Mos ua kini frikën njerëzve

Mos ua kini frikën njerëzve

Dom Dritan Ndoci  /

E DIELA E XII GJATË VITIT

Jer 20, 10-13; Ps 69 (68); Rom 5, 12-15; Mt 10, 26-33

Në leximet e sotme liturgjike flitet për forcën shpirtërore që bestimtari është i ftuar ta ketë në jetë. Në leximin e parë është Jeremia profet ai që, përballë atyre që po thurnin plane shumë dashakeqe ndaj tij, thoshte plot guxim: «Por me mua është Zoti si trimi i trimave, prandaj ata që më përndjekin do të rrëzohen e s’do të ngallënjejnë». Janë fjalë që tregojnë se nga ku e merr kurajon ky njeri që duket sikur është i vetëm përballë një turme që me plot ligësi është i vërsulur kundër. E profeti e përfundon me këto fjalë plot shpresë monologun e tij: «Këndoni Zotit, lëvdojeni Zotin, që e çliroi shpirtin e të varfrit nga dora e keqbërësve».

Psalmisti, në psalmin që dëgjuam sot, përshkruan një situatë shumë të ngjashme ankthi e poshtërimi nga ana e keqbërësve, por e gjen forcën që t’i ngrejë sytë e shpirtit të vet drejt Hyjit e zemra e tij e gjen ngushëllimin e kërkuar. Prandaj thotë me plot ëmbëlsi: «Kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet».

Jezusi në pjesën e sotme ungjillore i porosit disa herë nxënësit e tij që të mos kenë frikë. Kjo porosi e Jezusit (mos kini frikë), përsëritet shumë herë në Ungjill.

Por duhet të shpjegojmë diçka me shumë rëndësi: tjetër gjë është frika, e tjetër gjë është maturia, kujdesi. Kujdesi është i nevojshëm në jetën e përditshme. Të kesh frikë se mundet të të kafshojë qeni, nuk është gjë e keqe: është një lloj maturie. Nuk është kjo ajo lloj frike për të cilën Jezusi thotë që të mos e kemi. Jezusi në Ungjillin e sotëm është duke i përgatitur nxënësit e tij për një mision konkret: dëshiron t’u japë zemër para se t’i dërgojë nëpër botë që ta shpallin fjalën e tij. Prandaj u thotë: «Çka ju them në errësirë, thoni në dritë e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni nga pullazet». Pra, dëshiron që apostujt të mos ndalen nga asgjë në predikimin e Ungjillit. Duhet të bëhet të fortë përballë kundërshtisë së botës. Nuk duhet të përshtaten gjithnjë me parimet e botës. Ka momente kur risia e Ungjillit duhet thënë patjetër, sepse mbase shoqëria po shkon larg Hyjit. Është e vërtetë se nuk do ta kenë të lehtë të përballen me kundërshtimin e botës, por nuk duhet të ndalen nga frika.

Të mos kesh frikë nuk do të thotë të mos dridhësh apo përpëlitesh pak (e nganjëherë edhe shumë) brenda teje. Një shkrimtar francez i thoshte vetes: «A je duke u dridhur, o skelet i vjetër? Do të dridheshe edhe më shumë sikur ta dije se ku jam duke të çuar». Pra, kur Jezusi thotë të mos kemi frikë, thotë thjesht që të mos e lejojmë veten të komandohemi nga frika, por ta komandojmë ne atë.

Përballja me e rëndë me frikën është atëherë kur dikush të kërcënon me jetë: por as atëherë nuk duhet ta fshehim besimin tonë: «Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund të vrasin shpirtin. Kini më tepër frikë nga Ai që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin». Martirët e lavdishëm patjetër i kanë patur ndër mend këto fjalë të Krishtit përballë tmerreve të ekzekutuesve të tyre: «Ju mund të na vrisni, por jo të na shkatërroni», u thoshte në shekullin e dytë Shën Justini atyre që po e vrisnin. Në shumë anë të botës edhe sot janë të shumtë të krishterët që e shfaqin një bindje të tillë feje. Kanë treguar kanë frikë më fort Hyjin se sa njerëzit.

Kjo do të thotë se qenka një lloj tjetër frike që na u dashka ta përvetësojmë. Ata që janë krezmuar duhet ta kujtojnë se, gjatë katekizmit, katekistët e tyre duhet t’u kenë folur për shtatë dhuratat e Shpirtit Shenjt. E shtatta dhuratë është ajo e Frikës së Hyjit. Por nuk duhet kuptuar si “tmerri” ndaj Hyjit. Fjala frikë këtu duhet kuptuar si respekt, si frikë se mos e fyejmë dashurinë e tij të pamasë. Është e ngjashme me frikën që kemi përballë një miku të mirë. Jo se kemi ndonjë frikë se po na bën gjë të keqe nëse bëjmë diçka që ai nuk e do, por kemi frikë se mos e lëndojmë me sjedhjen tonë. Prandaj i shmangim rastet kur mund ta fyejmë. Kjo lloj frike ndaj Hyjit, pra, është frika më e madhe në të cilën duhet ta kalisim shpirtin tonë, e jo frika ndaj njerëzve.

Shpesh herë, nga frika se si mund të na shohin njerëzit, tkurremi e rezervohemi. Nuk kemi kurajo të vazhdojmë ta tregojmë haptas se besojmë te fjala e Krishtit. Shpesh herë, përballë një shoqërie që duket sikur e ka humbur respektin ndaj Hyjit, ndaj Kishës si edhe ndjenjën e kërkimit të vullnesës së Hyjit, mund të tundohemi ta ulim nivelin e kërkesës ungjillore e t’i përshtatemi botës. Kemi qejf të dukemi pak si “të modës”, por kjo është e gabuar. Bota, pikërisht ngaqë mendon ashtu, ka edhe më tepër nevojë për Krishtin. Kuptohet se, siç thoshte Shën Leonardo Murialdo, «Duhet ta bëjmë mirë të mirën», që do të thotë se lypset një farë takti e një farë gjykimi i shëndoshë që na mundëson ta kuptojmë kur është më përshtatshme të “ndërhyjmë” e kur jo, por kjo nuk do të thotë të heshtim gjithnjë. Ka raste kur duhet të mos kemi frikë se do të krijojmë “armiq”.

Pastaj ka edhe diçka tjetër: frika, sa më shumë që të lihet e lirë brenda nesh, ajo aq më shumë i zgjeron rrënjët e veta. Është si puna e asaj fabulës së gramit dhe vreshtit, ku thuhet se grami i vogël i tha vreshtit: «Më lejo të ngulë pak rrënjët e mia këtu në qoshe të kësaj are». Vreshti ia lejoi, por shumë pak kohë më vonë, grami u përhap aq shumë, saqë ia mori tërë ushqimin e energjinë vreshtit të madh, i cili nuk vonoi e u tha.

Frika gjithnjë fillon me një mosbesim në fjalën e Hyjit, me një mosbesim të prania e tij në jetën tonë, me një mosbesim të provania e tij. E kemi të vështirë të themi si Jeremia profet: «Me mua është Zoti, si trimi i trimave». Për këtë arsye, për të na mësuar ta mposhtim këtë lloj frike, Jezusi sot në Ungjill sjedhë shembuj sa të thjeshtë aq edhe të ëmbël: «A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj. E ju? Madje të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të njehura! Pra, mos druani! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë!».

Po e lejuam tepër frikën të na kushtëzojë në zgjedhjet e vogla, ajo s’do të vonojë të na kushtëzojë edhe në zgjedhjet e mëdha. Frika shpesh i bën shumë veta të bëjnë mëkate mortare. Frika madje i bën të zgjedhin edhe një jetë mëkatare. Frika i bën të tjetërsohen pak nga pak e të humbasin vetveten. Frika i bën ta humbin thirrjen për jetë të shuguruar ata që e kanë. Frika i bën disa t’i bien mohit haptas fesë.

Secili ka llojin e frikës së vet, por efekti është i njëjtë: mohimi i fesë. Por, fjala e Jezusit sot në Ungjill, është e thënë pa nënkuptime: «Kushdo pranon para njerëzve se është i imi, edhe unë do ta pranoj para Atit tim që është në qiell se jam i tiji. E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor». Do të donim një Jezus që i mbyll sytë përballë çdo lloj brishtësie tonën, por nuk është ashtu: ka brishtësi të cilat, nën formën e frikës, i lejojmë vetë të zhvillohen në ne, ngaqë nuk besojmë edhe aq tek provania e Zotit, as tek risia e Ungjillit të Krishtit e as tek jeta përtej vdekjes.

Previous Përshëndetje e P. Giovanni Peragine
Next Shenjtërit Pjetri e Pali

Sugjerime