Karl Marx, Enver Hoxha dhe Besimi

Karl Marx, Enver Hoxha dhe Besimi

George Frendo O.P.   /

Shprehja shumë e njohur e Karl Marx-it rreth besimit është: “Besimi është opiumi i popullit” – një fjalë që Enveri e kishte shumë për zemër. Më duket se Marx ka përdorur këtë shprehje për herë të parë në Hyrjen për librin e tij “Kritika e Filozofisë së Hegel-it mbi Drejtësinë”, dhe e ka përdorur në kuptimin që besimi është vegël në duart e klasës zotëruese për të sunduar klasën proletare; në këtë mënyrë, besimi justifikon padrejtësitë shoqërore. Teoria e Marx-it rreth besimit tregon sa shumë paragjykime kishte ndaj besimit, veçanërisht ndaj besimit të krishterë (ndoshta si reagim për faktin se babai i tij, që ishte hebre, u detyrua të bëhej i krishterë për të shmangur persekutimin). Është shumë e çuditshme sesi Marksi, i cili para se të kritikonte ligjet ekonomike dhe teoritë shoqërore të asaj kohe, studionte mirë shkrimet e autorëve që përhapnin ideologjinë kapitaliste te asaj kohe si Adam Smith e Ricardo, nuk bëri asnjë përpjekje të tillë për doktrinën e krishterë. Po te kishte lexuar, për shembull, Ungjillin e Mateut kap. 25, Letrën e Jakobit dhe shkrimet e Shën Gjon Gojartit, do të kishtë qenë më i kujdesshëm para se të kishte akuzuar besimin si “opiumi i popullit”.

Nikolai Lenin adoptoi të njëjtin pozicion si Marksi për sa i përket besimit. Edhe për të, besimi është opiumi i popullit. Megjithatë, në shkrimin e tij “Socializmi dhe Besimi”, çuditërisht, Lenin bën këtë vërejtje shumë interesante: “Çdo njeri duhet të jetë absolutisht i lirë për të përqafuar atë besim që i pëlqen, ose të hedhë poshtë çdo besim, domethënë të jetë ateist, si zakonisht është çdo socialist”.

Kjo do të thotë se Enver Hoxha, i cili gjithmonë mburrej se ndiqte politikën Marxiste-Leniniste, në politikën e tij rreth besimit shkoi shumë e shumë përtej qendrimit të Leninit. Dhe fatkeqësisht, Hoxha u mbyll hermetikisht jo vetëm ndaj botës perendimore, por edhe ndaj vetë mendimit komunist. Për të, mendimi komunist mori fund me Stalinin. Po të kishte lexuar, për shembull, shkrimet e marxistëve si Ernst Bloch (për të cilin besimi nuk është opiumi i popullit), ose si Roger Garaudy (shumë i hapur për dialogun me të krishterët), ndoshta do të kishte marrë një qendrim shumë më të arsyeshëm ndaj besimeve.

Çdo besim, për Hoxhën, është helm per shoqërinë. Por ai ka treguar nje urrejtje shumë të veçantë ndaj katolikëve. Ja fjalët e tij në një kongres: “Hierarkët katolikë ishin njërëz pa atdhe… Subvencionet e tyre, rrogat e çdo gjë tjetër dilnin nga grabitja që u bëhej besimtarëve në forma dhuratash e deri në detyrimin me forcë të besimtarëve për t’i lënë trashëgim kishës pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme. Të gjithë hierarkët e kishës katolike, nga më kryesori deri të xhakoi e te famullitari, ishin të mësuar, të shkolluar me shkollë teologjike, me disiplinë të hekurt, me metodat dhe dredhitë e shtypjes së vullnetit të njerëzve me frikën e zotit, të Krishtit dhe të apostujve. Besimtarët katolikë duhej të ishin në duart e kishës perinde ac cadaver (lat.: edhe si kufoma)…. Kisha katolike dhe hierarkia e saj ishin në kulm obskurantiste, konservatore, si dhe të adaptueshme e të përkulshme kur ua donte puna, por gjithmonë në alenacë më regjimin reaksionarë…. Vetëm regjimi ynë i diktaturës së proletariatit i dha fund veprimtarisë keqbërëse, reaksionare e kolaboracioniste të kishës katolike…. Kjo ishte gjendja në hierarkinë e fesë katolike dhe në bësimtarët para Konferencës së Pezës. Priftërinjtë e mëdhenj ishin agjenturë e dyfishtë – e Vatikanit dhe e pushtuesve italian.”

Së fundi dëshiroj të theksoj rolin e besimit për rendin në shoqëri. U referohem dy pohimeve të dy personave shumë të njohur: Voltaire dhe Dostojevski. Voltaire tha: “Dua që avokati im, rrobaqepësi im, shërbëtorët e mi, madje dhe gruaja ime, të besojnë në Zotin. Nëse ata bëjnë këtë, do të më mashtrojnë e do të më vjedhin më pak.” Ndërsa Dostojevski tha: “Nëse Zoti nuk do të ekzistonte, gjithçka do të ishte e lejueshme.”

Ndoshta jo të gjithë janë dakord me Dostojevskin. Në fakt ka filozofë të cilët thonë se themeli i sjelljes morale është i pavarur nga besimi në ekzistencën e Zotit. Ndoshta për më shumë, nuk janë dakord me Voltaire-in, pasi në pohimin e tij gjejmë një shëmbull tipik të manipulimit të fesë. Me të drejtë Gordon Allport ka bërë dallimin ndërmjet praktikës së pjekur dhe praktikës së papjekur të fesë. Njeriu i pjekur për nga pikpamja e fesë ështe ai që me vërtetësi i shërben Zotit; ndërsa njeriu i papjekur është ai që përpiqet të shërbehet nga Zoti. Në këtë rast kemi të bëjmë me një manipulim të fesë dhe të besimit fetar. Megjithatë besoj se kishte të drejtë Papa Pali VI kur thonte, në Enciklikën Populorum Progressio: “Njeriu mund ta ndërtojë botën pa Zotin, por në këtë rast do ta ndërtonte për shkatërrimin e vet”.

Personalisht jam i bindur se edukimi fetar (ose edukimi në fe) luan një rol të rëndësishëm për një rend të mirë në shoqëri. Nuk mrekullohemi nëse në një dokument të shekullit të dytë, dhe pikërisht në Letrën drejtuar Diognetit, në një përshkrim të mrekullueshëm të jetës së të krishterëve, lexojmë: “Të krishterët nuk dallohen nga të tjerët as nga territori, as nga gjuha, as nga zakonet e jetës …. Madje as në veshje, në ushqim e në pjesën tjetër apo nga zakonet e vendit …. Megjithatë ata vendosin një formë jete të mrekullueshme …. U binden ligjeve të vendosura, por me mënyrën e tyre të jetesës janë më superiorë nga ligji”.

Shën Pali u thotë Romakëve (13, 7): “Jepni gjithkujt çka i përket: tatimtarit tatimin, doganierit doganën, atij që është për t’u druajtur drojën, atij që është për nderim nderimin”. Duke komentuar këtë tekst, shën Toma vëren: “Ai që do dikë, lirisht dhe me kënaqësi i jep çka i duhet, madje edhe më shumë” (Contra Gentiles 3, 128). Në dëshmitë e Martirëve Shilitanë (Acta Proconsularia, në vitin 180) lexojmë se ata ishin qytetarë që u bindeshin ligjëve dhe paguanin tatimet; dhe këtë e thanë duke patur parasysh fjalët e sipërmendura të Palit. Speratus, udhëheqësi i grupit, tha: “Nuk kam vjedhur, dhe i paguaj tatimet…” Dhe kur e pyetën: “Çfarë ke në qese?” ai përgjigjet: “Librat dhe letrat e Palit, një burrë i drejtë”.

Çdo besim i vërtetë ka jo vetëm një dimension personal, por edhe një dimension shoqëror, domethënë angazhon anëtarët për të mirën e përbashkët. Ja pse Ernst Block, Roger Garaudy, dhe disa komunistë të tjerë si Lombardo Radice dhe Togliatti janë shkëputur nga doktrina e Marx-it dhe e Lenin-it, që besimi është opiumi i popullit. Madje, sipas Ernst Bloch, besimi është shprehja e aspiratave që janë në thelbin e zemrës së njeriut. Sipas tij, besimi i ngre në qiell ëndrrat më të mira të njeriut: ëndrrat për një botë më të denjë për njeriun.

Previous Pusulla per Papen nga burgu i Milanos, i shkruajnë edhe dy shqiptarë
Next Katër vjet në timonin e Kishës katolike!

Sugjerime