Meshtari: Liturgjia e Orëve, stola dhe mensa e përbashkët.

Meshtari: Liturgjia e Orëve, stola dhe mensa e përbashkët.

Gjovalin Simoni /

Të flasësh për situatën e priftave sot, nuk është aspak e lehtë sepse edhe ata janë pjesë e kësaj shoqërie në të cilën gjendemi të gjithë. Meshtari siç na kujton Pastores dabo Vobis, është marr nga populli dhe kthehet përsëri si prijës i popullit. Nëse është marrë nga populli nënkuptohet se është i përlyer me të mirat dhe me të këqijat e popullit, ose më mirë me sensibilitetin dhe mënyrën e të arsyetuarit. Edhe pse ecja formative në seminar, kërkon që të bëhet një shqyrtim dhe një pastrim i mjaftueshëm për të qenë i denjë pastaj për shugurimin meshatarak, në të mbesin gjithsesi disa shenja që tregojnë përkatësinë e tij. Kjo na bën më realist dhe më vigjilent edhe për jetën tonë si meshtarë. Prandaj periudha e formimit ose e azhurnimit nuk duhet të mbarojë kurrë; me shugurimin meshtarak sapo ka filluar një ecje e re formimi ku teoria ka nevojë për një mbështetje reale dhe njerëzore për t’u bërë praktikë, ose për t’u mishëruar. Edhe më shumë, ka nevojë edhe për një që riparon nëse hapat e hedhur kanë lënë gjurmë jo të mira; në mënyrë që falë këtyre gjurmëve të kemi mundësinë dhe aftësinë për të pranuar gabimet dhe për të ecur përpara me guxim. Prandaj është e nevojshme  një person konkret me të cilin ndahet buka e përditshme (com-pane= compagno), një shok, mik me të cilin ndajmë jo vetëm bukën por edhe sekretet e brendshme të jetës meshtarake (ndoshta në këtë pikë janë më të favorizuar rregulltarët falë stilit të jetës së tyre).

Meshtari sot jeton në një gjendje të turbullt dhe konfuze për shkak të një shoqërie që është gjithnjë e në ndryshim. Prandaj duhet që ai të rigjejë dhe ta rikuperojë identitetin që i është dhënë në shugurimin meshtarak. Rizbulimi i rrënjëve meshtarake bën që të ringjallen në të shtyllat themelore që janë të qënit  “njeri i Zotit” dhe njeri plot me zell në shërbimin e të tjerëve. Shpesh herë ritmi i shfrenuar i gjërave, puna e shumtë dhe stresi i akumuluar i ditës prodhojnë një farë “krize” e cila prek më së shumti stilin e jetës së meshtarit që shfaqet në aspektet e të qënit, të jetuarit ose më mirë të të lënit të vetës pas dore. Të jetosh atëherë në një klimë të tillë pasigurie dhe ankthi mund të shkaktojë një gjendje: “burnout”, e cila shfaqet si një gjendje shqetësuese psiko-fizike që mund të shkaktohet nga mbingarkesa e punës dhe e angazhimeve ku personi arrinë në një gjendje të “shterjes motive”; nuk ndien më asnjë dëshirë për punuar dhe për t’i bërë gjërat. Gjithçka i bëhet e rrafshët dhe e pakuptimtë. Kjo gjendje mund të lindin edhe fazën e parë të depresionit. Kjo sindromë godet më shumë ato persona që kanë të bëjnë me kujdesin ndaj të tjerëve, si: mësuesit, infermierët, edukatorët, priftat etj. Shpesh herë këta persona na duken si hije që ecin por pa shpirt, pa jetë dhe pa entuziazëm në punë  e tyre. Fatkeqësisht edhe në Kishën tonë mund të ketë shenja të tilla, kjo jo për mos formimin e meshtarëve por edhe nga mbingarkesa ose mbivendosja e angazhimeve të ndryshme dhe në të njëjtën kohë. Prandaj, është e nevojshme një kujdes i vazhdueshëm ndaj vetes sonë, ndaj thirrjes sonë meshtarake dhe një qëndrim afër i njëri-tjetrit për të bërë të mundur mos rënien në këtë gjendje.

Prandaj kam dashur që sot me ju të bashkëndajë tre mundësi rritjeje nën moton simbolike të objekteve që i kemi me afër nesh çdo ditë dhe që shpesh nuk ua dimë vlerë: Breviari, Stola dhe Mensa e përbashkët, nën të cilat fshihen tre argumente thelbësore për jetën e një prifti siç janë: Identiteti meshtarak; Shërbimi ndaj popullit të Zotit dhe Vëllazëria meshtarake.           

  1. Identiteti meshtarak

Është e padiskutueshme atëherë që të punohet për të mbajtur gjallë vetëdijen meshtarake të dhuruar ditën e shugurimit meshtarak, duke rikuperuar kështu motivet themelore të thirrjes meshtarake: i thirrur për të qenë barì nën modelin e Bariut të Mirë, Jezusit të Nazaretit. Kjo vetëm nëse përpara ai qëndron me Të dhe pastaj edhe mund ta shpallë me jetën e vet (krh Mk 3,14).  Duke qenë “njeri i Zotit” meshtari është i thirrur t’i përngjajë çdo ditë e më shumë Krishtit për të vepruar pastaj in persona Christi, duke e gjallëruar kështu praninë e Krishtit në ditët tona. Prandaj është thelbësore lidhja kristologjike, sepse meshtaria e çdo prifti është e shartuar në meshtarinë e Krishtit, d.m.th, marrin pjesë në meshtarinë e Krishtit. Kjo mund të na ndihmojë edhe neve që të ulim pak pritshmëritë tona që herë herë marrin forma fryrje të një gjithpushtetësie duke rrezikuar kështu që të lëmë jashtë Krishtin, Autorin që na ka dhuruar meshtarinë.

Duke u nisur nga kjo lidhje me Krishtin, ndihmohemi edhe ne të hyjmë në marrëdhënie me Atin, ashtu siç ishte në marrëdhënie edhe Jezusi me Të. Ky ishte edhe sekreti i jetës së Krishtit i cili ka përballuar çdo situatë dhe çdo vështirësi deri në braktisjen totale në duart e Atit edhe në kryq. Lutja meshtarake e Ungjillit të Gjonit të kapitullit 17 tregon më së miri këtë lidhje të ngushtë mes tyre. E gjithë kjo na bën edhe neve të hyjmë në të njëjtën lidhje me Atin nëpërmjet Krishtit. Pjesa biblike e Gjonit 17 gjendet para mundimeve të Krishtit, d.m.th pas kryerjes së misionit baritor të Krishtit. Në këtë mënyrë qëndron një lidhje ekzistenciale mes Mk 3,14 dhe Gjn 17. Në të shihet qartë lidhja e ngushtë e Krishtit me Atin në fillim, gjatë e ne fund të misionit të tij. Besoj se kjo është limfa edhe për jetën tonë meshtarake. Njerëzit të fund të fundit na kërkojnë për këtë sepse presin nga ne diçka që bota nuk mund t’iu japë forcën prej qiellit. E kjo marrëdhënie me Atin nëpërmjet Krishtit Kryepriftit tonë gjallërohet vetëm nëpërmjet lutjes. Për këtë arsye kam dashur që nëpërmjet simbolit të Liturgjisë së orës ose Breviarit të shprehi këtë gjendje të vazhdueshme lutjeje meshtarake që është edhe lutja ndërmjetësuese e priftit për popullin e vet. Prandaj meshtari quhet me të drejtë “njeri lutjeje”, e kështu thirrej edhe nga tradita e popullit, sepse është kjo karakteristika thelbësore e jetës së tij. Nga lënie pas dore e lutjes burojnë të gjitha krizat e mundshme. Kështu studiuesi jezuit p. Luigi Rulla themeluesi i shkollës së psikologjisë në Gregorianë në statistikat e veta studimore pas konciliare të fenomenit të lënies së meshtarisë së shumë bashkëvëllezërve; rezultonte që 95% e tyre si motiv të para kishin braktisje e lutjes. Pastaj vinin edhe motivet tjera.

Jo vetëm lutja personale, ne e dimë se meshtari lutet e shenjtërohet edhe në lutjen me popullin e Zotit dhe në shërbimin që u bën atyre. Prandaj edhe vetë shërbimi i tij baritor bëhet një lutje e vazhdueshme edhe pse i vështirë bëhet fli e pëlqyeshme e Zotit. Kështu ai nëpërmjet shërbesës eukaristike të mirë kremtuar dhe të lutur ripërtërihet në atë që kremton. Mundohet që dita-ditës t’i përngjajë me jetë misterit që kremton.

Shën Karlo Borromeo e porositë klerin e tij me këto fjalë: “A e ushtron kujdesin për shpirtra?! Por mos e lë pas dore kujdesin për vetën tënde, dhe mos iu jep të tjerëve deri në pikën që mos të mbetet asgjë ty nga vetja jote. Duhet ta kesh parasysh kujtimin e shpirtrave bariu i të cilëve je, por mos e harro vetveten. Kuptojeni, vëllezër se asgjë nuk është më e nevojshme për personat kishtarë se sa meditimi që paraprin, shoqëron dhe përcjell çdo vepër tonën. Nëse mbarështon sakramentet, o vëlla, medito për atë që bën. Nëse e kremton meshën, medito për atë që po dhuron”.  Meshtari nuk nxit vetëm të tjerët për rrëfim por rrëfehet edhe vetë. Sepse kjo është në sintonì me atë që na thoshte Papa Pali VI: “ Bota sot nuk ka nevojë për mësues por për dëshmitarë”. E do të jemi dëshmitarë vetëm kur ti besojmë atyre që u themi të tjerëve dhe ti jetojmë ne të parët. Prandaj lutja, kremtimi i Meshës, rrëfimi i vazhdueshëm bëhen kështu për ne meshtarët një limfë që e gjallëron identitetin tonë priftëror. Liturgjia e Orës, bëhet atëherë në kuptimin simbolik një qendër njësimi të gjithë aktivitetit tonë.

Kam dëshirë që ta mbyll me një reflektim që bën një laik për identitetin e meshtarit sepse kështu ndodh disa herë që të tjerët na vlerësojmë më shumë se sa ne jemi të vetëdijshëm:

“Meshtarë, unë nuk jam prift dhe nuk kam qenë kurrë i denjë të bëhesha. Si është e mundur që edhe pas kremtimit të Meshës ju jetoni? Çdo ditë keni të Birin e Zotit nëpër duart tuaja; çdo ditë keni një fuqi të tillë që as Shën Mëhilli Kryeengjëll nuk e ka? Me gojën tuaj ju shndërroni substancën e bukës në atë të Trupit të Krishtit; ju detyroni të Birin e Zotit të zbresë mbi lterë. Jeni të mëdhenj, jeni krijesa të pafundme; më të fuqishmit që mund të ekzistojnë. Meshtarë, ju përbehemi: jini të shenjtë. Nëse do të jeni të shenjtë ju, ne jemi të shpëtuar; nëse nuk jeni të shenjtë ju, ne rrezikojmë bjerrjen”!  (Enrico Medi)

  1. Shërbimi ndaj popullit të Zotit.

Në fakt, Shën Pali kur flet për priftërinjtë parapëlqen të përdorë sinonimin “mbarështues” ose siç mund ta quajmë edhe ndryshe administrator edhe në gjuhën e sotme. Për këtë arsye ata përkufizohen nga ai si “shërbëtor të Krishtit dhe mbarështues të mistereve të Hyjit” (krh 1 Kor 4,1). Dëshiroj që në fillim ta theksoj këtë aspekt të rëndësishëm në lidhje me natyrën dhe misionin e vete meshtarit se në të kundërt është e vështirë të dilet nga logjika e sunduesit, ashtu siç ndodhi me bijtë e Zebedeut të cilët aspironin vendet e larta. Nëse keqformohet kjo logjikë edhe në mendjen e meshtarëve të rinj është e vështirë të pranohet logjika e Darkës së Mbramë; d.m.th. ajo e shërbimit: “nuk erdha për të qenë shërbyer por që të shërbej e të jap jetën e time për të gjithë” (krh Mk 10, 35-45).

Prandaj edhe simbolika e Stolës që kam dashur të bashkëndajë me ju, ka pikërisht këtë domethënie, ajo e një logjike shërbimi me gëzim që shtyhet gjithmonë nga një ndjesi e të qenit të dashur aq shumë nga Zotëria sa nuk mund të qëndrosh duarkryq, por të shtyn që të veprosh: “Dashuria e Krishtit na nxit” (2Kor 5,14).

Nënkuptohet që meshtari gjatë ecjes formative të ketë pastruar disa skema tradicionale ose edhe klerikale të qenit një pashà, duke e pasur të vështirë të hyjë në logjikën e Krishtit shërbëtor.  Mund të na ndihmojë atëherë vetëdija se meshtaria jonë nuk është pronë e jona por që ne jemi mbarështues ose më mirë shërbëtor të meshtarisë së Krishtit, dhe vetëm kjo do të ishte një nder për ne. Duke qenë se jemi pjesëmarrës të meshtarisë së Krishtit, atëherë mund ta na ndihmojë shumë fakti se edhe ne jemi barinj. Vetëm kur e mendojmë mirë thellë këtë dinjitet të qenit barì na mbush me përgjegjësi dhe afrimitet ndaj Jezusit, Bariut të mirë. Të mos e harrojmë këtë atëherë se jemi barinj, kjo do të na kthejë vetëdijen se përpara Zotit do të kemi ndjenjat e një bariu që i prin, e mbron dhe e kullot grigjën e vet.

Nga ana tjetër shpesh herë na thërrasin “atë” dhe në një farë mënyre jemi dhe duhet ta ndiejmë vetën ashtu. Ndoshta kjo na shton më shumë vetëdijes se vërtetë jemi atë në fe, sepse bëjmë që të rilindin prej së larti, ashtu siç i thotë Jezusi Nikodemit (krh Gjn 3,1-8). Kjo është edhe trashëgimia jonë, jo një trashëgimi fiziologjike por shpirtërore. Nga ana tjetër për ne meshtarët e rinj mund ta krahasojmë veten si një vëlla i madh me të rinjtë që na rrethojnë. Janë të gjitha këto forma që na nxisin për t’i dashur të tjerët me një dashuri të pastër e familjare; ashtu siç jemi dashur falas e në mënyrë të drejtë nga vatrat tona familjare.

Zelli dhe dashuria baritore duhet të na shtyjë që të dalim nga komoditeti ynë. Ndoshta risia e Papa Françeskut është pikërisht se e ka filluar papatin e tij duke e nxitur Kishën të dalë nga vetja, nga komoditeti i vet dhe të shkojë drejt periferive. Në çdo vend ka periferi, në çdo rrethanë dhe marrëdhënie ka periferi. Prandaj nuk bëhet fjalë vetëm për një periferi gjeografike por edhe në marrëdhënie mes nesh; aty ku ka preferenca dhe simpati të ndryshme, mbetet gjithmonë dikush jashtë, i paragjykuar dhe i lënë pas dore. Ne e dimë mirë ama se pedagogjia e Krishtit ishte pikërisht ajo e kundërta, sepse Ai kishte ardhur për të fundmit, për ata që në një farë mënyrë ishin të mënjanuarit e shoqërisë.

Duke u kthyer edhe një herë tek simbolika e “stolës”, dëshiroj që sa herë ta puthim atë para se ta vëmë në qafë të mendojmë pikërisht “puthjen dhe dashurinë që tregojmë për shërbimin tonë ndaj të varfrit”, edhe kur atë herë ky shërbim nuk është aspak i lehtë.

  1. Vëllazëria meshtarake

Nën simbolin e mensës së përbashkët kam menduar të trajtoj një karakteristikë shumë interesante të jetës së meshtarit që vazhdimisht është lënë pas dore; bëhet fjalë pikërisht për marrëdhëniet e shëndosha vëllazërore që duhet të ekzistojnë mes pritave. Mensa e përbashkët është një vlerë natyrore, d.m.th se çdo njeri ka nevojë për një copë bukë. Por nga ana tjetër ajo mbanë në vetvete një vlerë të madhe shpirtërore dhe fetare sepse ne nuk ulemi në tavolinë vetëm për të ngrënë por edhe për të folur dhe për tu takuar me njëri-tjetrin mbi të gjitha. Duke pasur parasysh darkën shqiptare që vetëm me meze zgjaste disa orë, tregon se mikpritja ndaj mysafirit nuk ka për qëllim vetëm mbushjen e barkut por mbi të gjitha interesimi për jetesën, familjarët e gjënë e gjallë (bagëtitë). Kjo na mëson se si sofra e bukës merr një kuptim edhe biblik sepse na çon edhe tek Darka e Fundit në të cilën Jezusi themeloi meshtarinë dhe eukaristinë.

Shpesh herë ne bijtë e këtij shekulli dhe kulture po e humbasim fatkeqësisht këtë perlë të traditës shqiptare dhe biblike, qoftë në marrëdhënie me njerëzit qoftë edhe në marrëdhënie me njëri- tjetrin. Është shumë e dobishme të gjendemi në një tavolinë për të ngrënë por mbi të gjitha për tu parë në sy, me gjithë lodhjen, vështirësitë por edhe gëzimet e një baritore që në fund të fundit të gjithë jemi pjesëtar të një vreshti të Zotit.

Nëpërmjet mensës së përbashkët kam dashur të nënvizoj nga njëra anë vlerësimin e aspekteve njerëzore, d.m.th vëllazërinë, njerzillëkun, mirësjelljen qoftë me Ipeshkvin por edhe me njëri – tjetrin. Unë mendoj se nga që jemi trashëgimtarë të një sistemi totalitarist kjo gjë ka sjell pak dëme në marrëdhëniet e drejta me autoritetin, por nga na tjetër këto marrëdhënie janë të plagosura edhe në botën perëndimore, me figurën e babait.  Kjo gjë shpesh herë edhe në mënyrë të pavetëdijshme ndikon në marrëdhëniet tona meshtarake dhe kishtare.

Është e rëndësishme atëherë se para se të hyjmë në marrëdhënie pune ose vetëm baritore të mos humbasin qasjen njerëzore të marrëdhënieve; d.m.th kujdesin njerëzor, shëndetësor dhe vëllazëror qoftë me ipeshkvin apo edhe me njëri-tjetrin. Ndoshta kthimi në qendër të interesit njerëzor do të shuaj shumë konflikte dhe tjetri nuk do të shihet vetëm si rival por si një vëlla që ka dobësi, të meta dhe ka nevojë për mua. Prandaj dreka ose darka, kafeja ose qëndrimi sëbashku bëhet mundësi e artë për të treguar dashuri njerëzore dhe vëllazërore. Nga ana tjetër të kërkojmë që mos të biem në nivele të ultë darkash që jo vetëm nuk del në pah ndihma vëllazërore por bëhet edhe darkë tradhtie, sepse vetëm flitet keq për njëri-tjetrin dhe bëhemi shpallës të së keqes dhe shokë të “akuzuesit” i cili veç flet keq për ne.

Ndoshta mund të duket argumenti më i pavlerë dhe i fundit në trajtimin e temës por për mua është çelësi i zhbllokimit të shumë situatave dhe ngërçi edhe mes nesh si meshtarë. Në fund të fundit rreth një tavoline jemi rritur dhe me ngrohtësinë e marrëdhieve njerëzore jemi ushqyer. Prandaj le të kultivojmë këtë aspekt njerëzore të qëndruarit afër njëri – tjetrit pa paragjykime. Ta bëjmë çmos që të mos mbretërojnë mes nesh thashethemet, ose siç i quan Papa Françesku: terrorizmi i thashethemeve, por të jemi vërtete përçues të Lajmit të Mirë.

Previous Martirizimi i tyre frymëzim për t'u jetuar
Next Imzot Charles John Brown, Nunci Apostolik mbërrin në Shqipëri

Sugjerime