Amoris Laetitia në shqip

Amoris Laetitia në shqip

Papa Françesku    /

Hyrje e Amoris Laetitia

  1. Gëzimi i dashurisë që jetohet në familjet është edhe hareja e Kishës. Siç kanë thënë Etërit sinodalë, pavarësisht prej shenjave të shumta të krizës së martesës, «dëshira për familjen mbetet e gjallë, veçanërisht mes të rinjve, dhe e motivon Kishën».[1] Si përgjigje ndaj kësaj aspirate «shpallja e krishterë që ka lidhje me familjen është me të vërtetë një lajm i mirë».[2]
  2. Ecja sinodale ka lejuar që të shqyrtojmë situatën e familjeve në botën aktuale, të zgjerojmë vështrimin tonë dhe të gjallërojmë vetëdijen tonë në lidhje me rëndësinë e martesës e të familjes. Në të njëjtën kohë, kompleksiteti i tematikave të paraqitura na ka treguar nevojën që të vazhdojmë e të thellojmë me liri disa çështje doktrinore, morale, shpirtërore dhe baritore. Reflektimi i barinjve dhe i teologëve, nëse është besnik ndaj Kishës, i ndershëm, realist dhe krijues, do të na ndihmojë të arrijmë një qartësi më të madhe. Debatet që bëhen në mjetet e komunikimit apo në botimet dhe madje edhe mes mbarështuesve të Kishës shkojnë nga një dëshirë e shfrenuar për të ndryshuar gjithçka pa një reflektim apo themel të mjaftueshëm, deri në qëndrimin që pretendon të zgjidhë gjithçka duke zbatuar normativa të përgjithshme apo duke nxjerrë përfundime të tepruara nga disa reflektime teologjike.
  3. Duke kujtuar se koha e tejkalon hapësirën, dëshiroj të theksoj se jo të gjitha diskutimet doktrinore, morale apo baritore duhet të zgjidhen me ndërhyrjet e magjisterit. Natyrisht, në Kishë është e nevojshme një njësi doktrine dhe praktike, por kjo nuk pengon që të ekzistojnë mënyra të ndryshme për të interpretuar disa aspekte të doktrinës apo disa rrjedhoja që vijnë prej saj. Kjo do të ndodhë deri kur Shpirti do të na bëjë të arrijmë në të vërtetën e plotë (krh. Gjn 16,13), pra kur do të na shtjerë përsosurisht në misterin e Krishtit dhe do të mund të shohim gjithçka me sytë e tij. Gjithashtu, në çdo vend apo rajon mund të kërkohen zgjidhje më të inkulturuara, të vëmendshme ndaj traditave dhe ndaj sfidave lokale. Në të vërtetë, «kulturat janë shumë të ndryshme mes tyre dhe çdo parim i përgjithshëm […] ka nevojë të inkulturohet, nëse dëshiron që të mbahet dhe të zbatohet».[3]
  4. 4. Sidoqoftë, duhet të them se ecja sinodale ka sjellë me vete një bukuri të madhe dhe ka dhënë shumë dritë. Falënderoj për kontributet e shumta që më kanë ndihmuar t’i vlerësoj problemet e familjeve të botës në gjithë shtrirjen e tyre. Tërësia e ndërhyrjeve të Etërve, që kam dëgjuar me vëmendje të vazhdueshme, më është dukur një poliedër i çmueshëm, i përbërë prej shumë shqetësimeve të ligjshme dhe pyetjeve të ndershme e të sinqerta. Prandaj kam kam menduar se është e përshtatshme të hartoj një Nxitje Apostolike pas-sinodale që të përmbledhë kontributet e dy Sinodeve të fundit mbi familjen, duke bashkangjitur edhe vlerësime të tjera që mund të orientojnë reflektimin, dialogun dhe veprimtarinë baritore, e një të njëjtën kohë tu japin guxim, nxitje dhe ndihmë familjeve në angazhimin e tyre dhe në vështirësitë e tyre.
  5. Kjo Nxitje merr një domethënie të veçantë në kontekstin e këtij Viti Jubilar të Mëshirës. Në radhë të parë, sepse e shoh si një propozim për familjet e krishtera, që t’i nxis t’i çmojnë dhuratat e martesës e të familjes, dhe të ruajnë një dashuri të fortë e plot me vlera sikurse bujaria, angazhimi, besnikëria dhe durimi. Në radhë të dytë, sepse ka qëllimin t’u japë zemër të gjithëve që të jenë shenja të mëshirës e të afërsisë aty ku jeta familjare nuk realizohet përsosurisht ose nuk zhvillohet me paqe e gëzim.
  6. Në zhvillimin e tekstit, do të filloj me një hapje të frymëzuar prej Shkrimeve të Shenjta, që të japë një ton të përshtatshëm. Duke nisur prej aty do të konsideroj situatën aktuale të familjeve, në mënyrë që t’i mbajmë këmbët përtokë. Pastaj do të kujtoj disa elemente thelbësore të mësimit të Kishës në lidhje me martesën e familjen, për t’u dhënë hapësirë kështu dy kapitujve qendrorë, kushtuar dashurisë. Më pas do të vë në dukje disa rrugë baritore që orientojnë për të ndërtuar familje të qëndrueshme e të frytshme sipas planit të Hyjit, dhe do t’i kushtoj një kapitull edukimit të bijve. Pastaj do të ndalem në një ftesë në mëshirën dhe në shoshitjen baritore përballë situatave që nuk i përgjigjen plotësisht asaj që Zoti na propozon, dhe së fundi do të përvijoj disa linja të shkurtra të përshpirtërisë familjare.
  7. Për arsye të pasurisë së dy viteve të reflektimit që solli ecja sinodale, kjo Nxitje përballon, me stile të ndryshme, tema të shumta dhe të larmishme. Kjo shpjegon shtrirjen e saj të pashmangshme. Prandaj nuk këshilloj një lexim të përgjithshëm e të nxituar. Do të mund të vlerësohet më mirë, si nga familjet ashtu edhe nga vepruesit e baritores familjare, nëse do ta shqyrtojnë atë me durim një pjesë pas tjetrës, ose nëse do të kërkojnë aty atë për të cilën kanë nevojë në çdo rrethanë konkrete. Është e mundshme, për shembull, që bashkëshortët ta shohin veten më shumë në kapitullin e katërt dhe të pestë, që vepruesit baritorë të kenë interes të veçantë për kapitullin e gjashtë, dhe që të gjithë të ndihen të thirrur nga kapitulli i tetë. Shpresoj që secili, nëpërmjet leximit, të ndihet i thirrur që të kujdeset me dashuri për jetën e familjeve, sepse ato «nuk janë një problem, janë kryesisht një mundësi».[4]
Previous Fjala është një dhuratë. Tjetri është një dhuratë - Mesazhi i Papës per Kreshëm 2017
Next Familja është një dëshirë e gjallë mes të rinjëve

Sugjerime