Erdha në këtë botë të bëj gjyq

Erdha në këtë botë të bëj gjyq

Dritan Ndoci    /

E DIELA IV E KREZHMEVE

1Sam 16, 1.4.6-7.10-13; Ps 23 (22); Ef 5, 8-14; Gjn 9, 1-41

E pastaj në jetë, të vjen momenti kur të duhet të përballesh patjetër me dritën e së vërtetës! Vjen momenti kur Zoti, të vë përballë një dritë shumë të veçantë: përballë një drite që jo domosdoshmërisht të bën të shohësh, por që nganjëherë i bën njerëzit të verbohen akoma më fort. Është karakteristika më tipike e Krishtit, e Dritës së vërtetë të botës, që i shfaqet njeriut si në faqet e Ungjillit, ashtu edhe në thellësinë e ndërgjegjes së tij. Kur kjo dritë bëhet e pranishme, të detyron të mbash qëndrim: ose t’i hapesh asaj, që të shohësh edhe më qartë; ose t’i mbyllesh shkëlqimit të saj, për t’u verbuar edhe më fort.

Janë të shumta faqet e Ungjillit që na e shtjellojnë këtë të vërtetë, por pjesa e sotme ungjillore duket sikur dëshiron të merret vetëm me këtë temë: «Erdha në këtë botë të bëj gjyq: që të shohin ata që janë të verbër e të verbohen ata që shohin» – thotë Jezusi sot.

Ky «gjyq» i ashpër, këtu na tregohet jo teorikisht, por me një histori konkrete; me një histori ku personazhet që përfshihen janë të gjithë të detyruar të mbajnë qëndrime e të marrin vendime  përballë kësaj Drite që është Jezusi.

Të parevë që do t’u duhet të mbajnë qëndrim e të marrin vendimin që të lejojnë përvujtërisht të shndriten nga Jezusi, janë apostujt të cilët, përballë të verbërit që kishte lindur i tillë, i bëjnë Jezusit pyetjen të cilën njerëzit e kanë zakon ta bëjnë në kësi rastesh: «Rabbi, kush mëkatoi, ky apo prindërit e tij që lindi i verbër?». Jezusi do t’i korrigjojë qetësisht: «Nuk mëkatoi as ky as prindërit e tij, por ndodhi kështu që në të të dëftohen veprat e Hyjit». Çdo vuajtje në këtë botë, është e mbështjellë me një mister, njohjen e të cilit e zotëron vetëm i Gjithëpushtetshmi. Njeriut i duhet vetëm që, me plot dashuri ndaj Hyjit të vet e ndaj njeriut-vëlla që po vuan, të vihet në kërkim të këtij plani të mistershëm. «Këtu misteri i vuajtjes, shndritet nga misteri i dashurisë» ­­- tha Shën Gjon Pali II kur vizitoi një shtëpi të Misionareve të Dashurisë që kishte themeluar Shenjtja Nënë Tereza në Kalkutë.

Së pari na duhet të vëmë re se Jezusi nuk e shëron prej asgjëje të vërbrin e Ungjillit të sotëm, pra pa bashkëpunimin e tij, por i kërkon besueshmërinë në fjalën e tij, duke i thënë, pasi ia kishte lyer sytë me baltë: «Shko e lahu në banjën Siloam». Balta të kujton krijimin e Adamit prej dheut të tokës në fillimin e botës. Duke përsëritur gjestet e krijimit, Jezusi i sfidon ata që i rrinë përreth, duke i ftuar në besueshmëri ndaj Personit të tij, ndaj një Hyji të veshur plot e përplot me përvujtëri.

E, pasi ndodhë shërimi i të verbërit, skena, në dukje e qetë e plot ëmbëlsi, merr shumë shpejt ngjyra e dinamika nga më të ndryshmet. Reagimet e atyre që janë të pranishëm në një mrekulli të tillë janë nga më të ndryshmet. Ka prej atyre që nuk vonojnë të thonë deri edhe se ai nuk ishte i verbri i vërtetë, të cilin ishin mësuar të shohin gjithnjë, por «një që i përngjan atij».

Nuk e di a do të kisha dashur të isha atë ditë aty: nga njëra anë ndoshta kjo mrekulli do të ma kishte shtuar afrimin tim me Jezusin, por nuk e di nëse mos ndoshta edhe unë do të kisha qenë jashtëzakonisht i aftë për të gjetur shpjegime të tjera për atë që ndodhi.

Duhet të dimë mirë, madje ta dimë shumë mirë, se mrekullitë nuk është e thënë se i kthejnë gjithnjë njerëz kah Zoti. Është e vërtetë se shpesh herë mrekullitë e shtojnë fenë e disave, por është e vërtetë edhe krejt e kundërta. Unë mendoj se mrekullitë janë si puna e erës në lidhje me një varkë: nëse varka i ka hapur velat, atëherë era ka çfarë të shtyjë, nëse jo, era nuk mund të bëjë asgjë. Ashtu edhe mrekullia: nëse njeriu i ka hapur velat e ndërgjegjes së vet për ta kërkuar të vërtetën në jetë e për ta pranuar atë përvujtësisht, atëherë mrekullia thjesht e shtyn me forcë këtë proçes kërkimi. Por, nëse ndërgjegjen tonë nuk duam ta kalisim në kërkimin e së vërtetës, atëherë shumë shpejt do të jemi të aftë të gjejmë shpjegime të tjera për mrekullitë që mund të na ndodhin. Hyji kthen mëkatarët, por jo kokëfortit. Ka shumë mëkatarë që janë të tillë nga padija e jo se e zgjedhin. Gabojmë nëse e krahasojmë Shën Palin para se të kthehej me farisenjtë e kryepriftërinjtë që sot përmenden në Ungjill. «Veproja nga padija» ­­– i shpjegonte ai Timoteut kur i fliste për gjendjen e tij të dikurshme prej përndjekësi të të krishterëve. Kur Sauli (Shën Pali) do të dëgjojë zërin e Jezusit, do të kthehet, ndërsa farisenjtë e Ungjillit të sotëm përballë mrekullisë gjejnë shpjegime të tjera. Sa keq është kur heqim dorë nga kërkimi i së vërtetës.

Po, ky është shpjegimi i vetëm që mund t’i jepet faktit që paria e farisenjve nuk e pranuan mrekullinë e shërimit të të verbërit. Madje arritën të gjenin edhe justifikimin teologjik për të këtë: Jezusi nuk kishte respektuar të shtunën kur kishte marrë në duar baltën me të cilën i kishte shëruar sytë të verbërit. Na ruajt Zoti nga teologët që hiqen më teologë se vetë Zoti.

Qëndrim përballë mrekullisë së shërimit do t’u duhet të mbajnë edhe prindërve të të shëruarit. Ata publikisht e pranojnë se i shëruari është i biri i tyre që u kishte lindur i verbër, por nuk pranojnë të shtyhen më tutje për shkak të frikës së judenjve që kishin dhënë urdhër të përjashtohej nga sinagoga kushdo që e pranonte Jezusin për Mesi.

Por qëndrimin më prekës e mban vetë i shëruari. Ai nuk pranon kurrësesi ta mohojë apo ta zbehë origjinën e shërimit të tij. E pohon publikisht para popullit të thjeshtë që e rrethonte dhe vazhdoi ta pohonte edhe në “gjyqin” që farisenjtë shpejt e shpejt improvizuan kundër tij. Kur farisenjtë duan t’ia imponojnë që ta pranojë se Jezusi paska mëkatuar kur ka marrë baltën në duar, ai i përgjigjet prerazi: «A është mëkatar s’e di: një gjë e di: kam qenë i verbër e tani shoh». Madje kur ata fillojnë ta fyejnë, ai sikur merr jetë edhe më shumë. «Kur janë të ndëshkuar, gëzohen, thuajse po marrin jetë» – thoshte për të krishterët në shekullin e dytë autori i letrës së drejtuar Dionjetos. Po, «i krishterë» ka filluar të bëhet i shëruari. Farisenjtë e kishin hetuar këtë, prandaj i thonë: «Ti je nxënës i tij». Drita e syve që ka marrë, i ka hapur një dritë tjetër në shpirt: Dritën e besimit në Personin e Jezusit. I krishteri është pikërisht një i tillë.

Prandaj, përballë përçmimit plot krenari të farisenjve që i thonë «Ne e dimë se Hyji ka folur me Moisiun e për këtë nuk dimë as prej kah është!»  ai, si për ta ndezur me qëllim edhe më fort tërbimin e tyre, u përgjigjet: «Shi kjo është e çuditshme: ju s’dini as prej kah është, e mua më dha dritën e syve!…. Po të mos ishte ky njeri prej Hyjit, s’do të mund të bënte asgjë!». Farisenjtë e tërbuar përballë një përgjegjeje të tillë ç’armatuese, nuk dinë të bëjnë gjë tjetër veçse ta qesin përjashta me arrogancë. Arroganca përballë mrekullisë së ndodhur, shpreh vendimin e tyre për të mos iu hapur së vërtetës. Të gjithë ata që me arrogancë, me tallje, me shpërfillje e me dhunë (qoftë edhe vetëm verbale) duan t’i mbrojnë idetë e tyre, janë të ngjashëm me këta farisenjë.

Pasi të shëruarin e qesin përjashta, atëherë Jezusi, edhe ai i përjashtuari nga të mëdhenjtë e kësaj bote, merr vendimin që t’i dalë përpara e t’i thotë, si për ta pyetur nëse shërimi i vërtetë i shpirtit të tij ka ndodhur apo jo: «A beson ti në Birin e njeriut?». “Biri i njeriut” ishte një prej titujve që Besëlidhja e Vjetër i jepte Atij që e priste si Mesi. I shëruari e shprehë me shumë bindje fenë e tij tashmë të pjekur «Besoj, o Zot» dhe bie përmbys para Jezusit. Drita e Jezusit e ka prekur shpirtin e tij dhe tashmë ai bie përmbys para Jezusit, si për t’i thënë se është krejtësisht i tiji. Një ecje e mundimshme ajo e këtij të shëruari, që u desh të piqej edhe më fort nga kundërshtimi e arroganca e të mëdhenjve të kësaj bote, por që u bë një ecje e vërtetë feje, një ecje drejt dritës. I krishteri nuk mund ta shohë ndryshe veten pëveçse në këtë prizëm: ecje drejt Dritës që është Krishti, me qëllimin që të bëhen një gjë e vetme me Të. Në leximin e dytë, Shën Pali, i thellë si gjithnjë, u thotë të krishterëve të Efesit: «Vëllezër, dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotërinë». Nuk u thotë “ishit në errësirë,… jeni në dritë”, por “ishit errësirë,… jeni dritë”. E heq atë “në”, sepse janë bërë një me Krishtin-Dritë. «Deri sa të jem në botë, jam drita e botës» – thotë Jezusi në Ungjillin e sotëm. Kështu, duke u bashkuar me Krishtin, të krishterët bëhen ata vetë dritë e botës dhe i pështjellojnë të “fortët” e botës me të vetmen “armë” që askush nuk mund t’ua heqë: faktin se Krishtin e kanë takuar në jetën e tyre dhe e kanë përjetuar shërimin e syve të shpirtit që Ai u ka sjedhë. Po, tek “sytë e shpirtit”, janë përqendruar të krishterët. Tek e fundit tek shpirti i njeriut janë përqëndruar edhe sytë e vetë Hyjit: “Mos shiko fytyrën e tij dhe lartësinë e shtatit të tij, sepse e kam përjashtuar. Unë nuk gjykoj sipas pamjes së njerëzve: njeriu sheh çka duket përjashta, kurse Zoti vëren zemrën” – dëgjuam në leximin e parë se Zoti i thoshte Samuelit profet.

Vjen momenti kur çdo njeriu i kërkohet të vendosë se me çfarë sysh dëshiron ta shohë veten, tjetrin, botën dhe Hyjin, i cili, herët a vonë, i del përballë njeriut dhe e “detyron” të vendosë, të mbajë qëndrim.

Previous Njih vetveten - te rinjte e dioqezes Tirane-Durres
Next Motër Maria Kaleta nderohet me Titullin “Kryqi i Lartë për Kishën e Papën”

Sugjerime