Përshendetja e Ipeshkëvit të zgjedhur të Rrëshenit, Dom Gjergj Meta

 

Shumë i Nderuar Atë Kristofor, Bariu dhe Ati i kësaj dioqeze të Rrëshenit, fjalët e para janë për ju sot në shenjë falenderimi për shërbimin dhe të mirën që keni bërë në këto vite, më parë si famullitar e më pas si Ipeshkëv i Rrëshenit. Faleminderit e Zoti të shoqëroftë në vitet në vazhdim. Kjo dioqezë do t’ju kujtojë gjithmonë me respekt dhe dashuri dhe do të keni gjithmonë një vend të veçantë në këtë dioqezë.

Një fjalë dhe një mesazh për mirditorët e mrekullueshëm dhe shumë të vuajtur. Më pranoni si njërin prej jush. Unë i njoh vuajtjet tuaja, kohën dhe shekujt që kanë rënduar mbi ju. Zoti ka dashur që unë të jem bariu juaj në një moshë të re e prandaj ju lutem, me lutjen dhe miqësinë tuaj, bëni të mundur që të jem një i krishterë i mirë bashkë me ju dhe një bari i mirë për ju.

Një fjalë për ju të dashur meshtarë e motra. Papa Françesku nuk ka zgjedhur më të mirin ndër meshtarët shqiptarë për të shërbyer në këtë dioqezë. Për këtë të jeni të sigurtë. Ka qenë për mua një “po” shumë e vështirë, shumë e vështirë! Ajo që kam është humaniteti im, brishtësia dhe vogëlsia ime. E dorëzoj në duart tuaja që do të jeni bashkëpunëtorët e mi më të afërt. Ashtu sikurse Papa Bendikti edhe unë mund të them se Zoti ka zgjedhur një punëtor të përvujtë në vreshtën e tij. Më ndihmoni të jem një vëlla për ju dhe një bari që jep jetën e tij për delet e veta.

Së bashku të vazhdojmë të çojmë e të kumtojmë gëzimin e Ungjillit në çdo familje të dioqezës, te çdo i ri e sidomos tek të varfërit dhe të mënjanuarit e kohës tonë. Kumtimi i Mbretërisë së Hyjit është detyra jonë parësore. Ta bëjmë së bashku këtë gjë pa u kursyer.

Zoti ju bekoftë të gjithëve! Marie Tuci dhe shokët e saj martirë na ndihmofshin në këtë rrugëtim të ri që feja jonë të veprojë nëpërmjet dashurisë.

Previous Dialogu ndërfetar nis nga besimi në Zotin dhe jo nga politika - Interviste me Ate Mario Imperatorin SJ
Next Fjalimi i Dom Simon Kullit në diten e shpalljes si Ipeshkev i Sapes.

Sugjerime