Unë jam ringjallja dhe jeta

Unë jam ringjallja dhe jeta

Dritan Ndoci /

E DIELA V E KREZHMEVE

Ez 37, 112-14; Ps 130 (129); Rom 8, 8-11; Gjn 11, 1-45

Para disa vitesh më qe kërkuar të mbaja një takim me një grup të rinjsh e m’u kërkua të flisja mbi jetën e Shenjtes Terezë të Jezusit Fëmijë. Takimi duhej të ishte i tillë që, pas një paraqitjeje të shkurtër nga ana ime, të rinjve t’u liheshin tre a katër pyetje mbi të cilat ata duhej të reflektonin në punën në grupe që do të pasonte. Bëhej fjalë për rreth 150 të rinj tëë cilët u ndanë në disa grupe jo të vogla. Duke qenë se njëri prej aspekteve më të forta në Shenjtes në fjalë ishte edhe mënyra se si ajo e shihte vdekjen dhe se si ajo e përballoi realisht atë, natyrisht që disa prej pyetjeve të cilave duhej t’i përgjigjeshin të rinjtë patjetër që duhej të ishte edhe “Si e mendoni ju vdekjen? A besoni te jeta e pasosur, te ngjallja e trupit?”.  Gjëja që më befasoi shumë ishte se, në bashkëndarjen që pastaj u bë në grupe, asnjëri grup nuk i ishte përgjigjur kësaj pyetjeje! A e bënë këtë nga turpi (për të mos u dukur si “pleq” ngaqë flasin për vdekjen), apo ndoshta nga paqartësia reale rreth kësaj teme, nuk e di!

Por ndoshta ky lloj turpi e kjo lloj paqartësie duhet të kenë ekzistuar qysh në fillimet e Kishës. Duke qenë se të dielat e vitit A në kohën e Krezhmeve kanë patur si qëllim kryesor të shërbenin si katekeza të fundit për të rriturit që do të pagëzoheshin në Vigjiljen e Pashkës, hierakia kishtare e ka parë qysh herët si të domosdoshme që, në njërën prej këtyre të dielave, leximet liturgjike të fokusoheshin tek risia e vërtetë që ka predikuar Jezu Krishti në lidhje jo thjeshtë me jetën pas vdekjes, por kryesisht me ringjalljen e trupit, me pushtetin real që Krishti ka mbi vdekjen trupore.

Mrekullia që Ungjilli na sjellë sot është ajo e ringjalljes së Lazrit nga vdekja. Nga mënyra se si përshkruhet kjo mrekulli, na lë të kuptohet se ishte padyshim njëra prej mrekullive më të bujshme të Jezusit, falë dëshmitarëve të shumtë që ishin të pranishëm kur ajo ndodhi.

Para se të hyjmë të detajet e pjesës ungjillore, duhet të themi se, pohimi se të vdekurit një ditë do të ngjallen, nuk gjendet vetëm në krishterim. Një pohim i tillë vinte edhe nga tradita hebraike, të cilën Besëlidhja e Vjetër na e dëshmon. Leximi i parë që sot dëgjuam, pikërisht për këtë flet. Por, me Krishtin, një pohim i tillë merr argumentim, merr garanci. Prandaj Jezusit i duhej të vdiste e të ngjallej, për të treguar se, si Ai dhe prej Tij, çdo njeri që beson në të do të ngjallej edhe fizikisht për lavdinë e parajsës. Mrekullia që Jezusi bën në ungjillin e sotëm ka si qëllim final pikërisht të na bind ta besojmë këtë të vërtetë.

Më kuptoni drejt: edhe unë kam frikë përballë vdekjes, edhe unë përpiqem pothuajse gjithnjë që ta shmang atë. Ka situata në të cilat është e vërtetë se duhet “ta vësh bast jetën”, por sa do të doja që këto situata t’i mbaja sa më larg meje. Vdekja nuk ishte e menduar nga Hyji për njeriun, por, pas mëkatit, u pranua prej Tij për arsye që nuk është rasti këtu të shtjellohen (e që gjithësesi ngelen se ngelen të mistershme për ne. Megjithatë Hyji nuk lejoi që të na kaplonte diçka mbi të cilën Ai nuk do të kishte pushtetin. E, pikërisht se na ka bërë për JETËN, Ai na ka premtuar edhe RINGJALLJEN dhe na fton të besojmë realisht në pushtetin e Hyjit mbi vdekjen.

Gjendet një detaj në ungjillin e sotëm që na bën ta shohim nga afër se sa real është ky kontrast që gjendet në njeriun (pra, pikëllimi përballë vdekjes dhe besimi në pushtetin e Hyjit): kur i treguan se ku e kishin vënë trupin e vdekur të Lazrit, ungjilli thotë se Jezusit «i ngufi vaji». Si njeri Jezusi nuk mund të mos qante përballë vdekjes (prandaj nuk çuditem fort për këtë frikën time që spontanisht ndiej përballë vdekjes), por, si Biri i Hyjit e Hyj ai vetë, Jezusi do të shqiptonte edhe këto fjalë përballë varrit me të vdekurin brenda: «Lazër, dil jashtë». Si njeri e qan Lazrin, si Hyj e ringjallë atë.

Të besosh në RINGJALLJE, pra, nuk dashka të thotë të mos tronditesh nga vdekja, të mos frikësohesh apo të mos qash përballë saj, por ta sjellësh shikimin kah Ai i cili është i Vetmi që mbi vdekjen ka pushtet, kah Hyji.

Por, duke e parë se kjo “sjellje shikimi” është tepër e vështirë nga ana njeriut, Jezusi e sheh si të domosdoshme që ta bëjë këtë mrekulli. Ungjilli fillon duke thënë se, pasi Jezusi merr vesh për sëmundjen e rëndë të Lazrit, «u ndal edhe dy ditë në atë vend ku ndodhej». Pra, me dashje, Jezusi priti që Lazri të vdiste, që pastaj ta ringjallte. Pasi vdiq, ai u thotë nxënësve: «Lazri ka vdekur! Jam i kënaqur pse s’ndodha atje, shi për ju – që të besoni!». «Shi për ju»: meraku i madh Jezusit është që t’i bind nxënësit e vet se Ai është «RINGJALLJA dhe JETA».

Kah ky forcim në fe orjentohet edhe dialogu që, mes lotëve e dhimbjes, dy motrat e Lazrit bëjnë me Jezusin. Është interesante se si, të dyja, si fjalë të parë që i thonë Jezusit sapo e shohin, është: «Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur!». Ndoshta kjo ishte fjala që ato i thonin përavjshëm njëra-tjetrës kur u vdiq vëllai. Besonin se Jezusi do ta kishte penguar të vdiste. Por nuk e mendonin se Jezusi do të mund ta ringjallte. U dukej sikur fjalën e fundit e kishte vetëm vdekja.

«Unë jam Ringjallja dhe jeta» – do t’i thotë Jezusi Martës. Nuk ishte një fjalë e thjeshtë ngushëllimi, por një konstatim. Mrekullia që do të bënte pas pak, do të shërbente si argument për ta besuar këtë konstatim.

Fakti që Jezusi nuk e ka ringjallur Lazrin për jetën e pasosur, por vetëm sa e ka kthyer në jetë (pra Lazri përsëri do të vdiste në të ardhmen) tregon se kjo mrekullia shërbente kryesisht si shenjë: donte të forconte (nxënësit në atë kohë e ne sot) në besimin se Jezusi është Biri i Hyjit dhe se ai ka pushtet mbi vdekjen. Martën Jezusi e pyeti «A e beson ti këtë?». Pa i rënë tërthorazi, na pyet edhe mua e ty sot: «A e beson ti këtë?».

Nuk është detaj i parëndësishëm të themi se ekzistonte rreziku real që Jezusin ta arrestonin e ta vrisnin nëse shkonte përsëri në Jude (sikurse edhe ndodhi). Megjithatë Ai prapëseprapë shkoi atje: dashuria për mikun e tij Lazrin dhe dashuria për nxënësit e Tij (që dëshironte t’i forconte në besimin e tyre në Të), bëjnë që Jezusi ta vërë në rrezik jetën e vet. Jep jetën e vet, për t’u dhënë jetë miqve të tij: tipike e mikut të vërtetë! «Ju jeni miqtë e mi» ­- do t’u thotë Jezusi nxënësve të vet një natë para se të vdiste.

Ngaqë jemi miqtë e tij, dëshiron të na bindë se nuk do të na zhgënjejë në besimin tonë në Të. Ngaqë jemi miqtë e tij na duhet të besojmë se një ditë jo vetëm shpirti ynë do të gëzojë lumturinë e parajsës, por edhe trupi. Fjala e Jezusit që thotë «po shkoj ta zgjoj» Lazrin që kishte vdekur, le të na mbushë me besim se, pushteti i Jezusit mbi vdekjen është poaq sa kemi pushtet ne mbi gjumin e dikujt dhe e zgjojmë.

Duke iu kthyer Shenjtes Terezë që e përmenda në fillim, ajo, kur në moshën 24 vjeçare i thanë se tuberkulozi po e çonte dhimbshëm drejt vdekjes, ndër të tjera tha: «Misioni im do të fillojë kur të kem vdekur. Do ta kaloj amshimin tim duke bërë mirë mbi tokë, duke dërguar vazhdimisht shi trëndafilash». Mrekullitë e hiret e shumta (si “shi trëndafilash”) që shumë njerëz patën falë ndërmejtësisë së saj, e vërtetuan se ajo nuk po thurte thjesht poezi boshe kur po fliste për jetën e pasosur, por po shprehte besimin e saj të patundur se, në Krishtin, do të vazhdonte të jetonte, në pritje të ringjalljes edhe të trupit.

Ajo e shumë shenjtër të tjerë na e kanë dëshmuar se janë të vërteta fjalët e Jezusit: «Unë jam Ringjallja dhe Jeta: Kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. Edhe kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë».

Prandaj Kisha e sheh si të domosdoshme t’i sqarojë mirë bijtë e saj e t’i forcojë në fe.

Previous Ditar i Asamblesë së 89-të Përgjithshme të CEEC (Komisioni Evropian i Edukimit Katolik)
Next I dëgjueshëm deri në vdekje

Sugjerime