Dialogu ndërfetar nis nga besimi në Zotin dhe jo nga politika – Interviste me Ate Mario Imperatorin SJ

Dialogu ndërfetar nis nga besimi në Zotin dhe jo nga politika – Interviste me Ate Mario Imperatorin SJ

Interviste – Peregrinus.al /

Padre Mario para disa ditesh je nderuar me nje çmim nga Universiteti beder per promovimin e dialogut nderfetar. Eshte nje gje e rendesishme jo vetem per ty, por edhe per bashkesine tone katolike. ​Por edhe nje ure qe lidh angazhimin e jezuiteve te tanishem me jezuitet e para komunizmit. Historia docet … Si e perjetove kete nderim?

Si një dhuratë papritmas, jo vetëm për mua, por edhe për Istitutin Filozofik dhe Teologjk. Ky çmim është fryt i një miqësie që prej vitit 2006 që kam me disa profesorë musulmanë, të cilët sot punojnë në Bedër Universitiy. Në këtë punë më ka shoqëruar besnikërisht edhe don Robert Kola. Jam i kënaqur edhe për faktin se është një punë në të cilën janë përfshirë prej gati dy vitesh edhe vëllezërit tanë ortodoksë të Akadëmisë së Sh. Vlashit, më të cilët bashkëpunimin ekumenik e kishte filluar atë Flavio Cavallini ofm, që prej vitit 1998.

Në këtë aktivitet, atë Giovanni Fausti, jezuit martirë, ka qënë për mua një figurë frymëzuese. Ai ia kishte kërkuar haptas Zotit martirizimin pikërisht në favor të musulmanëve, sipas shpirtit të studiuesit orientalist francez Massignon-it, një prej pionierëve të dialogut islamo-krishterë.

Niveli i dialogut të përfaqësuar nga ju, është ai i nivelit akademik. Si mund të vazhdojë në të ardhmen kjo punë e nisur?

Përveç se prej hirit të Zotit, shumë varet edhe prej bindjes dhe angazhimit të profesorëve të tri shkollave teologjike që deri sot kanë marrë pjesë rregullisht në këtë aktivitet. Sikurse edhe prej dëshirës së studenteve të tri istitucioneve, të cilët sot kanë lidhje edhe miqësore mes tyre. Ka sigurisht shumë tema që mund t’i zhvillojmë së bashku, ndoshta duke përfshirë në të ardhmen edhe komunitetin ungjillorë.

Si mund të ndihmojë ky nivel dialogu nivelet e tjera të harmonisë ndërfetare në Shqipëri?

Në radhë të parë duke qenë çfarë duhet të jetë, d.t.th. një dialog që buron jo prej politikës, ose prej kulturës, ose prej identitetit kombëtar, por parimisht prej besimit ndaj Zotit. Sado legjitime dhe e nevojshme mund të jenë këto aspekte të dialogut. Dhe pikërisht sepse buron prej besimit, dialogu duhet të jetë së pari teologjk, sepse teologjia është arsya e besimit (ratio fidei), sëpaku për ne katolikët.

Nëse niveli teologjik i dialogut është garantuar, atëherë ky na forcon kundër rrezikut, aspak teorik, për një harmoni ndërfetare që është vetëm një slogan politically correct, në të cilën Zoti është jashta dere. Kjo nuk përjashton aspak, por përkundrazi kërkon që të mund të marrim në konsideratë edhe tematika kulturore dhe shoqërore, por gjithmonë nga një këndvështrim fetaro-teologjik. Edhe nëse sigurisht jo fondamentalist, por në dialog edhe me shkëncat laike.

Çfarë nismash konkrete mund të ndërmerren që ky dialog mos të mbetet vetëm në fjalime klishè apo në aula akademike, por të zbresë në terrenin e jetës së përditshme?

Misioni i parë i shkollës është formimi. Atëherë kontributi ynë i parë është ndikimi i dialogut në formimin teologjik të meshtarëve katolikë dhe ortodoksë, e motrave, e hoxhallarëve dhe e vajzave ortodokse e musulmane. Shpresojmë që në të ardhmen ata do të punojnë me këtë shpirt, që sot është vendimtarë jo vetëm për shoqërinë tonë, por edhe jashtë Shqipërisë. Takimi i fundit mbi rolin e grave në komunitete fetare në Shqipëri, ka qenë shumë domëthenesë dhe interesante. Falë punës së miqve tanë musulmanë, në këtë periudhë kemi përmirësuar edhe nivelin e komunikimit me mediat elektronike.

 

Previous Një mësim i vyer për Europën nga Shqipëria e vogël
Next Përshendetja e Ipeshkëvit të zgjedhur të Rrëshenit, Dom Gjergj Meta

Sugjerime