Vraponin të dy bashkë – Pashka e ngjalljes

Vraponin të dy bashkë – Pashka e ngjalljes

Dritan Ndoci  /

E DIELA E PASHKËS

RINGJALLJA E ZOTIT

Mesha e ditës

Vap 10, 34. 37-43; Ps 118 (117); 1Kor 5, 6-8; Gjn 20, 1-9

Është një detaj në Ungjillin e sotëm që mund të na bëjë një përshtypje të veçantë: pasi që Maria Magdalenë vjen te Pjetri dhe te ai nxënësi tjetër e u thotë «E kanë marrë Zotërinë dhe nuk dimë se ku e kanë vënë», këta menjëherë dalin dhe nisen drejt varrit. E detaji është ky: «Vraponin të dy bashkë…». Të shohësh dy burra kah vrapojnë nuk është diçka e zakontë. Sot mbase vetëm nëpër vendet e zhvilluara mund t’i shohësh, dhe e bëjnë për përkujdesjen e fizikut të tyre. Por në vendet më pak të zhvilluara kjo nuk është edhe aq “në modë”. Aq më tepër nuk ishte normale në kohën e Jezusit. Të shohësh një burrë që vrapon të lë menjëherë të mendosh se bëhet fjalë për diçka shumë urgjente. Do të thotë se ka diçka tjetër që të tërheq dhe që të bën të mos e marrësh parasysh atë që mund të mendojnë të tjerët për ty. Ky lajm që marrin këta dy nxënës përmban në vetvete diçka shumë urgjente: të gjejnë ku është trupi i Jezusit Zot. Është për të na bërë përshtypje sesa e madhe ishte dashuria e tyre për Jezusin. Ata patjetër akoma nuk besonin se Ai ishte ngjallur së vdekuri, por gjithsesi nuk kanë mbetur krejtësisht të shkandulluar nga vdekja e Tij në kryq. Sikur të kishin mbetur ashtu, nuk do t’u kishte interesuar më trupi i vdekur i një “mashtruesi”, por vrapojnë përsëri për ta gjetur atë. Edhe pse e kanë parë kah vdiste mbi kryq, prapë nuk kanë dyshuar për vërtetësinë e dashurisë që Ai ka pasur ndaj tyre; prapë nuk u është zhdukur ajo flakë e shenjtë që fjalët e Tija kanë ngjallur brenda tyre; prapë nuk është u zhdukur bindja se Ai ishte vërtetë i dërguari i Hyjit. Është e vërtetë se për ta Kryqi ishte i pakuptueshëm, një mister, por jo shkandull. Ky vrapim i tyre  bën të shfaqet tërë dashuria e tyre për Jezusin, edhe pse – sipas tyre – ishte i vdekur.

«Vraponin të dy bashkë… »: dy burra, me moshë të ndryshme njëri prej tjetrit (Pjetri dhe nxënësi tjetër, ka shumë mundësi që ishte vetë Ungjilltari që e tregon, Gjoni, e ky mendohet se ishte mjaft i ri), por që vrapojnë drejt një caku të përbashkët.

Ata nuk e dinin se ky cak – atë ditë e në vazhdim, gjatë gjithë jetës së tyre – do të ishte edhe pika e tyre e nisjes për një vrapim tjetër.  Ungjilli thotë se apostujt hynë në varr. Pjetri hyri i pari. Pastaj hyri edhe «ai nxënësi tjetër» dhe «pa e besoi». Përse thuhet se «besoi»? Çfarë «pa»? Pau atë që kishte parë edhe Pjetri. Ungjilli thotë: «Ndërkaq mbërriti edhe Simon‑Pjetri që po vinte pas tij dhe hyri në varr. I pa pëlhurat e vëna dhe rizën që pati qenë në krye të Jezusit. Kjo nuk ishte me pëlhura, por veçmas e palosur në një vend». Pikërisht pozicioni i këtyre pëlhurave ishte i “çuditshëm”: prej tyre kishte dalë një trup njeriu, por nuk linte vend për të menduar se, për nxjerrjen e tij prej atyre pëlhurave që mbështillnin krejt trupin, mund të kishte dorë një përson i dytë, me fjalë të tjera, nuk ishin të zgjidhura, por ishin ashtu siç kishin qenë me trupin e Jezusit brenda, veçse të shfryra. Praktikisht Jezusi kishte dalë prej këtyre pëlhurave pa i zgjidhur ato. Trupi i Tij i Ngjallur ka depërtuar pëmes tyre. Pjesë të tjera të Ungjillit tregojnë se Jezusi hynte në dhomën ku gjendeshin apostujt edhe pse dyert e shtëpisë ishin të mbydhura. Trupi i Tij tashmë ishte i mbushur më lavdinë e Ngjalljes dhe nuk ishte krejt siç kishte qenë para saj. Kështu ka kaluar edhe përmes pëlhurave. Pikërisht kjo ishte gjëja që e kuptuan apostujt kur panë atë pozicion të pazakontë pëlhurash. Panë dhe besuan se vërtetë Ai ishte Ngjallur së vdekuri.

Këtë ngjarje të jashtëzakonshme ata do të vraponin pastaj për t’ua treguar të gjithëve, duke rendur nëpër rrugët e botës.

Vrapimin do ta përfundonin vetëm me vdekjen e tyre. Veçse në këtë vrapim të dytë nuk do të jenë më në kërkim të kufomës së Jezusit të vdekur, por në shpalljen e Ngjalljes së këtij Jezusi i cili ua kishte pushtuar zemrën qysh me kohë, qysh gjatë aktivitetit të Tij publik, por që pastaj do t’ua pushtonte edhe më fort kur do ta takonin të Ngjallur së vdekuri, duke e parë, duke e dëgjuar, duke e prekur, duke ngrënë e duke pirë me Të.

Shën Pjetri do ta shpallë tashmë Jezusin e Ngjallur pa frikë. Leximi i parë sot na sjell një pjesë të Veprave të Apostujve ku është pikërisht Pjetri ai që shkon në shtëpinë e një romaku me emrin Kornel dhe i shpall se Krishti është Ngjallur: «Hyji e ngjalli të tretën ditë dhe bëri që të dëftohet i gjallë ‑ jo mbarë popullit në përgjithësi, por dëshmitarëve prej Hyjit të paracaktuar ‑ neve që bashkë me të kemi ngrënë e kemi pirë pasi u ngjall prej të vdekurish. Ai edhe na urdhëroi t’i predikojmë popullit e t’i japim dëshmi se Jezusi prej Hyjit është caktuar Gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve».

Fryt i vrapimit të tij janë patjetër Kishat që ai duhet të ketë themeluar si edhe dy letrat që ai u shkroi këtyre Kishave.

E vrapimin e tij Pjetri do ta përfundonte në Romë, atje ku do të martirizohej së bashku me shumë të krishterë të tjerë në vitin 64. E në fund të këtij vrapimi ai do të dëshironte t’i jepte nderimin e fundit Atij që i kishte pushtuar zemrën e që Ngjalljen e të cilit e kishte shpallur kudo e pa mëdyshje. Kërkoi që kryqin, në të cilin do ta gozhdonin, ta sillnin me kokë poshtë, shenjë se dëshiron të vdiste duke e nderuar e adhuruar Zotin Jezus. Mbase pikërisht një martirizim i tillë ishte shenjë se Krishti i Ngjallur po e shfaqte sërish pushtetin e Tij mbi vdekjen, duke bërë që ky apostull i tiji ta përdorte edhe atë si një rast në të cilin mund t’ia shprehë dashurinë e tij Zotit të vet.

Ndërsa Gjoni apostull do ta predikonte Krishtin në zonat e Turqisë së sotme. Ai do të jetë i vetmi apostull që do të vdesë në mënyrë të natyrshme, por pas një jete të kaluar mes shumë vështirësish. Edhe atij do t’i duhet ta shpallë Krishtin e Ngjallur në përleshje të vazhdueshme me përndjekjet e ashpra që ushtritë romake ushtronin edhe në ato zona kundër të krishterëve. Por nuk do t’ia ndalnin kurrë vrapimin. Ky vrapim, i filluar në moshë të re, do të japë frytet e veta e, përveç themelimit të bashkësive të krishtera që ai patjetër do të ketë realizuar, janë edhe Ungjilli i tij tejet i thellë, tri letrat e tija të drejtuara Kishave të ndryshme dhe Zbulesa, libri i fundit i Besëlidhjes së Re. Kur vrapohet për të shpallur Ngjalljen e Krishtit, frytet gjithnjë janë të shumta.

Po ne, sa prej këtij vrapimi kemi në jetën tonë? Nëse vërtetë besojmë në Ngjalljen e Krishtit, shihet edhe vrulli që merr jeta jonë. Jeta merr një hov, burimi i të cilit është pikërisht Jezusi i Ngjallur. Ai na bën të mos shohim se çdo të mendojnë të tjerët për këtë vrapim – përshembull kur shohin se lutemi, se marrim pjesë në meshë, se rrëfehemi, se praktikojmë mirësinë dhe bamirësinë, se arrijmë të falim edhe armikun, se nuk ngjitemi pas parasë apo pushtetit, se jemi të matur në gjykimet dhe fjalët tona, se vendimet i marrim vetëm duke u bazuar tek besimi ynë ne Zotin, se as vdekjet dhe fatkeqësitë nuk na e shuajnë uzdajën e harenë në jetë – por të shohim vetëm drejt Tij, drejt Jetës. Nëse nuk ndodhë kështu do të thotë se ende nuk besojmë në Ngjalljen e Tij, do të thotë se ende jemi «brumë i vjetër» siç thotë Shën Pali sot në leximin e dytë: «Pastrohuni prej tharmit të vjetër që të bëheni brumë i ri». E ja çdo të thotë kjo më konkretisht: «Le të kremtojmë, jo me tharmin e vjetër, as me tharmin e zemrës së keqe e të ligësisë, por me bukën e pabrumë të pastërtisë e të së vërtetës». Ai që nuk ka ndryshuar jetën, që vazhdon sipas një zemre të keqe, që thur plane pa marrë parasysh se është i krishterë, që sjell të keqen në shoqëri e që nuk lufton me vetveten për të kultivuar pastërtinë e zemrës në jetën e tij, dëshmon qartë se nuk beson në Krishtin e Ngjallur. Ndoshta me fjalë nuk e mohon këtë Ngjallje, por me jetë po.

T’i kërkojmë pra Jezusit që të na bëjë edhe që t’i besojmë Ngjalljes së Tij prej së vdekuri. T’i kërkojmë që kjo Ngjallje e Tija ta pushtojë zemrën tonë. T’i kërkojmë që ta nxisë edhe brenda nesh atë zjarrin e shenjtë që pastaj do të na shtyjë “të vrapojmë” për ta shpallur dhe dëshmuar këtë Ngjallje. Pastaj, kur të vijë edhe për ne mbarimi i këtij vrapimi, Ai do të na bëjë pjesëmarrës të lavdisë së Ngjalljes së Tij. Këto dëshira qofshin brumi i ri që e brumos tërë jetën tonë.

Previous I dëgjueshëm deri në vdekje
Next Shqipëria, misioni “pa efekte speciale”

Sugjerime