Nuk ka meshtarë? Deo gratias!

Nuk ka meshtarë? Deo gratias!

Gjergj Meta   /

Letra e fundit që Papa Françesku u ka dërguar të rinjëve më ka nxitur disa reflektime rreth çështjes së thirrjeve në Shqipëri.

Them që është një hir mungesa e meshtarëve e po shikoj se çdo ditë e më shumë më përforcohet kjo bindje e imja. Ndoshta për shumë kohë kemi vazhduar të injorojmë problemin duke e transferuar gjetiu. E po ashtu, duke pasur shqetësimin e madh se nuk kemi meshtarë, e duke e kthyer këtë shqetësim gati-gati në një angështi, kemi idhujtarizuar figurën e meshtarit dhe kemi bërë që ai (ne) të ndjehet një “perëndi”.

Po shpjegohem rreth asaj çka pohova më sipër. Dihet se mungesa e meshtarëve nuk është një dukuri vetëm e Kishës tonë. Tashmë ka vërshuar si dukuri edhe në Kishat europerëndimore e po ashtu në vende të tjera. Vetëdija e rëndësishme se Eukaristia është në qendër të jetës së Kishës, ka bërë që gabimisht edhe meshtari të konceptohet në qendër duke lidhur së pari veprimtarinë e tij ekskluzivisht me meshën. Kushedi pse ka mbetur ndër ne ende fjala meshtar njësoj si vreshtar, ushtar, e kështu me rradhë, duke reduktuar figurën e tij në një person që thotë, çon, kremton meshën, pra një person që bën diçka, por pa i dhënë rëndësi faktit se kush është meshtari.

Vazhdon ende ndër ne ideja se një famulli ka problem kur nuk ka një meshtar për ta mbuluar atë famulli me meshë. Kështu gjetja e një meshtari shpesh përkon me “rehatimin” e asaj famullie. Por a është kështu? Sigurisht që jo. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 50 vjet nga Konçili II i Vatikanit ende në Kishë nuk janë brendësuar si duhet risitë që ky Sinod solli. Duhet të shikojmë se në iterin e formimit të Lumen Gentium ka ndodhur një përmbysje pothuajse kopernikane. Nga një strukturë fillestare që vinte në dukje hierarkinë më së pari, u kalua në një strukturë tjetër ku hierarkia kalonte në vendin e tretë pas Kishës si mister dhe Kishës si popull i Hyjit (Kap. I dhe II i LG). Kisha në trajtën e saj misionare është e gjitha e tillë duke u nisur nga pagëzimi dhe jo nga shugurimi meshtarak. Ky i fundit është i rrënjosur në atë pagëzimor. Çka do të thotë kjo në rrafshin praktik?

Ne gjendemi përballë faktit që kemi shumë mungesa me meshtarë. Kjo mund të jetë një mundësi e mirë për të kuptuar se Hyji po na flet edhe nëpërmjet kësaj mungese. Në ç’mënyrë? Duke u kthyer të pagëzuarve, të gjithë të pagëzuarve, Ungjillin dhe misionin ungjillizues në botë. Kështuqë puna me thirrjet nuk ka të bëjë aq shumë me thirrjet për meshtarë se sa me thirrjen universal për shenjtërim e cila realizohet në përjetimin e Ungjillit dhe në kumtimin e tij të gjitha krijesave. Kumtimi i Ungjillit, shpallja e Fjalës është detyra e parë e të krishterëve, madje edhe e meshtarit. Nga dëgjimi i fjalës lind besimi. Sipas Presbiterorum ordinis detyra e parë e një meshtari nuk është kremtimi i Eukaristisë, por shpallja e Fjalës (PO 4). Në Eukaristi mblidhet populli i thirrur nga Fjala (e-kaleo, ekklesia).

Një punë për të pasur meshtarë më shumë ka nevojë edhe për instrumenta të tjerë përveç atyre tradicionalë që organizohen në formë fushatash në ditën e seminarit apo në ditën botërore të thirrjeve. Nëse nuk shihet jeta e të krishterit e gjitha si një thirrje për të përmbushur një mision i cili është rritja në staturen e plotë të njeriut që për ne është personi i Krishtit, vështirë që do të kemi thirrje ose do t’i shohim thirrjet si një superstrukturë, si një kastë si diçka e veçuar dhe e veçantë, por jo si një pjesë organike e atij Trupi të madh që është Populli i Hyjit. Të njëjtin fat do të kenë edhe thirrjet rregulltare që do të shihen si diçka e veçuar, por në sensin e ndarë nga tërësia e popullit të Hyjit.

Për një baritore të thirrjes atëherë duhet të hedhim disa hapa për ta rithemeluar atë. Mendoj që së pari duhet të rekuperojmë dimensionin e punës për thirrjet si një thirrje e popullit të krishterë i cili ka për zemër të ketë, së bashku me karizmat e tjerë në Kishë, edhe atë të meshtarit si pjesë e Krishtit krye, por gjithmonë e lidhur me trupin nga i cili merr ushqimin, nga ku merr gjakun, me një fjalë merr jetën. Vetëm kjo lidhje organike do t’i japë mundësi të rinjëve të thonë “po” për një jetë më të përkushtuar Hyjit, përndryshe thirrja për meshtar do të zhvillohet si një mish i huaj, duke ecur në një drejtim krejt tjetër në krahasim me pjesën tjetër të trupit e, si çdo mish i huaj, mund të bëhet edhe i rrezikshëm për trupin duke u kthyer në kancerogjen. Ky mish i huaj quhet klerikalizim që nis qysh në bankat e seminarit. Prandaj është e lehtë të gjesh seminaristë apo kandidatë që janë tashmë të projektuar si meshtarë (jo vetëm këta të sotshmit, por edhe ne të djeshmit kemi pasur këto ndjenja pa dyshim).

Çfarë hapash mund të ndiqen? Mendoj duhet një përmbysje perspektive edhe këtu, ashtu si në shumë fusha të tjera të Kishës.

Së pari çështja e thirrjes nuk është puna kryesore e seminarit. seminari Nuk promovon thirrjet, seminari thjesht i pranon dhe i ndihmon të rriten, por jo i vetëm. Nuk mund të nisemi nga seminari e t’i kërkojmë llogari atij pse nuk ka thirrje.

Subjekti i parë i punës për thirrjet është ipeshkëvi dioqezan e me këtë kam parasySh jo individin e ipeshkëvit, por funksionin (munus) e tij ipeshkëvor, pasi bashkëpunëtorët e parë të ipeshkëvit dioqezan janë meshtarët. Është ai i pari që duhet të kujdeset për këtë gjë qysh në gjenezë.

Është ai që duhet t’i japë start një pune në të cilën dallon dhe shoshit karizmat në dioqezën e tij dhe këtë e bën duke u lutur më së pari e duke predikuar. Por një ipeshkëv nuk vepron i vetëm, çka do të thotë që ai duhet të kujdeset të krijojë një staf përreth vetes me gra e burra të dalluar për një jetë shenjtërie që nisin punën e tyre nga familjet e nga famullitë.

Në këtë drejtim në famullitë e tyre, famullitarët duhet të bëjnë të njëjtën gjë në miniaturë. Duke nisur nga ku? Nga familjet! Por nga familjet ashtu si janë me trajtat e sotshme, me problemet e sotshme dhe me të rinjtë e sotshëm.

Po ashtu grupet rinore që ne kemi, të shoqëruar prej njerëzve të përgatitur, janë seminare famullitare, me djem e vajza që fillojnë e jetojnë ungjillin, duke u lutur bashkë e duke vepruar bashkë. Nga ky përjetim i Ungjillit do të lindin vokacione të bukura për jetën e krishterë dhe jo vetëm për meshtarë apo motra.

Gjithsei mendoj që disa hapa konkretë për çdo dioqezë mund të jenë këto:

Së pari krijimi i një ekipi lutet së bashku, që punon e studion, gjithmonë në koordinim me ipeshkëvin dioqezan dhe me famullitë.

Së dyti krijimi i hapësirave të lutjes, formimit dhe shoqërimit personal për të rinjtë në të gjitha nivelet: universitarë, shkollat e mesme, të rinj që punojnë, profesionistë e kështu me rradhë. Një hapësirë të tillë duhet ta krijojë kjo qendër e ky staf i specializuar. Sidomos shoqërimi personal apo edhe në grupe të vogla i të rinjëve ëhstë një proces kycc. Kjo duhet tëbëhet prej personash të kualifikuar e kompetentë.

Së treti nuk mund të quhet një qendër për thirrjet, por një qëndër për jetën e krishterë, sepse thirrja për meshtarë është një aspekt i jetës së krishterë ashtu sikurse martesa, jeta rregulltare, ministeret laikale e kështu me rradhë.

Previous Simpozium Ndërfetar “Familja në këndvështrimin e Krishterë dhe Islam”
Next Familja dhe roli i gruas në të - Një këndvështrim ortodoks

Sugjerime