Letra baritore për Kreshme: Krishti ka shembur murin e ndarjes. Mos të jemi ne që ndërtojmë mure të reja!

Letra baritore për Kreshme: Krishti ka shembur murin e ndarjes. Mos të jemi ne që ndërtojmë mure të reja!

IMZOT GJERGJ FRENDO

ARQIPESHKËV METROPOLIT I TIRANË-DURRËS

TË GJITHË MESHTARËVE, RREGULLTARËVE, RREGULLTAREVE

DHE BESIMTARËVE

Fort të dashur,

Kjo është herë e parë që po ju drejtohem juve si arqipeshkëv. Kanë kaluar gati tre muaj nga ajo ditë kur jam shpallur bariu i kësaj Arkidioqeze. Gjatë kësaj periudhe kam vënë re sa bukur dhe sa e dobishme është të jem afër popullit dhe ta dëgjoj. Kam filluar vizitat baritore nëpër famullitë e dioqezës dhe e para ishte në famullinë e Bilajt. Në një takim që kisha me të rinjtë i kam pyetur: “Çka prisni prej ipeshkvit?” Dhe një vajzë është përgjigjur: “Që të jesh më afër nesh”. Dhe unë shtoj: “Jo vetëm të jem afër popullit, por edhe të dëgjoj zërin e popullit”. Ja pse në stemën time kam zgjedhur fjalët: “Bariu dëgjoftë zërin e deleve”.

 

ZËRI I ZOTIT

Të dashur vëllezër e motra, edhe tri ditë, e do të fillojmë kohën e shenjtë të Kreshmëve. Është koha në të cilën të gjithë jemi të nxitur ta dëgjojmë zërin e Zotit. Në fakt, zërin e Zotit e dëgjojmë vazhdimisht, sidomos në takimin tonë me të, ditën e dielë. Por Kreshmët janë koha e privilegjuar në të cilën Zoti bërtet me zë më të fortë: “Kthehuni! Besojini ungjillit! Ejani tek unë, dhe unë do t’ju çlodh! Duajeni njëri tjetrin sikurse unë ju desha ju!”

Fillojmë Kreshmët me një kremtim për të cilin vijnë shumë njerëz. Kishat tona, atë ditë, do te jenë plotë me njerëz. Atë ditë agjërojmë, dhe në meshë bekojmë hirin, që pastaj vendoset mbi kokat tona. E gjithë kjo tregon se ajo ditë, E Mërkura e Perhime, nuk është një ditë e zakonshme. Ështe një ditë e veçantë, shumë e veçantë. Sa e bukur është ajo ditë, në të cilën, së bashku, si komunitet dhe si individë, pranojmë të vërtetën: jemi mëkatarë! Kemi nevojë për falje! Megjithatë lajmi i Kreshmëve mbetet një lajm i mirë. Pse?

Shumë besimtarë mendojnë se Kreshmët janë kohë që na përgatit për përkujtimin e mundimeve dhe të vdekjes së Krishtit. Në fakt, është koha që na përgatit për Pashkët e Ngjalljes. Do të ngjallemi me Krishtin. Por që të ngjallemi me Krishtin duhet edhe të vdesim me Krishtin. Krishti vdiq për mëkatin. Ashtu edhe ne duhet të vdesim për mëkatin, që të mund të ngjallemi me Krishtin. Në Librin e Kishtarit lexojmë se “ka kohë për të lindur e kohë për të vdekur”. Kreshmët na thonë se “ka kohë për të vdekur dhe kohë për të rilindur”. Pra të përgatitemi për rilindje.

Vërtetë, është e bukur koha e Kreshmëve, që na forcon në shpresë. Sepse Zoti, si Atë i mëshirshëm, edhe duke ditur se jemi mëkatarë, në thërret, na përqafon, duke na thëne: “Je im bir, jam yt at. Je i falur. Unë të dua”.

PËRVOJA E FALJES

Jezusi e ka përshkruar mirë misionin e tij kur thotë: “Nuk erdha për të dënuar, por për të shpëtuar”. Në Psalmin 51 themi: “Mëkatin tim e kam përherë para sysh”. Është e vërtetë, mëkatin tonë e kemi gjithmonë para sysh, jo thjesht si mëkat, por si mëkat të falur. Duhet të falim e të harrojmë, por nuk duhet të harrojmë se jemi mëkatarë të falur. Përvoja e dashurisë atërore të Zotit, që tregohet veçanërisht në faktin që Ai na i fal mëkatet, duhet të na forcojë drejt asaj dashurie heroike që të falim të tjerët. Të gjithë kemi pasur, dhe vazhdimisht përjetojmë, këtë eksperiencë të faljes nga Zoti. Qoftë kjo përvojë ajo forcë që na nevojitet që edhe ne të falim.

Shoqëria jonë ka nevojë për dëshminë tonë si apostuj të faljes. Në botën e sotme kush mund të shpallë lajmin e mirë të dashurisë dhe të faljes më shumë dhe më mirë se Kisha e Krishtit? Por sa e dhimbshme kur shohim mijëra fëmijë të ngujuar për shkak të frikës së gjakmarrjes! U mohohet e drejta për arsimin, për një jetë të qetë, për t’u shoqëruar me shokët, sepse është dikush mizor që i kërcënon për t’u hakmarrë për një vrasje që ka ndodhur para shumë vitësh në familjen e tij.

Anton Luli ishte një prift jezuit i cili u burgos dhe u torturua barbarisht nga shokët e shokut Enver. Duke folur për eksperiencën e tij në burgjet ku kaloi gati njëzet vjet tha: “Due me theksue nevojën e faljes së krishtenë. Në kjoftë se Shqipënia do mëkambet si popull, duhet me u mëkëmbë me anë të faljes. … Fill mas lirimit kam pasë rast me e zbatue këtë urdhën të Zotit. Kam takue atë brigadierin që, sipas thanjeve të shumëkujt, ka kenë përgjegjësi kryesor dhe autori i burgimit tem. E kam përshëndetë, e kam puth në faqe, pa i dhanë asnji shejë për të kaluemen. Ai ma ka kthye e me nji buzëqeshje”.

A mund të bënim një gjest të tillë ne, një gjest aq kurajoz? Falja tregon sa të fortë jemi ne në dashuri. Falja tregon sa jemi të mbushur me shpirtin e Krishtit. A nuk kishte ai mundësi të hakmerrej nga ata që e kishin dënuar dhe kryqëzuar? Megjithatë, nga kryqi është lutur për ta: “Fali, o Ate!”

Të dashur vëllezër e motra, le të ndërtojmë ura që na bashkojnë, dhe assesi mure që na ndajnë. Krishti ka shembur murin e ndarjes. Mos të jemi ne që ndërtojmë mure të reja!

Së fundi ju kujtoj detyrën tonë të mbajmë agjërim të Mërkurën e Përhime e më pas të Premten e Madhe. Janë të detyruar të agjërojnë në këto dy ditë të gjithë ata që kanë mbushur moshën 18 vjeç deri në 60 vjeç. Mosngrënia e mishit është e detyrueshme për të gjitha të premtet e kreshmeve për të gjithë ata që kanë mbushur 14.

Duke ju uruar çdo të mirë shpirtërore gjatë kësaj periudhe të shenjtë, ju përcjell bekimin tim baritor.

Dhënë nga Kuria Arqipeshkvnore, sot më 20 shkurt 2017.

+George Frendo O.P.

                                                            Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës 

 

Previous Prezantimi i librit Ti më shqyrton e me njeh i Carlo Maria Martini
Next Mos bëni si shtiracakët!

Sugjerime