Gruaja e la enën dhe shkoi në qytet

Gruaja e la enën dhe shkoi në qytet

Dritan Ndoci  /

E DIELA III E KREZHMEVE

Dal 17, 3-7; Ps 95 (94); Rom 5, 1-2.5-8; Gjn 4, 5-42

Në Shkrimin Shenjt të sotëm, tema e ujit dhe ajo e mëshirës së Hyjit përmenden shpesh. Në leximin e parë uji shpërthen mrekullueshëm nga një shkëmb, e nga ai ujë mund të pijë mbarë bashkësia e Izraelit e munduar nga etja dhe nga dyshimi mbi dashurinë e Hyjit. Në Ungjill termi “ujë”, merr një domethënie më të gjërë, që do ta shohim. Megjithatë po e themi që tani vetëm se, uji që përshkruhet në leximin e parë, paska qenë thjeshtë shëmbëllesë e “ujit” që do të sillte Jezusi.

Tema e mëshirës së Zotit përmendet në leximin e dytë, në të cilin Shën Pali pohon se sa fort Hyji na ka dashur: «Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt neve kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishtit vdiq për ne».

E kjo e vërtetë – dashuria e Hyjit për mëkatarët – në Ungjillin e sotëm shpërthen me një bukuri të rrallë.

Shën Gjoni mund të quhet pa dyshim mjeshtër i përshkrimit. Mjeshtër sidomos në vënien në pah të detajeve. E, akoma më tepër, mjeshtër krijimin e kontrasteve, i vënies në dukje të ndryshimit të madh mes mënyrës se si arsyeton Jezusi dhe mënyrës se si arsyetojnë bashkëfolësit e Tij.

Le të fillojmë me detajet.

Detaji i parë: «Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul të rrijë». Hyji që lodhet. Po, lodhet. E lodhë kjo rendja në kërkimin e mëkatarit, por gjithësesi nuk resht së kërkuari.

Detaji tjetër: «Ishte kund rreth orës gjashtë. Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë». Ora e gjashtë, përkon me mesditën. Nuk ishte zakon të shkohej te burimi në mesditë, por në mëngjes. Pjesa ungjillore tregon se kjo grua kishte një histori shumë të keqe personale, e prandaj nuk kishte dëshirë të shkonte te burimi në orarin kur e dinte se atje do të gjente njerëz të tjerë e do t’i duhet të përballej me shikimet e tyre plot paragjykime. Prandaj shkon në mesditë, atëherë kur askush nuk do të gjendej te pusi.

I fundit detaj që dëshiroj të theksoj: «Gruaja e la enën dhe shkoi në qytet». Është detaji që mua personalisht më prekë më shumë. Kishte ardhur të mbushte ujë, e tani po kthehet pa ujë! E çuditshme, apo jo? E shkon pikërisht në qytet! Po, a nuk kishte ardhur te pusi në mesditë pikërisht me qëllim që të shmangte njerëzit e tjerë? Për më tepër shkon e u thotë «Ejani e shihni njeriun që më tregoi gjithçka kam bërë. A mos është ky Mesia?». Edhe sikur në qytet do të gjendej ndonjëri që nuk e dinte historinë e saj, tani po e mësonte nga vetë goja e saj!

Plot janë edhe detajet e tjera, por le t’i kthehemi mjeshtrisë së dytë të Shën Gjonit, asaj të vënies në pah të ndryshimit të madh mes mënyrës së të arsyetuarit të Jezusit me atë të bashkëfolësve të vet.

Kur Jezusi flet për ujin nënkupton hapjen ndaj Shpirtit Shenjt, ndërsa samaritania mendon për tjetër gjë. Po ashtu edhe kur nxënësit e lusin Jezusin të hajë e Jezusi u përgjigjet se ka një ushqim tjetër, ata fillojnë të pyesin veten se mos i solli ndokush ushqim, deri sa Jezusit i duhet t’ua thotë troç: «Ushqimi im është të zbatoj vullnetin e atij që me dërgoi, ta kryej veprën e tij».

 

Por nuk mbaron me kaq kjo mjeshtri e Shën Gjonit. Për ta parë më mirë na duhet t’i marrim me radhë rreshtat e Ungjillit.

A e dini se për çfarë tjetër “përdorej” mbushja e ujit tek pusi?

Duke qenë se mbushja e ujit tradicionalisht u takonte grave – e sidomos vajzave –, burimi apo pusi ishte edhe vendi më i përshtatshëm për ato që ne i quajmë sot “takime”. Sot ka metoda të tjera, por atëherë ishte kryesisht kjo metodë. Djemtë nuk përtonin të shkonin pranë këtyre vendeve pikërisht për këto lloj “takimesh”. Djemtë shkonin për “të parë”, e vajzat për “t’u parë”. Ishte “vendi i fejesave”. (Me pak humor mund të themi se sot, shpesh, ndër katolikë, përdoret mesha e së dielës për kësi takimesh).

Në Besëlidhjen e Vjetër gjejmë kësi shembujsh, që e konfirmojnë atë që po themi. Po përse tjetër kujtoni se murmuruan nxënësit kur u kthyen dhe e panë duke folur me një grua? Është e vërtetë se habia qëndronte edhe në faktin se nuk ishte e zakonshme që një Rabi, siç mbanin Jezusin, të bisedonte me një grua, por patjetër, mendja duhet t’u ketë shkuar edhe tek ky dyshim zhbirues.

Tani e kuptojmë se përse, kur Jezusi i thotë samaritanes: «Më jep të pi!», ajo reagon me aq habi: «Si? Ti që je judeas, kërkon ujë prej meje që jam samaritanase?». Si t’i thoshte: “Si? Ti je judeas, kërkon të fejohesh me një samaritanase?”. T’i kërkohej ujë një vajze, pra, nga një djalë, ishte si t’i kërkoje – sot – numrin e celularit, nëse kështu mund të thuhet. Na bëjnë të vëmë buzën në gaz këto detaje, por kështu e kuptojmë më mirë frymën e bisedës. Kështu kuptojmë edhe atë shpjegimin – që përndryshe duket i tepërt – që Shën Gjoni bën menjëherë pas: «Sepse judenjë nuk marrin e japin me samaritanë». E ka fjalën për martesat, që mes këtyre dy popujsh nuk bëheshin, për shkak të shumë ndryshimeve fetarë e historike që kishin mes tyre.

Por samaritania e shkretë kaq kapacitet ka. Kultura në të cilën është e zhytur nuk e lë të mendojë se kërkesa që po i bëhet është e një natyre krejt tjetër. Jezusi po flet për tjetër gjë. E thamë: po kërkonte hapjen e saj ndaj Shpirtit Shenjt.

Por kjo nuk po kuptonte. Jezusi i thotë se mund t’i japë një ujë që, kush e pi, nuk ka më kurrë etje, por gruaja prapë nuk merr vesh. E shumta që arrin të kuptojë është se ky bashkëfolës i saji i çuditshëm nuk e paska fjalën për fejesa e martesa, por për ndonjë ujë të magjishëm. Prandaj i thotë: «Zotëri, më jep asi uji që të mos etem më e të mos më duhet të vij këtu të nxjerr».

Sa i vështirë është njeriu. «Nëse mësimi (hyjnor) nuk është i mbështetur nga hiri – thotë Shën Izidori – edhe nëse hyn në veshë, prapëseprapë nuk arrin deri në zemër. (…) Fjala e Zotit zbret nga veshët në fund të zemrës vetëm atëherë kur ndërhyn hiri, vepron në thellësi dhe çon në kuptim». Kështu është rasti i kësaj gruaje. Prandaj, hirit hyjnor i duhet të ndërhyjë. Duke i përmendur burrat e shumtë që ka patur në jetë, e duke i treguar se e njeh mirë jetën e saj – atë jetë të cilën ajo po e fshehte nga njerëzit e tjerë – Jezusi bën pikërisht këtë: me pushtetin e vet – ky është hiri hyjnor – thyen shurdhësinë e shpirtit të saj. (Prandaj na duhet të lutemi për mëkatarët, sepse vetëm hiri hyjnor mund t’i kthejë vërtetë).

E ajo më në fund ajo kupton.

Biseda që pastaj vazhdon mes saj dhe Jezusit është shumë ndryshe. Ndërkohë që në fillim të bashkëbisedimit dukej sikur Jezusi po fliste nga lart e kjo po fliste nga thellësia e një botë mëkatare, tani është ndryshe: gruaja ka hyrë në sintoni me Jezusin, bashkëfolësin e saj të vështirë. E kësaj, mëkatares që hyri në sintoni me Të, Jezusi do t’i zbulojë vetveten, në një mënyrë që rrallë e hasim diku tjetër në Ungjill, saqë i thotë «Unë jam (Mesia), unë që po flas me ty!».

Arriti atje ku duhej. U zbraz në të dashuria hyjnore. Gruaja iu hap dhuratës së Shpirti Shenjt, të cilën Jezusi po mundohej aq fort t’ia bënte. U vërtetua ajo që thotë Shën Pali në leximin e parë: «Dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua».

Tani është ajo e ngopur. Kishte ardhur për ujin e rëndomtë, por mori një ujë tjetër. Prandaj e lë enën aty: e lë sepse nuk ka më nevojë për të: ajo ka në vetvete një “ujë” tjetër, Shpirtin Shenjt, i cili na nxit ta shpallim Krishtin. Ajo e kuptoi se audhuruesit e vërtetë janë ata që «e adhurojnë Atin në Shpirt e në të Vërtetë»: pra duke iu hapur veprimit të Shpirtit Shenjt dhe fjalës së Jezusit. Këtë ajo shkon ta shpallë, pa frikë paragjykimesh. Ka forcën ta kapërcejë vetveten e të shpallë atë që ia ndryshoi jetën.

Lodhja e Jezusit që përmendet në fillim të Ungjillit nuk shkoi kot: e dha frytin e vet. Prandaj Jezusi u thotë apostujve, ndërkohë që samaritanët e tjerë të lajmëruar nga gruaja tani ishin duke ardhur: «Çoni sytë tuaj dhe shikoni: arat u zbardhuan për korrje! (…) Unë ju dërgova të korrni atje ku ju s’derdhët djersë. Të tjerët u munduan, e ju trashëguat frytin e djersës së tyre». Sa herë që Kishës i shtohen bij e bija të tjerë, ato janë fryti i mundimit të Dikujt tjetër, i cili dha jetën për ta.  Kisha thjesht korrë e pranon frytet e pjekura, tashme të gatshme.

Le t’i hapemi edhe ne mënyrës së të arsyetuarit të Jezusit. Le të hapemi ndaj Shpirtit Shenj që Ai dëshiron me gjithë shpirt të na e dhurojë. Atëherë, së bashku me samaritanët e tjerë, edhe ne do të mund të themi për Jezusin: «… Vetë e dëgjuam dhe e dimë se me të vërtetë është Shëlbuesi i botës».

Previous Viti i mbrapshtë '67 - Një event në Arkidioqezën e Tiranë-Durrësit
Next IMZOT VINÇENC PRENDUSHI MARTIR - KTHEHET NË DURRËS (19 mars 2017)

Sugjerime