Drejt Pashkës me Martirët e Lumë

Drejt Pashkës me Martirët e Lumë

Motrat Klarise – Shkoder  /

“ Përqafo Krishtin e Varfër: ‘më i bùkuri ndër bijtë e njerzëve’ që  për shpëtimin tënd është bërë më i përbuzuri. Medito dhe sodit e dëshiro fort ta imitosh!” (Sh. Kjara) 

1 UDHA E KRYQIT 2017 – shkarkoje

2 UDHA E KRYQIT 2017 – shkarkoje

Një ecje e re Kreshmeje hapet përpara nesh. Kjo kohë liturgjike na përgatit për ngjarjen qendrore të fesë sonë: Ngjallja e Zotit Jezu Krisht. Pa fe në Ngjalljen e tij, feja jonë është e kotë. Nuk kemi fe. Pse do ta kishin dhënë jetën për Zotin Jezus Martirët tanë? E pse, akoma sot, vazhdojnë të vdesin për shkak të persekutimit vëllezërit tanë të krishterë? Siguria që jeta në Hyjin, sipas Ungjillit të Jezu Krishtit, është jeta e vërtetë e njeriut, birit të Hyjit, siguria që kjo është jeta e plotë dhe jeta e amshuar, që fillon qysh këtu në tokë aty ku dy apo tre janë bashkuar dhe jetojnë në emër të Jezusit, ka qenë i vetmi qëllim autentik që ka mbështetur Martirët tanë të Lumë në orën kur u kanë lejuar t’ua marrin jetën e tyre tokësore, me qëllim që t’i përkisnin përgjithmonë jetës së amshuar.

Të gjithë ne kemi marrë pjesë, ose personalisht ose me lutje, në ngjarjen Kishtare të Lumnimit të Imzot Vinçenc Prennushit me 37 Shokë Martirë më 5 nëntor 2016. Rrugët e Shkodrës kanë mikpritur popullin e krishterë për të kremtuar fitoren e jetës mbi vdekjen dhe të Dashurisë mbi urrejtjen. Në kohën e errët të regjimit populli i Hyjit ka jetuar i fshehur dhe po këto rrugë të Shkodrës kanë parë turma njerëzish që shoqëronin të krishterët në vendin e pushkatimit.

Sot, në këtë kohë të re të Kreshmëve, që Kisha na ofron, ne mblidhemi falë hirit të Hyjit, të lirë për të shpallur haptas fenë tonë në Ngjalljen e Jezu Krishtit, pikërisht në njërin prej vendeve historike të rralla të asaj periudhe.

Ky burg, si edhe ata që ishin në atë kohë, ka qenë vendi në të cilin ka ndodhur lufta mes të Mirës dhe të Keqes, vendi në të cilin të krishterët kanë luftuar betejën e tyre të mirë deri në derdhjen e gjakut. Dhe sot, ky burg është një vend që ka arsye për të ekzistuar akoma, përveçse që të ruajë kujtimin histotik – sepse nuk duhet ta harrojmë kurrë historinë, me qëllim që të mos i bëjmë më të njëjtat gabime të tmerrshme -, para se gjithash, sepse e Mira e Hyjit ka fituar luftën dhe banon në këto vende nëpërmjet pranisë së popullit të Hyjit dhe me lutjen tonë.

Lutja jonë është lutja e krishterë, që i kërkon Atit të mëshirës: mjaft me dhunën, me luftën, me persekutimin për shkak të fesë!

Lutja jonë është lutja që i kërkon akoma Atit të mëshirshëm: ndihmoje familjen njerëzore që t’i jetojë autentikisht vlerat njerëzore që janë edhe vlera ungjillore!

Lutja jonë është lutja e krishterë edhe sepse dëgjon dëshminë e vëllezërve, prej tyre pranon mësimin për të vënë në veprim Fjalën e Hyjit në situatat konkrete të jetës.

Do të dëgjojmë, për çdo ndalesë të Udhës së Kryqit Fjalën e Hyjit, do të qëndrojmë në heshtje e, pastaj, shembulli i Martirëve të Lumë do të na flasë për besnikërinë pagëzimore që ata kanë jetuar.

Tekstet e shkurtra në lidhje me Martirët e Lumë janë nxjerrë nga dy vëllimet e Atë Leonardo Di Pinto-s O.F.M. (“Imzot Vinçenc Prennushi me Shokë Martirë, profil historik hagjiografik”, enti botues Arqipeshkvia Shkodër-Pult, Shtator 2016) dhe do të na japin mundësinë ta njohim më mirë personalitetin e tyre, humanizmin e tyre të madh dhe dashurinë e tyre po aq të madhe.

Nëpërmjet tri skemave të ndryshme të Udhës së Kryqit do të kemi mundësi t’i takojmë dhe t’u lutemi 38 Martirëve tanë të Lumë.

Dashuria e Hyjit për secilin prej nesh, që Jezusi, Biri i tij dhe vëllai ynë, na ka treguar deri në vdekje dhe në ngjallje, na dhashtë guxim për t’i qëndruar besnikë Ungjillit, me qëllim që ta dëshmojmë dashurinë me anë të martirizimit në jetën tonë të përditshme.

Motrat Klarise – Shkodër

Previous Fuqia dhe brishtësia shpirtërore e një shoqërie
Next Udha e Kryqit e martireve - Tekste te reja te Udhes se Kryqit ne PDF nga Motrat klarise

Sugjerime

Jeta Shpirtërore
Jeta Shpirtërore