Motrat Alkantarine – 20 vjetori i një misioni të buzëqeshur

Motrat Alkantarine – 20 vjetori i një misioni të buzëqeshur

GJERGJ META   /

Kanë dashur ta kremtojnë me ndalesa këtë çast të rëndësishëm motrat e Babicës së Madhe në Vlorë.

Ndalesa e parë për motrat alkantarine ka qenë në dhjetor të vitit të kaluar. Kremtimi i 20 vjetorit me njerëzit e fshatit me të cilët kanë jetuar në këto 20 vite. Janë vite miqësie dhe dashurie pa u kthyer asnjëherë mbrapa me gjithë vështirësitë. 20 vjet më parë Shqipëria nuk ishte këtu ku është tani.

Ishte viti 1997! Për Vlorën ky vit ka qenë shumë i vështirë, pasi ai qytet u bë emblema e shumë ngjarjeve të hidhura e tragjike që panë shumë viktima dhe shkatërrim. E megjithatë Motrat alkantarine zgjodhën të fillojnë misionin e tyre pikërisht në atë vit si për të dhënë shpresë, për të filluar pikërisht nga aty, nga ai çast tragjik dhe shkatërrimi.

Ndalesa e dytë ishte me datë 26 janar 2017. Këtu po ndalem pak. I kam njohur motrat alkantarine kur isha seminarist. Dy prej tyre studjonin teologji me mua dhe ata më thonin atëherë që kishin hapur një mision në Shqipëri. Nuk e dija dhe nuk e njihja atë realitet. E megjithatë një verë arrita të vij e t’i takoj edhe pse shpejt e shpejt e nuk u ndala.

Më vonë u ritakova me motrat e Babicës pikërisht në Shkodër kur Kisha në Shqipëri organizoi Asemblenë kombëtare e aty njëra prej motrave na tha të gjithëve që të kthenim sytë nga Jugu. Ishte ajo thirrje që me disa miq meshtarë e diskutuam se duhej marrë seriozisht. Arrita t’i vizitoj motrat në një rast e u ndala pak më shumë me ta. Buzëqeshja e tyre më ka mbetur në zemër. Tre motra të reja e plot entuziazëm që shërbejnë në një fshat i cili katolikë ka shumë pak për të mos thënë aspak. Është një realitet larg atij që jemi mësuar ne në zonat katolike tradicionale. Aty gjeta plot fëmijë që gjatë verës mblidheshin për orator. Dhe me datë 26 janar të këtij viti kishim vendosur me disa meshtarë që do të shkonim të festonin bashkë me motrat. Pikërisht në Kishën e vjetër të Vlorës bashkë me Ipeshkëvn Kabashi, me meshtarë e rregulltarë të Jugut e të ardhur nga e gjithë Shqipëria kremtuam meshën e falenderimit Hyjit për 20 vjet tw pranisw së motrave.

E njëjta buzëqeshje e njëjta dëshirë për të vazhduar përsëri misionin. Fotot dhe eskpozita modeste që motrat kishin organizuar për këtë rast tregonin hapat dhe rritjen e ditë pas ditshme të këtij misioni. Një prani profetike ashtu sikurse jeta rregulltare është. Një prani që nuk ka në bazë numrat e as rezultatet e prekshme dhe triumfaliste, por ato të një pranie dashurie dhe përkushtimi. Këto janë motrat në Babicë e jo vetëm, por edhe rregulltarë e rregulltare në vende të tjera si Gramshi, Mollasi, Berati, Korcca, Gjirokastra, Lushnja, Elbasani, Gostima, Fieri etj. Është prania e Kishës si sakrament i bashkimit me Hyjin dhe ndërmjet gjinisë njerëzore.

Ishte një meshë falenderimi Zotit për motrat, por edhe një falenderim i yni për to që i kanë shërbyer Kishës dhe popullit tonë me aq përkushtim.

Dhe tani në qeshor do të jetë ndalesa e tretë: takimi me të gjithë ata që kanë ndihmuar që misioni të ketë vazhdimësi me ndihmën e tyre si vullnetarë dhe si bamirës.

Previous Kur plagosim njëri-tjerin dhe mjegullojmë fytyrën e Kishës
Next Prezantimi i librit Ti më shqyrton e me njeh i Carlo Maria Martini

Sugjerime