Kur plagosim njëri-tjerin dhe mjegullojmë fytyrën e Kishës

Kur plagosim njëri-tjerin dhe mjegullojmë fytyrën e Kishës

GJERGJ META  /

Qysh në themelimin e saj “Kisha është në Krishtin si një sakrament apo shenjë e bashkimit të brendshëm me Hyjin dhe e njësimit e të gjithë gjinisë njerëzore.”(LG 1).

Këto ditë po lexoja disa reflektime të ish-Kardinalit Ratzinger rreth Lumen gentium  i cili si tezë themelore të tijën ka faktin që Koncili II i Vatikanit në thelb flet për Hyjin. Fakti që Kushtetuta e parë e aprovuar është ajo mbi liturgjinë, Sacrosantum Concilium, i lexuar në mënyrë retrospektive e vërteton këtë gjë. Në fakt edhe ky pohim i mësipërm, i marrë pikërisht nga Lumen Gentium, ka të bëjë në pjesën e parë të tij me Kishën si shenjë apo sakrament i bashkimit të brendshëm më Hyjin. Shën Benedikti nga Norçia në Regullën e tij thotë “Operi Dei nihil preaponatur (Reg. 34.2) – Para lutjes (marrëdhënies me Hyjin) të mos vihet asgjë tjetër”. Parësia e Hyjit në jetën e Kishës, e si rrjedhim në jetën e të krishterëve, mbetet absolute. Vetëm kështu do të jetë e mundur që Kisha të jetë edhe shenjë e njësimit e bashkimit e të gjithë gjinisë njerëzore. Bashkimi me njerëzit është rrjedhojë e bashkimit me Hyjin.

Reflektoja rreth këtyre gjërave, ndërsa shkoja nëpër mend situata konkrete që shpesh përjetojmë në Kishë dhe që na plagosin në ndjenjat tona e që na shkaktojnë shqetësim dhe vuajtje. Kisha ka pasur dhe do të ketë gjithmonë probleme jashtë dhe brenda saj. Por ato që e plagosin më shumë janë problemet e brendshme, plagët që ajo merr nga ne bijtë e saj. Më kujtohet një homeli e Papa Benediktit XVI. Ishte koha e “stuhive” që përfshinë pontifikatin e tij për shkak të pedofilisë dhe çështjeve ekonomike e të pushtetit brenda Vatikanit. Në meshën kushtuar shën Pjetrit e Palit me datë 29 qeshor 2010 ai në homelinë e tij tha tekstualisht këto fjalë:

Në të vërtetë, nëse mendojmë për 2000 vjet të historisë së Kishës, mund të vërejmë se – sikurse e kishte parashpallur Zoti Jezus (krh Mt 10,16-33) – nuk kanë munguar kurrë për të krishterët sprovat, që në disa periudha kanë marrë formën e persekutimeve të vërteta e të mirëfillta. Por këto, pavarësisht vuajtjeve që shkaktojnë, nuk përbëjnë rrezikun më të madh për Kishën. Dëmin më të madh në fakt ajo e pëson nga ajo çka njollos besimin dhe jetën e krishterë të gjymtyrëve të saj dhe të bashkësive të saj, duke sulmuar kështu integritetin e Trupit mistik, duke dobësuar aftësinë e saj të profecisë dhe të dëshmisë, duke mjegulluar bukurinë e fytyrës së saj”.

Po ashtu në udhëtimin e tij në Portugali (11-14 maj 2010) ai thotë përsëri:

“… vuajtjet e Kishës vijnë pikërisht nga brenda Kishës, nga mëkati që ekziston në Kishë. Edhe kjo gjë ka qenë gjithmonë e ditur, por sot e shohim në mënyrë realisht tmerruese: që përndjekja më e madhe Kishës nuk i vjen nga armiqtë e jashtëm, por lind nga mëkati brenda Kishës dhe që Kisha pra ka nevojë të thellë të ri-mësojë pendesën, të pranojë pastrimin, të mësojë nga një anë faljen, por edhe nevojën e drejtësisë”.

Janë këto probleme të shkaktuara brenda familjes kishtare që e bëjnë të vështirë shpesh ecjen tonë dhe të atyre që na ndjekin apo që ne u prijmë.

Sapo kemi kremtuar 38 martirët shqiptarë. Jemi krenuar dhe kemi bërë çmosin që jeta dhe veprat e tyre të marrë një mbulim mediatik sa më të mirë duke dashur kështu që fytyra e Kishës të shkëlqejë. E megjithatë sot gjendemi shpesh përballë situatave në të cilat shumë prej nesh jemi kundër njëri-tjetrit e duke i shkaktuar plagë njëri-tjetrit dhe fytyrës së Kishës, duke e mjegulluar atë me inatet dhe zemërimet tona, me hakmarrjen dhe dëshirën tonë për të mbizotëruar. Armiku i natyrës njerëzore nuk flen kurrë. Ai rrin gjithmonë zgjuar, zgjuar si gjarpri.

Ngrehina e thashethemit (Papa Françesku e quan terrorizmi i thashethemit) që shpesh krijohet përreth tregon se ne nuk kemi besim te njëri-tjetri dhe se nuk kemi punuar për t’i dhënë Hyjit kryet e vendit. Vendosim veten tonë dhe hakmarrjen tonë mbi të mirën e Kishës duke ia mjegulluar asaj fytyrën e duke e bërë të pabesueshme dëshminë tonë. E pra Kisha nuk është e jona, meshtaria nuk është e jona, pagezimi nuk eshte i yni, na jane dhënë dhuratë. Janë të Tijat dhe ai e udhëheq Kishën edhe me persona të dobët e të brishtë.

Ne bëhemi bashkë vetëm kur rrezikohemi, bëjmë aleanca për të shkuar kundër dhe jo për të shpallur Ungjillin e për të ndarë edhe momentet e lavdisë bashkë. Ato i duam për vete, ndërsa të keqen duam ta ndajmë.

Është koha të kthejmë sytë kah Hyji. Mund të na ketë zënë në thembër helmi i gjarprit të vjetër i cili na shtyn drejt hakmarrjes, drejt inatit dhe zemërimit, por ne të ngremë shikimin mbi atë që u var në shtyllë e aty do të gjejmë shëlbimin tonë. Është koha të gjejmë rrugën e pajtimit dhe të faljes e jo të revanshit e hakmarrjes. Fjala është një dhuratë, tjetri është një dhuratë: janë fjalët e Papës Françesku për kreshmet e këtij viti. Duhet ulur kryet para Hyjit e para njëri-tjetrit në shenjë pendese e kthimi. Dashtë Zoti kjo kreshme që po afrohet të mund të shërbejë për zbutjen e zemrave, për shndërrimin e mendjeve (metanoia) në mënyrë që Hyji të ketë kryet e vendit: Operi Dei nihil praeponatur!

Previous Chiara dhe Familja - Takim per t'i dhene shprese familjes
Next Motrat Alkantarine – 20 vjetori i një misioni të buzëqeshur

Sugjerime