Meshtari në magjisterin e Papa Françeskut

Meshtari në magjisterin e Papa Françeskut

Leonardo Falco  /

«Ta shohësh të kaluarën me mirënjohje, ta jetosh të tashmen me pasion dhe ta përqafosh të ardhmen me shpresë» (Papa Françesku): këto janë ndjenjat me të cilat përgatitemi të jetojmë XXV vjetorin e rihapjes së Seminarit pas viteve të tmerrshme të diktaturës. Një jubile i vogël për ta falënderuar Hyjin për meshtarët e shumtë e të shenjtë që në historinë e tij, përgjatë 158 viteve, janë formuar në Seminarin e atëhershëm Papnor, sot Seminari Ndërdioqezan «Nëna e Këshillit të Mirë».

Një jubile jo vetëm për të kujtuar të kaluarën, por mbi të gjitha për të ringjallur dhuratën e meshtarisë që Hyji ua ka bërë shumëve prej nesh. Të lejojmë të drejtohemi nga Papa «i ardhur nga fundi i botës», i cili ka folur shumë për meshtarët dhe u ka folur meshtarëve. Në reflektimet dhe meditimet e tij mbi përshpirtërinë meshtarake, por mbi të gjitha me shembullin e tij personal, që është “testi” kryesor për t’u marrë parasysh për atë që do ta kuptojë vizionin e tij të  shërbesës së shugurimit, ai u referohet katër dimensioneve që i përkasin çdo meshtari, i thirrur të jetë përherë dishepull, bari, profet dhe dhëndër.

Pyetjes «Kush është meshtari?» Ati i Shenjtë i përgjigjet para së gjithash se është e mbetet gjithmonë një dishepull i Zotit. Një meshtarë që ndihet i tillë, në fakt, nuk do të pushojë së kujdesuri për marrëdhënien e tij personale me të vetmin Mësues, nuk do të ndihet kurrë  «i arritur», nuk do të kënaqet me «ruajtjen» e nivelit të arritur shpirtëror, por vazhdimisht, do të jetë në kërkim të magis edhe në ecjen e tij graduale të shndërrimit në Krishtin. Prandaj, meshtari do të përkujtojë gjithmonë takimin e tij të parë me Zotin dhe atë «po-në» e shpallur me forcën dhe guximin e një të riu.

Meshtari – dishepull kujton se ka shumë të përbashkëta me besimtarët që i janë besuar, e di se është në ecje së bashku me ta në rrugën e përshkuar nga i vetmi Mësues. Prandaj, ndërsa ai vetë jeton pagëzimin e tij në bashkësinë e krishterë, në të njëjtën kohë është përballë saj, sepse është i thirrur dhe i dërguar prej Zotit për të shpallur dashurinë e tij të shëlbimit. Të ndjerit dhe të jetuarit si dishepull  do ta ndihmojë meshtarin të jetojë si vëlla mes vëllezërve, qoftë me besimtarët laikë, qoftë me bashkëvëllezërit meshtarë.

Përshpirtëria meshtarake sjell edhe një tjetër dimension tipik: të qenit bari. «Vigjilenca e munguar e bën bariun të vakët; e bën të shpërqendruar, harronjës dhe të pandjeshëm ndaj vuajtjes; e josh me perspektivën e karrierës, lajkën e parasë  dhe kompromiset me shpirtin e botës; e dembelos duke e shndërruar atë në një funksionar», i shqetësuar më shumë për veten për organizimet dhe strukturat, se sa për të mirën e vërtetë të besimtarëve që i janë besuar. Sipas Papa Bergoglios, janë dy karakteristika kryesore të të qenit bari i Krishtit: afërsia me popullin dhe butësia ndaj tyre. Këto janë si «dy mënyra të dashurisë së Zotit, që vjen afër dhe jep gjithë dashurinë edhe në gjërat më të vogla, me butësi. Megjithatë, bëhet fjalë për një dashuri të fortë, sepse afërsia dhe butësia na bëjnë ta shohim forcën e dashurisë së Hyjit».

Meshtari – bari, për Papa Françeskun, duhet të dijë të qëndrojë «përpara grigjës për t’ua treguar rrugën» por «edhe në mes të grigjës për ta mbajtur të bashkuar» dhe «pas saj për të shmangur faktin që ndokush të mbetet mbrapa».  Një «dije manovrimi» duke mos harruar kurrë që një meshtari të mirë, duhet “t’i vijë gjithmonë era dele».

Dimensioni i tretë  i përshpirtërisë meshtarake është ai profetik. Profeti në fakt, është ai që flet në emër të Hyjit, «lexon» ngjarjet e historisë me sytë e Hyjit dhe i ndihmon njerëzit ta bëjnë një gjë të tillë. Një aftësi si kjo nuk i vjen profetit nga dhuratat mbinatyrore, por nga marrëdhënia e tij e brendshme me Hyjin, nga të hyrit e tij plotësisht në logjikën e Hyjit dhe në jetën sipas Shpirtit. Prandaj, për meshtarin, të qenit profet është e natyrshme për një ecje të përhershme nxënësi, i një ndjekjeje të pandërprerë të Zotit, dhe në të qenit e tij një bari sipas Zemrës së Krishtit. Meshtari – profet atëherë, pasi është vazhdues i misionit të Krishtit, flet për Atë që njeh, d.t.th. për Hyjin dhe për veprimin e tij në botë.

Një karakteristikë tjetër është dimensioni dhëndëror, dashuria e pasionuar për Kishën. Çdo meshtarë do të duhej ta gjente veten në fjalët e Shën Palit kur u shkruan efesianianëve: “Krishti aq shumë e ka dashur Kishën, dhe e ka flijuar vetveten për të, për ta bërë të shenjtë», (5,25-27). Në forcën e shugurimit, meshtari ia kushton gjithë vetveten bashkësisë së tij dhe e do me gjithë zemër, me të njëjtën dashuri të Krishtit.

Si përfundim atëherë, është e nevojshme që çdo meshtarë të vazhdojë të ndihet apostull në ecje për gjithë jetën e tij, gjithnjë me nevojën të rizbulojë dhe të përforcojë marrëdhënien e tij me Zotin, dhe – nëse është e nevojshme – të lejojë “të shërohet”. Jo rastësisht Papa Bergoglio ka kujtuar që në ecjen e dishepullit «disa herë  ecim më shpejt, herë të tjera hapi ynë është i pasigurt, ndalemi dhe edhe mund të biem, por gjithmonë duke qëndruar në ecje ».

Një jubile i vogël atëherë, për të kujtuar që për të qenë meshtarë sipas zemrës së Krishtit, nuk duhet të harrojmë të jemi apostuj, barinj, profetë dhe dhëndurë.

Urime të gjithëve, të dashur bashkëvëllezër! Secili në mënyrën e tij dhe për një dhuratë të veçantë, të mund të thotë me Marinë: «punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm»!

 

Previous Kremtimi i 25 vjetorit te hapjes se Seminarit te Shkodres
Next Kundërshtoni djallit!

Sugjerime