Shenjtërit Pjetri e Pali

Shenjtërit Pjetri e Pali

Dritan Ndoci   /

Vap 12, 1-11; Ps 34 (33); 2Tim 4, 6-8. 17-18; Mt 16, 13-19

Dëshmi shumë të hershme tregojnë se, e kremtja e këtyre dy shenjtër të mëdhenj, kremtohej në të njëjtën ditë, pra më 29 qershor, në saje të një bindjeje që ekzistonte qysh herët se ata qenë martirizuar që të dy në po këtë datë. Megjithatë studiuesit bashkëkohorë, në bazë të disa të dhënave, nuk janë fort të sigurtë – e me të drejtë – nëse martirizimi i tyre mund të ketë ndodhur në të njëjtën ditë.

Dëshmi arkeologjike po vërtetojnë edhe sot se, qysh në fillimet e ikonografisë së krishterë, Shën Pjetri e Shën Pali paraqiteshin së bashku, krah për krah. Kështu të krishtrerët donin të tregonin se, qysh gjatë jetës së tyre, Pjetri e Pali ishin të lidhur shumë me njëri-tjetrin, e kështu donin të besonin se edhe në lavdinë e parrizit duhet të kenë hyrë në të njëjtën ditë.

Nga vjen kjo dëshirë kaq e fortë e Kishës, qysh në fillimet e saj, për t’i kujtuar gjithmonë bashkë këta dy Apostuj të mëdhenj? E pra, po të shohim tekstet biblike, nuk rezulton të kenë qëndruar edhe aq shumë kohë bashkë. Edhe burime të tjera jashtë biblike nuk na thonë se ata e predikuan së bashku Ungjillin e as se u martirizuan në të njëjtën ditë, as në të njëjtin vend e as në të njëjtën mënyrë. E dimë: Shën Pjetrin e kryqëzuan me kokë poshtë, ndërsa Shën Palin me prerje të kokës. Ata patjetër kishin edhe një afërsi të madhe fizike në disa periulla të jetës së tyre, por jo edhe aq. Nga vjen, pra, dëshira për t’i lutur njëherësh?

Mbase jo edhe aq nga afërsia e tyre fizike, por më fort nga ajo që këta dy njerëz përfaqësuan qysh herët për Kishën. Patjetër që afërsia fizike që e kanë patur në disa periulla ka ndikuar që të imagjinohen “krah për krah”, por kjo është bërë veçse shtysa për të kuptuar diçka më të thellë që provvania hyjnore u kishte besuar atyre.

T’i shohim më nga afër këta dy Shenjtër kaq të dashur e kaq të nderuar nga Kisha e gjithëmbarshme.

Pjetri ishte një peshkatar i thjeshtë kur takoi Krishtin në jetën e vet. Një ditë Jezusi bëri atë mrekullinë e famshme të peshkimit që flitet në fillimet e Ungjillit dhe, pas saj, i kërkoi Pjetrit që ta ndiqte, sepse donte ta bënte «peshkatar njerëzish» e Pjetri e ndoqi. Në pjesën e sotme ungjillore na tregohet çasti më i rëndësishëm në jetën e Pjetrit gjatë kohës para mundimeve të Krishtit: kur Jezusi i pyet apostujt se kush mendojnë se Ai është, Pjetri ndërhyn i pari e pohon: «Ti je Mesia – Biri i Hyjit të gjallë». E Jezusi, e dëgjuam, iu përgjigj se një pohim të tillë Pjetri po e thoshte ngaqë Ati qiellor ia kishte frymëzuar. I ndryshon edhe emrin dhe i jep një mision të caktuar: «Edhe unë po të them: Ti je Pjetër, Shkëmb, dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit  s’do të ngadhënjejnë kundër saj! Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit…». Janë fjalë kaq madhështore, saqë kanë përcaktuar strukturën e ardhshme të Kishës së Krishtit. Përgjatë shekujve kanë qenë pikërisht këto fjalë që janë bërë si themeli i debateve të pafundme teologjike. Shumë herë disa janë munduar t’i anashkalojnë këto fjalë të Krishtit, për të ndërtuar një strukturë të re kishtare dhe ia kanë arritur qëllimit, por ky ishte gabim i rëndë: Kisha e Krishtit është «katolike e apostolike» e këtë e garanton bashkimi me Pjetrin e pasardhësit e tij. Shumë veta janë munduar t’i japin një domethënie shpirtërore e të përgjithshme këtyre fjalë të Krishtit, por Kisha Katolike nuk ka mundur ta pranojë kurrësesi një anashkalim të tillë.

Në një takim ekumenik me shumë udhëheqës të kishave e të bashkësive të tjera të krishtera të organizuar një herë në Romë, i Lumi Papa Pali VI pati thënë me një vendosmëri të rrallë: «Problemi jam unë». Pra, nuk kemi kah shkojmë: nëse dëshirojmë bashkimin mes të krishterëve, nuk mund ta anashkalojmë vullnetin e Krishtit për të pasur në tokë Pjetrin e, pas tij, pasardhësit e tij. Tashmë Papa Francesku është sot pasardhësi i 266 i Shën Pjetrit e, pa bashkim me të, nuk ka Kishë të Krishtit. Vetëm në bashkim me këtë pasardhës, Kisha mund të jetë e sigurtë se ka në duar thesarin e plotë të hireve që Krishti na ka fituar. Përgjatë shekujve, Kisha, duke qëndruar e bashkuar më këtë pasardhës, mundet dhe duhet gjithnjë të shpall si Pjetri: «Jezu Krishti është Mesia – Biri i Hyjit të gjallë!».

Vetë Shën Pali thotë diku në letrat e veta se, pasi kishte kaluar tre vite në Damask pasi ishte kthyer kah Jezu Krishti, para se të fillonte predikimin e tij, kishte shkuar të takonte më parë pikërisht Pjetrin, si për të marrë “mandatin” prej tij për të predikuar: «E vetëm pas tri vjetësh u ngjita në Jerusalem, për t’u njoftuar me Kefën (Pjetrin) e ndenja te ai pesëmbëdhjetë ditë».

Lidhja me Pjetrin e pasardhësit e tij është e domosdoshme, vetë Krishti e ka dashur. Kujdes, prandaj, kur ngutemi të dalim në përllogaritje shumë tokësore ndërsa mendojmë për strukturën e Kishës. Është e vërtetë se edhe pasardhësit e Pjetrit e të apostujve kanë shumë të meta njerëzore – e përgjatë historisë nuk kanë munguar edhe shkanduj të përnjëmendtë nga ana e tyre –, por kujdes kur duam shkëputjen prej tyre. Do të ishte vetëvrasje për Kishën. Le ta pyesim veten së paku nëse lutemi ndonjë herë për Papën, sikurse pamë në leximin e parë se të krishterët e parë luteshin për Pjetrin në burg aq sa fituan lirimin e mrekullueshëm të tij? Çfarë bëjmë ne për Papën, për ipeshkëvinjtë, për meshtarët, për Kishën? A dimë vetëm t’i sulmojmë e gjykojmë, apo përpiqemi të bëjmë edhe ne pjesën tonë në këtë Kishë? Kardinali i mençur i Milanos, Kardinal Martini, shkruante: «Kam edhe një pyetje të fundit për ty: Çfarë bën ti për Kishën?», ndërkohë që shumë veta pyesin «Çfarë bën Kisha për mua?».

Tani të shohim pak Shën Palin. Ai është quajtur shpesh «Apostulli», një term që duket sikur e vë mbi të gjithë apostujt e tjerë. Madje disa kanë dalë në përfundimin se, duke qenë se ai e predikoi aq shumë Ungjillin, ishte pikërisht ai themeluesi i krishterimit. Përfundime shumë të gabuara, ta merr mendja, por që fshehin në vetvete një të vërtetë tjetër: Shën Pali ishte apostulli që më së shumti e përhapi Ungjillin e Krishtit jashtë Izraelit. Letrat e tija janë një thesar i vërtetë teologjike e moral e në ta mund të shihet edhe fare qartë dashuria e pamasë që ky njeri pati për Krishtin. Ishte përndjekës i të krishterëve fillimisht, por pasiqë takoi Krishtin në rrugën për Damask, do të ndryshonte gjithçka. Do të ndërmerretë udhëtimi shumë të gjata për të përhapur Ungjillin, udhëtime që shpesh e çuan në mundime e përndjekje shumë të rënda. Por ndërkohë ai shkruante. Madje edhe nga burgu merakosej për përhapjen e Ungjillit. Disa nga letrat e tija janë shkrua pikërisht nga burgu. Do të thoshte shprehje të mrekullueshme si «Unë bëj gjithçka për Ungjillin», «Për mua Krishti është jetë e vdekja fitesë», «Kam qenë kapur nga Krishti», «Jetoj, por jo më unë: në mua jeton Krishti». Vuajtjet e pësuara për Krishtin ishin vërtetë të pamasa, derisa qe dunuar me prerpjen e kokës. Por, kur po e ndiente se po i vinte fundi, i shkroi mikut të vet Timoteut këto rreshta të mrekullueshëm që dëgjuam sot: «Gjaku im po derdhet në nder të Hyjit dhe koha të nisem për atë jetë arriti! Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. Qysh tash më pret gati kurora e drejtësisë, që atë Ditë do të ma japë Zoti, Gjykatësi i drejtë». Nuk ia imponoi askujt me dhunë Ungjillin e Krishtit, sepse e vetmja armë që kishte ishte feja e tij e gjallë dhe zelli për shpirtrat.

Këto të fundit provania hynore donte nga Shën Pali: të tregonte se deri ku mund të arrijë dashuria për Krishtin e për shpalljen e Ungjillit të tij.

Pra, ndërkohë që Shën Pjetri tregon bashkimin, Shën Pali tregon nevojën e shpalljes së Ungjillit, predikimin. Të dyja këto duhen ruajtur deri edhe përballë kërcënimit më të madh, deri në vdekje. Prandaj mbase Kisha ka dashur gjithnjë ta imagjinojë se kanë dhënë jetën në të njëtën ditë, si për të shprehur se, si predikimi pa bashkim ashtu edhe bashkimi pa predikimin e zellshëm të Jezusit, Birit të Hyjit, janë gabime të cilat të krishterët duhet të ruhen gjithnjë të mos i bëjnë, sepse gjithnjë, tundimi për t’i ndarë bashkimin e predikimin, është shumë i fortë.

Previous Mos ua kini frikën njerëzve
Next Nuk do t’i humbë shpërblimi

Sugjerime