Nuk do t’i humbë shpërblimi

Nuk do t’i humbë shpërblimi

Dritan Ndoci   /

E DIELA XIII GJATË VITIT

2Mbr 4, 8-11. 14-16; Ps 89 (88); Rom 6, 3-4. 8-11; Mt 10, 37-42

Në jetën e Shenjtes Faustina Kovalska, tregohet se si, në një farë periudhe të jetës, Motrat e Kuvendit të saj e kishin lënë të kujdesej për të varfrit që mund të paraqiteshin në dyert e tyre e t’u jepte atyre mikpritjen e përkujdesjen e parë. Një ditë ndodhi që erdhi një i varfër e kjo e mori me shumë dashamirësi dhe e futi në ambjentet e kuvendit e, me përvujtëri e dashuri të sinqertë, filloi ta pyeste rreth gjendjes së tij. E kështu, pas ndonjë ore, i varfri u largua. Shenjtja Faustina kishte kohë që në jetën e saj kishte vëgime shumë të rëndësishme, për jetën e saj e për jetën e mbarë Kishës. Jezusi i shfaqej shpesh në ato fillim vite të shekullit XX. Është pikërisht kjo ajo shenjtja së cilës Jezusi i besoi ta porosiste Kishën që të përhapte kultin e Mëshirës Hyjnore. Dhe ja, duke iu kthyer historisë së takimit të saj më atë të varfrin, një ditë më pas, iu shfaq përsëri Jezusi e i tha: «Isha unë ai që erdha dje». Shenjtja e pyeti: «Po përse erdhe ashtu?». E Jezusi: «E lashë qiellin e lavdishëm, sepse doja të rrija me ty përvujtërisht, për ta shijuar më mirë përvujtërinë tënde të madhe». Me përvujtërinë e mikpritjen e saj, ajo kishte mallëngjyer Zemrën e Zotit.

Në leximin e parë sot dëgjuam se, me përvujtërinë e me mikpritjen e saj, një grua bujare preku zemrën e profetit Elize. E pra, ajo nuk e njihte se ishte profet. Thjesht i dhimbsej kah e shikonte tek kalonte pranë shtëpisë së tyre dhe i kërkoi të shoqit që jo vetëm ta ushqenin në shtëpinë e tyre sa herë që kalonte andej pari, por arritën t’i ndërtonin edhe një dhomë të thjeshtë ku të mund të pushonte kur të dëshironte. Profeti, kur mësoi se ajo nuk e kishte gëzimin e një fëmije, e thirri dhe i tha: «Në këtë kohë, sot një vit, djalin do ta shtrëngosh në parzmën tënde!». Kuptoi kështu se, me mikpritjen e saj, paska mikpritur një njeri të Hyjit.

Jezusi në Ungjillin e sotëm thotë: «Kush e pranon profetin se është profet, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; kush e pranon të drejtin pse është i drejtë, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit».

Jemi shumë të tunduar ta kuptojmë fjalën «shpërblim» në një nivel vetëm shpirtëror, por besoj se gabojmë. Është e vërtetë se nuk bëhet fjalë gjithnjë për shpërblime vetëm materiale, por si materiale ashtu edhe shpirtërore. E kjo për arsyen e thjeshtë se ne nuk jemi engjëj: engjëjt, meqë janë qenie vetëm shpirtërore, atëherë natyrisht që marrin shpërblime vetëm shpirtërore. Por ne jemi shpirtërorë e materialë, prandaj kemi nevoj për të dyja llojet e shpërblimeve.

Prandaj Jezusi nuk dëshiron t’ia zbehë fuqinë fjalëve të tija që i cituam më sipër. Madje Ai shton: «Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve madje një gotë uji të freskët pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi». Zemra e Zotit sikur u përmalloka kur shikon mikpritjen mbi tokë, aq më tepër kur mikpritja bëhet në Emrin e tij.

Një arsyetim logjik na bën të themi edhe se, kush nuk e ushtron mikpritjen, dashka të thotë se humbiska edhe shpërblimet.

Kushedi, mbase ngaqë Zoti nëpër shekuj e ka bekuar gjithnjë mikpritjen me shpërblime, në shumë popuj të botës ajo është parë si një vlerë tejet e madhe e si një gjë tejet e shenjtë.

Në popullin tonë ekzistojnë shprehje e zakone kaq të bukura, saqë janë ngulura thellë në vetëdijen e shumëkujt, si përshembull ajo shprehja e njohur që gjendet në kanunin e Lekë Dukagjinit: «Shtëpia është e Zotit dhe e mikut». Apo ajo tjetra që thotë: «Burri nuk është askund më i dobët se në shtëpinë e vet», që nënkupton se, edhe po qe se miku të rëndon me ndonjë fjalë në shtëpinë tënde, je moralisht e detyruar të mos reagosh, pikërisht sepse ai është nën strehën tënde.

Patjetër se virtyti i maturisë nuk duhet shuar asnjëherë, sepse, duke përfituar prej besimit tënd tek mikpritja, dikush mund të thurë plane dashakeqe ndaj teje, ndaj familjes tënde e ndaj rrethit tënd shoqërorë. Edhe Siracidi porosiste në Besëlidhjen e Vjetër: «Nëse do të fitosh një mik, fitoje në provë dhe mos i beso tepër lehtë». Por kjo nuk do të thotë se duhet të mbyllemi ndaj botës me atë bindjen që shumëkush e ka se, gjoja, “sot askush nuk të do më”. Vetë Siracidi që sapo e cituam, thotë pak më poshtë atij rreshti: «Miku besnik, mbojtje e fortë: kush e gjen, fiton visar. Miku besnik s’mund të çmohet, as s’mund të peshohet vlera e tij».

Mikpritja është e bukur, është pasuri. Mikpritja ta hap zemrën, t’i pasuron horizontet e jetës. Miqtë bëhen vetëm duke i mikpritur. E, kështu, mund të kesh «Miq të mirë për në kohën e vështirë», siç thotë ajo shprehja tjetër popullore. Bibla tregon se edhe në Izrael ishte zhvilluar traditë shumë e fortë në favor të mikpritjes gjendej me kohë edhe në popullin e Izraelit. Mbi këtë trung të shëndoshë, të krishterët kanë vazhduar ta ruajnë vlerën e mikpritjes. Shën Pali u shkruante të krishterëve: «Ushtroni mikpritjen». Letra e Hebrenjve po ashtu: «Mos e lini pas dore mikpritjen, sepse me anë të saj, disa, pa e ditur, i pritën engjëjt!». Shën Pjetri në letrat e tija: «Jini mikrpitës pa murmurime kundrejt shoqi-shoqit».

Por nuk është e thënë se mikpritja lidhet patjetër me banesën tënde. Është e rëndësishme të kesh një zemër mikpritëse. Mikpritjen mund ta dëshmosh edhe në rrugë të madhe. Ta imagjinojmë për një moment sikur je vetë i dyti me një shok tëndin e je duke biseduar për ndonjë bisedë të këndshme me të. Papritmas afrohet edhe një i tretë dhe ndoshta, me të drjetë, të duhet ta ndryshosh rrjedhën e bisedës. Nuk them se nuk ka njerëz të bezdisshëm të cilët përpiqesh “t’i nisësh me dy tri fjalë shpejt e shpejt”, por, nëse sistematikisht je i prirur “t’i nisësh”, “t’i heqësh qafe” tipat që nuk të pelqejnë, do të thotë se zemra jote është shumë e mbyllur ndaj risisë që mund të të sjedhë tjetri. Plus kësaj, nëse me mikun me të cilin po flisje me plot ëndje, nuk arrin ta përfshish në bisedë edhe një të tretë, do të thotë se ka diçka që nuk shkon as në miqësinë me atë mikun tënd. Por, e përsëris, humbja jote me e madhe është pasuria që tjetri mund të të sillte. Qoftë edhe pasuri thjesht shpirtërore apo intelektuale, pa hyrë në ato materiale. Të shumtën e rasteve, madje, janë pikëisht ato shpërblimet shpirtërore e intelektuale që ti e unë kemi më fort nevojë. Edhe këtu mund të themi se «u humb shpërblimi» që ishte përgatitur për ty.

Pastaj, atyre që nisen nëpër botë për të zënë miq të rinj në emër të Krishtit, Jezusi u garanton: «Kush ju pranon ju, më pranon mua; e kush më pranon mua, pranon atë që më dërgoi mua». Garanci që është vërtetuar ndër shekuj.

Megjithatë, ata që duan të nisen në emrin e Krishtit, nuk duhet të harrojnë të shfaqen gjithnjë vetëm nën shenjat e Krishtit, përndryshe ajo garancia që Ai siguronte nuk do t’i shoqërojë: «Kush e do të atin e t’ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua. Kush e do djalin apo vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua!». Ata që do të donin t’i mbanin dy shalqinj në një dorë, këtu do të ndiheshin patjetër keq, por Jezusi kërkon një dashuri të pamasë ndaj Tij, dashuri e cila nuk e heq dashurinë për familjarët, por e korrigjon dhe e pastron. Nxënësit të Krishtit i kërkohet edhe të bëhet gati ta mohojë vetveten për dashuri të Tij, por pikërisht kështu e fiton, sepse, kushdo që do të ketë punë me këtë nxënës, do të dijë të shohë në të Krishtit Zot. Kjo do të duhej të ishte fitorja e tij nëse e do Krishtin.

Ky, pra është kushti i Jezusit për ata që duan ta ndjekin e ta shpallin. Po iu përmbajt këtij kushti, kushdo ta mirëpresë një njeri të tillë, do të mirëpresë Krishtin dhe «nuk do ta humbasë shpërblimin» e kësaj mikpritjeje.

Po ashtu, kushdo që mirëpret dikë me dëshirën t’i përngjajë dashurisë së Krishtit që na ka mirëpritur bujarisht në zemrën e vet, në një formë apo në një tjetër, do të mirëpresë vetë Krishtin.

 

Previous Shenjtërit Pjetri e Pali
Next Jezuiti Ladaria Ferrer, Prefekti i ri i Kongregatës për Doktrinën e Fesë

Sugjerime