Sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin

Sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin

Dritan Ndoci  /

E DIELA III E PASHKËVE

Vap 2, 14.22-33; Ps 16 (15); 1Pt 1, 17-21; Lk 24, 13-35

I gjithëpushtetshëm është vetëm Hyji, e jo varri. Sa prej nesh e besojmë ngultas këtë?

E filloj me këtë pohim e këtë pyetje ngaqë mendoj se kjo bindje vihet në dyshim edhe nga shumë të krishterë. Duke filluar edhe nga vetë apostujt e dishepujt e parë të Jezusit.

Ajo që më së pari i shkon në mendje Marisë Magdalenë – kur sheh varrin e hapur – është bindja se trupin e vdekur të Jezusit duhet ta kenë vjedhur. Nga kjo bindje s’e luajnë vendit dot as engjëjt që i shfaqen e as fakti që e sheh dhe e dëgjon Jezusin e gjallë. Kur Jezusi e thërret për emër, gjërat ndryshojnë.

Një fenomen i tillë përsëritet pothuajse i tëri edhe në Ungjillin e sotëm. As ata nuk i luan gjë nga bindja se vdekja e Jezusit i ka vënë kapakun gjithçkaje që ata shpresonin nga Ai.

Ungjilli fillon me kët fjalë: «Ditën e Pashkëve dy prej nxënësve të Krishtit po shkonin në një fshat që quhet Emaus e është larg Jeruzalemit gjashtëdhjetë stadje». Po iknin nga Jeruzalemi, po ktheheshin në Emaus: po ktheheshin në shtëpitë e tyre, në jetën e mëparshme. Jezusi kishte ngjallur shumë shpresa për ta. I kishte bërë të shpresonin se Ai «do ta çlironte Izraelin», por, e kotë: Ai vdiq.

Jezusi e kishte paralajmëruar ngjalljen e Tij, por ata nuk e kuptonin. Mbase mendonin se po fliste në ndonjë mënyrë simbolike, gjë që ndonjë herë Ai edhe e bënte. Tani që ka vdekur, gjithçka ka marrë fund. Guri i varrit i vë kapakun gjithçkaje.

Por, i gjithëpushtetshëm është vetëm Hyji, e jo varri.

Ndërkohë që këta po ktheheshin në shtëpitë e veta të zhgënjyer nga Jezusi (edhe Jezusi i zhgënjeka disa njerëz) ndodhi ajo që nuk ua merrte mendja. Vetë Jezusi i ngjalur afrohet e hyn në bisedë me ta: «Ata po bisedonin njëri me tjetrin për të gjitha këto ngjarje. Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin». Hiqeni nga mendja idenë se sytë e tyre ua kishte penguar ndonjë ndërhyrje e Hyjit, me qëllim që pastaj t’ua hiqte këtë pengesë kur «të ndanin bukën». Kjo do të ishte tallje me ta, e Hyji nuk tallet me askënd. As mos mendoni se Jezusi në kokë duhet të ketë pasur ndonjë gjë që nuk i linte ta shihnin mirë. Kur Jezusi i pyet se çfarë po bisedonin, Ungjilli thotë se «ata u ndalën të trishtuar» për ta parë se kush qenka ky që nuk e paska marrë vesh se çfarë kishte ndodhur në Jeruzalem në ato ditë. Pra «u ndalën», e fiksuan në sy. E prapë nuk e njohën!

Shtoi kësaj edhe faktin se disa gra u kishin thënë se varrin e kishin gjetur bosh dhe se kishin parë disa engjëj të cilët u kishin thënë se Ai është gjallë, faktin se disa të tjerë kishin shkuar tek varri dhe kishin gjetur «shi ashtu si u thanë gratë».

Pra, e shohin, e dëgjojnë, bisedojnë më Të, i kishte paraprirë dëshmia e disave dhe prania e engjëjve, por janë të penguar ta njohin. I pengon ideja se varri është i gjithëpushtetshëm: përderisa ka vdekur një herë, as që mund t’u vetëtojë në mendje ideja se ky bashkëbisedues i çuditshëm mund të jetë po Ai që e kanë parë të vdekur në kryq.

Edhe sot, gjithëpushtetësia e rreme e varrit verbon dhe pengon shumëkënd për të takuar Zotin e gjallë që po u ecën fare pranë në jetën e tyre.

Por i gjithëpushtetshëm është vetëm Hyji e jo varri, jo vdekja.

Shën Pjetri e pohon këtë me shumë forcë ditën e Rrëshajëve, siç dëgjuam në leximin e parë: «[Jezusin] nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante nën sundimin e vet». Pushtetit të vdekjes, i kundërvihet pa asnjë diskutim pushteti i Hyjit. Trupin e të vdekurve të tjerë vdekja kishte pushtet ta mbante nën sundim, por jo këtë trup. Ai ishte trupi i një personi hyjnor, e prandaj nuk mund ta zotëronte. Është si puna e një gjëje të nxehtë: provoni të mbani një vezë sapo të nxjerrë nga uji i valuar. Nuk do të mund ta mbani. Do ta lëshoni menjëherë nga duart. Kështu edhe vdekjes iu desh ta lëshonte menjëherë nga duart trupin e Jezusit, sepse mbi të nuk kishte pushtet. Vdekja nuk ka pushtet mbi Hyjin. Atëherë, edhe ne, nëse besojmë në Hyjin, nëse jemi të bashkuar me Të, nuk ka kuptim të vazhdojmë t’i trembemi gjithëpushtetësisë së rreme të vdekjes. E dimë se fjalën e fundit e ka jeta, e jeta është Hyji.

 

Por nxënësve të Emausit do t’u duhet të përballen më një qortim shumë të fortë, dhe me një përvojë po aq të fortë. Qortimi vjen i pari: «O të pamendë e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?» – u thotë Jezusi. Të mos besosh në ngjalljen e Jezusit, në faktin se i gjithëpushtetshëm është vetëm Hyji, është gabim i madh, është marrëzi e madhe. Prandaj edhe i quan të pamend. Por është edhe çështje zemërngurtësie, mbyllje ndaj Fjalës së Hyjit. E prandaj i quan edhe të ngadalshëm në besim. Qortim i dyfishtë gjithmonë i vlefshëm për të na e larguar edhe ne atë që na i pengon sytë ta shohim Zotin e gjallë në jetën tonë.

Por thashë do t’u ndodhë dhe një përvojë po aq e fortë: «Që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin Shenjt për të». Sa bukur: të kesh mundësitë ta dëgjosh nga vetë goja e Jezusit, shpjegimin e Shkrimeve të Shenjta (Shkrim Shenjt deri atëherë quhej ajo që ne e njohim si Besëlidhja e Vjetër) është një përvojë unike.

Është vetëm Jezusi Ai që i jep kuptimin e duhur atyre tekste të shenjta. Ai është qëndra. Prandaj, përshembull, kur në Meshë lexohet Ungjilli, ne ngrihemi në këmbë. Ky detaj në Meshë mund të jetë futur duke imituar një zakon njerëzor: ngrihemi në këmbë kur vjen dikush më i madh. Mbase të krishterët e parë donin të imitonin sidomos zakonin për t’u ngritur në këmbë kur vjen mbreti. Jezusi është më i madhi. Jezusi është Mbreti i vërtetë. Jezusi është qëndra e krejt Shkrimit Shenjt. Pa Të, i gjithë Shkrimi Shenjt nuk mund të kuptohet. Prandaj ngrihemi në këmbë kur gjatë Meshës së Shenjtë lexohet Ungjilli.

Kështu, dy dishepujt, kanë mundësinë ta provojnë se sa e vërtetë është kjo… E dërkohë zemra e tyre ua vërtetonte. Më vonë ata vetë do të pohojnë: «Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjelonte Shkrimin Shenjt?».

Por, prapësëprapë, nuk i janë hapur tërësisht gjithëpushtetësisë së Hyjit.

Kur vjen momenti i ndarjes, ata ngulin këmbë që të hyjë e të rrijë me ta, ngaqë nata po afrohej. (Interesante kjo puna e mikpritjes: nëpërmjet saj mund të bëhet i pranishëm vetë Hyji në shtëpinë tonë.) Në tryezë, Jezusi do të përsërisë po ato gjeste që kishte bërë në darkën e fundit, kur kishte themeluar Eukaristinë: «Mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha». Ajo bukë e thjeshtë do të shndërohej në Bukën e gjallë që është Trupi i Krishtit. Vetëm kur e hëngrën atë bukë «atyre iu hapën sytë dhe e njohën». Kemi nevojë të ushqehemi me Trupin dhe Gjakun e Krishtit, për ta mposhtur brishtësinë tonë që na bën të besojmë më fort në gjithëpushtetësinë e rreme të varrit e të “vdekjeve” të ndryshme që na frikësojnë, sesa në gjithëpushtetësinë reale të Hyjit. Atëherë Jezusi «u zhduk para syve të tyre». Sytë e zemrës së tyre ishin shëruar, prandaj nuk ishte më e nevojshme ta shihnin me sytë e trupit. Tani e tutje do ta shihnin dhe takonin Jezusin në atë Bukë të gjallë.

«U çuan menjëherë, u khyen në Jeruzalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta» dhe u treguan se si e njohën Jezusin e gjallë «kur e ndau bukën». Nëse kishin ndonjë gjë për të bërë në Emaus, përse u kthyen në Jeruzalem? Por, siç e thamë, nga Jeruzalemi po iknin për shkak të zhgënjimit. Tani që zhgënjimi u mposht, kanë arsye të kthehen në Jeruzalem: duan të tregojnë atë që u ka ndodhur, duan të shpallin Krishtin e Ngjallur së vdekuri. E dëshmojnë me gjeste këtë besim dhe e shpallin pa mëdyshje.

Po ne, a besojmë se Krishti është ngjallur së vdekuri? Apo akoma na pengojnë gjithëpushtetësitë e rreme?

Jo në gjithëpushtëtësitë e rreme, por në Krishtin e Ngjallur duhet të jetë i ngulur besimi ynë, siç na e thotë Shën Pjetri sot në leximin e dytë: «Feja juaj dhe shpresa të jenë në Hyjin».

Nëse e besojmë se Ai është i gjallë duhet ta dëshmojmë dhe ta shpallim. Si nxënësit e Emausit.

Previous Meshtarë të pakuptuar, por besnikë ndaj Kishës
Next Zoti mundet me ba një botë ma të madhe, ... por jo një Nanë ma të madhe

Sugjerime