Pusulla per Papen nga burgu i Milanos, i shkruajnë edhe dy shqiptarë

Pusulla per Papen nga burgu i Milanos, i shkruajnë edhe dy shqiptarë

Peregrinus.al  /

“Ti që lutesh për të gjithë ata që vuajnë, për të gjithë ata që janë fatkeqë, për të gjithë ata që gabojnë: po të kërkoj një lutje, i dashur Françesk. Pak fjalë, por të thëna nga ti kanë forcën dhe dendësinë e nevojshme për të ndryshuar situatën time. Më ndihmo të bëhem një i krishterë dhe një njeri më i mirë” – kështu i shkruan i burgosuri shqiptar Melsed Paloka Papës Françesku nga burgu i san Vittore-s në Milano, ku Papa do të shkojë në vizitë apostolike me datë 25 mars 2017. Aty ai do të takohet me shumë të burgosur e do të hajë drekë me 100 prej tyre. Jo të gjithë mund ta takojnë, por të gjithë do ta dëgjojnë e disa prej tyre i kanë shkruar disa pusulla, të shkurtëra, por kuptim plotë.

Ndër ta jo të gjithë janë katolikë, por kanë besim te Papa Françesku. Mustafa Seqouri, mysliman, i shkruan kështu Papës: “Kemi fe të ndryshme. Por ti i dashur Françesk kur lutesh për të burgosurit nuk bën dallime në bazë të gjinisë, racës e sidomos fesë. Kështuqë une e ndjej veten i pranuar në lutjet e tua e nëse do të mundja të kërkoja diçka do të ishte një dhuratë shumë e bukur të dëgjoja të bëje një lutje drejtuar qiellit për ne vëllezërit myslimanë të mbyllur në burgjet italiane, larg shtëpisë dhe afeksioneve tona”.

Janë të gjitha histori jete që shpesh fshehin dhimbje dhe pendim e madje edhe nostalgji të një pafajësie të humbur sikurse është rast i Alfredo Giacoppo – s i cili shkruan: “Nëse do të mund t’i flisja Papës françesku këtu në San Vittore do t’i kërkoja të bënte një mrekulli: të falte të gjitha gabimet e mia dhe të gjitha ato herë që kam bërë keq e të bënte që unë të kthehesha fëmijë me kujtimet e përjetuara e të mos bëja më ato veprime të këqija që më kanë larguar nga familja ime dhe më kanë çuar aty ku jam tani. Do të doja me të vërtetë të filloja gjithçka nga e para”

Papa Françesku do të vizitojë Dioqezën ambroziane dhe ka kërkuar që të rrijë me të burgosurit e të mund të flasë me to kokë më kokë, të ketë kohë të dëgjojë disa prej tyre pa pasur nevojë për filtra, por edhe të falenderojë pesonelin e burgut për punën dhe përkushtimin e tyre. Ky dimension i Pontifikatit të Papa Françeskut ka bërë për vete shumë njerëz që e duan dhe e respektojnë atë pavarësisht nga besimi që kanë.

Është edhe Fatjoni në atë burg, një shqiptar tjetër, që i shkruan Papës këto fjalë: “Njatjeta Françesk! Në fjalët e tua, që nga shën Pjetri arrijnë edhe te ne të burgosurit e San Vittore-s, del në pah një pjesmarrje e fortë emotive në vuajtjet njerëzore. Për fat të keq arrijnë edhe shëmbëllime të mbushura me dhembje, emigrantët, viktimat e tërmetit, situatat e pafundme të varfërisë së skajshme. Por e gjitha kjo zbutet nga gëzimi që përcjell buzëqeshja jote dhe që na bën të harrojmë edhe vetëm për një çast ankthin dhe trishtimin. Faleminderit që na jep me vizitën tënde një copëz të dashurisë së amshuar neve të burgosurve që jemi pezull në limb ndërmjet të mirës dhe të keqes.”

Papa Bergoglio sapo i ka mbushur 4 vjet nga Papnimi i tij. Në këto katër vjet ai ka pasur si përparësi në vëmendjen e  vet tema të rëndësishme sikurse familja, mëshira e Hyjit, reformimi i Kishës dhe të varfërit. Këtyre të fundit ai u kushtoi edhe udhëtimin e tij të parë aposotolik në Lampeduza, pikërisht aty ku vijnë shumë emigrantë nga Afrika veriore.

Vazhdon angazhimi i tij i përkushtuar për reformën e Kuries romake, por edhe puna me familjet dhe të rinjtë të cilëve në 2018 u ka kushtuar një Sinod të Përgjithshëm të ipeshkëvinjëve.

Previous Udha e Kryqit për familjet në dritën e "Gëzimi i dashurisë"
Next Karl Marx, Enver Hoxha dhe Besimi

Sugjerime