Parathënie e Papës  në librin e viktimës së abuzimit

Parathënie e Papës në librin e viktimës së abuzimit

Bernard Caruana O.P.   /

Nuk është nje dokument zyrtar papnor, por një vendim i jashtëzakonshëm i papë Françeskut i cili  nënshkruan një dëshmi të bujshme rreth fenomenit të pedofilisë në Kishë. Ky gjest revolucionar i udhëheqësit tokësor i Kishës Katolike, duke bashkëngjitur emrin e tij me një tregim të pakëndshëm dhe të parehatshëm tregon qartësisht që lufta e kishës kundër pedofilisë nuk ështe thjeshtë një betejë simbolike por një veprimtari goditëse me pasoja baritore, në një përpjekje të mirëfilltë dhe të mundishme mos të fshihen, mos të mohohen ose të minimizohen çështje të tilla.

Një gjest i paparë, i pashembullt i papë Françeskut kur shkruan një parathënie për një libër  që tregon historinë e një djali të abuzuar nga një rregulltar. Daniel Pittet, autori francez i librit autobiografik, pas më shumë se dyzet vitesh, nxjerr në pah, ngjarjet tronditëse. Tani, Pittet takohet me përgegjësin e abuzimit dhe shkruan njëkohësisht librin “Të fal, atë”! Ja çfarë shkruan Françesku:

“Është shumë e vështirë për viktimat e pedofilisë, ta tregojnë përvojën e tyre, për të përshkruar traumën që ende i ngulmojnë pas shumë vitesh. Për këtë arsye, dëshmia e Daniel Pittet-it është e nëvojshme, e vlefshme dhe e guximshme.

Kam njohur Danielin në Vatikan në vitin 2015, me rastin e Vitit të Jetës së Kushtuar. Ai donte të përhapte gjerësisht një libër me titullin “Të duash është të japësh gjithçka”: një përmbledhje dëshmish  burrash dhe grash, priftërinjsh dhe personash të kushtuar. Nuk mund të imagjinoja që ky njeri, plot entuziazëm dhe i pasionuar për Krishtin mund të kishte qenë viktimë e abuzimit nga një prift. Megjithatë, kjo është ajo që ai më tha dhe vuajtja e tij më ka goditur. Kam parë edhe një herë, dëmin e jashtëzakonshëm të shkaktuar nga abuzimi seksual dhe ecjen e gjatë dhe të dhimbshme që pret viktimat.

Jam i lumtur që të tjerët mund ta lexojnë dëshminë e tij sot dhe të zbulojnë se sa shumë e keqja mund të hyjë në zemrën e një shërbëtori të Kishës.

Si mundet një prift, në shërbimin të Krishtit dhe të Kishës së tij, të arrijë të shkaktojë aq shumë të keqe? Si mund të kishte arritur ta kushtonte jetën e tij për të udhëhequr fëmijët drejt Zotit dhe të arrijë t’i gllabërojë në atë që unë e quaj “një sakrificë djallëzore”,  i cili shkatërron si viktimën ashtu edhe jetën e Kishës? Disa viktima kanë arritur te vetëvrasja. Unë e ndjej peshën e këtyre vdekjeje në zemren time, në ndërgjegjen time dhe në atë të Kishës mbarë. U shpreh me dashuri  afërsinë time familjeve të tyre dhe përvujtërisht u kërkoj falje.

Bëhet fjalë për një fenomen absolutisht të shëmtuar, një mëkat të tmerrshëm, rrënjësisht në kundërshtim me çdo gjë që Krishti na ka mësuar. Jezusi përdor  fjalë shumë të ashpra ndaj atyre që dëmtojnë fëmijët: “Kushdo që e mëson ndonjërin prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua, të bëjë mëkat, për të do të ishte më mirë t’i varej për qafe guri i mullirit që e sjell gomari e të hidhej në fund të detit (Mt 18, 6).

Siç kam kujtuar në Letrën Apostolike “Si një nënë e dashur” e  qershorit të 2016, Kisha jonë duhet të kujdeset dhe të mbrojë me dashuri të veçantë të dobtët dhe të pafuqishmit. Ne kemi deklaruar se është detyra jonë të dëftojmë një rreptësi ekstreme me priftërinjtë që tradhtojnë misionin e tyre; gjithashtu edhe me hierarkinë e tyre, ipeshkvinjtë ose kardinalet, të cilat i mbrojnë, siç ka ndodhur në të kaluarën.

Në fatkeqësinë e tij, Daniel Pittet është takuar më një fytyrë tjetër të Kishës dhe kjo i ka lejuar të mos e humbasë shpresën në njerëzit dhe në Zotin. Na tregon gjithashtu sa e fuqishme është lutja, që nuk e ka braktisur kurrë dhe se ka qenë ngushëllim për të në orët më të errta.

Ai ka zgjedhur të takohet me katilin e tij dyzet e katër vite më vonë, dhe ta shikojë në sy njeriun i cili i kishte lënduar thellësisht shpirtin. Ai i zgjati dorën. Fëmija i plagosur është tashmë një njeri në këmbë, i brishtë por në këmbë. Prekem shumë nga fjalët e tij: “Shumë njerëz nuk arrijnë të kuptojnë se unë nuk e urrej atë. E kam falur dhe  e kam ndërtuar jetën time mbi atë falje”.

Falënderoj Danielin, sepse dëshmia e tij, rrënon murin e heshtjes që mbyt skandalet dhe vuajtjet; hedh dritë mbi nje hapësire të tmerrshme në jetën e Kishës. Këto dëshmi hapin rrugën për një riparim të drejtë dhe për hirin e pajtimit. Ndihmojnë gjithashtu pedofilat që të bëhen të vetëdijshëm për pasojat të llahtarshme të veprimeve të tyre.

Lutem për Danielin dhe për të gjithë ata që, si ai, pafajësisht u plagosën, që Zoti t’i lartësojë dhe t’i shërojë, dhe neve të gjithëve le të na japë faljen dhe mëshirën e tij”.

Previous Kremtimi i Zojës së Lurdit në Sapë
Next Ti më shqyrton dhe më njeh - Liber i Kardinal Martinit ne shqip

Sugjerime