Unë jam bariu… Unë jam dera!

Unë jam bariu… Unë jam dera!

Dritan Ndoci  /

E DIELA IV E PASHKËVE

Vap 2, 14.36-41; Ps 23 (22); 1Pjt 2, 20-25; Gjn 10, 1-10

Kjo e dielë e katërt e kohës së Pashkëve quhet ndryshe edhe e diela e Bariut të Mirë. Krishti është Bariu i mirë, Ai kujdeset për popullin e Tij. E thotë edhe Shën Pjetri sot në letrën e vet: «Ishit po, si delet e tretura, por tani u kthyet të Bariu e Rojësi i shpirtrave tuaj». «Dele të tretura» i quan Shën Pjetri ata që ende nuk janë pagëzuar në Krishtin. Ndërsa të pagëzuarit janë të zhytur në jetën e Krishtit. E Ai e ruan këtë jetë të tyren nga egoizmi. Prandaj edhe psalmi që sot kemi dëgjuar njihet si psalmi tipik i atij që sapo është pagëzuar: «Zoti është Bariu im, asgjë nuk më mungon. Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim, më prin në ujëra të qeta (ujërat e pagëzimit), shpirtin ma përtërin». E, jetën e Atij që zhytet në Të – e thamë – Krishti e mbron me shumë kujdes: «Unë erdha që delet ta kenë jetën, e ta kenë në plotësi» – thotë Ai sot në Ungjill.

Pra Jezusi është Bariu i Mirë. Këto krahasime me blegtorinë duhet t’i kuptojmë si duhet: Jezusi nuk i konsideron njerëzit si kafshë. Mbase një gabim të tillë e bëjnë disa “barinj” që, të shkëputur nga dashuria e Krishtit për shpirtrat, kur komunikojnë me personat të cilët u janë besuar, e bëjnë si të komunikonin me bagëti. Por Krishti nuk e bën një gabim të tillë. Madje mund të themi se pikërisht ky detaj mund të na ndihmojë të kuptojmë se cilët “barinj” e kanë dashurinë e Krishtit për shpirtrat e cilët jo: mënyra e trajtimit të personave që u janë besuar. Jo fjalët e bukura me anë të të cilave duan të bëjnë të besohet se e duan grigjën, por vlerësimi si qenie njerëzore që grigjës i rezervojnë.

Krahasimi me botën e blegtorisë ishte një mënyrë për t’i ndihmuar dëgjuesit e Tij që të kuptonin misionin që Ati i kishte besuar Birit. Dëgjuesit e Jezusit e njihnin shumë mirë “zanatin” e bariut, prandaj Ai nuk hezitonte të përdorte simbolika të tilla me qëllim që t’ua lehtësonte dëgjuesve kuptimin e gjërave. A nuk e përdorim edhe ne një meodë të tillë çdo ditë?

«Për të vërtetë, për të vërtetë, po ju them: ai që në vathë të deleve nuk hyn nëpër derë, por tjetër kah kërcen brenda, ai është vjedhës dhe cub. Ai që hyn nëpër derë, ai është bariu i deleve». Jezusi është bariu që hyn nëpër derë për të shkuar tek delet e veta. Të tjerët që nuk hyjnë nëpër derë Ai i quan vjedhës. Vetëm bariut i hapet dera. E Jezusi vazhdon: «Atij derëtari i çel derën e delet e dëgjojnë zërin e tij».

Po përse flet kaq shumë për «derën»? Ne mund ta kuptojmë kollaj se «derëtari» është Ati, po nuk kuptojmë arsyen përse Jezusi flet kaq shumë për «derën»?

Mbase «dera» është “mënyra e të vepruarit e Hyjit”. Mënyra e të vepruarit e Hyjit është dashuria, sepse Ai është Trini, pra bashkim i pandashëm dashurie e, si pasojë, nuk mund të mos shprehet me po aq dashuri në lidhje me njerëzit. Kush nuk ka për bazë këtë mënyrë të të sjelluri me njerëzit, ka gjithmonë qëllime të tjera në lidhje me grigjën e nuk ka dëshirën për t’i kullotur e mbajtur ata në jetë. Jezusi është «Shëmbëllesa e Hyjit të papashëm» (Kol 1, 15), Ai që na dëfton me fjalë dhe me jetë se kush është Hyji. Por mbi të gjitha nuk duhet harruar se, në natyrën njerëzore të Jezusit, gjendet Personi i dytë i të Shenjtërueshmes Trini. Kështuqë, në çdo gjest të vetin, Jezusi shpreh atë që përjeton Personi i Birit: dashurinë ndërtrinitare. Kjo do të thotë se vetëm Jezusit Ati ia hap derën për të hyrë tek delet e veta, sepse vetëm Jezusi ka «mënyrën» e Hyjit në përkujdesjen e deleve. E nuk mund të jetë ndryshe, sepse vetëm Ai është qoftë Njeri i vërtetë, ashtu edhe Hyj i vërtetë. E, për këtë arsye, të gjithë të tjerët që erdhën para Tij (e pas Tij), duke pretenduar se janë barinj, në fakt janë vjedhës e cuba: ata nuk mund të pretendojnë ta quajnë veten të tillë, sepse nuk e zotërojnë në përsosmëri «mënyrën» e Hyjit në përkujdesjen për popull. Vetëm Jezusi është Bari. Vetëm Atij Ati mund t’i zërë besë. Vetëm Ai mund ta kullosë grigjën si duhet, sepse është Hyj.

Duke e quajtur vetën Bari, Jezusi përdor një krahasim shumë të fortë, sepse në Besëlidhjen e Vjetër është Hyji Ai që quhej Bariu i popullit të Tij, Izraelit. Por tani besoj se kuptohet se nuk kemi nevojë edhe një herë t’i rreshtojmë arsyet për të cilat Jezusi mundet ta bëjë një krahasim të tillë.

Ajo që ia vlen të theksojmë është, përkundrazi, fakti se Jezusi, kur e sheh se bashkëbiseduesit e Tij nuk e kanë kuptuar, e fillon shpjegimin e vet me këto fjalë: “Unë jam dera e dhenve”. Më parë fliste për veten si për Bariun e vetëm, si i vetmi të cilit Ati i zë besë për t’ia hapur derën, ndërsa tani thotë se kjo derë është pikërisht Ai. Pra Jezusi thotë se është si Bariu, ashtu edhe Dera.

A bien këto dy terme në kundërshtim me njëri-tjetrin? Cili prej tyre i shkon më fort Personit dhe misionit të Jezusit?

Në fakt, Jezusi është Bariu i vetëm, por njëkohësisht është edhe Dera, sepse është Ai që përkujdeset për ne, por është edhe i vetmi nëpër të cilin ne mund të «hyjmë e të dalim», nëpër të cilin ne mund të shkojmë drejt njohjes së Derëtarit (Atit) dhe, si pasojë, drejt «kullosës» (drejt jetës së duhur për njeriun). Diku tjetër në Ungjill Jezusi e quan veten «Udhë», këtu e quan «Derë». Besoj se janë e njëjta gjë.

Shën Pjetri na e tregon me në detaje se në ç’mënyrë Jezusi është «Dera» nëpër të cilën duhet kaluar: «Krishti pësoi për ju duke ju lënë shebmullin, që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tija: Ai që mëkat nuk bëri dhe në buzët e të cilit nuk u gjet gënjim, Ai që i fyer, nuk hakmerrej me fyerje dhe, i salvuar, nuk kërcënohej, por ia lëshonte çështjen e vet Atij që gjykon me drejtësi…. Me vërragët e tij jeni shëruar». Jemi shëruar nga egoizmi ynë, nëpërmjet shembullit të dashurisë që na ka dhënë Krishti.

Me termin Bari, Jezusi thekson më fort natyrën e Tij Hyjnore, në saje të së cilës Ati mund t’ia besojë grigjën, kurse me termin Derë Ai thekson më fort natyrën e Tij njerëzore, në të cilën shprehen pareshtur pasojat e dashurisë ndërtrinitare.

Me dashurinë që Jezusi ka treguar për secilin prej nesh, i ka përcjedhur botës një rreze të dashurisë ndërtrinitare. Edhe ne jemi të thirrur t’i ndjekim gjurmët e Tij në këtë udhë dashurie. Edhe ne duhet të kalojmë nëpër këtë Derë, për të hyrë një ditë në trashëgimin e amshuar ku dashuria ndërtrinitare do të na “zaptojë” në plotësi.

Megjithatë na duhet të pranojmë se termi Bari, të cilin Jezusi ia ka lënë vetes, ka qenë gjithnjë shumë i dashur nga Kisha. Në fillesat e krishterimit ishte pikërisht figura e Jezusit Bari (me një dele në krahë) që gdhendej apo pikturohej më së shumti. Nën shembullin e Jezusit Bari, përgjatë shekujve shumë njerëz kanë vendosur ta kushtonin jetën e tyre në shërbim të shpirtrave. Zelli i shumë shenjtërve kishte për bazë pikërisht zellin e Jezusit Bari. Sakrificat e shumta që këta njerëz bënin në punën e tyre baritore, i përballonin më lehtë kur i shoqëronin me bindjen se janë duke vazhduar në botë misionin e Jezusit. Bariu i vetëm e absolut mbetet gjithnjë Jezu Krishti, por Ai ka dëshirë që t’i bashkëngjisë këtij misioni të vet edhe shumë njerëz.

Shën Gjon Maria Vianei, një meshtar francez i shekullit XVIII, i cili ishte njeri prej këtyre barinjve shumë të zellshëm, e ndiente thellë në shpirt rëndësinë e një përgjegjësie të tillë. Thuhet se nga zelli për shpirtrat ai arrinte të rrëfente deri në gjashtëmbëlljetë orë në ditë – me shkëputje fare pak të vogla – dimër e verë. I vetëdijshëm për rëndësinë e misionit që Krishti i kishte besuar, ai formulonte shprehje kaq të ëmbla, saqë tashmë janë bërë refrene që nxisin në zell shumë meshtarë. Njëra prej këtyre shprehjeve ishte edhe kjo: «Një bari i mirë, sipas zemrës së Hyjit, është thesari më i madh që Hyji mund t’i japë një famullie, është njëra prej dhuratave më të çmueshme të mëshirës hyjnore». Jo më kot këtë Shenjt Kisha e ka shpallur Pajtorin e të gjithë famullitarëve të botës.

Sa bukur do të ishte sikur secili prej nesh meshtarëve (e sidomos famullitarëve), ta ndiente thellë në shpirt se sa e vërtetë dhe urgjente është një «dhuratë e tillë e mëshirës hyjnore».

Këta Shenjtër, duke e lënë veten të “kaplohen” nga zelli i Krishtit për shpirtrat, me jetën e tyre, na e kanë sjellur edhe një herë të dukshëm para syve Bariun e vetëm.

Ta lëmë, pra, veten të udhëhiqemi nga ky Bari i dashur, i vetmi i besueshëm, dhe i vetmi i tillë. Gjithashtu ta ndjekim edhe shembullin e Tij, «t’i ndjekim gjurmët e Tija», për mësuar edhe ne se ç’është dashuria. Ta marrim seriozisht këshillën urgjente që Shën Pjetri ua bënte ditën e Rrëshajve dëgjuesve të vet: «Shpëtohuni nga kjo brezni e mbrapshtë!».

«I mbrapshtë», i gabuar, vjedhës, është çdo realitet ku nuk praktikohet dashuria siç na e ka mësuar Jezusi, Bariu ynë dhe Dera jonë.

Previous Zoti mundet me ba një botë ma të madhe, ... por jo një Nanë ma të madhe
Next Martirizimi i tyre frymëzim për t'u jetuar

Sugjerime