Mbajtja e urdhërimeve dhe shpirti i së vërtetës

Mbajtja e urdhërimeve dhe shpirti i së vërtetës

Dritan Ndoci  /

E DIELA VI E PASHKËS

Vap 8, 5-8. 14-17; Ps 66 (65); 1Pjt 3, 15-18; Gjn 14, 15-21

«Pasi që shpirti hyn në këtë dhomë, përmes një pamjeje intelektuale të tre Personat e të Shenjtërueshmes Trini i dëftohen falë një farë shpalosjeje të së vërtetës, si shkreptima e një zjarri që e pushton menjëherë shpirtin si një re plot shkëlqim. Tre Personat shihen qartas dhe shpirti, falë një njohje të mrekullueshme që i jepet, e kupton me një siguri absolute se të tre janë të Njëqënshëm, se janë një pushtet i vetëm, një dije e vetme, një Hyj i vetëm. E kështu, ajo që e besojmë në saje të fesë, këtu shpirti e përcepton, mund të themi, me pamje, edhe pse nuk shihet asgjë as me sytë e trupit e as me sytë e shpirtit, sespe nuk bëhet fjalë për një pamje imagjinare. Atëherë të tre Personat hyjnorë ndikohen në shpirt, i flasin atij, e bëjnë të kuptojë ato fjalët e thëna nga Zoti në Ungjill: se Ai do të vijë, së bashku me Atin e me Shpirtin Shenjt, për të banuar në shpirtin që e do dhe që i mban urdhërimet e tij».

Janë këto fjalët e famshme në botën e mistikës të shkruara nga Shenjtja Terezë e Avilës në librin e saj të njohur «Kështjella e brendshme». Këtu ajo përshkruan ecjen e madhe që i duhet të bëjë një shpirt (çdo etapë të ecjes ajo e quan dhomë) për të hyrë në intimitet me Zotin e vet. Fjalët e cituara më sipër, janë një pjesë e përshkrimit të momentin kur shpirti bashkohet plotësisht (dhoma e shtatë), qysh në këtë jetë, me Hyjin e vet.

Të bën përshtypje në këto rreshta qartësia, thjeshtësia dhe bukuria me të cilën shenjtëresha arrin të përshkruajë diçka që pothuajse të gjithë jemi të prirur ta mbajmë si të papërshkrueshme.

Përvoja të tilla të shenjtërve, na bëjnë të kuptojmë se asnjë nga fjalët e Krishtit në Ungjill nuk janë të thëna sa për t’u thënë.

«Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë: Shpirtin e së vërtetës, që bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh e nuk e njeh. Ju e njihni, sepse Ai banon me ju e është në ju».

Janë fjalët e Jezusit në Ungjillin e sotëm dhe mund ta imagjinoni se me sa realizëm Jezusi po fliste në secilën prej këtyre germave. Nëse ne do të vazhdojnë të na duken fjalë të ftohta, apo shprehje thjesht “simbolike”, gabojmë. Shenjtërve nuk u janë dukur ashtu.

Jezusi e ka fjalën për një përfshirje të plotë të dishepujve të vet në jetën e së Shenjtërueshmes Trini. «Hyji kaq shumë fliste gjuhën e njeriut, derisa Ai vetë u bë Njeri, në mënryë që njeriu, duke folur vazhdimisht gjuhën e Hyjit, të bëhet Hyj» – thoshte Shën Ireneu në shkrimet e veta, i vetëdijshëm se ata që vërtetë bësojnë në Krishtin, zhyten në këtë përqafim dashurie që ndodhë në të Shenjtërueshmen Trini. Nomralisht nuk duhet kuptuar se edhe ne bëhemi njëri prej Personave hyjnorë: ata janë Tre e aq do të mbeten gjithnjë, por është bindja se besimtari arrin ta përvetësojë në përsosmëri dashurinë ndërtrinitare.

Këtë “punë” zhytjeje në përqafimin e dashurisë që Personat Hyjnorë kanë me Njëri-Tjetrin, e bën kryesisht veprimi i Shpirtit Shenjt. Jezusi në Ungjill sot e quan «Mbrojtës» dhe «Shpirti i së Vërtetës». Janë terme që tregojnë llojin e verpimtarisë së Shpirtit Shenjt. Ai do t’i mbrojë dishepujt e Jezusit nga gabimi, nga egoizmi e nga mashtrimet e djallit. Gjithashtu Ai do t’i drejtojë ata drejt njohjes së të Vërtetës. Në Ungjillin e të dielës së kaluar Jezusi thoshte: «Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta». Pra Shpirti Shenjt do t’i ndihmojë nxënësit ta njohin gjithnjë e më mirë Jezusin, i cili është «e Vërteta». Disa autorë shpirtërorë të kishës së hershme më të drejtë e krahasonin Shpirtin Shenjt me një ikonograf, sepse Ai, me frymëzimet, ndihmën dhe me mbrojtjen e tij, skicon pak nga pak në ne fytyrën e Jezusit.

Vetëm tani mund ta kuptojmë madhështinë e leximeve të tjera që dëgjuam sot. Në leximin e parë flitet për Filipin diakon, i cili shkon ta predikojë Ungjillin në një qytet të Samarisë, në Mesinë dhe thuhet se «turmat ua vinin veshin me kujdes mësimëve të tija, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat e mrekullueshme që bënte». E mrekullitë ishin këto: «Prej shumë të djallosurish dilnin shpirtrat e ndytë duke bërtitur me zë të madh (ku është Shpirti i Zotit, ikën shpirti i ndytë), shëroheshin shumë të paralizuar e të çalë (Shpirti Shenjt po përsërit në Filipin veprat e Jezusit) dhe u bë gëzim i madh në atë qytet (Shpirti Shenjt sjedh «gëzimin e plotë» të cilin Krishti kishte premtuar se do ta jepte)». Atëherë, pasiqë vetë Shpirti Shenjt e kishte përgatitur terrenin, vijnë apostujt dhe ua japin dhuratën Shpirti Shenjt të gjithë atyre që besuan në Emrin e Jezusit.

Në leximin e dytë Shën Pjetri, i mbushur tashmë me Shpirtin Shenjt, fillon të mësojë se si të gjithë ne mund të lejojmë që Shpirti i së Vërtetës ta skicojë në ne fytyrën e Jezusit: «Jini gjithmonë të gatshëm t’i jepni përgjigjë gjithësecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju, por me butësi dhe nderim të duhur, me ndërgjegje të mirë, në mënyrë që ata, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, shi në atë pikë, në të cilën juve ju shpifin, të mbesin të turpëruar».

«Ata që flasin keq për ju» kush janë? Janë “bota”, term ky me të cilin bibla nënkupton atë realitet që është kundër vullnesës së Hyjit. Edhe Jezusi (e dëgjuam) e përmend sot në Ungjill: «Shpirtin e së Vërtetës, që bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh as nuk e njeh». Termi “bota” nuk nënkupton ato realitetet njerëzore ku Jezusi nuk njihet ngaqë askush nuk ua ka predikuar, por ato ku Jezusi njihet, por kundërshtohet sistematikisht. Nënkupton ata persona që nuk duan t’i hapen fjalës së Zotit, nuk duan t’i hapen të vërtetave që ndërgjegjja njerëzore mëson, që nuk duan t’i hapen vlerave, që nuk duan t’i hapen jetës dhe dinjitetit të saj. Këta persona janë “bota” që nuk mund ta marrë Shpirtin e së Vërtetës, sepse nuk i hapet Atij: «nuk e sheh as nuk e njeh».

Por të gjithë do të jeni duke pyetur ndoshta se cila është rruga për t’iu hapur Shpirtit Shenjt! E thotë vetë Jezusi sot: «Nëse me doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër». Kusht për fillimin e veprimit të Shpirtit Shenjt brenda nesh, pra, qenka zbatimi i urdhërimeve të Jezusit. Urdhri i Jezusit është ai urdhri i famshëm i dashurisë: «Duajeni njëri-tjetrin sikurse unë ju desha ju», por të kemi shumë kujdes e të mos ngutemi të dalim në përfundimin se Jezusi kështu i paska bërë të pavlefshëm Urdhërimet e mëparshme që Zoti ia kishte dhënë Izraelit nëpërmjet Moisiut: «Unë nuk erdha ta shlyej Ligjin, por ta përsos», thotë Jezusi diku tjetër në Ungjill. Një farë bindjeje se Jezusi paska predikuar një dashuri si të papërcaktuar është mjaft e përhapur në shumë të krishterë. Prandaj, kur vjen puna te «shenjtëro ditën e shtatë», «ndero prindërit», «mos vra», «mos bëj kurorëthyerje», «mos vidh», «mos bëj dëshmi të rrëme», «mos lakmo gjënë e tjetrin», nuk ndihen edhe aq të detyruar në ndërgjegjje. E kjo është krejt e gabuar. Ata duhen zbatuar të gjithë, sepse janë shkalla e parë dhe e detyrushme që njerëzimi ta rifillojë edhe një herë rrugëtimin e tij drejt Hyjit, rrugëtim të cilin e ndërpreu për shkak të mëkatit. Atyre është e vërtetë se Jezusi ua ka shtuar «mohimin e vetvetes», «dashurinë ndaj armikut», «dëshminë e fesë deri në dhurimin e jetës», por nuk i ka zhbërë.

Jo rastësisht zbritja e Shpirtit Shenjt mbi apostujt ndodh ditën e Rrëshajëve, ditë kur Izraeli përkujtonte momentin e madhërueshëm të dhënies së Dhjetë Urdhërimeve. Si për të thënë se Shpirti Shenjt po vinte t’i ndihmonte apostujt t’i zbatonin të gjitha ata Urdhërime, por që pastaj t’i çonin deri në përsosmëri duke ndjekur shembullin e Jezusit. Pra, zbatimi urdhërimeve është kusht për marrjen e Shpirtit Shenjt dhe, marrja e Shpirtit Shenjt, është kusht për përsosjen e Urdhërimeve.

«Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban, ai më do; dhe atë që më do mua, do ta duajë edhe Ati im edhe unë do ta dua dhe do t’i dëftohem». Të guxojmë pak e ta zëvendësojmë, në këtë fjali, foljen dua me termin Shpirti Shenjt, dhe do të dilte kështu: «Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban, ai e ka Shpirtin Shenjt; dhe atë që e ka Shpirtin Shenjt, do ta zhysë edhe më fort në Shpirtin Shenjt edhe Ati im edhe unë do ta zhys edhe më fort në Shpirtin Shenjt dhe do t’i dëftohem». Guxim i tepruar, mbase, por besoj se kjo është “puna” e Shpirtit Shenjt brenda besimtarit. Kjo është “puna” që Shpirti Shenjt ka bërë brenda shenjtërve të tij përgjatë shekujve, duke bërë të mundur që ata të arrijnë të zhyteshin krejtësisht në përqafimin e dashurisë së tre Personave hyjnorë, siç pamë se e përshkruante Shenjtja Terezë.

Kështu shenjtërit bëheshin të gjithë shumë mistikë dhe njëkohësisht shumë praktikë: si Jezusi.

 

Previous Pervjetori i Imzot Lucjan Avgustini
Next Ç’mund të bëjë feja për krizën politike në Shqipëri?

Sugjerime