Siguritë e rreme të ekstremizmit fetar

Siguritë e rreme të ekstremizmit fetar

Gjergj Meta   /

“Moderniteti, për shumë arsye të kuptueshme ka vënë në diskutim të gjitha siguritë e vjetra; pasiguria është një gjendje që shumë njerëz e kanë të vështirë ta durojnë; prandaj çdo lëvizje (dhe jo vetëm religjioze) që premton se do të krijojë apo do të ripërtërijë siguri e ka tregun e gatshëm”.

Ky është një pohim i sociologut amerikan të feve, Peter Berger bërë në vitet 90, ende pa ndodhur 11 shtatori e ende pa u krijuar i ashtëquajturi shteti i Daesh-it. Këtu autori e ka fjalën për ato siguri që nuk janë vetëm çështje armatimesh apo organizmash të inteligjencës, por për ato siguri ideologjike që japin përgjigje të gatshme e të parafabrikuara për çdokënd dhe për çdo gjë e situatë, që kinse “dine” menjëherë të dallojnë armikun e në mënyrë dogmatike të imponohen në mendjet e njerëzve. Ky është shkaku i ekstremizmit të dhunshëm sot, sepse i shemb themelet sigurive ideologjike dhe nuk pranon që bota ka ndryshuar.

Ngjarjet e fundit në Manchester dhe sot në Egjipt me koptët, por edhe shumë ngjarje të tjera nxisin brenda shumëkujt një lloj instinkti force, që nuk ka të bëjë aq shumë me vetëmbrojtjen e ligjshme, por me një lloj ndjenje hakmarrjeje. Këto ngjarje kanë si efekt të tyrin të menjëhershëm në shumë njerëz dhe shoqëri, mbylljen dhe pozicionimin në qëndrime kategorike dhe absolute që kthehen në përjashtuese. Është deri diku e kuptueshme një gjë e tillë, por është një rrugë e shkurtër, madje nuk është një rrugë pa krye. Ky treg i gatshëm që gjejnë personat e hutuar apo të pështjelluar nga mungesa e sigurive ideologjike ka shpesh emrin e ekstremizmit të dhunshëm dhe të atij ideologjik të cilat janë faqet e së njëjtës monedhë.

Ektremizmi i dhunshëm në emër të fesë është akoma edhe një herë një instrumentalizim i saj për qëllime të tjera hegjemonie dhe sundimi. Ai sigurisht që kërkon përgjigje, madje të menjëhershme nga ana e shteteve dhe organeve të sigurisë që kanë për detyrë të mbrojnë sigurinë e popujve në bazë të marrveshjeve që janë bërë. Kërkon po ashtu një përgjigje nga vetë religjionet, me një distancim të menjëhershëm dhe dënues e duke mbledhur besimtarët e tyre rreth faljes apo lutjes.

Por nga ana tjetër ekstremizmit të dhunshëm nuk mund t’i kundërvihemi me një ekstremizëm ideologjik po aq të dhunshëm, duke ndërtuar mure moskomunikimi midis popujve e sidomos midis religjioneve, të cilat kanë për detyrë të dialogojnë për të gjetur rrugë, se si së bashku t’i kundërvihen të keqes së ekstremizmit. Nuk ka një rrugë tjetër përpos dialogut, njohjes dhe pranimit reciprok. Kjo është një rrugë e gjatë që nuk sjell siguri të menjëhershme, nuk sjell zgjidhje të thjeshta, por është një rrugë e sigurtë drejt një të ardhmeje më të mirë. Ekstremizmat, religjiozë apo edhe laikë qofshin, janë një e keqe për t’u shkulur, sepse dëmtojnë rëndë bashkëjetesën shoqërore.

Ndërtimi i urave na lejon të jetojmë në brigje të ndryshme (religjione te ndryshme, ide apo mendime, etni apo orientime të ndryshme), por të aftë e të mundshëm që të përqafojmë njëri-tjetrin e kështu të kremtojmë së bashku jetën, në paqe.

 

Previous Promovimi i librit “In Memoriam”
Next O Atë, ruaji në emër tënd

Sugjerime