shpresën e guximin e njeriut për t’u ankuar dhe për të kërkuar ndihmën e Hyjit, Jahve.

Don Anton Uka, edhe pse nuk është biblist, i vetëdijshëm për domethënien gjithëpërfshirëse të temës, për gjerësinë dhe thellësinë që ngërthen në vetvete, iu qas kësaj pune titanike në kulmin e angazhimeve të tij studimore, në prag të përfundimit të doktoraturës, gjë që dallohet edhe nga stili i tij që frymon dhe pasqyron sinqeritetin transparent të mendjes që ka medituar gjatë gjithë temës që shtjellon. Ky studim-reflektim është ndoshta i pari i këtij lloji ndër ne shqiptarët, që me anë të disa vëllimeve mëton me një lloj përkëdheljeje mahnitëse të depërtojë thellë në misterin e Fjalës së Hyjit, Biblës, për t’ia ngulitur në zemër lexuesit të vet bukurinë që gjendet në të, e për ta vendosur në qendër të vëmendjes së tij përsiatjen e tyre si një domosdoshmëri, e cila e drejton njeriun drejt së mirës dhe amshimit.

Koloriti i fjalorit të Don Antonit, ku impresionon forca e mendimit enciklopedik, është plot imazhe, përfytyrime, metafora, ndjenja, ide, porosi, mesazhe. Ai me imagjinatën e tij të bujshme dhe tejet interesante, duke depërtuar në botën e psalmistit, që shpërthen nëpërmjet poezisë, sjell një impuls të ri për lexuesin shqiptar dhe duke gërshetuar trishtimin me gëzimin, pesimizmin me optimizmin, realen me imagjinaren, aspiron mëkimin e shpirtit të besimtarit shqipfolës për ta ngritur në lartësitë e merituara. Në këtë vëllim spikatin emocionet, dhembja dhe ballafaqimi me realitetin, si dhe fuqia e gjallë e vitalitetit shpirtëror apo e besimit, prej nga edhe e fiton titullin libri, duke u shndërruar në një metaforë artistike.

Fakti se Autori nuk heziton të hidhet në rrapëllimën e kohës e të përballet me peripecitë e saj, i jep veprës një rëndësi të shumëfishtë. Ajo duke zotëruar në strukturimin e vet një gjuhë të pasur në suazat e normës letrare, e bën Autorin shkrimtar dhe krijues të mirëfilltë dhe një realist që udhëton e jeton me elementin thelbësor të jetësores, duke e trajtuar problemin me një stil të lartë teologjik, me dritëpamësi dhe imagjinatë, me metaforikë të brendshme dhe me një theks emocional të fortë.

Me një përmbajtje të tillë dhe më përgatitjen e kujdesshme e parashtrimin metodik të lëndës për secilin Psalm, libri me anë të mësimeve, shembujve dhe citateve të Etërve të Kishës, sidomos të kardinal Martinit që Don Antoni e admiron, të psikologëve, sociologëve si dhe të studiuesve më të famshëm bashkëkohorë, sintetizon mendimin e krishterë gjatë shekujve, nxit katarsën shpirtërore dhe apelon në ndërgjegjen e secilit prej nesh për t’i shndërruar ato në shkëndija të qenësishme të ndryshimeve epokale historike të domosdoshme për lexuesin.

Duke e falënderuar Autorin për mundësinë që më krijoi për të vendosur edhe unë një gur në këtë mozaik vlerash shpirtërore dhe kombëtare, ia porosis këtë vepër të shtrenjtë lexuesit me fjalët e përkthyesit më të madh të Biblës në të gjitha kohërat, patriotit tonë Shën Jeronimit, i cili e porositi znj. Leti: “Në vend të margaritarëve dhe të petkave të mëndafshta, duaj Librat e shenjtë; por në to mos kërko shije në miniaturë apo në lëkurën babilonase… Gjëja e parë që duhet të mësosh janë Psalmet, të cilat duhet të ndihmojnë t’i harrosh këngët e kësaj bote” (Ep 107, 12) dhe lus Zotin ta gjeni në të ngushëllimin Tuaj sipas thënies se poetit dhe dramaturgut holandez Joost van den Vondel: “Do të kisha mbaruar në mjerimin tim, po të mos më kishte ngushëlluar libri i psalmeve”.

Previous Jo aq afër atyre që sundojnë, por më shumë afër viktimave të padrejtësisë
Next Në burgun e sigurisë së lartë të Burrelit, "JEZUSI ËSHTË PAS HEKURAVE". Prifti katolik ju shkruan miqve të tij.

Sugjerime