Fuqia dhe brishtësia shpirtërore e një shoqërie

Fuqia dhe brishtësia shpirtërore e një shoqërie

Don Anton Uka   /

Pafuqia e shoqërisë perëndimore (ku bënë pjesë edhe shoqëria jonë shqiptare) për t’i rezistuar sfidave apo tundimeve të ndryshme që ndërlidhen me dimensionin antropologjik (njeriun), teologjik (Hyjin) dhe sociologjik (të tjerët), sipas teologëve dhe antropologëve të krishterë, e ka zanafillën e saj, jo thjesht në probleme që ndërlidhen me aspektin ekonomik, politik dhe juridik, por edhe më tepër më ato të identitetit të saj shpirtëror dhe etik. Një gjë të tillë në fakt pohon dhe thekson edhe Papa Benedikti XVI: «Për ta krijuar një bashkim të ri dhe të qëndrueshëm, patjetër se janë të rëndësishme mjetet politike, ekonomike dhe juridike, por është e nevojshme, po ashtu, të stimulohet një ripërtëritje etike dhe shpirtërore që nxjerrë nga rrënjët e krishtera lëngun që dhuron jetën, pa të cilin lëng njeriu mbetet i ekspozuar ndaj rrezikut për të rënë pre e tundimit të vjetër të vetë-shpëtimit, utopi kjo që historisë së Evropës të shekullit XX i ka shkaktuar një regres të paparë”.

Ungjilli i Shën Gjonit na mëson se, para se të fillonte ekzistenca e çdo gjëje dhe e çdo qenie, ekzistonte Fjala, nga e cila u krijua çdo gjë (krh. Gjn 1, 1-18). Nëse në aspektin teologjik në fillim ishte Fjala, kjo në aspektin antropologjik nënkupton se në fillim ishte dëgjimi i kësaj Fjale, nga ku buron jeta tokësore dhe ajo qiellore. Nga kjo rezulton se, mos dëgjimi i kësaj Fjale është mëkat, që shkakton vdekjen e të gjithëve (krh Zan 3, 1-7).

Karshi Fjalës së Hyjit që krijon dhe dhuron jetën, si dhe njeriut që është i thirrur ta dëgjojë dhe ta besojë këtë Fjalë, gjendet mashtrimi dhe tundimi i Djallit, i cili mundohet ta prish dhe ta thyej këtë marrëdhënie bashkimi, harmonie dhe dashurie të Krijuesit me krijesën e vet (krh. Zan 3, 1-24). Kështu që, sfida e vjetër, por njëkohësisht edhe e re për njeriun është thirrja, që të përcaktohet për udhën që shpie drejtë jetës (dëgjimit të Fjalës së Hyjit), apo për atë që qon në vdekje (dëgjimit të Djallit, që fletë përmes mashtrimeve dhe tundimeve të ndryshme)  (krh. Lp 30, 15-20).

Për ta kuptuar më mirë dinakërinë e mashtrimit dhe të tundimit të Djallit, por edhe rëndësinë e dëgjimit dhe të meditimit të Fjalës së Hyjit, dëshiroj të marr në shqyrtim një mësim shumë të çmueshëm të ish kardinalit të Milanos Carlo Maria Martini-t, i cili fliste për ekzistencën e tri lloje të tundimeve: tundimet që vijnë nga Djalli; tundimet që vijnë nga mishi-gjaku dhe tundimet që vijnë nga të tjerët. Që në fillim duhet theksuar se më këto tri lloje tundimesh është ballafaquar Jezusi gjatë tërë jetës së Tij tokësore, e po ashtu me këto lloje tundimesh ballafaqohet çdo njeri, pa marrë parasysh përkatësinë e tij fetare, shoqërore, kulturore dhe politike.

 

  1. Tundimet që vijnë nga Djalli

 

Për ta shpjeguar dhe kuptuar tundimin që vjen nga Djalli, Kardinal Martini i referohet skenës biblike, e cila na paraqet tundimin e Jezusit në shkretëtirë (krh. Lk 4, 1-13). Në këtë pjesë të Ungjillit shihet qartë veprimi tundues që i Keqi i bënë Jezusit. Djalli me dinakëri gjen momentin e volitshëm për ta tunduar Jezusin, shfrytëzon plogështinë dhe dobësinë njerëzore, bënë premtime marramendëse, gënjen duke u paraqitur i kujdesshëm e i dashur, mashtron duke u munduar të keqen ta paraqes si të mirë etj.. Të gjitha këto me qëllimin e vetëm, që të ngadhënjejë mbi të mirën, ta përvetësojë njeriun dhe ta ndajë atë nga e vërteta, pra, nga Ati qiellor. Veprimit tundues të Djallit, Jezusi nuk i ikë, por përkundrazi, e lufton dhe e mund, në saje të njohjes, të dëgjimit dhe të besimit të thellë në fjalën e Hyjit, që është ‘shpirt dhe jetë’.

  1. Tundimet që vijnë nga mishi

 

Për sa i përket kategorisë së tundimeve që vijnë nga mishi, Kardinal Martini i referohet lutjes së Jezusit në Malin e Ullinjve, që Shën Mateu ungjilltar e paraqet në këtë mënyrë: «Atëherë Jezusi mbërriti me nxënës në një kopsht, që quhej Gjetseman dhe u tha: “Rrini këtu, derisa unë të shkoj atje e të lutem.” Mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut. Atëherë filloi të trishtohej e të ngushtohej. E u tha: “Shpirtin ma kaploi një trishtim që çon në vdekje. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar me mua!” Pastaj u largua pakëz, ra me fytyrë për dhé e lutej: “Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh! Megjithatë, le të bëhet, jo si dua unë, por si do ti.” Dhe u kthye te nxënësit, i gjeti fjetur dhe i tha Pjetrit: “Si kështu, s’mundët të rrini zgjuar me mua as për një orë të vetme? Rrini zgjuar e lutuni të mos bini në tundim! Shpirti, vërtet, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.” Prapë shkoi të dytën herë e u lut: “Ati im! Nëse s’mund të kalojë ky kelk mundimesh pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!” U kthye përsëri dhe i gjeti fjetur, sepse gjumi ua kishte rënduar sytë. I la, prapë u largua dhe u lut edhe të tretën herë duke përsëritur të njëjtat fjalë. Atëherë u kthye te nxënësit e u tha: “Flini tashmë e pushoni! Ja, arriti ora, kur Biri i njeriut po u bie në dorë mëkatarëve. Ngrihuni të shkojmë! Ja, po afrohet tradhtari im!”» (Mt 26, 36-46).

Pohimi i Jezusit: «Shpirti, vërtet, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë», shprehë të vërtetën shpirtërore dhe trupore të njeriut besimtar, që Shën Pali e përmbledh me këto fjalë: «E di se e mira nuk banon në mua – d. m. th. në natyrën time trupore: sepse ta dua të mirën jam i zoti, por jo edhe të veproj të mirën, pasi nuk bëj të mirën që dua, por të keqen që nuk e dëshiroj, atë bëj. Në qoftë, pra, se bëj atë që [unë] nuk do të dëshiroja ta bëja, kurrsesi nuk jam ai që e bëj atë, por mëkati që banon në mua. Gjej, pra, se është ky ligj: kur dua të bëj të mirën, më vjen përdoresh e keqja. Në qenien time të brendshme me kënaqje të plotë përkoj me Ligjin e Hyjit, porse hetoj në gjymtyrët e mia një ligj tjetër, i cili lufton kundër ligjit të arsyes sime dhe më robëron me ligjin e mëkatit, që banon në gjymtyrët e mia. Oh sa njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup që i përket vdekjes? Lavdi Hyjit nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë! Prandaj: unë me mendje i shërbej Ligjit të Hyjit, kurse me trup ligjit të mëkatit» (Rom 7, 18-25).

Pra, trupi njerëzor, meqë është i prekur nga mëkati, vazhdimisht e dëshiron atë dhe është i prirë drejtë tij. Kështu, brenda njeriut sikur krijohet një luftë e brendshme mes Ligjit të shpirtit, i cili vërehet përmes fryteve të dashurisë, të paqes, të durimit, të dashamirësisë, të mirësisë, të besnikërisë dhe të butësisë dhe atij të trupit, që dallohet përmes fëlligështisë, papastërtisë, idhujtarisë, magjisë, armiqësisë, zilisë, grindjes, smirës, hidhërimit, ngacmimit dhe ndarjes. Ligji i shpirtit njeriut i sjellë ngushëllim, ndërsa ai i trupit njeriut i sjellë trishtim. Nga këto efekte e kuptojmë se njëri vjen nga Zoti e tjetri nga Djalli. Derisa tundimet që vinin nga Djalli, Jezusi i lufton me Fjalën e Zotit, tundimet e mishit i lufton me lutje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme.

 

  1. Tundimet që vijnë nga të tjerët

 

Për të parë dhe kuptuar se tundimet vijnë edhe nga të tjerët, Kardinal Martini i referohet skenës biblike të mundimit dhe kryqëzimit të Jezusit, që Shën Luka ungjilltar e përshkruan në këtë mënyrë: «Populli rrinte aty e ‘kundronte’. Anëtarët e Këshillit të Lartë e ‘përqeshnin’ duke thënë: “Të tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit ‑ ‘I zgjedhuri’!” Edhe ushtarët e vinin në lojë. Iu afruan për t’i dhënë uthull dhe i thanë: “Nëse je ti mbreti i judenjve, shpëto vetveten!” Mbi të ishte edhe mbishkrimi: “Ky është mbreti i judenjve.” Njëri nga kriminelët e kryqëzuar e fyente: “Po a nuk je ti Mesia?! Shpëto veten edhe ne!”» (Lk 23, 35-39).

 

Provokimet, nënçmimet dhe poshtërimet që njerëzit ia bëjnë Jezusit në momentin e mundimit dhe kryqëzimit të Tij, janë tundime jo të lehta për tu pranuar dhe përballuar. Ai që të tjerët i shpëtoi, i shëroi, i ringjalli, pikërisht për faktin se realisht ishte dhe mbetet Mbreti dhe Mesia i njerëzimit, tani, në momentin e vuajtjes, duket i paaftë ta ndihmojë dhe ta shpëtojë vetveten.

Kësaj here, tundimi që vjen nga njerëzit është i kësaj natyre: zbrit prej kryqit! Mos u bëjë dëgjues i një Hyji që rri në heshtje në momentin e vuajtjes dhe të vdekjes! Mos vuaj dhe mos u sakrifiko për ata që nuk dinë të falënderojnë! Këtyre tundimeve Jezusi u përgjigjet me heshtje, pikërisht me atë heshtje, e cila ruan brenda vetes fenë – se e mira dhe e vërteta do të ngadhënjejnë; shpresën – se premtimet e Hyjit do të realizohen; dashurinë – se nga vuajtja dhe kushtimi i të Drejtit, do të rilindë një popull i ri, populli i të shëlbuarve. Heshtja kundruese e fesë, e shpresës dhe e dashurisë, për Jezusin e vuajtur dhe të kryqëzuar bëhet fuqi, që e mund dhe e largon tundimin e njerëzve.

Shumë herë ndodh që edhe ne të jemi të tunduar nga botëkuptimi i një shoqërie hedoniste, materialiste dhe relativiste, që vazhdon ta përbuzë të Kryqëzuarin dhe në forma të ndryshme dhe intriguese edhe neve na thotë: zbrit prej vuajtjeve, zbrit prej së vërtetës, prej vlerave, prej idealeve, prej besimit, prej besnikërisë, prej dashurisë, prej lutjes, prej sakramenteve…; zbrit prej kryqit, pra, prej të gjitha atyre gjërave dhe vlerave që e fisnikërojnë dhe e shenjtërojnë jetën, të tashmen dhe të ardhmen e njeriut!

Për tu ballafaquar me këto tundime dhe për të qëndruar të pathyeshëm në Fjalën që dhuron jetën, mendoj se shoqëria jonë post-moderne ka nevojë ta mishërojë mësimin e besimeve monoteiste, që urtia hebraike e përmbledh shumë bukur në këto fjalë: Lum ai që nuk i ndjek këshillat e keqbërësve […] por kënaqet në Ligjin e Zotit dhe e kujton atë ditë e natë (Ps 1, 1-2).

Previous Etapa post-martire
Next Drejt Pashkës me Martirët e Lumë

Sugjerime