O Atë, ruaji në emër tënd

O Atë, ruaji në emër tënd

Dritan Ndoci   /

E DIELA VII E PASHKËS

Vap 1, 12-14; Ps 27 (26); 1Pjt 4, 13-16; Gjn 17, 1-17

Në pjesën e sotme ungjillore na janë kumtuar rreshtat e parë të asaj lutjeje shumë të gjatë që Jezusi ia drejtoi Atit të vet natën kur do ta arrestonin. Gjatë asaj darke të fundit me apostujt e vet, Jezusi u jep atyre shumë porosi. Në mënyrë të veçantë ungjilli e Gjonit i kushton shumë vëmendje (plot pesë kapituj) këtij momenti që ngjan si lamtumira e Jezusit.

Atë natë Jezusi themelon Eukaristinë (garanci se do të jetë gjithnjë mes nesh), u lan këmbët nxënësve të vet (ftesë për të qenë edhe ata shërbëtorë të njerëzimit, si Ai), u jep «urdhrin e ri» të dashurisë, u premton ardhjen e Shpirtit Shenjt, i porosit të vazhdojnë të mbeten të lidhur me Të si shermendi me hardhinë e u jep shumë porosi të tjera që do t’u duhen atyre tani që Ai po largohej nga kjo botë.

Ndërsa këtu, në kapitullin e shtatëmbëdhjetë të ugjillit të Gjonit, Jezusi i drejtohet Atit. Tani porositë mbarojnë dhe fillon lutja për nxënësit e tij. Një lutje e mbushur plot me merakun që Jezusi ka për nxënësit e tij, të cilët ia porosit Atit të vet. Kjo lutje njihet ndryshe edhe si lutja meshtarake e Jezusit, në kuptimin që tani Jezusi po ndërmejtëson para Atit të vet për Kishën e Tij.

«O Atë, arriti koha», thotë Jezusi në fillimin e kësaj lutjeje. Është i vetëdijshëm se tani erdhi ora e tij. Kur, në fillim të veprimtarisë së tij, Maria, Nëna e tij, i kishte kërkuar të bënte diçka kur mbaroi vera në dasmën e Kanës së Galilesë, Jezusi i ishte përgjigjur: «Ende nuk erdhi koha ime!». Duke qenë se tani thotë se ajo «kohë» erdhi, do të thotë se «koha» e tij, «ora» e tij paska qenë pikërisht momenti i mundimeve, i vdekjes dhe i ngjalljes së tij.

«Jepi lavdi Birit tënd që Biri të japë lavdi ty»: koha e lavdisë së Jezusit qenkan, pra, pikërisht këto ngjarje që së shpejti do të ndodhin. Nuk paskan qenë edhe aq mrekullitë, që filloi t’i bënte publikisht qysh në dasmën e Kanës. Ato mrekulli paskan qenë vetëm si shenja dhe parapërgatitje për nxënësit që do t’i afroheshin ta ndjeknin. Ishin duke i përgatitur për kohën e lavdisë që po vinte.

Tani kjo kohë do t’u japë jetën e pasosur atyre që do të besojnë në Atin nëpërmjet Jezusit: «E kjo është jeta e pasosur: që të njohin ty, një të vetmin Hyjin e vërtetë dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin».

Nuk është e mundur e besoj se nuk është as rasti që të ndalemi mbi secilin rresht të kësaj pjese ungjillore. Na mjafton vetëm të shohim thelbin që e karakterizon atë: Jezusi flet me Atin vetëm e vetëm në lidhje me nxënësit e vet. “Shqetësimi” i Jezusit është e ardhmja e tyre, feja e tyre, qëndresa e tyre në botë. Madje e thotë edhe krej qartë Ai vetë: «Unë për ta lutem. Nuk lutem për botën, por pë rata që ti m’i dhe, sepse janë të tutë».

Patjetër që na bën përshtypje ky refuzim i Jezusit që të lutet edhe për botën. Termi botë nënkupton ata persona që sistematikisht i kundërvihen të mirës, të vëtetës, Hyjit. Si ka mundësi që Jezusi nuk lutet fare për ta? Unë personalisht nuk dua ta kem guximin të bëj ndonjë pohim të qartë në këtë rast, sepse në një farë mënyre mbetem i paqartë në këtë vendosmëri të Jezusit për t’u lutur vetëm për nxënësit e tij dhe «për ata që, për shkak të fjalës së tyre» do të besojnë në Të.

E vetmja gjë që më qartëson pak është fakti se, Hyji, e merr shumë seriozisht lirinë tonë. Nëse ne, me vetëdije të plotë, i kundërvihemi Atij, Ai na lë në këtë vendim tonin dhe nuk mund të bëjë asgjë. Ndërsa ata që sadopak përpiqen të shkojnë pas Tij, pas të vërtetës e të mirës, Ai i merr nën mburojën e vet dhe i ndihmon të ecin në asaj rruge. Kjo do të duhej të na bënte edhe ne ta merrnim shumë seriozisht lirinë tonë!

«Unë nuk rri më në botë e ata janë në botë. E unë po vij te ti». Jezusi e di se bota nuk është vend i sigurtë për nxënësit e tij, sepse ajo do të përpiqet t’i bëjë si vetja. Aq më tepër që bota, duke qenë se zgjedh t’i mbyllet frymëzimeve të Shpirtit të Zotit, nuk ka se si të mos bjerë pre e mashtrimeve të të Keqit, gjarprit të vjetër shumë dinak, «gënjështarit qysh prej fillimit» që krijon struktura të tmerrshme mëkatit në shoqëritë njerëzore, aq sa, ajo që është krejtësisht në kundërshtim me vullnesën e Hyjit, nuk vonon e mund të duket si e vërtetë absolute. Prandaj Jezusi lutet që nxënësit e tij të jenë vazhdimisht të bashkuar me Trininë e Shenjtë, sepse vetëm kështu do të dinë t’i shmangen këtyre mashtrimeve: «Ruaji në Emër tënd ata që ti m’i dhe, që të jenë një sikurse ne!».

Këto fjalë të Jezusit na kujtojnë një tekst shumë të bukur të shkruar rreth gjysmës së parë të shekullit të dytë. Ky teks njihet si “Letra Dionjetos”. Dionjeto mendohet se ishte një ushtarak romak që kishte filluar të interesohej për kreshterimin dhe, me sa duket, kërkonte shpjegime më të qarta. Atëherë dikush, me shumë mundësi një ipeshkëv apo meshtar, i dërgon këtë letër që është mjaft e gjatë, por që përshkruan “rolin” që të krishterët kanë në botë: «Të krishterët janë në botë çka shpirti është në trup. Shpirti ndodhet në çdo pjesë të trupit dhe të krishterët janë të shpërndarë në çdo qytet të botës. Shpirti jeton në trup, por nuk vjen nga trupi. Edhe të krishterët jetojnë në këtë botë, por nuk janë të botës. Shpirti i padukshëm është i mbyllur në një trup të dukshëm, edhe të krishterët shihet tek jetojnë në botë, por kulti i tyre i vërtetë ndaj Hyjit është i padukshëm». Janë këto vetëm disa nga fjalët e shumta e tejet të thella të këtij teksti të famshëm, që tregojnë se të krishterët janë të këtë botë si jeta e botës. Jezusi vetë u ka thënë nxënësve të vet: «Ju jeni kripa e tokës… Ju jeni drita e botës». Prandaj mbase Jezusi nuk lutet për botën në këtë moment lamtumire, sepse, përveç faktit që e thamë më sipër, pra se Ai e merr shumë seriozisht lirinë njerëzore, mbase ka më parë ndër mend të forcojë nxënësit e tij. Do të jena pastaj ata që do të dijnë, të ndihumuar nga Shpirti Shenjt, të jenë në botë kripë dhe dritë.

Leximi i parë na tregon se si aspostujt, së bashku me Marinë e me disa gra të tjera të përshpirtshpirtshme, «ishin të përqëndruar prore së bashku në uratë». Ishin në pritje të Shpirtit Shenjt që Jezusi kishte premtuar. Ky Shpirt do t’i mësonte se si të ishin «drita e botës e kripa e tokës». Një mësim konkret na e jep vetë Shën Pjetri sot në leximin e dytë: «Vëllezër, gëzohuni si pjesëtarë të mudimeve të Krishtit… Por veniani mendjen që asnjë ndër ju të mos vuajë o si vrastar, o si vjedhës, o si bakeq ose edhe vetëm si njeri që përzihet në punët e huaja…».

Kështu, lutja e Jezusit drejtuar Atit në atë darkë të fundit, ka filluar të japë frytet e veta.

Në këto ditë ku kisha ka fillur edhe Nëntëshen e Rrëshajëve, t’i hapemi, pra, edhe ne si të krishterët e parë ardhjes së Shpirtit Shenjt. Me ndihmën e tij edhe ne do të mund të jemi në botë dritë dhe kripë. Kështu, lutja meshtarake e Jezusit e bërë atë natë lamtumire, nuk do të shkojë kot as për ne.

Në një shtegtim të vetin në Tokën e Shenjtë, Shën Françesku i Asizit thuhet se u kap nga ushtarët e sulltanit dhe rrethanat sollën që ai ta takonte edhe vetë sulltanin. Pasi qëndroi shumë ditë rob i tij, patën edhe mundësinë të bisedonin shpesh herë bashkë. Në fund sundimtari i frikshëm e liroi pasi kishte mbetur i befasuar nga shpirti i këtij njeriu shumë dashamir, i cili ishte tejet i varfër, por që ndërkohë ishte edhe tejet i dashuruar me Zotin e vet. I tha vetëm: «Ah sikur të gjithë të krishterët të ishin si ti». Sulltani dha urdhër që Shën Françesku me fretërit e tij të lejoheshin ta predikonin ungjillin edhe ne ato zona ku të tjerëve përgjithësisht u ndalohej. Privilegj të cilin fretërit në ato toka do ta kishin edhe përgjatë shekujve, deri edhe sot.

Lutja e Jezusit drejtuar Atit atë natë për Kishën e tij, përgjatë shekujve ka dhënë e do t’i japë gjithjë frytet e veta. Ati gjithnjë do t’i ruajë nga i Keqi, gjithnjë do t’i ruajë nga bota, gjithnjë do t’i bëjë kripë dhe dritë të botës. Gjithnjë Ati e dëgjon lutjen e Birit të vet. Mjafton vetëm që Kisha t’i hapet Shpirtit Shenjt.

Previous Siguritë e rreme të ekstremizmit fetar
Next Bagëtia “pjell” zoti Imami, gruaja “lind”

Sugjerime