Mos bëni si shtiracakët!

Mos bëni si shtiracakët!

Dom Dritan Ndoci  /

E MËRKURA E PËRHIME

Jl 2, 12-18; Ps 51 (50); 2Kor 5, 20 – 6, 2; Mt 6, 1-6. 16-18

Në këtë periudhë kreshmore, të gjithëve na vjen spontane të themi se Kisha fillon një periudhë pendestare, një periudhë në të cilën jemi të ftuar të bëjmë pendesë. Por periudha kreshmore nuk është kryesisht kohë vuajtjeje. Kjo kohë e fortë liturgjike në Kishë ka lindur si përgatitje që të bëhet e mundur një kremtim sa më i mirë i Misterit të Pashkëve, pra i Mundimeve, i Vdekjes dhe i Ngjalljes së Jezu Krishtit.

Pra është kryesisht një periudhë thellimi edhe më i madh i jetës sonë me Hyjin. Si pasojë, pyetja që në këtë kohë duhet t’i bëjmë vetes nuk është edhe aq se “Çfarë nuk duhet të ha e çfarë më duhet të vuaj?” (siç bëjnë shumica e katolikëve), por “Cilin aspekt të jetës sime me Hyjin kam nevojë ta thelloj akoma më fort?”. Jo: “Çfarë nuk duhet të bëj”, por “Çfarë duhet të bëj”.

Atëherë gati natyrshëm do të pyesnim: ‘Po atëherë, përse Kisha na porosit edhe pendesën”. Ajo që vihet re shpesh mes ne të krishterëve është edhe fakti se kemi një vizion mjaft të shtrembër në lidhje me pendesën. Shpesh mund të shihen të krishterë që bëjnë pendesë, por që në logjikën e tyre kjo pendesë është një farë pazari që ata bëjnë më Zotin, domethënë, privohen vullnetarisht prej disa të mirave materiale, që pastaj të fitojnë në proporcione më të mëdha diçka tjetër po materiale. Ose tjetra: bëjnë pendesë për mëkatet e tyre, me shpresën se kështu do t’i hyjnë Zotit në zemër. Por nuk kemi nevojë që të përpiqemi të hyjmë në zemrën e Zotit, sepse të gjithë jemi aty. Nuk kemi nevojë ta bëjmë të na dojë, sepse ai na do gjithësesi: të mirin e të keqin, të drejtin e mëkatarin, atë që bën luftë me veten për t’i përngjarë Atij dhe atë që kënaqet në mëkatet e veta. Të gjithë jemi në zemrën e Hyjit. Kur Jezusi, në shekullin e shtatëmbëdhjetë, me zemrën e vet në dorë, iu shfaq Shën Margerita Alakok, i tha: “Ja kjo zemër që aq fort i ka dashur njerëzit, por prej të cilëve ka marrë vetëm urrejtje”. Sigurisht se Hyji nuk është dakord me jetën mëkatare, por ai vihet në kërkim edhe të mëkatarit.

Nëse kjo logjikë e Hyjit na habit, apo s’na pëlqen, është sepse ne jemi mësuar të bëjmë pazar: e dua tjetrin aq sa më do ai mua, vetëm aq sa e meriton. Por kjo logjikë nuk është logjika e Hyjit që na e ka predikuar Jezusi.

Pendesa për të krishterin është thellim i jetës me Hyjin: nëse, për shembull, ai zgjedh të mos e hajë diçka është sepse beson se jeta e tij nuk varet kryesisht nga ushqimi, por nga Hyji. Pastaj, kur bëjmë pendesë me ushqimet (apo me ndonjë gjë tjetër) del në pah edhe diçka tjetër: dimensioni shpirtëror i jetës së njeriut. Nga njëra anë fillojnë të dalin në pah anët tona negative, të cilat na shtyjnë të mos e bëjmë pendesën (e arsyet dalin me shumicë), por edhe anët tona pozitive (të cilat gjithashtu janë me shumicë), nëpërmjet të cilave ne dimë t’u rezistojmë shtysave negative (sigurisht me ndihmën e hirit hyjnor) dhe të dorëzohemi në duart e Atit qiellor. Po të mos bënim kurrë pendesë, të gjitha këto potenciale të mrekullueshme do të mbeteshin të pazbuluara brenda nesh. Prandaj edhe etërit e shkretëtirës – gjatë shekujve të parë të krishterimit – e quanin praktikën pendestare asketizëm, domethënë ngritje. Njeriu bën një ecje ngritjeje drejt Hyjit, duke u shkëputur nga ato gjëra që e mbajnë të lidhur. Kësaj shkëputjeje nga ndonjë ushqim, kisha i shton edhe gatishmërinë për ta bashkëndarë ushqimin me ata që nuk kanë. Ia heq vetes jo për ta ruajtur për nesër, por për t’ia dhënë atij që nuk ka.

Prandaj edhe janë absurde pendesat trupore, kur mungon kjo predispozitë e brendshme. Është absurde të shohësh të krishterë që bëjnë pendesa trupore, por nuk kujdesen për marrjen e sakramenteve. Është absurde të shohësh të krishterë që janë të martuar, por pa sakramentin e Shenjtë të kurorës, e megjithatë mjaftohen me “pendesat” e tyre. Është absurde të shohësh të krishterë që agjërojnë, por për një fjalë gojë kalojnë vite e nuk i flasin tjetrit duke u justifikuar se “ma ka vrarë zemrën”, por nga ana tjetër nuk bëjnë as më të voglën përpjekje që ta zbusin urrejtjen brenda zemrës së tyre: “Shqyeni zemrat e jo petkat” thotë Hyji në leximin e parë sot. Kjo është pendesa reale që Hyji kërkon prej nesh. Hyji nuk është i marrë. Atë nuk mund ta mashtrojmë me pendesat, me uratët apo me lëmoshat tona, nëse praktikisht vazhdojmë të kënaqemi me një jetë plot me vese që nuk i shkojnë aspak të qenit tonë të krishterë.

Pikërisht kjo është edhe porosia e Jezusit në Ungjillin e sotëm: të ruhemi nga veset e brendshme. Si kur bëjmë lëmoshë, si kur themi uratë, ashtu edhe kur agjërojmë, të mos harrojmë kryesoren: bashkimin me Atin tonë qiellor.

Në jetën e besimtarit kërcënon gjithnjë një tundim i madh: të veprojë në funksion të dukjes së jashtme. Ka dy kategori besimtarësh që bien në grackën e këtij lloj tundimi: të parët janë ata që kanë turp ta praktikojnë besimin e tyre, sepse njerëzit mund të mos e aprovojnë sjelljen e tyre. Kategoria e dytë janë ata që, duke qenë se e kaluan tundimin e parë, kalojnë në ekstremin tjetër: të hiqen si të shenjtë me qëllim që të pëlqehen prej të tjerëve. Kam përshtypjen se ky ves është edhe më negativ se i pari. Ky është vesi të cilit Jezusi vazhdimisht përpiqet t’ia heqë maskën. Është hipokrizia e atyre që bëjnë gjithçka vetëm e vetëm që të jenë “të nderuar prej njerëzve”. Këta i sheh në çdo vend, i sheh tek bëjnë të gjitha përkuljet dhe gjunjëzimet që mund të bëhen, i gjen në të gjitha kishat, në të gjitha shenjtëroret, i dëgjon tek thonë uratë më zë të lartë dhe tek i mbajnë shumë të dukshme simbolet fetare në trupin e tyre, por në brendësinë e tyre janë plot vese. E këtë e tregon përgojimi i pandërprerë i të tjerëve, mllefi që janë në gjendje të mbajnë brenda vetes, histerizmi i reagimeve të tyre, madje edhe kundrejt familjarëve të vet. Ku është Krishti në jetën e tyre?

Pikërisht nga kjo skllavëri degraduese dëshiron të na largojë Jezusi. Ai na porosit në Ungjillin e sotëm që vetëm një gjë të kemi përzemër: Atin tonë qiellor. E cili është shpërblimi që Ati ynë qiellor na jep? E tregon vetë fjala Atë. Është vetëdija se kemi një Atë dhe se me të mund të sillemi si bij e si bija të Tij. Është liria bijësore e shpirtit. Është të jesh i lirë nga dashuritë mashtruese të krijesave, dhe nga lidhja skllavëruese me ta: është të fluturosh drejt e në duart e Krijuesit dhe Shëlbuesit tënd. Pendesa na ndihmon të vëmë re më mirë pengesat që mund të kemi dhe të përpiqemi, me ndihmën e hirit hyjnor, të çlirohemi prej tyre. Shën Françesku i Salesit thoshte se ne të krishterët jemi si puna e një zogu: “Edhe sikur nga një fije e vetme peri të jetë i lidhur, një zog nuk mund të fluturojë”. Ashtu edhe ne kemi nevojë të jemi të lirë në shpirt. Liria e shpirtit fillon të jetë atëherë kur nuk varemi nga reagimet e njerëzve ndaj sjedhjes sonë, por interesohemi të kultivojmë brenda nesh braktisjen e plotë në duart e Atit qiellor.

Ky është Lajmi i Mirë që Jezusi ka ardhur të na shpallë: se kemi një Atë qiellor. E meshtari, kur të na hedhë hirin mbi kokë do të shqiptojë fjalët “Kthehu dhe besoji Ungjillit”. Është si të thoshte: “Fillo të besosh se ke një Atë që të do dhe të fton të duash si Ai”. Është ftesa që të largohemi nga jeta mëkatare, të largohemi si nga turpi ashtu edhe nga hipokrizia e të dimë se kemi një Atë qiellor, të cilit edhe jemi të ftuar t’i përgjigjemi me bujari të shpirtit. E, më besoni, ky ushtrim është shumë më i mundimshëm se sa t’i heqësh vetes ndonjë ushqim.

Previous Letra baritore për Kreshme: Krishti ka shembur murin e ndarjes. Mos të jemi ne që ndërtojmë mure të reja!
Next Kur humbim Hyjin, bëjmë veten hyj dhe shtypim të tjerët - Mesazhi Imzot Massafras per Kreshme

Sugjerime