Galateu per Smartphone – Bëhu Smart(wo)man!

Galateu per Smartphone – Bëhu Smart(wo)man!

Gjergj Meta  /

-Mos harro! Smartphone-i është vetëm një mjet dhe si i tillë duhet të ketë vendin që i takon dhe jo gjithë hapësirën e jetës tënde. Mjetet janë mjete dhe nuk duhet të kthehen në qëllime. Ktheje smartphone-in tënd në një mjet që të shërben ty dhe jo në diçka që të pengon.

-Mos harro! Smartphone-i nuk ekziston. Smart (i zgjuar) do të jesh ti nëse e sundon atë, sepse ai është prodhim i joti. Nëse ai të sundon ty atëherë ai kthehet në një diktator për ty. Bëhu një smart(wo)man!

-Minutat e fundit para gjumit mos ia jep smartphonit tënd, por vetevtes. Mbyll sytë dhe mendo 5 minuta. Do të jetë e vështirë në fillim, por me kalimin e ditëve do të kthehet në një nevojë e do të duash ta bësh më shumë kohë.

-Para gjumit vendose smartphonin tënd në një dhomë tjetër, që nuk është dhoma e gjumit. Është më mirë ta fikësh, por, po nuk e fike, së paku ndalja zërin.

-Do të ishte më mirë që para gjumit, ashtu sikurse fik dritën, të fikësh edhe aparatin wirless të familjes.

-Kur të zgjohesh në mëngjes mos vrapo të marrësh menjëherë smartphonin tend, për të parë nëse të ka ardhur ndonjë mesazh, nëse ka ndonjë koment në fb, Instagram apo në rrjete të tjera sociale. Nise ditën me veten tënde dhe jo me të tjerët.

-Vetëm kur të jesh larë, veshur dhe gati për kafen e mëngjesit, hape telefonin tënd, po ashtu edhe internetin e shiko çfarë ke dëshirë të shohësh.

-Nëse e di që do të takosh dikë bën mirë që pak minuta para takimit të vesh telefonin në zile pa zë dhe të heqësh internetin prej tij. Telefoni të hapet vetëm pak minuta, pasi të kesh mbaruar me personin dhe të kesh ikur prej tij.

-Në rast se ke një telefonatë urgjente atëherë mbaje telefonin me zile dhe në fillim të bisedës i thua personit me të cilin po flet se ndoshta gjatë bisedës me të do të duhet t’i përgjigjesh një telefonate.

-Kur je në një mbledhje apo në klasë, smartphone -i, nëse nuk është pjesë e punës apo e mësimit, është mirë të jetë i fikur apo së paku pa zë e pa internet dhe i vendosur në çantë deri në  mbarim të mbledhjes apo të mësimit. Kjo do të thotë përqendrim dhe respekt për të atë që po flet, profesori ose dikush tjetër.

-Në darkë apo në drekë me familjen, apo në raste të tjera, përdorimi i smartphone-it është gjëja më e urryer. Këtë mund ta eksperimentoni lehtësisht. Mjafton një ditë të mos e përdorni dhe të shikoni se çfarë ju krijon kur të gjithë të tjerët përdorin smartphone-in dhe ju jo.

-Po ashtu, kur familja është duke parë televizor apo duke biseduar e gjitha në dhomën e ndenjes, smartphone-i duhet të rrijë i fikur ose në një dhomë tjetër. Momentet e përbashkëta në familje janë për të komunikuar me njëri-tjetrin dhe jo me të tjerët, që nuk janë të pranishëm në dhomë.

-Kur dikush ju kërkon për të bërë një bisedë, do të thotë që ka nevojë të dëgjohet nga ju. Nëse do të shohë që ju merreni me diçka tjetër ai/ajo do të shkurajohet. Prandaj mbylle smartphonin tënd menjëherë dhe vendose diku larg vendit ku jeni duke biseduar, në mënyrë që ndërmjet teje dhe personit në fjalë të mos ketë pengesa.

-Po ashtu nëse smartphone-i yt është i kushtueshëm dhe model i fundit, për arësye të punës që bën, apo sepse ta kanë dhuruar, mundohu të mos e tregosh kurrë kur je me persona që nuk i kanë mundësitë apo nuk kanë fare telefon.

– Kur hyn në makinë harroje se ke smartphone. Ose së paku hiqe internetin me patjetër. Mospërdorimi i telefonit gjatë kohës që i jep makinës shton shanset që ti dhe të tjerët të jetojnë më shumë. Dëgjo muzikë në makinë.

-Nëse do të përdorësh smartphone-in me këto kritere do të shohësh që jeta jote do të jetë shumë më cilësore, personat përreth teje do të kenë kujdesin për të cilin kanë nevojë e gjithashtu ti do të shijosh më shumë mesazhet që merr online.

Previous Deklarate e Komuniteteve fetare ne Shqiperi per situaten politike
Next Pervjetori i Imzot Lucjan Avgustini

Sugjerime