Familja e Shenjtë e Nazaretit, ikona e parisë së Zotit*

Familja e Shenjtë e Nazaretit, ikona e parisë së Zotit*

Mario Impteratori S.J.   /

Në Traditën e krishterë katolike, deri në kohën e Gjon Palit II,  janë vlerësuar liturgjikisht vetëm familjet e martirëve apo ato pak familje mbretërish. Vetëm duke filluar nga viti 1980, Kisha katolike është bërë më e vetëdijshme mbi rëndësinë e shenjtërisë së jetës martesore dhe familjare. Të dëshmosh përparësinë e marrëdhënies me Zotin  edhe në jetën martesore e familjare, është një formë martirizimi, e ndoshta sot më shumë se në të kaluarën. Jetojmë në fakt në një shoqëri jo stabël, e lëngët, si thuhet në sociologji (khs. Z. Bauman), e cila, e organizuar ekonomikisht mbi individualizmin dhe mbi mobilizimin ekstrem, është gjithmonë e më shumë në kundërshtim me qendrushmerinë që ia kerkohet jetës familjare, e cila si pasojë po pëson një krizë gjithnjë e më të rëndë. Nga këndvështrimi sociologjik ajo duket tashmë strukturore, e shoqëruar me një rënie shqetësuese të popullsisë dhe të fenomenit të migracionit.

Pikërisht në këtë kontekst të vështirë, merr kuptim referenca ndaj Familjes së shenjtë të Nazaretit. Ajo është e rëndësishme, sepse në të përparësia e Zotit, feja në Të ka qenë absolute, sipas veçantisë së misionit unik  prej Hyjit të besuar kësaj familjeje, ndryshe prej tonave. Por ama, kjo nuk do të thotë se ka qenë më e lehtë. Marisë dhe Jozefit, iu është dashur të kalojnë pak si Abrahami, përmes provës së fesë, një luft shpirtërore e vërtetë. Tregimet e Mateut dhe të Lukës na tregojnë në fakt, se si duke i dhënë përparësi Zotit, përmes dhimbjesh ka vënë në krizë planin e tyre martesor, sigurisht të mirë e të shenjtë. Por dashuria për Hyjin, nënshtrimi ndaj vullnetit të tij, edhe kur nuk e kanë kuptuar plotësisht, për Marinë dhe Jozefin ka qenë më e rëndësishme se gjithçka. Këtu, fakti që Maria ka qenë pa mëkat, sigurisht që ka luajtur një rol vendimtar edhe për Jozefin, i cili ishte i drejtë (Krh. Mt 1,19). Si ka pohuar një hadid i Abù Hurayra (vd. 678), «Asnjë fëmijë lind pa që Satani e shpon dhe djali bërtet për shkak e pickimit; i vetmi përjashtim është Biri i Marisë dhe Nëna e saj », ajo që Ibn-Arabi e quai «vula e shenjtërisë».

 

E në këtë pikë, ata mund të jenë shëmbull për besimtarët e martuar. Të gjithë besimtarët në Hyjin janë në fakt të thirrur ta duan dhe ta pranojnë tjetrin në emër të Zotit, e jo vetëm për arsye njerëzore.  Ta duam më shumë vullnetin e Hyjit për personin që duam, se sa dëshirat e projektet që ne kemi për të. E kjo vlen edhe për amësinë dhe atësinë: bijtë janë para së gjithash dhuratë e Hyjit, i përkasin Atij, përpara se t’u përkasin prindërve. Në këtë kuptim mund të themi, se paku në mënyrë metaforike, që ata më parë janë bijtë e Zotit, se të vetë atyre. E tamam në këtë mënyrë, prindërit janë të thirrur t’ua dëshmojnë fëmijëve fenë e tyre  në Zotin, liria e të cileve edukohet dhe respektohet gradualisht, mbi të gjitha në zgjedhjet themelore të jetës së tyre. Edhe këtë e kanë dashmuar në mënyrë rrënjësore pikërisht Jozefi dhe Maria, duke e pranuar Jezusin si dhuratë të Shpirtit të Zotit, si dhe të pamëkat ( krh. Mt 1,18; Lk 1,35). Dhe ata e kanë pranuar, edhe kur nuk e kanë kuptuar (krh. Lk 2, 41-50).

Së fundi, nuk mund të harrojmë që sipas Zan 1,27 “Zoti krijoi njeriun në përngjasimin e vet/, e krijoi në përngjasimin e Zotit/; i krijoi mashkull e femër”. Kj pohim, si dëshmon ekzegjeza hebraike, do të thotë që të qenurit mashkull e femër, me hapjen ndaj jetës lidhur me sexualitetin (krh. Zan 1,28), i përket thelbësisht qenies së tyre në imazhin dhe përngjasimin e Zotit. Atëherë familja njerëzore është me të vërtetë ikona e Zotit Krijues, e para e mbi të gjitha është natyrisht ajo e Nazaretit.

*Fjala e mbajtur ne simpoziumin nderfetar “Familja ne kendveshtrimin e krishtere dhe myslimane” 

Previous Familja dhe roli i gruas në të - Një këndvështrim ortodoks
Next Mes traditës dhe polemikës*

Sugjerime