Ndërsa po zbrisnin nga mali…

Ndërsa po zbrisnin nga mali…

Dom Dritan Ndoci  /

Një detaj i Ungjillit le të na e tërheqë sot vëmendjen tonë: “Ndërsa po zbrisnin nga mali…”. Përse të zbrisnin nga mali, pas gjithë asaj madhështie të mrekullisë së shndërrimit të Jezusit? E në fakt duhej të zbrisnin nga mali.

Detaj majft i vogël, por na lë të kuptojmë shumë.

Në momentin kur ndodhë shndërrimi i Jezusit – dhe pasi shfaqen edhe Moisiu dhe Elia duke folur me Të – Pjetrit nuk i vjen gjë tjetër të thotë veçse: “Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu…”. Kështu mendonte: e mira e tij do të ishte të rrinte në atje, në mal, në prani të gjithë asaj bukurie. Por e mira e tij me e madhe do të ishte një tjetër. Nuk kishin shkuar në mal për të qëndruar atje, por për t’u bërë gati të përballonin atë që së shpejti ishte parashikuar se do të ndodhte. E në të vërtetë, në Ungjillin e Mateut, rreshtat që i paraprijnë mrekullisë së shndërrimit të Jezusit, janë pikërisht ata ku Jezusi vetë paralajmëron mundimet, vdekjen dhe ngjalljen e Tij, që së shpejti do të ndodhnin. Duke qenë se nuk do të vononin të ndodhnin, Jezusi shqetësohej për fenë e apostujve të vet. Përballë “shkandullit” të kryqit, rrezikonin të humbisnin besimin në Të. E prandaj, për t’i përgatitur, bën këtë mrekulli: vendos që, për një çast, ta heqë velin që e mbulonte lavdinë e Tij hyjnore. (Interesante: madhështia e lumnisë së parrizit është vetëm një vel lag).

Duhej të zbrisnin nga mali. Po, duhej. I priste përballja me kryqin. Kjo përballje ishte e mira e tyre e vërtetë. Edhe lavdinë e Krishtit do ta shihnin. Madje shumë më shumë se aq dhe në përjetësi. Por më parë duhej të përballeshin me kryqin, që të kuptonin se ç’është dashuria e vërtetë.

Pastaj apostujt, duke parë e dukë kuptuar së çfarë është dashuria e vërtetë e Hyjit, do të kaliten edhe ata vetë në dashuri përmes kryqeve që atyre do t’u duhet të mbartin për të ndjekur Jezusin.

E kalitja në dashuri, nëpërmjet kryqit, u ndodhë pothuajse të gjithë njerëzve. Ka raste kur Hyji i bën disa përjashtime, për të na ndihmuar të besojmë se Ai mundet gjithçka, por rruga e zakonshme është ajo e kryqit.

E kryqi merr forma të ndryshme për të ardhur në jetën tonë. Dikë mund ta trondisë një rast vdekjeje, e mbase edhe më shumë se një. Dikush mbase është i vizituar nga sëmundje të ndryshme, aq sa nuk i ndahen ilaçet, duke rendur sa në një derë spitali tek një tjetër. Dikush mbase vuan momente jo thjesht moskuptimi, por deri edhe keqkuptimi. Ndoshta prej atyre që më së paku e priste. Mbase dikush pëson padrejtësitë e të pangupurve me para: nëpër spitale, nëpër gjykata, apo mbase edhe tek sporteli më i rëndomtë. Dikush vuan nga uria, për shkak të atyre që s’gopen me para.

Janë momente kryqi, momente shkandulli. Fjala “shkandull” vjen nga greqishtja e vjetër, që do të thotë “pengesë”. Kryqi, pra, mund të shndërrohet në një “pengesë” për të besuar në dashurinë e Hyjit dhe madje edhe në ekzistencën e Tij. E megjithatë, jemi të ftuar të mos harrojmë se madhështia hyjnore prapëseprapë është vetëm një vel larg.

Përballë shkandullit të kryqit apostujt nuk duhej të harronin madhështinë e shndërrimit të Krishtit në atë mal.

E shndrrimi ishte një madhështi në kuptimin e vërtetë të fjalës. Këtë e tregon jo vetëm shfaqja e Moisiut dhe e Elisë – të cilët simbolizojnë se në Jezusin përmbushet gjithçka kanë thënë Ligji (i përfaqësuar nga Moisiu) dhe profetët (të përfaqësuar nga Elia) – por edhe zëri i Atit që vjen nga reja: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam përzemër. Atë dëgjoni!”. Apostujt duhej të zbrisnin nga mali dhe, në përballjen me shkandullin  e Kryqit, duhej të mos dyshonin për hyjninë e Jezusit, por, përballë kryqit duhej të pyesnin veten: “Po përse, pra, e gjithë kjo?”

Duke fshirë nga mendja dyshimin për hyjninë e Tij, duke fshirë nga mendja idenë e ndonjë dënimi hyjnor (e kjo i vjen në mend shpesh atij që pëson diçka), duke fshirë nga mendja paaftësinë e Jezusit përballë së keqes në botë, do të mbetej vetëm një: të përjetohej kryqi si rast për të dashur edhe më shumë.

Duhej të zbrisnin nga mali, sepse, po të qëndronin atje, zor se do të kaliteshin në këtë lloj dashurie. Hyji nuk ka dëshirë që ne të llastohemi në dashuri. E, në fakt, Pjetri bën pak a shumë si një fëmijë i llastuar i cili, sapo sheh një tortë të madhe, hap krahët për ta zaptuar të tërën për vete. Pjetrin nuk po mendonte jo e jo për pjesën tjetër të botës, por as për apostujt e tjerë. Bile kaq është i ngulur në kërkesën e tij sa nuk përton ta ekzagjerojë: “Nëse do ti, po i ngreh këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë”. E ekzagjëron sepse nuk e vë re se po flet njëjës. Sikur të thoshte: “I bëj të gjitha unë, veç mos të na ikë tërë kjo bukuri”. Eh, ky Pjetri: gjithnjë hillet përflakshëm i pari!

Lavdinë hyjnore do ta shijonte, por më parë do të mësonte se ç’është dashuria. Për këtë do ta ndihmonte kryqi.

Në leximin e parë shohim se si Hyji e fillon historinë e vet me popullin e Izraelit. E fillon duke e ftuar të përballet me kryqin. Kështu mund ta cilësojmë ftesën që Hyji i bën Abrahamit sot në leximin e parë: “Dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë sate, e prej shtëpisë së babait tënd, në drejtim të një vendi që do të ta tregoj…. Do ta bëj të madh emrin tënd”. Ky premtimi i fundit duket sikur nuk është fort në sintoni me ftesën fillestare.

Premtimi siguron madhështinë. E, në të vërtetë, në Abrahamin, ky premtim do të realizohet pikë për pikë: asnjë njeri në botë nuk është i nderuar më fort se ai. Abrahami nderohet jo vetëm prej ne të krishterëve, por edhe prej hebrenjve e prej myslimanëve. Tre besime që, së bashku, përfshijnë gati gjymën e gjithë njerëzimit. Të trija këto besime njihen si “besime abrahamike”. Por e gjithë kjo famë do të vinte vetëm pas “kryqit”, pas asaj ftese me kaq shumë detajë të rëndësishme.

Të rëndësishme sepse, pikësëpari, Hyji nuk bën ndonjë prezantim të vetin (e këtu është hera e parë që Hyji po i drejtohet Abrahamit), por fillon me një urdhër: “Dil”. Pastaj: “… prej vendit tënd dhe prej vëllaërisë sate, e prej shtëpisë së babait tënd”, duke e ftuar që të braktisë edhe përzemërsitë më të afërta familjare. “Në drejtim të një vendi që do të ta tregoj”, por nuk i thotë se për ku. Abrahamit i duhet të lërë gjithçka, për diku që nuk e di akoma. E vetmja siguri është premtimi i Hyjit. E, i kapur pas premtimit të Hyjit, Abrahami do të kalojë gjithë jetën. Vetëm në fund të saj ai do ta shohë realizimin e plotë të atij premtimi.

Por ja, pra: më parë iu desh përballja me logjikën e kryqit, iu desh “të zbriste nga mali”, për të kuptuar më mirë se Hyji me të cilin ka të bëjë, nuk është si ata që mendonin paganët. E tani është ngjitur në atë mal të lum, për të gëzuar në amshim.

Të mos na vijë turp të flasim për një Hyj të tillë:“Fort i dashur, mos të vijë marre ta dëshmosh Zotin tonë, as mua të burgosurin e tij, por hiq keq me mua për Ungjill, duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit” – i thotë Shën Pali Timoteut. Ia thotë ndërsa vetë ai, Shën Pali, është “i burgosur i Krishtit”. Shën Pali e ka kuptuar Krishtin: burgu që po pëson për Ungjill, nuk është harresë e Hyjit e nuk i bëhet shkandull, por e di se po i jepet rasti të përsoset në dashuri: në dashuri ndaj Hyjit, dhe ndaj atyre që e kanë burgosur. Për të, kjo është një zbritje nga mali, para se, edhe ky, të ngjitet përfundimisht në malin e lumturisë së amshuar.

Kur Hyji të na thërrasë “të zbresim nga mali” të mos e humbasim fenë, por të jemi të vetëdijshëm se na erdhi radha të përsosemi në dashuri. Vetëm kështu do të mund t’i ngjitemi “malit” të lumturisë së parrizit.

Previous Udha e Kryqit e martireve - Tekste te reja te Udhes se Kryqit ne PDF nga Motrat klarise
Next Kush eshte Nunci Apostolik qe eshte caktuar ne Shqiperi?

Sugjerime