Kremtimi i 25 vjetorit te hapjes se Seminarit te Shkodres

Kremtimi i 25 vjetorit te hapjes se Seminarit te Shkodres

Peregrinus.al  /

Këtë vit është XXV vjetori i rihapjes së Seminarit tonë pas viteve të tmerrshme të diktaturës. Një jubile i vogël për ta parë të kaluarën me mirënjohje, për ta jetuar të tashmen me pasion dhe për ta përqafuar të ardhmen me shpresë.

Ta shohësh të kaluarën me mirënjohje. Në rrjedhën e historisë së tij, për 158 vite, Seminari ynë ka formuar meshtarë të shumtë e të shenjtë. Si të mos i kujtojmë mbi të gjitha gjatë këtyre viteve meshtarët e rregulltarët e shumtë të shpallur tashmë Të lumë, të cilët kanë studiuar apo janë formuar këtu? E si të mos e falëndrojmë Hyjin për më shumë se tridhjetë meshtarë të tjerë që, pas përfundimit të diktaturës së tmerrshme, kanë qenë formuar në këtë vend? Dhe të mos harrojmë edhe shumë rregulltarë e rregulltare të tjera që këtu kanë përfunduar studimet e tyre të filozofisë e teologjisë. Hyji ua shpërbleftë me hire dhe bekime të bollshme të gjithë ju ipeshkvinjë, formatorë, profesorë, bashkëpunëtorë, miq dhe bamirësa për të mirën e bërë për Seminarin tonë dhe për këtë Kishë.

Ta jetosh të tashmen me pasion. Këtë vit bashkësia jonë përbëhet prej njëzet të rinjve: katër në propedutik, pesë në filozofi, shtatë në teologji dhe katër në bashkësinë e vitit të gjashtë. Dhjetë prej tyre i përkasin dioqezës së Shkodrës, pesë asaj të Kosovës, një Tiranë-Durrësit, një Sapës, një Lezhës, një Administraturës së Jugut dhe pastaj kemi edhe një diakon Italian, i cili ka kërkuar që ta përmbyllë këtu kurrikulën e tij formative dhe akademike. Të gjithë profesorët dhe formatorët janë të angazhuar të ofrojnë një formim të aftë për t’i ndihmuar të rinjtë që ta mishërojnë në jetën e vet Ungjillin, në mënyrë që  të jenë në përkim me Krishtin në tërë veprat dhe qenien e tyre. Zellit të formatorëve i përgjigjet qartë dëshira e sinqertë e seminaristëve tanë, që  të lejojnë të formohen nga veprimi i hirit, duke mos pasur frikë që ta pranojnë dhe të përballen me kufizimet dhe dobësitë e tyre, në mënyrë që edhe njerëzia e tyre të jetë e shëruar dhe e shndërruar prej Zotit.

Ta përqafosh të ardhmen me shpresë. Shpesh dëgjojmë të thuhet dhe ndoshta ne vetë themi që «e ardhmja është në duart e Hyjit». Kjo në fakt, nuk na e heq përgjegjësinë që të mos e bëjmë detyrën tonë të përditshme, në mënyrë që të vëmë bazat për një të ardhme më të mirë. Ja përse, ndërsa jemi të angazhuar të mendojmë për mënyra të reja që t’i ndihmojmë të rinjtë ta pranojnë dhe t’i përgjigjen thirrjes së Hyjit, angazhohemi të shohim përpara me shpresë, të sigurtë se Zoti nuk do t’ia mungojë Kishës së tij barinjtë e nevojshëm.

Që të mund të jetojmë sëbashku me bashkësitë e tjera të krishtera këtë jubile të vogël, ju lajmëroj se

Dita e Seminarit

do të festohet ditën e dielë, me 5 mars.

Ashtu siç është zakon tashmë, një ditë para  do të mbahet në Seminar

Dita e miqve të Seminarit

E shtunë 4 mars

 Programi:

09.00 Arritja dhe pritja

09.30 Përshëndetja e Rektorit dhe Paraqitja e grupeve të pranishme

10.00 «Seminari dje dhe sot» me dëshmi të meshtarëve dhe seminaristëve

11.30 Kremtimi Eukaristik

12.30 Kokteil

Për t’ju ndihmuar që t’i përfshini edhe bashkësitë tuaja, kemi menduar t’ju dërgojmë një material informimi, që të luteni dhe t’i nxisni të rinjtë tuaj që të jenë bujarë për t’iu përgjigjur Zotit. Sëbashku me këtë letër, do të gjeni disa postera, një lutje besimtarësh, një skemë adhurimi dhe një udhë kryqi, të gjitha momentet e lutjes me një orientim thirror.

Ju kërkojmë të na ndihmoni që t’i mbështesim edhe ekonomikisht formimin e meshtarëve të ardhshëm. Lëmosha që do të mblidhet atë ditë, do t’i dorëzohet ipeshkvit  dioqezan, i cili do të kujdeset për ta sjellë atë në Seminar.

Duke ju falënderuar për kujdesin me të cilin e ndiqni jetën e bashkësisë sonë, jua besoj lutjeve tuaja secilin seminarist, duke ju ftuar të vazhdoni t’i kërkoni Hyjit, dhuratën e thirrjeve të shumta dhe të shenjta për Kishat tona.

Previous Kur humbim Hyjin, bëjmë veten hyj dhe shtypim të tjerët - Mesazhi Imzot Massafras per Kreshme
Next Meshtari në magjisterin e Papa Françeskut

Sugjerime