Imzot Charles John Brown, Nunci Apostolik mbërrin në Shqipëri

Imzot Charles John Brown, Nunci Apostolik mbërrin në Shqipëri

Peregrinus.al/ 

Ka mbërritur sot në Shqipëri Nunci Apostolik Shkëlqesia e Tij Imzot Charles John Brown. Ai është caktuar nga Papa Françesku në Shqipëri pas mbarimit të shërbimi diplomatik të Shkëlqesisë së Tij Imzot Ramiro Molinar Ingles. Nunci i ri sot u prit në Nunciaturën Apostolike të Tiranës nga Ipeshkëvinjtë katolikë dhe nga një grup klerikësh dhe rregulltarësh katolikë që punojnë e veprojnë në Shqipëri.

Nunci Apostolik, në hierarkinë e Kishës Katolike, ka një rëndësi të veçantë, pasi ai është krahu i zgjatur i Papës pranë një Kishe lokale e po ashtu përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë pranë shtetit. Mons Brown vjen në Shqipëri pas një përvoje disa vjeçare në Irlandë ku ka qenë i caktuar Nunc nga Papa Bendikti XVI.

Në fjalët e para të tij sot ai tha se ka takuar para disa javësh Papën Françesku i cili i emocionuar i ka thënë: “Po të dërgoj në një komb të martirizuar. Mos rri i mbyllur në nunciaturë por dil e tako njerëzit, kishën lokale. Shko në periferitë për të takuar njerëzit.” “Jam i lodhur nga udhëtimi – shtoi Nunci i ri – se kam ardhur dirket nga Bostoni, por entuziast që do të jem në Shqipëri.”

Po ashtu në Nunciaturë mirseardhjen ia uroi edhe i ngarkuari me punë Mons. Romano Mbena dhe Shkëlqesia e Tij Imzot Angelo Massafra Arqipeshkëv i Shkodrës dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.

Në ditët në vijim Nunci Apostolik do të paraqesë letrat kredenciale pranë Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Previous Meshtari: Liturgjia e Orëve, stola dhe mensa e përbashkët.
Next Mons Brown paraqet letrat kredenciale

Sugjerime