Martirizimi i tyre frymëzim për t’u jetuar

Martirizimi i tyre frymëzim për t’u jetuar

Klaudia Deja  /

Pas lumturimit të 38 Martirëve Shqiptar jam e sigurtë se shumë të rinj të shoqërisë tonë apo të famullive tona nuk dinë mirë se cdo të thotë martirizim. Aq më pak të arrijnë të kuptojnë vuajtjet që ata kanë kaluar gjatë kohës së komunizmit. Vuajtje të cilat në thelb kanë pasur dashurinë e Hyjit dhe të Atdheut, prandaj kurrë nuk kanë rreshtur së dëshmuari fenë e tyre deri në fund, ku dhe kanë mbyllur jetën e tyre toksore me fjalët: “Rroftë Krishti mbret, rroftë Shqipnia”

Për shumë të rinj martirizimi mund të duket më tepër absurede se sa e kuptueshme por nëse hyjmë në thellësi të asaj të cilën e quajmë dashuri secili do të dinte ti jepte një shpjegim këtij gjesti mjaft domethënës për jetën e një të Krishteri. Sepse të duash do të thotë të flijohesh. Për ne të krishterët Hyji është dashuri (1Gjn 4,8-16). E ne duke qënë të krishterë të tillë kuptojmë edhe martirizimin.

Të rinjtë janë tepër të dhënë pas gjërave sipërfaqësore apo të përkohshme se sa pas ndjenjave të përhershme të cilat na bëjnë të kuptojmë thelbin e jetës.

Të jesh një i ri ose e re që bën një jetë të rregullt dhe që vë në qëndër të jetës besimin nuk është aspak e lehtë pasi sigurisht që do të gjykohesh nga pjesa dërrmuese e shoqërisë e cila mendon se thelbi i jetës janë kënajsitë e çastit.

Shumica mendojnë se të jetosh do të thotë të frekuentosh diskot, të mos kesh përgjegjësi ndaj asgjëje dhe sigurisht të kesh një jetë të pasur materiale. Të gjitha këto i bëjnë ata të mos hapin sytë ndaj të vërtetës dhe të mos ndjejnë nevojën për të dashur dhe kjo është rezultati i kësaj jete sipërfaqësore që të rinjt e sotëm dëshirojnë e bëjnë. Prandaj sapo përmendim emrin martir ose martirët vënë buzën në gaz sikur të ishte një temë pa interes ose sigurisht nuk arrijnë të kuptojnë dashurinë e besnikërinë që ata kishin për Zotin.

Shprehja “Rroftë Krishti mbret, rroftë Shqipnia” na lë të kuptojmë që dashuria e tyre për Krishtin ishte shumë e madhe sa derdhën gjakun e tyre për të. Po ashtu kishin një dëshirë të madhe që të shihnin Shqipërinë të çliruar nga kthetrat e komunizmit pasi e dinin që ishte frymëzim i djallit.

Sigurisht që nuk mund ta krahasojmë regjimin komunist me situatën e sotme politike por duhet të thuhet se të rinjtë e sotëm po pajtohen me këtë realitet të ngrysur i cili nuk po bën asgjë tjetër vecse po mbyll ëndrrat e rrugën tonë drejt një të ardhmeje më të mirë. Dëshiroj të citoj vetëm diçka. R. Guardini ka thënë: “E meta më e madhe e rinisë është mungesa e përvojës, pamundësia për tu ballafaquar me atë që nuk njihet mirë”.

Kjo është më se e vërtet pasi të rinjtë nga mungesa e përvojës ngurrojnë të dalin kundër korrupsionit dhe padrejtësisë që shihet mjaft qartë në vendin tonë. Prandaj them se martirët duhen shikuar si frymëzim e shembull për jetën tonë. Ne nëpëmjet martirëve duhet të gjejmë forcën që ti bëjmë ballë vështirësive të jetës, të dimë të falim edhe armikun dhe më e rëndësishmja të dimë të duam ashtu si Krishti na don ne.

Previous Unë jam bariu... Unë jam dera!
Next Meshtari: Liturgjia e Orëve, stola dhe mensa e përbashkët.

Sugjerime