Të ngriturit e Jezusit në qiell  Shëlbuemi

Të ngriturit e Jezusit në qiell Shëlbuemi

Dritan Ndoci  /

Vap 1, 1-11; Ps 47 (46); Ef 1, 17-23; Mt 28, 16-20

Thuhet se një herë një meshtar vendosi të shkojë e të takojë disa minatorë, të cilët punonin në disa miniera të largëta, ku rrallë kush shkonte të fliste për Krishtin. Kur arriti atje, thirri njërin prej punotërëve që pa aty dhe i tha: «A e njihni Jezu Krishtin?». E meshtari kuptoi shumë nga përgjigjja e patëkeq e punëtorit: «Jo, nuk e njoh! Ndoshta nuk punon këtu!».

Ka në botë njerëz që nuk din asgjë për Krishtin! Të mos shkojmë larg: edhe këtu, në Shqipërinë tonë, ku krishterimi është predikuar që prej dy mijë vjetësh nga vetë Shën Pali, ka shumë të tillë. Nuk po flas për ata që e mohojnë Krishtin apo që e tallin, por për raste ku nuk dinë vërtetë asgjë.

E fillova duke folur për një dukuri të tillë e me të drejtë mund të pyesni se ç’lidhje ka kjo me të kremten e sotme?

Jezusi në Ungjillin e sotëm thotë: «Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt». Sot që kremtojmë Ngjitjen e Krishtit në qiell, kjo ftesë na bën të mendojmë shumë. Është e vërtetë se kjo e kremte e sotme thekson në radhë të parë faktin se Jezusi na ka paraprirë në atë lavdi të cilën edhe ne shpresojmë se do ta shijojmë një ditë, por kjo e kremte thekson jo pak edhe një të vërtetë tjetër: këtu në këtë botë Jezusi ka lënë Kishën e vet që ta vazhdojë misionin e Tij. Edhe pse kurrë Ai nuk e lë të vetme atë.

Sikur të mos e kuptonim këtë, nuk do të arrinim ta kuptonim as bisedën interesante që zhvillohet mes Jezusit dhe apostujve ditën kur do të ngjitej në qiell. Ndërsa janë duke ngrënë bukë (mister më vete: Jezusi i Ngjallur vazhdon të ushqehet me ushqimet e kësaj bote!), apostujt i bëjnë këtë pyetje: «Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?». Kjo pyetje tregon shpresën që kishin apostujt: shpresonin se një ditë Hyji do ta çlironte Izraelin nga zgjedha e pushtuesve dhe do t’ia zbardhte faqen para të gjithë popujve të tjerë. Një shpresë pak si materialiste, por jo edhe aq e shtrembër, siç përpiqet të theksojë dikush: në fund të fundit kjo shpresë tregonte fenë e gjallë të Izraelit në Hyjin, bindjen se askush nuk është më i madh se Ai. Apostujt (e kjo është madhështore), duke ia drejtuar Jezusit këtë pyetje, tregojnë haptas bindjen e tyre se Jezusi është Hyj.

Megjithatë, në fakt, kjo lloj kërkese nuk mjafton: apostujve do t’u duhet të shkojnë akoma më thellë në misterin e Krishtit. Prandaj Jezusi u përgjigjet prerazi: «Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju, dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem, në mbarë Judenë, na Samari, madje dhe gjer në skajin e botës».

«Nuk është puna juaj»: sa i prerë! Dëshiron t’i largojë nga kurioziteti i tepërt. E në fakt i krishteri duhet të ruhet nga një kuriozitet i tepërt në lidhje me llojin e ndërhyrjes së Hyjit në jetën e tij e në jetën e botës. Apostujt, si edhe mbarë Izraeli – e thamë – prisnin kur do t’i zbardhej fytyra këtij populli, pritje kjo shumë e drejtë. Por, kur dhe si, e di vetëm Hyji. Besimtari, ndërkohë, është i thirrur për diçka tjetër: të japë dëshmi: «Ju do të bëheni dëshmitarët e mi».

Sa lujte e përlutje i drejtojmë Hyjit, gati-gati me atë dëshirën që ta ngucim që të zgjohet e të na vijë në ndihmë! Por – e kjo le të na bëjë të mendojmë – ndërkohë Hyji na shqiptoka te veshi këto fjalë: «Të më mësoni nuk është puna juaj, por të jepni dëshmi për mua».

Shumë prej nesh duam t’i japim mend Hyjit, dëshirojmë ta nxisim ta shohë gjendjen tonë. Dikush lutet për shëndetin e vet, dikush dëshiron t’i mësojë Hyjit se çfarë Ai duhet të çojë në jetën e fëmijëve të tyre, dikush i paraqet atij projekte e plane, në të cilët Hyji patjetër u dashka të hedhë firmën e vet. E kur këto nuk ndodhin, as që u shkon ndër mend se mbase Hyji po u pëshpërit në vesh diçka tjetër. Po u thotë se nuk është puna e tyre kjo. Po u thotë se, edhe pse kërkesa të tilla janë shprehje e besimit në gjithëpushtetësinë e Tij, prapëseprapë nuk majfton: «Besojnë edhe djajtë dhe dridhen» – thotë Shën Jakobi në letrën e tij (2, 19).

Po a vërtetë kujton se Hyji nuk e sheh gjendjen tënde shëndetësore? A vërtetë mendon se Hyji nuk e sheh se për çfarë kanë nevojë fëmijët e tu? Vërtetë?

Po a vërtetë kujton se planeve të tua, mbase plot me qëllime të mira, Hyji nuk ua di rëndësinë? Vëretë?

Edhe të lypim mundemi, patjetër: «Lypni, e do t’ju jepet», thotë Jezusi, por kujdes nga ajo fryma që të nxit të përpiqesh t’i japësh mend Hyjit, apo të kërkosh gjëra që janë thjeshtë kureshtje e tepruar. Këto nuk janë puna jote: «Nuk është puna jua».

Puna jonë kryesisht, pra, qenka një tjetër: të japim dëshmi të krishterë, t’i përngjajmë Krishtit dhe ta përhapim sa më shumë fjalën e Tij.

Nëse sot në Kishë keni ardhur për të takuar Hyjin e të mësoni diçka më shumë rreth vullnetit të Tij, do të thotë se jeni me fat, sepse sot po ju thuhet jo fort pak: ajo që Hyji kërkon prej jush e prej meje është që të japim dëshmi për Të. Nëse dikujt kjo i duket pak, le ta pyesë mirë veten rreth arsyes se përse është nisur të vijë në kishë sot.

Sa e sa janë të krishterët që e kanë ndonjë rast për dëshmuar Krishtin (e unë jam i bindur se “ndonjë rast” i fortë vjen për secilin), por i kthejnë shpinën kësaj mundësie. Sa shumë të rinj tërhiqen mbrapsht nga dëshmia e krishterë për shkak të frikës së përqeshjes nga bashkëmoshatarët e tyre! Sa shumë janë ata që, të marrë mendsh nga ajo që mund të mendojnë të tjerët, bëjnë mëkate të mëdha e deri edhe mizore! Sa shumë janë të krishterët që kanë rast të bëjnë mirë me pasuritë që Hyji vë në duart e tyre, por lakmia e tepërt i çon t’ia vënë tapën ndërgjegjes së vet! E pra, puna e tyre ishte të jepnin dëshmi.

Jezusi i ngritur në qiell pret prej të krishterëve dëshminë, në mënyrë që bota ta njohë Jezusin, t’i besojë Atij dhe të shpëtojë nga egoizmi: «Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar!». Janë porositë e fundit të Jezusit para së të shkëputej nga toka për t’u ngjitur në qiell, para syve të mahnitur të nxënësve të vet. E ne le ta dimë mirë: në favor të përhapjes së Ungjillit, askush në botë nuk do të mund ta bëjë të mirën që ne mund ta kishim bërë me dëshminë tonë, por që e lamë pa bërë. E për këtë Jezusi do të na kërkojë llogari.

Po në çfarë bazohet tërë kjo ugjencë për të dhënë dëshmi? Në faktin se jemi Kishë, Trupi i Krishtit. Do të ishte në kundërshtim me indentitetin tonë si Trup, sikur të mos vazhdonim misionin e Krishtit, Kreut të Kishës.

Pastaj, pikërisht se jemi Trupi i Krishtit, nuk duhet ta shohim jetën siç e shohin paganët. Nuk jemi gjymtyrë të një Trupi të mjerë, por të një Trupi të thirrur që të gëzojë lavdinë, po atë lavdi që gëzon e Koka. Për ta arritur një gjë të tillë na e mundëson Shpirti Shenjt. Në leximin e parë Jezusi u thoshte apostujve se Ai që do t’i ndihmonte në dëshminë e tyre do të ishte Shpirti Shenjt: «Ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju, dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi». Ndërsa në leximin e dytë Shën Pali uron efesianët që Hyji Atë t’u dhurojë atyre «Shpirtin e dijes e të zbulesës», pra Shpirtin Shenjt. Por është interesant fakti që, rolin e Shpirtit Shenjt, Shën Pali tani nuk e lidh me ndihmën e nevojshme për të dhënë dëshminë e krishterë, por me «njohjen e Hyjit dhe kuptimin e shpresës së madhe»: «Vëllezër, Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i Lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Aë; t’ju japë syve të zemrës tuaj dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër, dhe madhërinë e pamasë të fuqisë së tij kundrejt nesh që besojmë… ».

Pra, Shpirt Shenjt na e mundëson në këtë jetë njohjen e Hyjit dhe dëshminë e krishterë, por edhe kuptimin e shpresës së madhe, që është shpresa e bashkimin të lumtur me Hyjin.

Prandaj, ajo që na mbetet të bëjmë është që ta lëmë veten të drejtohemi nga veprimi i Shpirtit Shenjt. Ai do të na japë forcën e nevojshme për të dhënë dëshmi dhe njëkohësisht do ta mbajë në ne të ndezur shpresën e madhe se, një ditë, edhe ne do të hyjmë në atë lavdi në të cilën na ka paraprirë Krishti i Ngjallur, Kreu i Trupit të vet, Kishës, e cila jemi ne që besojmë në Të.

Gjatë kësaj jete, kohë dëshmie dhe shprese të madhe, kemi sigurinë se Jezusi është gjithnjë me ne: «Unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës!».

 

Previous Përvjetori i kalimit në amshim i imzot Lucjan Avgustinit
Next Kritere zbatuese për Amoris Laetitia, Dritë për familjet tona

Sugjerime