Meshtarë të pakuptuar, por besnikë ndaj Kishës

Meshtarë të pakuptuar, por besnikë ndaj Kishës

Gjergj Meta  /

Dy meshtarë të guximshëm këto ditë do të jenë në fokusin e mediave, pasi vetë Papa Françesku ka dashur të shkojë e të lutet në varret e tyre: don Primo Mazzolari e don Lorenzo Milani. Veçimi i këtyre dy figurave meshtarake jo larg nesh, si në kohë ashtu edhe gjeografikisht, është shembulli i një martirizimi në jetën e përditshme që kalon ndërmjet moskuptimit dhe zhgënjimit. Ne në Shqipëri kemi shembuj meshtarësh që kanë dhënë jetën e tyre, gjakun e tyre për t’i qëndruar besnikë Krishtit. Ky martirizim ka qenë një dhuratë për ta e për ne, e parë gjithnjë në optikën e krishterë. Por ka një martirizim të përditshëm në jetën tonë dhe ai ndoshta është më i dhimbshëm e që do guxim, madje kërkon të jesh i lirë, kërkon guximin për të qenë i lirë.

Në pasluftën e dytë botërore këto dy figura tërheqin me shembullin e tyre dhe sidomos aftësinë e tyre për t’i shërbyer çdo njeriu në përditshmërinë e jetës, duke kapërcyer ato pengesa shpesh edhe brenda Kishës nga moskuptimet apo keqkuptimet, por duke i qëndruar besnikë dhe të bindur asaj. Don Primo Mazzolari u rehabilitua vetëm pak para se të vdiste nga vetë Papa Gjoni XXIII i cili e quajti atë “tromba e Shpirtit Shenjtë” për kohën aktuale, ndërsa don Milani, i cili i shërbeu të rinjëve  të varfër dhe arsimit të tyre, me gjithë moskuptimin dhe vuajtjen që pati nga ana e hierarkisë dhe e bashkëvëllezërve, kurrë nuk e përbalti Kishën dhe hierarkinë e saj.

Kur i shikoj këto dy figura, që më kanë tërhequr gjithmonë, më duket vetja si një fëmijë i vogël që shikon pas perdes këto dy gjigandë dhe ka frikë të afrohet, sepse ndjehet i vogël. Përballë këtyre shembujve meshtarakë vërtet ndjehesh i vogël dhe kjo vogëlsi shpesh ka emrin drojë, pasiguri, frikë për të qenë i lirë dhe turp që nuk je si ata.

Por çfarë i bënte të lirë këta njerëz? Çfarë i bënte të bindur ndaj Kishës edhe kur ajo nuk i kuptonte apo madje edhe i përndiqte?  Ashtu sikurse edhe Rosmini e shumë të tjerë këta njerëz patën dashuri për Kishën, e cila, megjithë rrudhat dhe njollat që mund të ketë, është përgjithmonë nusja e Krishtit dhe Trupi i tij. Për asnjë moment ata nuk harruan të varfërit, të mënjanuarit, por po ashtu nuk harruan sakramentin e tyre të meshtarisë, nuk harruan se i kishin premtuar Kishës bindje dhe dashuri. Ata kurrë nuk u hakmorën dhe as ndjenë zemërim ndaj Kishës, sepse uzdajën e tyre e kishin tjetërkund.

Ka vetëm një rrugë për të qenë të lirë dhe për të pranuar martirizimin e çdo dite: shërbimi ndaj të tjerëve. Vetëm kur je në shërbim je njeri i lirë. Vetëm kur e jep jetën e fiton atë. Kush nuk di të shërbejë, ose më keq akoma, ai që shërbimin që bën e përdor për të kënaqur narcizizmin e tij, herët  a vonë, në përpjekjen për të përqafuar imazhin e vet të pasqyruar në ujë, ashtu si Narcizi i Ovidit, do të mbytet në të.

Ja pra çfarë i dallon këto gjigandë të besimit: ata kanë shërbyer me gjithë jetën e tyre, në çdo çast dhe për asnjë moment nuk kanë menduar se në këtë mënyrë po ndërtojnë kultin e vetvetes, por po kontribojnë në jetën e të tjerëve. Nëse ata nuk do t’i shërbenin të larguarve, të mënjanuarve (sikurse don Mazzolari) apo të rinjëve të varfër e të pashkollë (sikurse don Milani), por imazhit të vetvetes atëherë e para letër që do të kishin marrë nga ipeshkëvi i tyre do t’i shkurajonte ose do t’i bënte ata rebelë të pandreqshëm dhe armiq. Por jo, ata shërbyen, dhanë jetën dhe nuk pritën shpërblimin nga askush, madje kaluan nëpër kalvarin e moskuptimit, të përndjekjes dhe keqkuptimit. Për asnjë çast nuk menduan të ngrihen kundër Kishës në emër të një drejtësie njerëzore, dhe ja tani është Kisha ajo që në personin e Papës Françesku po i lartëson dhe po i bën shembuj për të gjithë.

Do të dalin këto ditë, qoftë vepra e don Mazzolarit e qoftë vepra e plotë e don Milanit. Shpresojmë që shpejt një ditë të shohin dritën e botimit edhe në shqip si shembuj të një meshtarie të jetuar në dashuri për Krishtin, Kishën dhe njerëzit.

Previous Ç’kuptim ka për të krishterin festa?
Next Sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin

Sugjerime