Gruaja sipas mësimit të Kishës katolike

Gruaja sipas mësimit të Kishës katolike

M. Mimoza Jaku sds   /

  1. Gruaja sipas mësimit të Kishës katolike

 Në këtë kumtesë mbi gruan sipas mësimit të Kishës katolike e brenda komunitetit katolik në Shqipëri, më së pari kam dëshirë të nisem nga një presupost, se gruaja nuk është subjekt për t’u diskutuar se cili është roli i sajë në shoqëri apo roli i sajë në një institucion, kjo për faktin se gruaja është qenie njerëzore e krijuar nga Hyji dhe si e tillë duhet konsideruar. Libri i Zanafillës na e paraqet për mrekulli këtë aspekt të krijimit të njeriut si kryevepra e Hyjit: “Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet, e krijoi në përngjasimin e Hyjit; i krijoi mashkull e femër” (Zan 1,27).

Në këtë fjali përmbahen të vërtetat antropologjike themelore: sepse njeriu është kulmi i krejt rendit të gjërave të krijuara në botën e dukshme, kurorëzon krejt veprën e krijimit, pra kjo do të thotë se te dy, burri dhe gruaja, janë qenie njerëzore në shkallë të barabartë, të krijuar në përngjasimin e Hyjit e, nuk është asnjëri superior apo inferior ndaj tjetrit.

Ky themel antropologjik dhe teologjik zgjidh problemin në lidhje me domethënien dhe me dinjitetin e të qenurit grua dhe të qenurit burrë.

Kjo e vërtet e amshuar e njeriut – burrë e grua të krijuar prej Hyjit– përbën edhe bukurinë e jetës së re të fituar nga vetë Krishti i cili i zbulon njeriut thirrjen e vet të cilën e kishte humbur si pasojë e mëkatit e që mëkati ka bërë që njeriu të humbas atë bukuri të imazhit të Hyjit dhe të reduktohet në atë që ne jemi.

“Ndër të gjitha egërsirat e fushës që Zoti Hyj krijoi, gjarpri ishte më dinaku. Ky i tha gruas: “Vërtet, Hyji ju urdhëroi që të mos hani prej asnjë peme të kopshtit?”. 2Gruaja iu përgjigj: “Ne i hamë frutat e pemëve që janë në kopsht; 3 porse për frytin e pemës që është në mes të kopshtit, Hyji na urdhëroi të mos e hamë as të mos e prekim që të mos vdesim”. 4 Porse gjarpri i tha gruas: “Nuk do të vdisni assesi. 5 Madje Hyji e di se kurdo të hani prej saj, sytë tuaj do të hapen e do të bëheni porsi Hyji duke e njohur të mirën e të keqen”.6 Atëherë gruaja pa se pema ishte e mirë për ta ngrënë dhe e bukur për t’u parë dhe pemë e dëshirueshme për të fituar dijen; gruaja mori prej frutit të saj dhe hëngri. Pastaj i dha edhe burrit të vet që ishte me të. Hëngri edhe ai. 7 Atëherë u hapën sytë të dyve. Kur panë se ishin lakuriq, gërshetuan gjethe fiqsh dhe bënë mbështjellës për vete”. (…) 13Atëherë Zoti Hyj i tha gruas: “Pse e bëre këtë”? Gruaja u përgjigj: “Më gënjeu gjarpri dhe hëngra” (…)16 E gruas i tha: “Do t’i shtoj mundimet e shtatzënisë sate, në mundime do t’i lindësh fëmijët, dëshirimi yt do të të shtyjë kah burri yt e ai do të sundojë mbi ty.” (Zan 3,1-16).

Duke u nisur nga ky këndvështrim Biblik, më së miri do të flisja për degradimin e njeriut femër në kthetrat e mëkatit, se sa të rolit të saj në shoqëri pasi që nuk është në diskutim roli i saj por çekuilibri i rolit të saj në shoqërinë njerëzore.

Thash më sipër se është pasojë e mëkatit që ka bërë që njeriu të humbasë atë cilësi të dinjitetit, duke bërë që burri të jetë superior mbi gruan dhe që të humbasë rolin e saj të bukur që kishte si kryevepra e Hyjit. Por edhe pse e tërë kjo përvojë e mëkatit që ka bërë njeriun të humbas atë bukuri të krijimit aq sa duke bërë që gruaja të jetë inferiore ndaj burrit, prapë se prapë Shkrimi i shenjtë, na paraqet jo pak gra të cilat kanë qenë gra “burrnesha” do të shpreheshim me gjuhen tonë shqiptare. Ndër to mjafton të përmendim: Sara, Rebeka, Lia, Rakela, Ana nëna e Samuelit, Debora, Judita, Ester e gra të tjera të cilat kanë shfaqur një autonomi të tyre e që kanë bërë që edhe historia e njerëzimit të ndryshojnë, gra të cilat kanë ditur që të ballafaqohen me situa jo mjaft të lehta në kohë të ndryshme.

Më pëlqen të theksoj këtu një grua për ekselencë që Kisha katolike e mban superiore dhe si e tillë është për të gjithë ne, Marinë. Maria, përveçse është Nëna e Jezusit, ështëedhe një grua e cila ka ditur të marrë njëpozicion mjaft të rëndësishëm në shoqërinë e asaj kohe dhe që nuk ka pasur frikë për të rifituar të drejtat e të shtypurit, një grua që shpall se Hyji është hakmarrës për padrejtësitë që u bëhen të shtypurve, që bën të rrëzohen të fuqishmit nga froni. Është një mesazh politik i vendosur në buzët e një gruaje të varfër hebraike(Lk 1,51-53). Mendoj se këtu lind nevoja për të gjetur në diskutimin mbi Marinë rolin e gruas akoma në Kishën tonë katolike. Çka do t’u thotë Maria grave të sotme? A është një grua që ia vlen ta ndjekim si model edhe sot? E në çfarë mënyre? Maria, është pikërisht ajo shenjë profetike e një roli perfekt të gruas, si shprehje e pranisë së Shpirtit të Zotit në jetën e njeriut. Maria mbart në vete edhe rrugën e re të të gjithë njerëzimit.

Jo radhë herë edhe gjatë ministerit të Krishtit shohim një kujdes të veçantë për gruan përballë traditës së asaj kohe. Duke shkuar në origjinën e jetës publike të Jezusit, të 2000 viteve më parë, edhe pse është një kontekst më shumë mashkullor, gjithsesi gjejmë edhe praninë e grave që e ndiqnin Atë gjatë jetës së tij publike. Mjafton të mendojmë Dasmën në Kanë (Gjn 2-5); gruan e zënë në kurorëshkelje (Gjn 8,3.10), pastaj edhe nën kryq, te varri si dhe pritjen e zbritjes së Shpirtit Shenjt, të premtuar prej Tij.

Edhe në hapat e parë të Kishës së Jerusalemit, gjejmë një kujdes shumë delikat për tëvarfrit dhe për gratë e veja (Vap 6,1-4) 7 diakonat që kujdeseshin për ata që kishin humbur afektivitetin martesor, si dhe mbështetjen dinjitoze të të afërmve tyre.

Pastaj ka gra të cilat veprojnë edhe në shpalljen e krishterë e në ndërtimin e bashkësive të para të krishtera, si p.sh: Febee cila ishte “diakonesha” e kishës së Kenhreut (Rom 16,1).

Në jetën e Kishës në vazhdim, gruaja ka një prani domethënëse në familje, si nuse e nënë e cila ka rolin e edukimit të fëmijëve. Sigurisht që gjatë shekujve, në këtë këndvështrim, Kisha, për fatkeq, e ka humbur disi atë risi të sjellë prej Krishtit, për faktin e ndryshimeve të vazhdueshme të shoqërisë. Por, pavarësisht gjithçkaje, në Kishë nuk ka munguar kurrë forca shpirtërore dhe intelektuale e gruas. Mjafton të kujtojmë Mistiket e mëdha si sh. Katerina nga Siena (1347 – 1380) e cila ka mbrojtur të drejtat dhe lirin e Papës Gregorit XI nga Avinioni, Francë me 13 qershor 1376, dhe punoi me zell të madh për ta ripërtëri jetën rregulltare; Shën Tereza e Avilës, Shën Tereza e Jezusit Fëmijë e të tjera që kanë dhënë një kontribut tëjashtëzakonshëm në jetën e Kishës.

Në 150 vitet e fundit, pra pas revolucionit francez, struktura e shoqërisë në Evropë ka pasur një zhvillim dhe ndryshim imponues. Jo vetëm pse ka kaluar nga një shoqëri agrikulture-patriarkale të konfiguruar nga ritmet e natyrës dhe e udhëhequr kryesisht nga figura mashkullore-atërore (atë e pronarë) por edhe është shënuar nga fakti i fenomenit të industrializimit që i ka ndryshuar rrënjësisht marrëdhëniet shoqërore. Pra duke bërë një shoqëri borgjeze me marrëdhënie të forta me shoqërinë civile aq sa duke ndryshuar në thellësi edhe realitetin e Martesës-familjes.

Sidoqoftë, është për t’u theksuar fakti se gjatë kësaj kohe kemi edhe një zhvillim të konsiderueshëm gati – gati si një shpërthim i instituteve të reja rregulltare femërore, të cilat i kanë dhënë Kishës dhe shoqërisë një ndryshim radikal. Ku më parë ekzistonte vetëm jeta soditëse e grave/virgjëreshave, pas revolucionit francez gruaja bëhet ungjillëzuese me fjalë e me vepra. Pra lind jeta aktive e të të kushtuarave të Hyjit, të cilat me karizmat e tyre kanë kontribuar për një shoqëri të shëndoshë e të përgjegjshme. Edhe pse, në të vërtetë, përsa i përket jetës së kushtuar femërore në një ecje përshpirtërie, Kisha që në shekujt e parë ka pasur një konsideratë të madhe për Virgjëreshat, e për gjendjen e tyre të jetës të ofruar në ndjekje të Krishtit.

Krahas zhvillimit kulturor dhe emancipimit të gruas në shoqëri, edhe Kisha katolike në këto vitet e fundit e ka lartësuar zërin e saj përsa i përket Martesës e rolit të gruas në veçanti.

Risia e Koncilit të Vatikani II, ka njohur mësë miri rolin e gruas në Kishë dhe vë në pah bukurin e thirrjes së gruas e cila po zhvillohet në plotësi, kohë kjo që gruaja po fiton në shoqëri një ndikim, një rrezatim, një fuqi të paarritur më parë. Pikërisht për këtë në një moment në të cilin njerëzimi po njeh një shndërrim kaq të thellë, gratë e ndriçuara prej shpirtit ungjillor mund të veprojnë shumë për të ndihmuar njerëzimin që të mos përkeqësohet.[1]

Pastaj edhe në Letrën Apostolike: MuglierisDignitatem, të vitit1988, të Atit të shenjtë Gjon Palit II, del në dritë kjo vlerë e thirrjes së gruas, të një misioni të jashtëzakonshëm marrë që prej krijimit dhe që është bërë evidente në personin e Marisë. Ashtu sikurse na e paraqet edhe shën Gjon Pali II, dy janë përmasat e thirrjes së gruas: Amësia – Virgjëria, pikërisht këto dy përmasa realizojnë personalitetin femëror që në dritën e Ungjillit, ato fitojnë plotësinë e kuptimit të vlerës së tyre në personin e Marisë. Këto dy përmasa thirrjeje janë takuar dhe janë bashkuar në Marinë në mënyrë të mrekullueshme[2]. Amësia është, fryti i “njohjes” së ndërsjellë të burrit dhe të gruas në bashkim martesor. Virgjëria/beqaria për Mbretërinë është fryt jo vetëm i një zgjedhje të lirë për shkak të Mbretërisë së Hyjit, por është hir i veçantë nga ana e Hyjit që e thërret një person të caktuar për ta jetuar virgjërinë/beqarinë si shenjë eskatologjike – e kohërave të fundit[3]. Këto dy përmasa janë njëkohësisht mision i pazëvendësueshëm në Kishën katolike.

Nga ana tjetër Papa Françesku ka kërkuar pikërisht që të bëhet një reflektim mbi rolin e gruas në Kishë, se si ajo duhet ta ushtrojë ministerin e vet, si dhuratë që e ka marrë në Pagëzim.

  1. Gruaja brenda komunitetit katolik në Shqipëri

Të flasësh për rolin e gruas nëshoqërinë shqiptare nuk jemi fort larg logjikës të sipërpërmendur. Tradita e lashtë na është transmetuar dhe si pasoj gjendemi mes dy rrymave: të së kaluarës jo fort të largët dhe të risisë informatike të përshpejtuar që ka kapluar krejt botën; globalizimi dhe informatika të cilat janë shprehjet më të famshme të ditëve tona, na bëjnë të endemi nëpër rrjetet sociale si kufoma nëpër ujët e turbullt pa e ditur se ku e kemi pikëmbërritjen.

Mirë e dimë se cili ka qenë dhe se cili është roli i gruas në shoqërinë tonë shqiptare. Duke qenë se edhe vetë jam pjesë e këtij realiteti, dua të ndalem pak të flas për rolin e femrës në Veri, sepse besoj se është pak më ndryshe se sa në qendër apo në jugun e Shqipërisë.

Këtu dua ta ndajë kohën në dy pjesë, për të verifikuar edhe rolin e gruas në Shqipëri: koha para turqve dhe gjatë pushtimit Otoman, si pasojë e politikës së asaj kohe.

Para ardhjes së turqve, në Shqipëri e në veçanti në brigjet shqiptare kemi një emancipim të gruas aq sa gruaja bëhet trashëgimtare e te mirave te burrit. Kjo do të thotë se gruaja gëzonte në shoqëri një rol mjaft të rëndësishëm. Nga ana e tjetër, pushtimi Otoman, duke qenë se marrëdhëniet diplomatike të turqve me Perëndiminishin të prishura, ndodhë që edhe situata në Shqipëri të ndryshojë. Ikja e njerëzve nëpër male për të mbrojtur fenë katolike, ka bërë që atje të lindë Kanuni i Lekë Dukagjinit i cili është përmbledhje e normave dhe dokeve shqiptare me karakter juridiko-social në një libër, në rrjedhën e disa qindvjeçarëve, para dhe pas jetës së Lekë Dukagjini. Këto norma janë të lidhura ngushtë edhe me aspektin fetar/kishtar, e njëkohësisht janë bërë edhe formim i mendjes njerëzore. Prandaj roli i femrës sipas normave të Kanunit të Lek Dugagjinitështë shumë i rreptë, aq sa gruas gati ia heqin të gjitha të drejtat. Libri i tretë, i cili flet për Martesat, e shpreh shumë qartë se çfarë tagri = të drejte ka burri dhe gruaja. Del në pah se ajo nuk ka asnjë të drejtë për të vendosur për asgjë, por veçse me rrit e me eduku fëmijët e me krye ato punë që jeta e përditshme i sjellë në mbarëvajtjen e familjes. Kjo situatë ka vazhduar deri në ditët e sotme, mjafton të mendojmë martesat e kombinuara nga familjet.

Për tërë shoqërinë e asaj kohe e deri me shpalljen e pavarësisë, 1912 Veriu i Shqipërisë ka jetuar me këto norma. Pas asaj kohe e deri me ardhjen e komunizmit kemi një emancipim të grave nëpër qytete e kjo mjafton të shkojmë e të shohim tek fotografitë e vjetra mënyrën e veshjes së grave e cila dallon nga ajo e stilit të veshjes së grave nëpër male.

Gjatë kësaj periudhe deri para komunizmit, një kontribut të rëndësishëm e kanë dhënë edhe dy institute rregulltaresh: Motrat Stigmatine si dhe Motrat Saleziane; këta kanë ndihmuar shumë në kishën e asaj kohe në zhvillimin e rinisë dhe të emancipimit të gruas nëpërmjet shkollave të tyre që shërbenin jo vetëm për edukim fetar, por edhe për kulturën intelektuale.

Deri para 25 vitesh, d.m.th. para ardhjes së demokracisë, në kohën e komunizmit, gruaja shqiptare nuk ka gëzuar asnjëfarë të drejte, përveç atyre që kanë qenë anëtare të partisë socialiste, edhe kjo ka qenë politikë e diktatorit, për të treguar se sa i emancipuar është vendi ynë. Ndërsa pjesa tjetër e grave ka qenë e destinuar për martesë e për të bërë fëmijë, t’i edukojë e të punojë pa bërë zë. E jo vetëm kaq, por të tillat kanë vuajtur edhe një diskriminim të jashtëzakonshëm me tortura nga më të ndryshmet nëpër kampet e përqendrimit apo nëpër vende pune nëpër kooperativa e sidomos ato gra që ndoshta kanë pasur ndonjë të afërm të dënuar për arsye feje apo për çështje politike. Disa prej tyre kanë qenë vetë të burgosura, mjafton të përmendim këtu të Lumen MarieTuci e cila ka pësuar një vdekje tragjike, por që nuk ka lejuar kurrë të bie preh e kthetrave të persekutimeve. Dëshmia e sajë përpara vdekjes tregon edhe një herë se gruaja është e lirë e nuk është pronë e askujt e askush nuk ka të drejtë t’ia heq lirin. Ajo shprehet kështu: “Falënderoj Zotin që po vdes e lirë!”

Ja pra ku del në pah se edhe gjatë kohës më të errët edhe në shoqërinë shqiptare gruaja ka ditur ta tregojë rolin dhe vendin që i takon.

Në raste të radha ka qenë ndonjë grua – vajzë e pamartuar e cila është dashur të merret me punët e mbarëvajtjes së shtëpisë e si të tilla janë quajtur: “Burrnesha”. Gjithsesi kjo tregon se prapëseprapë burri është ai që dominon. Kjo ka bërë që gruaja jo radhë herë ta shikojë veten si të “namun”, për faktin e mos të ndierit kurrë e aftë dhe e lirë për të qenë vetvetja, për të vendosur vetë të paktën për jetën e vet.

 

Liria e ardhur në vitet 90, e në veçanti me ardhjen e misionarëve/misionareve, i kanë paraqitur Kishës sonë shqiptare një model të ripërtërirë feje, risi kjo e ndodhur në Koncilin e Vatikanit II, që ishte zhvilluar në 1962-65, kohë kjo e errët për ne. Ardhja e misionarëve/misionareve ka ndihmuar në shumë nivele e shumë më i vyeshëm ka qenë fakti i ndihmesës së dhënë gruas, duke ia rikthyer asaj dinjitetin e humbur për shkak të shtypjes. Kjo ndihmesë i është dhënë nëpërmjet shkollimit; faktor të gjallë të këtyre realiteteve kemi të gjitha shkollat katolike, ku institutet femërore drejtojnë, bashkëpunojnë ose marrin pjesë në shkolla; një shembull konkret është edhe Instituti ynë i filozofisë / teologjisë këtu në Shkodër, ku motra të Instituteve të ndryshme rregulltare e frekuentojnë e jo vetëm si studente, por që prej pothuaj 10 viteve, motrat japin edhe mësim, gjë kjo që ishte e pamundur më parë.

Në përmbyllje të këtij reflektimi mbi rolin e gruas, dua t’u bashkohem fjalëve të martirëve tanë, këtë e them si grua dhe si motër e cila punon në kishën katolike këtu në Shqipëri, se “Ku është Shpirti i Zotit, aty është edhe liria”, prandaj unë nuk ndihem aspak inferiore apo superiore në Kishë, madje jam e kënaqur sepse falë këtij Shpirti kam gjetur vendin tim në Kishë dhe prandaj me bindje të thellë e them se unë i përkas Kishës dhe Ajo më përket mua.

[1]Krh. Kon. II i Vatikanit, Nuntius ad Muglieres, 08.1965: AAS 58 [1996] 13-14.

[2]Krh. Muglieris Dignitatem, nr. 17.

[3]Krh. Muglieris Dignitatem, nr. 20.

Previous Unë jam udha e vërteta dhe jeta
Next Deklarate e Komuniteteve fetare ne Shqiperi per situaten politike

Sugjerime