Zoti mundet me ba një botë ma të madhe, … por jo një Nanë ma të madhe

Zoti mundet me ba një botë ma të madhe, … por jo një Nanë ma të madhe

Artur Jaku /

Po hapim sot këtë konferencë të vecantë e njëkohësisht të rrallë për të hulumtuar më shumë mbi figuren e Zojës dhe historinë e saj të vecantë e po aq të rrallë që gjallon mbi Kishën në Shqipëri.
Një histori 550 vjecare, mistike, aktive, intriguese e mbi të gjitha, një histori frytdhënesë e bashkëshoqërimi shekullor e murosur në shpirtin tonë, si kolonë mbi të cilën është ngritur historia e lavdia e kishës në Shqipëri.
Kjo konferencë do të hedh më shumë dritë si mbi historinë e ikjes dhe mbërritjes në Genazzano të Zojës, po ashtu edhe mbi vet afreskun e shkëputur këtu e 550 vite më parë, me vakumin e lenë fizik e më gjithëplotësinë shpirtërore të pranisë.
Ikja, largimi, shkëputja, ruajtja, në këtë kompleksitet konteksti historik, kërkohet një kujdes për ti pranëvënë​ fjalën e duhur, në atë që unë do të quaja si fenomenin e shpernguljës së Zojës së Këshillit të Mirë, ose Zojes së Shkodrës.
Në rrethanat e krijuara historike, Zoja si krye Zojë e krye-prijëse, i priu historisë së persekutimit e detyrimit për tu larguar, sic bënë një pjesë e madhe e bijëve, duke emigruar si kundër pergjigje e sfidës për të mos u asimiluar e për të vazhduar traditën apostolike.
Kumtuesit në këtë conference shkencore të cilët gjej rastin për ti falenderuar për angazhimin, do të hedhin dritë mbi Dritën, do të empirojnë mbi të mrekullueshmen, do të flasin për atë që flet më shumë me praninë e munguar, me forcën e heshtur në lutjet e fundit, apo akoma më tepër me pajtimin 550 vjecar amnor.

Kur kremtorisht festohej 450 vjetori, I lumi dom Ndre Zadeja në krye, do të krijonte një reviste të përkohshme që do të botohej për disa vite me të njëjtin titull si kjo e kësaj Konference “Zoja e Shkoders, Drita e Shqypnies”, duke ngritur në numrin e parë pyetjen. A lypet nji e përkohshme e Zojës n’Shqipnie?
100 vite më pas, në kulmin e ceremonive për nder të këtij jubileu, lind e njejta pyetje për rëndësinë e kësaj konference ndërkombetare shkencore, për të cituar të njëjtën përgjigje
‘Lypet kjo konference për me mbajt në këmb në popullin tonë këtë përkushti ndaj kësaj të Lume, për më e rrit për ditë e ma fortë, e ma fort mas sodit për Zojën t’onë’.
Shën Benardi thoshte: Zoti mundet me ba një botë ma të madhe e një qiell ma të haptë, por me ba një Nanë ma të madhe e ma bujare se Nanen e Tenzot, nuk mundet.
Ky është nderi dhe lavdi që trashigojmë, një nënë që nderohet në mbarë botën, një nënë emblemë historike, një Zojë të Shkodrës e një Shkodër e Shqipëri krejtësisht të Zojës.
Në këto festime, zemra mban edhe bengun e atij viti të mbrapsht 1967, që do të ndalonte cdo ceremoni fetare, e si rrjedhojë, sdo të kishte festë në 500 vjetorin e Zojës por vetem ditë zije e mordi. Thuhet se krijimet ma të bukura janë fryt i dashurisë së zjarrtë apo i dhimbjes së fort, në Nënën e Këshillit të Mirë, këto dy forca janë shkri, duke na përcuar një fond të madh krijimesh, shkruar me germat e dashurisë së deshirume kompozuar me notat dhimbjes së ndarjes, uratë e të përditshmes ditë të shekujve.
Kumtuesit vetëm pas pak do të trajtojnë, kontekstin historik, mrekullinë e shkëputjes, përshpirtërinë në popull, rrebeshet e kohës ndaj shenjtërores, por risia e krejt kësaj konferencë do të jetë vetë zoja e Këshillit të mirë, teknikat si dhe paraqitjet e zbulimeve më të fundme.
Edhe njëherë në cilësinë edhe të rektorit të Shenjtërores por edhe të komisionit organizativ, Ju uroj mirëserdhjen dhe i dëshiroj mbarësi e dobishmëri konferencës.
I bekuar kjoft preheri që e rriti, e I bekum e fatlum preheri që e mban, gjithmonë zellshëm mbretëroft përshpërtëria ndaj Zojës së Këshillittë Mirë, si unazë që lidh tokën e qiellin, kombet dhe kohën.

 

Previous Sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin
Next Unë jam bariu... Unë jam dera!

Sugjerime