Mes traditës dhe polemikës*

Mes traditës dhe polemikës*

Artur Jaku   /

Brishtësia e formimit tonë shkërmoqet sa herë përballë çështjeve historike, sprapsemi, acarohemi, dhe pavarësisht sa jemi të informuar për çështjen, gjejmë edhe nga asgjëja diçka vetëm për të folur. Madje në përpjekjen për të forcuar më shumë argumentin, largohemi kaq shumë nga çështja duke mbërritur deri te “heshtni të gjithë, më mirë me të pavërtetën që s’flet, se të vërtetën që përsëritet çdo vit”.
Albert Einstein thoshte: “Cilido që nuk e merr të vërtetën seriozisht në çështje të vogla, nuk mund t’i besohet as në çështje të mëdha”. E vërteta në kishë-xhaminë e Rozafatit duhet të thuhet jo me emocione, ndjeshmëri, jo me pasionin siç ndokush do të kishte dëshirë të ishte, por me vetëdijen, mbështetur në fakte historike. Ajo çfarë ndodhi me Kishën e Shën Shtjefnit në kalanë e Rozafës, është historia në miniaturë e asaj çfarë në shekuj, ndodhi me kishat e tjera përreth kalasë dhe në gjithë Shqipërinë e veriut.
Duke ndjekur dinamikën e diskutimeve të këtyre ditëve që përsëritet çdo datë 26 dhjetor gjatë këtyre viteve të fundit, vetvetiu më lindin disa pyetje.
Pse duhet që një kremtim liturgjik të jetë bezdisje, pse duhet që për çështje historike të zhurmojmë duke prishur qartësinë e shprehjes së vetë historianëve? Pse një meshë sot është provokuese ndërsa ajo para disa viteve nuk kishte asnjë shije të tillë? Pse duhet që e kaluara të jetë problem për identitete të konsoliduara dhe për një shtet autokton si ky i yni?
Për ekzistencën e Kishës së Shën Shtjefnit s’mund të ketë asnjë hije dyshimi, pasi falë Zotit arkeologjia dhe literatura na vijnë në ndihmë me fakte të pakundërshtueshme historike. Po t’i referohemi dom Marin Barletit, historianit dhe kronistit më të mirë të kohës, ai shkruan te ‘Rrethimi i Shkodrës’: “Shumica e qytetarëve të tjerë bashkë me meshtarët dhe ushtarë të tjerë zunë vend në shesh me flamurin e artë të Shën Markut (Pajtor i Venedigut) e të Shën Shtjefnit protomartir, pajtor i qytetit, që të jepnin ndihmën e duhur”. Në të gjithë veprën, Barleti, ndërsa shpjegon luftën dhe qëndresën historike përballë ushtrisë së shumtë osmane, flet për një shpirt feje që i ka frymëzuar në qëndresë.
Në librin “Statutet e Shkodrës” në gjysmën e parë të shekullit XIV me shtesat deri më 1469, Kreu i 7-të i është rezervuar festës së Shën Shtjefnit, “Si mbrojtësit të qytetit të Shkodrës”.
Që të forcojë ekzistencën e kësaj Kishe, na vjen në ndihmë edhe studiuesi Milan von Sufflay (Situata të Kishës në Shqipërinë paraturke), i cili thotë: “Në Shkodër, Katedralja e Shën Shtjefnit që gjendej brenda kështjellës ishte një vend i famshëm pelegrinazhi. Xhamia turke që u bë nga transformimi i saj, shfaq gjurmë kubeshe gotike dhe skulpturash. Në vitin 1685 brenda saj qëndronte një organo e vjetër e prishur (organo disfatto). Po ashtu, brenda kështjellës përmendet në vitin 1434 edhe kisha famullitare e Shën Kollit”.
Prandaj, pa frikë mund të themi që Kisha e Shën Shtjefnit, e ka origjinën në kohë të largëta. Duke qenë e vendosur brenda mureve të Rozafës, kjo kishë pati privilegjin të ishte kishë e parë (katedrale), mes kishave e abacive të tjera që ngriheshin përherë e më të shumta jashtë perimetrit të mureve, aty ku shtriheshin lagjet e jashtme të qytetit.
Kisha e Shën Shtjefnit ishte pika e referimit për qytetin, për jetën fetare, kombëtare, kulturore, ekonomike, madje edhe politike të tij.
Për cilindo që nuk e pranon këtë ekzistencë, këtë të vërtetë, nuk është më detyrë e historisë e as e historianëve për të ndriçuar, por ngelet çështje personale, individuale e raportit që zgjedh të mbash me të vërtetën dhe hapësirën që i rezervon dijes.
Qytetin e Shkodrës, Provania Hyjnore e ka ndriçuar për të pasur një pajtor, protomartirin e Krishterimit, që lidhet me historinë e vetë Krishterimit në trojet tona, përçuar nga apostujt, forcon një marrëdhënie dhe një traditë që ka jetuar bashkë me Shkodrën, herë në persekutim e herë në liri, herë në mundësi e shumë më shumë në pamundësi.
Historia e Shën Shtjefnit nuk mund të copëzohet e as të përkujtohet me frikë. Duke nderuar këtë martir, Kisha nderon historinë, dhe secilin që në luftën e vështirë të kohës është flijuar për të përçuar këtë traditë, e për të mbajtur ndezur këtë dashuri.
Mesha që kremtohet në kala, në rrënojat e atij objekti të vjetër, është një rit, tashmë një traditë disavjeçare dhe në të gjitha rastet është kremtuar duke respektuar të gjitha autoritetet që e administrojnë e duke kërkuar lejen përkatëse.
Dua që çdokush të kuptojë, që e vetmja ndjenjë kremtuese është ajo e nderimit dhe e lidhjes së fijeve të historisë.
Ne si kishë në Shkodër, s’kemi nëntekste ambicieje për zaptim, nuk ekziston asnjë vullnet për tjetërsim apo shndërrim në skenë protagonizmi apo heroizmi, aq më pak konfliktuale. Lartësimi i traditës, përshpirtërisë, nderimit, për vendet që kanë rrugëtuar në pjekurinë e pranimit të tjetrit, histori të ngjashme i çmojnë si vlera të shtuara. Një meshë, një koncert, një aktivitet kulturor, një moment lutjeje nga të gjitha komunitetet nuk e dëmtojnë këtë monument, përkundrazi, i japin një vlerë të rëndësishme për kombin tonë. Çdokush duhet të jetë i lirë për të lartësuar lutjet në mënyrën e vet. Zhvillimi i një liturgjie e nderimi në një të vetme ditë të vitit (26 dhjetor), për ndërmjetësin që ka përcjellë 6 shekuj histori martirizimi, për të ruajtur fe e atdhe, assesi s’mund të jenë minuta bezdisjeje, por përkundrazi, minuta paqeje për orën e fortesës, kalanë e Rozafës. Tradita, kujtesa historike duhet të na mësojë për të forcuar paqen me të vërtetën dhe kulturën e pranimit të tjetrit

*Ky shkrim është botuar në Gazetën Shqiptare datë 21 janar 2017

Previous Familja e Shenjtë e Nazaretit, ikona e parisë së Zotit*
Next Është i nevojshëm një katekumenat për t’u përgatitur për martesën

Sugjerime