Shqipëria, misioni “pa efekte speciale”

Shqipëria, misioni “pa efekte speciale”

La Stampa i kushton një hapsire misionarit brescian ne dioqezen e Rreshenit (Mirdite)

LUCIANO ZANARDINI

SUÇ-BAZ

Në misionin e Suç-Baz, përditshmëria, dhe mbi të gjitha informaliteti, bëhen rasti për të takuar Krishtin. Dhe don Gianfranco Cadenelli, që prej 2002 misionar fidei donum në Shqipëri, është pikërisht domethënia e pranisë së heshtur dhe të matur. Çdo ditë i bën pyetje vetes mbi situatën «dramatike të njerëzve, gjithnjë e më të varfër dhe të përkeqësuar» dhe jeton duke e ndierë veten «të paaftë për t’u përgjigjur të gjitha nevojave», me atë që «Zoti i ofron çdo ditë». «I kam braktisur totalisht pretendimet për të bërë atë që mua më duket e dobishme dhe e bukur: lë – tregon ne Vatican Insider – që të jetë Ai që udhëheq, në varfëri, në thjeshtësi dhe përvuajtëri, ecjen e kësaj cope toke të thatë, të kësaj “pjese të Izraelit” që janë shqiptarët që jetojnë në këtë pjesë të Ballkanit dhe të rruzullit».

 

Në përditshmërinë e tij bën gjëra «të vogla, të thjeshta, konkrete». Takon njerëzit. «Ndonjëherë më duket vetja të jem si Jezusi që ecte përgjatë rrugëve të Palestinës, pa një synim nga ana e jashtme. Dhe kur takonte dikë, ndalej duke i kushtuar vëmendje. Nuk bëj mrekulli, thjeshtë sforcohem të jap atë që kam: mbi të gjitha fenë time. Mos vallë, a nuk është ky kuptimi i misionit? Dhe e di mirë që feja forcohet duke e dhuruar ». Në misionin e tij shkon për të çuar një fjalë ngushëlluese në burgun e Burrelit. «Herën e fundit kam patur gëzimin të shoh, në sytë e atyre pak të rinjve të “dënuar” që erdhën në takim, dritën e pranisë së mëshirës së Zotit. Dhe kjo dritë ka qenë e mundur të ndizet brenda tyre pikërisht sepse ishte Jezusi në eukaristi».

 

Disa herë e qorton veten «që nuk di të bëjë shumë për njerëzit, për të përballuar (siç dinë të bëjnë shumë misionarë të tjerë) problemet socio-ekonomike që shtypin të varfërit, që nuk din të hapë “shkolla dhe spitale” ku do të ishin një shenjë e madhe e mëshirës së Zotit. Madje kam provuar edhe me një kooperativë bujqësore që më pas ka ngecur dhe një “camping” që ngelet një shpresë. Ajo që di të bëj, ama, e bëj me gjithë zemër. Ec, flas, shikoj, dëgjoj, buzëqesh, ngushëlloj… zgjas dorën për një përshëndetje ose hap krahët për të ftuar që të thuhet një Ati ynë, kur nuk di më të them asgjë prej vetvetes». Në analizën e tij kurrë nuk mungon besimi. «S’e di për çfarë shërben shërbimi im, por shkoj përpara me bindjen dhe kthjelltësinë, i sigurt që Hyji njeh shumë mirë arsyen e pranisë sime këtu. E di që Ai do të sjell fryt me veprat e mia të varfëra të çdo dite, të motivuara vetëm nga dëshira për të bërë vullnetin e Tij, edhe pse i “njollosur” nga mëkatet e mia dhe pabesnikëria ime».

 

Atë që don Gianfranco ka kuptuar në këto vite, në një tokë ende sot të lënduar nga ateizmi i Shtetit të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, mund të jetë shembull dhe paralajmëruese për gjithë ato herë që veprimtaria baritore rrezikon të bëhet e ngurtësuar dhe e burokratizuar. «Kam mësuar të mos pres shumë njerëz në takime, që të mos pretendoj të shpjegoj gjithçka kam kuptuar në këto rreth 40 vite meshtari dhe të shkurtoj homelinë e së dielës. Jo vetëm sepse kam një numër më të madh të meshëve për të celebruar dhe që më duhet t’i bëj më me “nxitim”, por sepse kam kuptuar që nuk janë fjalët e mia që prekin zemrën e njerëzve, por prania e Jezusit. Shoh që Zoti është këtu me mua si misionar. Dhe shihet që ka mbërritur shumë kohë më përpara sesa unë! Kjo gjë është mjaft e qartë. Po, sigurisht, puna është akoma shumë për t’u bërë, por Ai ka filluar përpara meje. Përpara meje ka hyrë në zemrën e njerzve! Dhe punon. Edhe ai me pasion dhe besim. Diçka e re – përfundon – do të ndodhë brenda tyre. Pret edhe Ai me besim, si unë».

 

Linku i artikullit ne La Stampa: http://www.lastampa.it/2017/04/18/vaticaninsider/ita/inchieste-e-interviste/albania-la-missione-senza-effetti-speciali-plqkVgv3yNtlqODJ2KlhJN/pagina.html

Previous Vraponin të dy bashkë - Pashka e ngjalljes
Next Zuri vend midis tyre

Sugjerime