Katër vjet në timonin e Kishës katolike!

Katër vjet në timonin e Kishës katolike!

Gjergj Meta  /

E thotë fort qartë dhe urtisht Kardinali Ernest Troshani: “Ky asht Papa që Shpirti Shenjtë ka zgjedh për kohën tonë”. Çdo krahasim nuk ka vlerë, i bërë në çfarëdolloj mënyre apo për çfarëdolloj qëllimi. Ky është Papa që Zoti ka dashur për ne në këtë kohë e që është shprehur nëpërmjet votës së Kardinajve katër vjet më pare, pikërisht më 13 mars 2013.

Në katër vjet janë katër temat themelore që Françesku, me ndjeshmërinë  dhe përgjegjësinë për t’iu përgjigjur, bashkë me gjithë Kishën, misionit të saj dhe sfidave të kohës ka zgjedhur të përballojë: familja, të varfërit, mëshira dhe reformimi i kuries romake. Jemi në zemër të Ungjillit dhe kohët sot kërkojnë pikërisht këtë gjë që Papa po bën.

Dy sinode për Familjen, njëri pas tjetrit dhe një nxitje apostolike “Amoris Laetitia”, për të thënë që martesa dhe familja janë të shkruara në zemrën e çdo njeriu. Pavarësisht opinionit mediatik, që shpesh merr apekte të veçanta, duke i fryrë ato tejskajshmërisht, duhet të thuhet me bindje të plotë se Amoris Laetitia, që më në fund e kemi edhe në shqip, ka si qëllim më së pari t’i kumtojë botës Ungjillin e familjes dhe martesën si diçka të bukur. Është vizioni pozitiv dhe ideali i bukurisë së familjes që edhe sot e kësaj dite tërheq ende shumë të rinj e të reja që të ndërmarrin këtë rrugëtim sa të mundimshëm aq edhe të bukur. Kur ky ideal i bukur njolloset ose rrudhet nga rrethanat, nga mëkati apo gabimet e njerëzve, nuk do të thotë se duhet të dorëzohemi, por nuk duhet të rreshtim së ndihmuari ata që kanë nevojë, familjet e plagosura, të rrënuara e të lodhura nga barrat e jetës. E nuk duhet të rreshtim as së kumtuari përsëri e përsëri madhështinë e kësaj qelize të shoqërisë njerëzore.

Të varfërit në zemër të këtij Pontifikati qysh në ditën e parë të tij. Ah sa do të doja një Kishë të varfër për të varfërit – tha para gazetarëve të mbledhur pak ditë pas zgjedhjes së tij Papa Bergoglio! Vizita e parë si Papë brenda Italisë në Lampedusa, aty ku konsumohen tragjedi njerëzore, trafik qëniesh njerëzore, në kërkim të një jete më të mirë. E më pas udhëtimi i parë në Europë: Shqipëria, një vend i varfër dhe që kishte vuajtur kalvarin e diktaturës komuniste më të egër në Europë. E pikërisht këtu në Tiranë, në Katedralen e shën Palit, Françesku përlotet duke përqafuar dom Ernestin që më vonë do ta krijojë kardinal. Një kujdes i vazhdueshëm për ata që shoqëria i përjashton apo nuk u jep të drejtën e tyre.

Mëshira e pamasë e Hyjit! Një vit kushtuar mëshirës në të cilën Papa ftoi dhe nxiti gjithë Kishën që t’i hapte dyert e mëshirës për të gjithë ata që kanë nevojë dhe duan të gjejnë faljen e Hyjit. Nuk ka gjë që Hyji nuk mund të falë. Asnjë mëkat nuk e përmbys apo tejkalon dashurinë e Hyjit. Ftesë meshtarëve që të jenë misionarë të mëshirës dhe të faljes, por edhe bashkësive të krishtera që të jenë vatra ku falja dhe mëshira jetohen së bashku. Shumë gjeste dhe shumë nisma në vitin e mëshirës. E në fund dyert e hapura të rrinë ashtu të hapura gjithmonë deri në fund.

Reformimi i Kuries romake. Sfida që Papa i ka vendosur vetes qysh në fillim të Pontifikatit me krijimin e grupit të 8 kardinalëve G8 që më pas u bë G9. Dëshira për të rigjallëruar mekanizmin e një kurie që shpesh mund të kthehet më shumë në një pengesë se sa në një ndihmë. Ka ende shumë punë për t’u bërë, por reformimi më i vështirë e më i rëndësishëm, që do të ishte nëna e të gjitha reformimve apo shëkndija më e fuqishme që do të ndizte një zjarr të madh, është ai i zemrës. Do ta thotë në shumë raste këtë Papa e së fundmi edhe në takimin për urimet e Krishtlindjeve me të gjithë nënpunësit e Kuries romake. Një model edhe për Kishat locale të shpërndara në të gjithë botën. E ndoshta një model i best practice edhe për institucione të tjera që të mbytura nga burokracitë e shumta kthehen në makina të ndryshkuar pushteti.

Ad multos annos Papa Françesku e shumë urime në krye të Kishës të cilës i ke dhënë një frymëmarrje të freskët dhe të thellë!

Previous Karl Marx, Enver Hoxha dhe Besimi
Next Për një globalizim me fytyrë njerëzorë - Homazh ndaj Papa Palit VI

Sugjerime