Unë jam udha e vërteta dhe jeta

Unë jam udha e vërteta dhe jeta

Dritan Ndoci  /

E DIELA V E PASHKËS

Vap 6, 1-7; Ps 33 (32); 1Pjt 2, 4-9; Gjn 14, 1-12

Pjesët më të rëndësishme të Veprave të Apostujve, të cilat i dëgjojmë pak nga pak në të dielat e kësaj kohe Pashkësh, kanë për qëllim të na bëjnë të njohim zhvillimin e ngjarjeve të Kishës së parë. Sot aty na flitet për një detaj mjaft të rëndësishëm, siç ishte zgjedhja e shtatë diakonëve të parë, të cilët do t’i ndihmonin apostujt në mbarështimin e hireve të Zotit, duke qenë se dita ditës po shtohej numri i të krishterëve. Është bukur të shohim se si Kisha zgjerohej përditë, edhe pse përreth saj mbretëronte kërcënimi e përndjekja.

Por vëmendja jonë – natyrshëm e me shumë vrull – sot tërhiqet nga Ungjilli. Aty Jezusi bën disa pohime me shumë rëndësi për veten e vet.

Së pari thotë «Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta» e pastaj edhe «Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin». Njëri pohim më madhështor se tjetri.

Megjithatë para se të hyjmë në thellësinë e secilit prej tyre, është me rëndësi të shohim se këto pohime nuk janë të përgatitura nga Jezusi për t’ua lënë si testament nxënësve. Ata janë të provokuar nga biseda me apostujt e vet, përkatësisht me Tomën dhe Filipin.

Ajo që përkundrazi Jezusi duket sikur e ka merak ta thotë, ajo që Ai e ka përgatitur me kohë ta thotë, është që t’i bëjë gati apostujt për shkandullin e kryqit që pas pak do të vinte.

Na ngjall shumë butësi ajo që Jezusi u thotë nxënësve në lidhje me këtë: «Mos t’ju shqetësohet zemra!». Duket si puna e këshillave që një nënë u jep fëmijëve të vet, para se të nisen për udhë. [E në fatk, pak më sipër në Ungjillin e Gjonit, Jezusi i quan apostujt pikërisht «Fëmijëzit e mi» (13, 33)].

Tani vërtetë që për Jezusin po fillon udha e kryqit, por kjo udhë po fillon njëkohësisht edhe për nxënësit e tij. Prandaj, plot me ndjenja prindërore, Ai është në merak për qëndresën e tyre.

E vazhdon: «Besoni në Hyjin edhe në mua besoni». I fton të kenë besim. Sa të forta do t’u jenë dukur apostujve këto fjalë kur do ta kenë parë duke vdekur në kryq!

Pastaj u thotë se largimi i Tij nga kjo botë është vetëm i përkohshëm. Por është një largim i domosdoshëm, sepse i duhet të shkojë të përgatisë vendin për ta: «Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. Po të mos kishte, a do t’ju thosha: “Po shkoj t’ju bëj gati vendin”? Kur t’ju përgatis vendin, do të vij prapë e do t’ju marr tek unë që, aty ku jam unë, të jeni edhe ju. Ku unë shkoj, ju e dini rrugën». Fjalë vërtetë të bukura e të thjeshta.

Por vetëm kjo e fundit nuk ishte edhe aq e qartë për bashkëbiseduesit e Tij. E prandaj Toma e pyet: «Zotëri, ne s’dimë ku po shkon. Si, pra, mund ta dimë udhën?». E këtu Jezusi bën atë pohimin e tij kaq të bukur e madhështor, pohim i cili ka nxitur komente të shumta në përpjekje për ta kuptuar e shpjeguar atë. Thotë: «Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta». [E ka zakon ky Shën Toma të nxisë fjalë e gjeste madhështore nga Jezusi, siç bëri pas Ngjadhjes.]

Pyetja e parë që ne mund të bëjmë është se ku Jezusi e vë më së shumti theksin: te fakti se Ai është Udha, se është e Vërteta, apo se është Jeta? E me të drejtë dikush bën këto arsyetime: A është Udha, ngaqë është e Vërteta dhe Jeta? A është e Vërteta, ngaqë është Udha dhe Jeta? Apo mos ndoshta është Jeta, ngaqë është Udha dhe e Vërteta?

Duket sikur përgjigjen e këtyre pyetjeve e gjejmë në vetë kontekstin e bisedës. E në fakt Jezusi pak më sipër kishte thënë se «Ku shkoj unë, ju e dini rrugën», gjë e cila e shtyu Tomën të pyeste: «Si mund ta dimë udhën?». Kjo na bën guxojmë të themi se, në pohimin e vet, Jezusi e ka vënë theksin pikërisht tek Udha. Ai është e vetmja Udhë që na çon tek Ati. E në fakt fill pas këtij pohimi Jezusi thotë: «Askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua». Vetëm Jezusi, pra, është Udha që na çon në njohjen dhe në takimin me Atin e vet. Dhe është një Udhë e tillë ngaqë vetëm Ai është e Vërteta dhe Jeta. E, përgjatë historisë njerëzore, të gjithë ata që kanë ndjekur të vërtetën dhe e kanë dashur realisht jetën, edhe pse pa e ditur, kanë Ndjekur Jezusin, i cili është e Vërteta dhe Jeta.

 

Por pjesa Ungjillore nuk mbaron me kaq. Përballë këtyre fjalëve kaq të bukura dhe madhështore, Shën Filipit i duket e natyrshme t’i bëjë Jezusit një kërkesë: «Zotëri, na e dëfto Atin e na mjafton». Por për Jezusin kjo pyetje nuk është edhe aq e natyrshme. E natyrshme, përkundrazi i duket diçka tjetër: «O Filip, kaq shumë kohë jam me ju e nuk më njohe ende? Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin. Si thua pra: “Na e dëfto Atin!”. Po a nuk beson se unë jam në Atin e Ati është në mua?». Duke qëndruar pranë Jezusit, më e natyrshme qenka të mendosh këtë të fundit, se sa të kujtohesh t’i kërkosh Atij ndonjë zbulim spektakolar të Atit.

Mbase, pas pyetjes së Filipit, fshihet një ide shumë e gabuar mbi Hyjin, ide të cilën mund ta kemi shumë prej nesh. Të gjithëve na duhet ta pyesim mirë veten se kush është Hyji? Mos ndoshta është Ai që bën spektakël? Jo, madje Ai rri shumë i fshehur, shumë në prapaskenë të kësaj bote të cilën e ka krijuar vetë. Aq në prapaskenë, saqë pranon edhe mundësinë që dikush edhe ta mohojë. Atëherë dikush mund të pyesë se përse, pra, Hyji ndërhyn në disa raste me anë të mrekullive, duke ndyshuar ligjet e natyrës? A mos e bën nga dëshira për të thënë “Hej, jam edhe unë, mos më harroni”? Apo ndoshta ndërhyn për të ndëshkuar të keqen? As njëra e as tjetra. Ai ndërhyn sepse është dashuri. Është i gjithëpushtetshëm, por kurrë nuk e ushtron pushtetin e vet jashtë logjikës së dashurisë. E nuk mund të bëjë ndryshe, sepse është Trini, pra bashkim Dashurie.

Jezusi, nuk bën asgjë jashtë po kësaj logjike të dashurisë ndërtrinitare. Kurrë. Në çdo fjalë, në çdo gjest, në çdo ndërhyrje, të thjeshtë apo të bujshme, Ai kurrë nuk është shkëputur nga kjo logjikë. Në asnjërin prej këtyre rasteve Ai nuk ka reshtur së zbuluari fytyrën e vërtetë të Atit të vet, në Shpirtin Shenjt. Edhe gjesti më spontan që Jezusi mund të ketë bërë këtu mbi tokë gjatë jetës së tij të përditshme, ka qenë gjithnjë i motivuar nga kjo shtysë dashurie ndërtrinitare.

Si pra, mundet Filipi të bëjë një kërkesë të tillë? A ende nuk e paska vënë re se Jezusi s’bën kurrë gjë tjetër përveçse të zbulojë fytyrën e Atit? Apo ndoshta Filipi ka gabim idenë e Ati? Kaq shumë kohë kanë kaluar bashkë, e nuk e paska kuptuar ende?

Po pse të çuditemi me Filipin e shkretë? U bënë dy mijë vite krishterim në shumë vende të botës e, në shumicën prej tyre, ende nuk janë zhdukur idetë pagane mbi Hyjin. Edhe këtyre popuj Jezusi do t’u thoshte i habitur: «Kaq shumë kohë jam me ju e nuk më njohët ende?».

Kush dëshiron të njohë Hyjin, i duhet patjetër të njohë Jezusin: «Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin». Një pohim i tillë është një ftesë urgjente që të interesohemi akoma më shumë për njohjen e Jezusit. Prandaj, duhet të mos e lëmë pas dore leximin e Shkrimit Shenjt, e sidomos atë të Ungjillit. Aty do ta njohim më nga afër se kush është Jezusi. Kështu, do të reshtim së thëni marrëzira pagane mbi Hyjin. E në fakt, nuk mund t’u vëmë emër tjetër disa lloj ideve të cilat flasin për Hyjin që ndëshkon, për Hyjin të cilit i soset durimi, apo për Hyjin si dikush që rri atje lart e sheh me indiferencë spektaklet e botës sonë e ide të tjera të ngjashme.

Si pasojë do të reshtnim së thëni edhe marrëzira pagane mbi njeriun. Nuk është gabim të thuhet: “Më trego se ç’ide ke mbi Hyjin e do të të them se ç’ide ke mbi njeriun”.

Edhe Shën Pjetri në leximin e dytë na nxit që ta njohim Jezusin e t’i afrohemi Atij: «Fort të dashur, afrohuni Krishtit, Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit, që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin”.

Fjalë të bukura, që do të meritonin një homeli më vete.

Previous Mons Brown paraqet letrat kredenciale
Next Gruaja sipas mësimit të Kishës katolike

Sugjerime