Prezantimi i librit Ti më shqyrton e me njeh  i Carlo Maria Martini

Prezantimi i librit Ti më shqyrton e me njeh i Carlo Maria Martini

Don Anton Uka   /

Libri “Ti më shqyrton dhe më njeh”, i përkthyer nga gjuha italiane në gjuhën shqipe, i Carlo Maria Martini-t, ish kardinal i dioqezës ambroziane të Milanos për 22 vite, që po promovojmë sot, është një libër jo shumë voluminoz, por, sipas mendimit tim, me një përmbajtje të thellë antropologjike: për faktin se autori merret me pyetjet dhe përgjigjet që ndërlidhen me njeriun dhe thirrjen e tij; teologjike: për faktin se autori e vë dëgjuesin apo lexuesin në kërkim të Hyjit dhe të planit të Tij; shpirtërore: për faktin se autori dëshmon se ecja e të krishterit në fe, shpresë dhe dashuri është një eksperiencë e mbështetur, e frymëzuar dhe e ndriçuar nga prania e përhershme e Shpirtit Shenjtë; edukative: për faktin se autori dëshiron t’i aftësojë të rinjtë që të jenë të lirë, të hapur, komunikues dhe të përgatitur për t’i përballuar sfidat e ndryshme të jetës.

Që në fillim dëshiroj të theksoj se qindra botime librash, kryesisht në gjuhën italiane, e jo vetëm, që kanë për autor Carlo Maria Martini-n, janë kryesisht ushtrime shpirtërore, meditime, predikime apo intervenime që Kardinali ka mbajtur në kontekste dhe vende të ndryshme të botës.

Dhjetë meditimet e përmbledhura në këtë libër janë pjesë e Ushtrimeve Shpirtërore që Martini ia ka mbajtur në vitin 1985 një grupi adoleshentesh (seminaristë) të Seminarit të Vogël të Milanos.

Martini u frymëzua nga Papa i atëhershëm Gjon Pali II, që në mesazhin e tij për Ditën Botërore të të Rinjve, në vitin 1985, me temën: “Paqja dhe të rinjtë udhëtojnë së bashku”, iu drejtua atyre në vija të trasha me dy lloje pyetjesh. Një lloj përmbante pyetje të karakterit antropologjik, si p.sh.: Cila është ideja juaj për njeriun? Çfarë e përbën dinjitetin dhe madhështinë e një qenie njerëzore? «Pyesni veten tuaj çfarë personi doni të jeni ju dhe qeniet e tjera njerëzore, çfarë lloj kulture doni të krijoni? Ku jam? Kush jam? Çfarë jam duke bërë? T’i përgjigjesh këtyre pyetjeve domethënë të arrish te njohja reale e vetvetes dhe te zbulimi i thirrjes personale. Lloji tjetër i pyetjeve është i karakterit teologjik, si p.sh.: Kush është Hyji juaj? Kush është Ai që më shqyrton dhe më njeh më mirë sesa unë e shqyrtoj dhe e njoh veten time? (krh. Ps 138).

Për të arritur te përgjigja e këtyre pyetjeve, apo, më mirë të themi, për ta njohur vetveten dhe Hyjin në mënyrë të vërtetë, Martini përdor dhe njëkohësisht propozon metodën e dëgjimit të Fjalës së Zotit në formën e lectio divina, të karakterizuar nga: leximi (lectio), meditimi (meditatio), lutja (oratio), kundrimi (konteplactio), kuptimi (discretio), zgjedhja (deliberatio) dhe veprimi (actio), sipas asaj që na propozon Lajmi i Gëzueshëm i Ungjillit.

Meqë kjo është metoda që e karakterizon jo vetëm këtë libër të Martinit, por krejt veprimtarinë e tij teologjike, biblike, shpirtërore, edukative dhe baritore, e konsideroj të arsyeshme të shpjegoj shkurtimisht kuptimin dhe domethënien që Carlo Maria Martini i jep kësaj metode kaq të lashtë dhe kaq të rëndësishme në përvojën e historisë teologjike dhe shpirtërore të Kishës.

 

  1. Lectio – domethënë të lexohet dhe të rilexohet teksti apo pjesa e Shkrimit shenjt, duke nënvizuar dhe vënë ne dukje pikat e rëndësishme të tekstit: veprimet, foljet, subjektet, ndjenjat, mjediset apo ambientet dhe dinamikat e veprimeve.
  2. Meditatio – domethënë të meditosh apo të reflektosh mbi vlerat e përhershme te tekstit te lexuar. Këtë pjesë e karakterizon pyetja: cilat vlera qëndrojnë mbrapa veprimeve, fjalëve, gjërave, ndjenjave? Pra, tentohet të nxjerret ne pah vlera qendrore, porosia specifike në lidhje me historinë, kontekstin dhe situatën.
  3. Oratio – ajo që është kuptuar në meditatio, tani bëhet motiv lavdi, falënderimi dhe kërkimi. Pra, bëhet apo shndërrohet në lutje.
  4. Contemplatio – domethënë se çdo gjë orientohet drejtë kundrimit apo soditjes së misterit të Jezusit, Birit të Hyjit, të lindur, të vdekur dhe të ringjallur për shëlbimin e njeriut dhe të botës. Pastaj, Martini vazhdon duke thënë se lectio divina nuk përfundon me pjesën e kundrimit apo të soditjes, por dinamizmi i saj vazhdon përmes disa momenteve që pasojnë, duke renditur tre prej tyre.
  5. Discretio – nënkupton aftësinë që i krishteri merr apo pranon, falë Hirit të Shpirtit Shenjt, për të kuptuar se çka apo çfarë në jetën e tij është në përputhje me Ungjillin e çka jo.
  6. Deliberatio – është zgjedhja e asaj që në jetë është sipas Ungjillit. Kjo domethënë se vendimet dhe zgjedhjet, që ato të jenë të qëndrueshme dhe ngushëlluese për njeriun, duhet të lindin nga takimi me Fjalën dhe nga shoshitja e mirë e lëvizjeve të brendshme shpirtërore.
  7. Actiopasi që është bërë zgjedhja sipas Ungjillit, vijon veprimi shpirtëror secundum Deum, mënyrë konkrete kjo për të vepruar, për të menduar, si i krishterë nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt.

 

Fakti se brenda këtij libri kemi pjesë të shumta biblike, të shkëputura si nga Besëlidhja e Vjetër, po ashtu edhe nga Besëlidhja e Re, në bënë të kuptojmë se për Martinin protagonisti kryesor që ndihmon në njohjen reale të vetvetes dhe të Hyjit është dhe mbetet gjithmonë Fjala e shkruar dhe e mishëruar në personin e Jezu Krishtit. Kjo është arsyeja kryesore përse Martini i fton të rinjtë që të vihen në dëgjim të Fjalës, në shkollën e saj.

Me pakë fjalë do të thosha se libri na paraqet Fjalën si një palestër, në të cilën fillon dialogu i parë me vetveten dhe me Zotin (kap. I); si një palestër, në të cilën ndodh ushtrimi i vështirë, por lirues dhe shpëtues (kap. II); si një palestër ushtrimi në dashuri (kap.III); si një palestër që kërkon angazhim dhe përkushtim të vazhdueshëm (kap. IV); si një palestër, në të cilën kërkohet vëmendje e madhe në mënyrë që t’i ikim kurtheve, rreziqeve dhe tundimeve që vijnë nga Djalli, nga mishi-gjaku dhe nga të tjerët (kap. V); si një palestër, në të cilën jepen rregullat për ta takuar Hyjin (kap. VI); si një palestër që na ofron ndihmën e vazhdueshme psikologjike dhe shpirtërore (kap. VII); si një palestër, në të cilën historia e njeriut takohet me historinë e Zotit (kap. VIII); si një palestër, në të cilën kryqet dhe vuajtjet pranohen në shpresën e lumturisë (kap. IX); si një palestër, në të cilën unë-njeri dhe Ti-Perëndi jemi në kërkim të vazhdueshëm, deri në takimin tonë përfundimtarë në Banketin qiellor, të përgatitur për ne që nga fillimi i kohërave (kap. X).

Krejt në fund, nuk më mbetet tjetër, veçse të ju ftoj ta lexoni këtë libër, e sidomos që të viheni në palestrën e Fjalës, sepse aty do ta takoni vetveten, aty do ta takoni Hyjin, aty veset do të bëhen virtyte dhe feja do të shndërrohet në vepra.

Previous Motrat Alkantarine – 20 vjetori i një misioni të buzëqeshur
Next Letra baritore për Kreshme: Krishti ka shembur murin e ndarjes. Mos të jemi ne që ndërtojmë mure të reja!

Sugjerime