Komunikimi – nevojë e domosdoshme

Komunikimi – nevojë e domosdoshme

Don Anton Uka  /

31 Pastaj doli prapë nga krahina e Tirit, e nëpër Sidon, erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit.

32 I sollën një shurdhaman që mezi fliste dhe iu lutën ta vërë dorën mbi të. 33 Ai e ndau prej popullit veçmas, ia futi gishtërinjtë e vet në veshë, me pështymë të vet ia preku gjuhën, 34 i drejtoi sytë kah qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha ‑ që do të thotë: “Çelu!” 35 E menjëherë iu çelën veshët e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.

36 Jezusi u urdhëroi të mos i tregojnë askujt. Por, sa më tepër që ai ua ndalonte, ata aq më tepër e shpallnin. 37 Të mrekulluar mbi çdo masë thoshin: “Gjithçka bëri mirë!” “Ky po bën të dëgjojnë të shurdhërit e të flasin memecët!” (Mk 7, 31-37).

Para se të kalojmë te gjestet e Jezusit që pasojnë mrekullinë e shërimit të shurdhamanit belbacuk, e konsideroj shumë të rëndësishme të ndalemi te vargu 32, përmes të cilit Shën Marku ungjilltar paraqet gjendjen apo situatën e një njeriu, që, në një farë mënyre, simbolizon apo paraqet situatën e njeriut dhe të shoqërisë të të gjitha kohërave. Shprehja ‘i sollën’, domethënë ia paraqiten një problem konkret, një situatë, një vështirësi, një sëmundje të një njeriu shurdhamanë dhe memec. ‘I sollën’, domethënë vendosen mos ta mbajnë të fshehur sëmundjen që e rëndonte jetën e këtij njeriu dhe vuajtjen e të gjithë atyre që jetonin me të. Domethënë e kuptuan se njeriu për të dalë nga sëmundja, ka nevojë të shkojë në drejtim të një mjeku, ka nevojë të vihet në lëvizje, pra, mos të qëndrojë i kërrusur mbi sëmundjen e tij. ‘I sollën’ domethënë vendosen t’ia komunikojnë Mjekut pjesën me të vështirë dhe më të dhimbshme të jetës: sëmundjen. Kështu që kjo pjesë e skenës na tregon dhe dëshmon se të komunikosh gjërat intime të jetës është shumë e vështirë, por njëkohësisht e bukur dhe çliruese. Kjo domethënë se komunikimi mbetet një sfidë e madhe për njeriun që patjetër duhet ballafaquar.

Po i njëjti rresht tregon arsyen pse ia sollën Jezusit këtë shurdhaman që mezi fliste: ‘iu lutën ta vërë dorën mbi të’. Ia sollën Jezusit! Edhe kjo e ka një domethënie dhe një kuptim të madh shpirtëror dhe psikologjik. Fakti se ia sollën Jezusit, nuk përjashton mundësinë që këtë njeri më parë mund ta kenë dërguar te njerëzit tjerë dhe në vende tjera, ndoshta mund ta kenë dërguar te mjeku, te psikologu, te njerëzit dhe në ambiente që mendohej se do ta shërojnë. Nuk është për t’u çuditur nëse Jezusi ka qenë personi i fundit nga i cili kanë kërkuar ndihmë. E rëndësishme është që janë drejtuar drejt Tij dhe kanë kërkuar që t’i shtrijë duart mbi të. Shtrirja e duarve simbolizon bekimin, pra, e kanë sjellë te Jezusi për ta bekuar (ad benedicendum), që domethënë, për ta thënë fjalën e mirë mbi të, atë fjalë që shëron, që hapë veshët për ta dëgjuar fjalën dhe hapë gojën për ta dëshmuar atë, ngjarje këto që do t’i shohim në vijim.

Vargu tridhjetetre dhe tridhjetekatër paraqet gjashtë gjestet apo gjashtë veprimet që Jezusi përdor në takimin me këtë njeri.

 

  1. E ndau veçmas. Pedagogjia e Jezusit është jashtëzakonisht domethënëse në takimet e tija me kategori të ndryshme të njerëzve. Mënyra sesi ai vepron dhe sesi iu qaset problemeve është shumë e rëndësishme. Shprehja e ndau veçmas tregon dëshirën vepruese të Jezusit për ta njohur këtë person, për ta krijuar një intimitet me të, një miqësi që rrëzon çdo formë paragjykimi, një miqësi që dhuron besim, një miqësi që për metër matës nuk e ka orën (kohën), por dashurinë.

 

  1. Ia futi gishtërinjtë e vet në veshë. Ky gjest i Jezusit jo vetëm se duket i çuditshëm, por realisht është i tillë. Është një gjest shumë delikat, por i domosdoshëm. Njeriu shumë herë nuk dëshiron të dëgjojë për faktin se është i rrethuar nga zhurma, nga fjalë të mbushura me armiqësi, nuk dëshiron të dëgjojë, sepse ndjehet i refuzuar dhe i kritikuar. Preferon t’i mbyllë veshët apo të qëndrojë i shurdhër, për faktin se fjalët që i dëgjon nuk i dhurojnë qetësi, harmoni, gëzim, paqe. Vendosja e gishtërinjve në veshë, është gjesti përmes të cilit Jezusi dëshiron t’i tregojë njeriut të sëmurë, që përmes fjalëve, dëshiron të depërtojë në veshët e tij, pra në jetën e tij, pra tregon kujdesin dhe dashurinë, butësinë dhe pranimin. Ky gjest, sipas murgut dhe psikologut të famshëm gjerman Anselm Grün, dëshmon se Jezusi përmes fjalës dëshiron të arrijë në jetën e këtij njeriu, përmes fjalës dëshiron ta krijojë bashkimin me të. Gishtërinjtë në veshë tregojnë po ashtu se përmes fjalëve të tjerëve dëshirojmë t’i zbulojmë dëshirat intime të tijat, nevojën e tij për dashuri dhe për Hyjin.

 

  1. Me pështymë e vet ia preku gjuhën. Prekja e gjuhës më pështymë është njëri ndër gjestet më intime që njeriu mund të ketë me njeriun tjetër. Ky gjest shprehë dashurinë e thellë të nënës ndaj fëmijës, e cila me lehtësi ia futë fëmijës gishtërinjtë në gojë, që së bashku me pështymë t’ia nxjerrë edhe llomin apo dheun që fëmija ka vendosur në gojë. Shprehë dashurinë e të martuarve dhe dashuruarve që me puthjet e tyre prekin pështymen e njëri tjetrit. Këto prekje e zhdrivillojnë gjuhën dhe e lehtësojnë komunikimin. Pa këto gjeste, thoshte kardinal Martini, nuk mund të komunikohet – dhurohet dashuria. Kjo shprehje e Jezusit na mëson, po ashtu, që komunikimi të jetë sa më i lehtë, sa më i mirë, sa më i drejtë dhe sa më i sinqertë, është e nevojshme të krijohen kushtet paraprake, është e nevojshme të përgatitet tereni; është e domosdoshme të krijohet atmosfera e komunikimit, përndryshe fjala mbetet në fyt e njeriu mbyllet. Ka njerëz që nuk flasin, sepse kanë frikë të ekspozohen, kanë frikë të dalin në dritë, kanë frikë, sepse e kanë kuptuar që fjala na zbulon, na tregon kush jemi, na tregon çka dëshirojmë dhe çka nuk dëshirojmë.

 

  1. I drejtoi sytë kah qielli. Përmes këtij gjesti, Jezusi dëshiron t’ia mësojë të sëmurit si dhe të gjithë atyre që e rrethojnë domethënien e thellë të të folurit dhe të të dëgjuarit. Misteri i fjalës qëndron në komunikimin e realitetit të Hyjit, të lidh me qiellin, thoshte Anselm Grün. Fjalët nuk janë vetëm instrument informimi. Ato na krijojnë, na formojnë, janë pjesë e komunikimit të Hyjit me ne. Të thuash fjalë domethënë të thuash diçka hyjnore, domethënë t’ia dhurosh Hyjin tjetrit. Në këtë fjalë qëndron misteri i hapjes.

Shikimi i Jezusit drejtë qiellit, sipas Carlo Maria Martinit, shpreh vuajtjen, dhembshurinë dhe pjesëmarrjen e Tij në sëmundjen e njeriut, të secilit njeri.

 

  1. Psherëtiu – nuhati. Jezusi duke nuhatur mbi të, ia hapë zemrën, e lejon të hyj në jetën e tij. Nuk e trajton si të huaj, si të padenjë. Empatia (ndjeshmëria, dhembshuria) e Jezusit e çarmatos, rrëzon të gjitha barrierat. Jezusi ka dhembshuri për të, pra lejon që të lëndohet, që të vuajë, që të përfshihet nga vuajtja e tij.

 

  1. Effatha ‑ që do të thotë: “Çelu! Vetëm pas këtyre gjesteve dhe pasi të ketë krijuar kushtet e favorshme, Jezusi mund t’i thotë: çelu, hapu, shërohu! Vetëm pasi t’ia ketë krijuar një atmosferë miqësie, intimiteti, besueshmërie, dashurie, shurdhmemeci (i sëmuri, i mbylluri, i kufizuar, i dëshpëruar, i frikësuari) mund të dëgjojë dhe mund të flasë me një lehtësi të paparë. Tani mund të dëgjojë dhe të flas, sepse është zgjidhur nga zinxhiri i frikës, i paragjykimit, i zhurmës, i pështjellimit. Nga kjo paraqitje dhe nga kjo mënyrë e të vepruarit të Jezusit, kuptojmë se fjala e thënë mirë dhe në moment të mirë krijon bashkim, dhuron jetë, ngjallë dashuri, nxitë dëshmi.

Nga ky episod biblik dhe nga ky person anonim i Ungjillit, që në një farë mënyre simbolizon të gjithë njerëzit e të gjitha kohërave dhe të gjitha vendeve, mësojmë të vetëdijesohemi për vështirësitë tona komunikuese dhe për nevojën tonë të përhershme që t’i lejojmë vetit të prekem nga duart, nga gishtërinjtë, nga gjuha dhe nga nuhatja e Jezusit, në mënyrë që të shërohemi nga të gjitha bllokimet tona personale, familjare, shoqërore, shpirtërore, mendore dhe trupore.

Previous Konference shkencore per Zojen e Keshillit te Mire ne Shkoder
Next Përshpirtëria dhe devocioni ndaj “Zojës së këshillit të mirë”: Pajtorja e popullit shqiptar.

Sugjerime