Familja dhe roli i gruas në të – Një këndvështrim ortodoks

Familja dhe roli i gruas në të – Një këndvështrim ortodoks

Thoma Çomeni*   /

Sa herë që flitet për familjen, përfytyrimi, vëmendja dhe perceptimi shkojnë direkt në imazhin se cila konsiderohet  familje sot?! Perceptimi i sotëm është se familja si një njësi, përbëhet nga prindërit dhe fëmijët (një ose më tepër) dhe kjo konsiderohet familje-bërthamë. Por po të shkojmë pas në kohë nuk do gjejmë vetëm prindërit dhe fëmijët, por dhe gjyshërit, pse jo dhe stërgjyshërit, apo nipat dhe stërnipat, familje ku janë tre, katër, ose më shumë breza bashkë dhe ku fuksionimi i familjes mbështetet tek autoriteti i personit më të vjetër, dhe kjo familje është familja patriarkale. Nëse i referohemi kohëve të sotme ka familje të cilat nuk i kanë të dy prindërit dhe kjo jo për arsye të humbjes natyrore të tyre, por sepse njëri nga prindërit është larguar apo nuk ka marrë përsipër përgjegjësitë e tij.  Kemi edhe familje ku janë vetëm bashkëshortët, sepse çifti bashkëshortor nuk ka mundur të sjellë në jetë pasardhësin. Ka edhe raste kur termi familje përdoret për persona të caktuar, që jetojnë disa vite bashkë, që ndajnë përgjegjësitë dhe përfitimet e tyre për një kohë të gjatë. Ashtu si ndodh edhe kur një grup personash të një kolektivi punojësish e konsiderojnë veten si familje. Nuk mund të flasim për të gjitha këto forma të shfaqjes së familjes, por do flasim për formën “bërthamë”, të fuksionimit të saj dhe rolin e gruas tek ajo.

Dy personat thelbësorë mbi të cilët themelohet familja janë burri dhe gruaja. Shkrimi i Shenjtë (Bibla) thekson fort krijimin e dy personave, burrë dhe grua, sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Perëndisë[1] për të krijuar bërthamën e familjes. Ky gur themeli i vendosur nga Shkrimi i Shenjtë është i rëndësishëm, pasi na jep dimensionin ontologjik (qenësor) të qenieve, por në të njëjtën kohë na jep kornizën e zhvillimit të marrëdhënieve bashkëshortore dhe familjare. Gjithashtu po ky varg i Shkrimit te Shenjtë shpreh se marrëdhënia burrë-grua  ekziston realisht, kur secili prej tyre është person i barabartë[2]. Këtë mendim e përforcon tregimi i dytë biblik për krijimin e njeriut, ku Perëndia krijon gruan nga brinja e Adamit[3]. Krijimi i Evës nga brinja e Adamit pas vendosjes në gjumë të tij shpreh se Eva nuk u krijua për të qenë e nënshtruar ndaj Adamit, por për të qenë bashkëpunëtorja e tij. Ajo nuk mund të jetë as më poshtë se burri, kurth në të cilin ranë interpretuesit e ligjit judaik dhe kjo ishte bërë forma normale e fuksionimit të shoqërisë judaike. Njëkohësisht ajo nuk mund të hyjnizohej, gjë që shikohet në paganizëm, ku emrat e femrave ishin pjesë e listës së hyjinive. Gjithashtu gruaja nuk mund të konsiderohej as dhe një figurë mitike femrore, si shtojzavallet.

Bazuar në tregimin e hershëm biblik, që në fillimet e veta krishtërimi u përpoq  të theksonte se krijimi i familjes bazohet mbi bashkimin e burrit e gruas në martesë, e cila mbështetet në dashurinë reciproke dhe nevojën biologjike e shpirtërore për njëri-tjetrin.

Pra, që në fillim mbizotëron Monogamia. Një burrë dhe një grua. Monogamia është vullneti i Perëndisë dhe këtë themeloi Perëndia që në fillim. Për Adamin vetëm, u krijua vetëm një Evë. Këtë të vërtetë të prej fillimit, krishtërimi vazhdon ta ruajë me besnikëri.

Kjo nënkupton që lidhja burrë-grua, si zanafillë e familjes nuk mund të identifikohet si një njësi ekonomike, as një nevojë psikologjike ose një bashkim për të krijuar pasardhës, por një unitet ku të dy plotësojnë njëri-tjetrin dhe të dy i përqasen bashkimit si dy persona të veçantë.

Nëse flasim për familjen, por do linim jashtë fëmijët do ishte e pakuptimtë, sepse fëmija është personi që jo vetëm i përforcon konturet e familjes, por mbush dhe brendësinë e saj. Në lindjen e fëmijës shfaqet dashuria dhe roli prindëror, të cilin shpesh herë kur i rferohemi dashurisë prindërore e identifikojmë me dashurinë e nënës, e cila është e veçantë, pasi nëna si mbartëse e jetës e përcjell këtë tek fëmija, kështu është ajo që përcjell e para vazhdimësinë e jetës njerëzore[4]. Dhe sprova e parë në sjelljen e një fëmije në jetë është pozicionimi kundër ndaj çdo lloj mendimi, ndikimi apo presioni për të ndërprerë këtë jetë që ka filluar. Rasti i Marisë Hyjlindëses shtatëzanë është shembullor. Ajo u pozicionua përballë botës, e cila nuk e kuptonte rëndësinë e ngjarjes dhe fenomenit që po ndodhte tek ajo. Por ajo e kapërceu situatën sepse ishte e bindur për atë që po ndodhte, që po sillte në jetë një fëmijë dhe më tepër, Shpëtimtarin e Botës. Ajo  mund çdo tenativë për ndërprerje të jetës pavarësisht prej faktorëve të pamundësisë ekonomike, të kornizës së dokeve shoqërore apo të egoizmit të personit.

Një aspekt tjetër i marrëdhënies së prindërve me fëmijët është përkujdesja për zhvillimin trupor, shpirtëror dhe shoqëror. E Tërëshenjta Mari bashkë me Josifin u kujdesën dhe e mbrojtën foshnjën Jisu nga tentativa për vrasje e Herodit, e rrethprenë dhe dorëzuan në tempull sipas traditës judaike dhe i mësuan shkrimet e shenjta duke u përkujdesur për zhvillimin trupor dhe shpirtëror dhe njëkohësisht në dialogjet e zhvilluara nga Maria me Jisu Krishtin kemi dhe zhvillimin shoqëror të tij, karakteristika që Jisui i shpreh në jetën e vet, sepse ai kujdeset për njerëzit duke iu shëruar trupin dhe shpirtin, ai diskuton me ta për marrëdhënien me Zotin dhe mbi të gjitha përpiqet të dialogojë duke i bërë njerëzit të kuptojnë veten e tyre. Ato pak informcaione biblike që ofrohen për Jisuin, Marinë dhe Josifin tregojnë se ardhja në jetë dhe rritja e fëmijëve është një mision i vështirë, sepse në thelb nuk është një proces i njëanshëm. Dhe ap. Pavli e shpreh këtë ku ndërsa kërkon nderimin e nënës dhe babait nga fëmija[5], u kërkon etërve që të mos i provokojnë fëmijët e tyre[6]. Apostull Pavli u drejtohej etërve duke mos u nisur vetëm nga struktura familjare e asaj kohe, ku pozicioni i babait në familje ishte superior, por edhe nga egërsia dhe brutaliteti që ishin prezent në karakterin e tyre[7].

Për këtë arsye krishtërimi që në zanafillën e vet duhet të luftonte ekstremet e paraqitura deri në atë kohë për gruan dhe të krijonte një kuadër ku jo thjeshtë të bënte një përcaktim teorik, por të ofronte zgjidhje për të përballuar jetën e përditëshme. Një nga mendimet që ekzistonin në atë kohë ishte se gruaja identifikohej me të keqen, si shkaku dhe mbartësja e së keqes[8]. Na paraqiten histori të grave të Dh.Vjetër që tregojnë një përpjekje për ta nxjerrë gruan nga kjo kornizë perceptimi, por ajo që vuri vulën në paraqitjen e gruas, duke rivendosur pozitën e saj në vend është nëna e Zotit Jisu Krisht, e Tërëshenjta, Hyjlindësja Mari (për besimin e krishterë). Dhe ky person nuk është i krijuar mbi personazhet e legjendave, por mbi ekzistencën dhe jetën reale të saj. Së pari, lindja e saj është një lindje si gjithë lindjet e tjera, ajo lindi prej dy prindërve të cilët në moshë të madhe nuk humbën besimin dhe shpresën, për lindjen e një fëmije. Së dyti,  jeta në vazhdim, si e dedikuar në tempull është proces normal, madje dhe pas daljes nga tempulli ajo ishte po personi i thjeshtë dhe një vajzë si gjithë vajzat e tjera, histori që vijnë nga tradita[9].

Momenti i ungjillëzimit të Tërëshenjtës Mari është guri i themelit, i cili ndryshon historinë e botës, por në të njëjtën kohë edhe qëndrimin për gruan, pasi jo vetëm nuk është shkaku i mëkatit, por bëhet pjesë e rëndësishme e shpëtimit të qenies njerëzore. “E bekuar je ti ndër gratë” e shpreh Kryeengjëlli Gabriel  dhe e përsërit Elisabeta kushërira e saj kur Hyjlindësja Mari e vizitoi atë[10]. Tek personi i saj gjenden elementë të rëndësishëm, që nxjerrin në pah karakterin e gruas. Tek ajo gjendet përulësia dhe besimi, sakrifica dhe dorëdhënia. Ajo jetoi brenda botës duke prekur gëzimet dhe hidhërimet e saj dhe i ofroi elementin pozitiv, ku momenti qendror është lindja e personit, i cili ndryshoi rrjedhën e shoqërisë njerëzore. Ajo është shembulli i gruas ku sinqeriteti zë pjesë të rëndësishme dhe thelbësore në marrëdhëniet shpirtërore, familjare dhe shoqërore. Biseda me engjëllin dhe komunikimi me Josifin, pas lajmit që mbeti shtatzënë prej Shpirtit të Shenjtë janë fakte që e tregojnë këtë. Ajo iu bind gjatë jetës së vet Perëndisë, Josifit përkujdesësi (personit të cilit ishte premtuar) dhe sigurisht dhe tek Biri i vet dhe në të njëjtën kohë mori prej tyre dashurinë dhe respektin e munguar për gjininë femërore. Brenda kësaj fryme e Tërëshenjta Mari bëhet personi që tregon se femra, gruaja është po aq mëkatare sa mashkulli,burri, dhe në të njëjtën kohë është po aq pjesë e rëndësishme e shpëtimit, e familjes dhe e shoqërisë. Këtë mendim na e përforcon dhe apostull Pavli në Letrën e tij drejtuar Galatasve ku shprehet se “ …nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë janë një në Jisuin” (Gal 3:28), madje shkon më tej në Letrën e Parë për Korinthianët “gruaja nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por burri- dhe burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por gruaja” (I’ Kor. 7, 2-5). Kështu në këtë perceptim në martesën e krishterë burri dhe gruaja nuk janë thjesht burrë dhe grua, por dy persona të cilët plotësojnë njëri – tjetrin. Edhe pse fjalët e ungjillit dhe letrat e apostull Pavlit janë të qarta për gruan dhe rolin e saj në familje, përsëri shfaqen vështirësi në praktikimin e këtij mendimi teologjik. Dhe kjo ndodh sepse ide dhe perceptime që vijnë për shkak të natyrës së rënë zënë rrënjë në historinë njerëzore.

Dhe vijmë kështu në një pikë tjetër të rëndësishme ku mjedisi shoqëror ndikon pafundësisht në mendimin dhe veprimin e njerëzve. E Tërëshenjta Mari e ndjeu këtë kur mori lajmin e ngjizjes prej Shpirtit të Shenjtë, por më e shumë e ndjehu Josifi. Duke qenë i rritur në një ambient ku burri mund ta divorconte gruan dhe për arsye të parëndësishme[11], ç’mund të thuhej dhe bëhej për një shtatëzani të panatyrshme (ku si dënim kishte vrasjen me gurë të gruas). Kështu të dy të gjendur në një situatë të njëjtë, por përjetime të ndryshme, u munduan të gjenin zgjidhjen në dy elemente, së pari në ndërgjegjen e tyre, Maria pranon të bëhet pjesë e një shtatëzanie jo të natyrshme në sytë e njerëzve, por jo të Perëndisë, Josifi duke mos ekspozuar apo denocuar Marinë dhe së dyti, të dy ndoqën ndërgjegjien hyjnore, këshillat e engjëllit të Perëndisë. Ky qëndrim i Marias dhe Josifit nuk është një kundërvënie apo vendim revolucionar ndaj shoqërisë, por përpjekje për të riparë rolin e shoqërisë, kur ligjet dhe format e fuksionimit të saj janë ndikuar nga interesat e grupeve të caktuara shoqërore dhe siç e konstaton një nga etërit e kishës, Grigor Teologu-u krijua kjo situatë për shkak se pushteti dhe ligjet ishin në dorë të burrave[12]. Kështu Maria me qëndrimin e saj tregon vlerat personale dhe njëkohësisht vlerat e gjinisë femërore, kërkon dhe shpreh nevojën për barazi, e cila siç shprehet Kryepiskopi Anastas “as nuk e përjashton as e presupozon autencitetin”[13]. Kështu Maria shpreh nevojën për barazi, por pa u tjetërsuar si grua dhe Josifi shpreh mbështetjen e tij, por pa u tjetërsuar nga të qenurit burrë. Kjo tendosje dinamike e përpjekjes shpirtërore e tyre kërkon dhe plotësimin e kushtit të mbetet e pastër. Kështu Maria mbetet shembulli i gruas dhe Josifi mbetet shembulli i burrit, ku secili shpreh të ndryshmet, të ngjashmet dhe të përbashkëtat, të cilin e  shpreh me shumë thellësi një atë tjetër i kishës së krishterë,  Klimi i Aleksandrisë, i cili thotë se burri dhe gruaja janë gjithmonë të ngjashëm në frymëmarje, këndvështrim, dëgjim, njohje, shpresë, bindje, dashuri dhe të përbashkët në jetë, në hirin e Perëndisë, në virtyt, shpëtim dhe edukim[14] .

Barazia apo baraznderimi-nderimi i barabartë midis burrit dhe gruas është një çështje, e cila ka shqetësuar dhe shqetëson shoqërinë njerëzore. Ajo lidhet me rolin që çdo njëri prej bashkëshortëve duhet të marrë në familje dhe në shoqëri. Në kohët që jetoi dhe predikoi Krishti, aktiviteti i grave me disa përjashtime të vogla, mbetej brenda kuadrit të shtëpisë dhe roli i saj shoqëror ishte i përcaktuar nga rrethi familjar dhe shoqëror, pra ato gjendeshin nën trysninë e stereotipeve që kishte krijuar shoqëria njerëzore. Ato janë të afta të diskutojnë (gruaja Samaritane dhe që habit nxënësit e Tij[15]), ato janë të afta të besojnë dhe të shpalosin dimensionin e besimit dhe madje të bisedojnë me engjëjt e Perëndisë (dialogu i të Tërëshenjtës me kryeengjëllin dhe rasti i gruas kakanease apo sirofinikase, e cila kërkon ndihmë dhe dialogon për shërimin e vajzës së saj[16]). Gratë janë të afta të mësojnë dhe të njohin të vërtetën, përveç punës dhe shërbimit në gatim apo punët e tjera të shtëpisë (Rasti i Martës dhe i Marias[17]). Ato janë të afta të edukojnë, të jenë gra, nëna, kujdestare të fëmijëve, por dhe ndihmëse ndaj problemeve të njerëzve, rasti në Kanë të Galilesë[18]. Dhe sigurisht shembulli është e Tërëshenjta Mari, e cila u bë zbuluese e misterve hyjnore, sepse me lindjen e Birit të saj, Shpëtimtari i botës, përjetoi thellësinë shpirtërore të mbajtjes dhe përkujdesjes për hirin hyjnor. Kështu në shembullin e të Tërëshenjtës dhe këtyre grave shprehet aftësia dhe liria, të cilat janë ato që ushqejnë dhe i japin mundësi qenies njerëzore për të përparuar dhe u zhvilluar. Aftësia dhe  liria bëhen transformuese të njeriut (mashkull apo femër) kur themelohen dhe zhvillohen mbi dashurinë. Dhe kur i analizon këto tre komponentë (aftësia, liria dhe dashuria) brenda familjes (çiftit bashkëshortor) të vjen në mendje apostull Pavli, i cili e pozicionon marrëdhënien burrë-grua në kornizat e shoqërisë, por duke theksuar fort marrëdhënien midis tyre si një marrëdhënie ku çdo njëri ofron me vullnet të lirë atë që është e rëndësishme dhe e kërkuar nga tjetri. Në qoftë se burit i kërkon dashurinë  gruas i kërkon bindjen ndaj tij. Kështu me këtë mënyrë Apostull Pavli ridimensionon kornizat e familjes, por jo natyrën e familjes. Kjo nënkupton që për Apostull Pavlin kapërcimi i vështirësive dhe problemeve brenda martesës dhe familjes nuk kapërcehen duke ndryshuar natyrën e familjes, por angazhimet, pozicionet dhe përgjegjësitë e çdo bashkëshorti. Ai sigurisht u frymëzua nga fjalët e Jisu Krishtit që bashkimi i burrit me gruan bëhet një unitet ku të dy bëhen një mish i vetëm[19]. Dhe sigurisht mendimi i apostull Pavlit bëhet i fortë kur lidhjen familjare e vendos brenda përjetimit Krisht-Kishë, apo e thënë ndryshe brenda përjetimit shpirtëror e misterial, brenda fuqisë dhe pushtetit të hirit.

Duke e mbyllur mund të them se familja, burrë- grua- fëmijë janë një simbiozë e rëndësishme, në të cilën gruaja  është ajo që vuan më shumë problemet e familjes, paragjykohet dhe ndrydhet, por në të njëjtën kohë është ajo që e bën të prekshme dashurinë, shpresën, besimin dhe të drejtën. Eshtë ajo që privohet dhe ajo që lufton kundër privimit, ngjall shpresë edhe pse gjendet e nënvlerësuar, gjen dhe nxjerr kuptimin e vlerës, përjeton besimin dhe madje e shpalos dhe e bën të prekshëm tek të tjerët. Gruaja privohet për t’u arsimuar dhe edukuar, por është po ajo që edukon fëmijët me thjeshtësinë, durimin dhe qëndrimin e saj.  Dhe kur i analizon këto në historinë e shoqërisë njerëzore, por veçanërisht në rastin e Marisë, nënës së Jisu Krishtit, e kupton sa real dhe i padiskutueshëm është roli i gruas, në formimin, zhvillimin dhe fuksionimin e familjes. Familja ka nevojë për vlerësimin dhe nderimin e drejtë të saj, për lirinë, ndërgjegjien, dhembshurinë dhe sakrificën.

[1] Zan 1:27

[2] Miltiadhi Kostandinu, Fjala e Zotit është e fuqishme, bot. Purnara, Selanik 1998, fq. 69-70, 73

[3] Zan 2:21-25

[4]Hamit Beqja, Trazicioni Demografik dhe Psikologjia e Shqiptarëve të Sotëm, bot. Mësimtorja e parë, Tiranë 2000, fq.181.

[5]I Kor. 6:2

[6]I Kor. 6:4

[7]Pjesë të zgjedhura nga veprat e Shën Joan Gojartit, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë,  Tiranë 2013, fq. 48-49.

[8]Joani Petrou, Krishtërimi dhe shoqëria, bot. Vanias, Selanik 2004, fq. 397

[9]Joani Karavidhopoulo, Tekste Apokrife të Krishtera – Ungjijtë Apokrif  I’,  bot. Pournara, Selanik 1999, fq.52-63.

[10]Lk. 1:28,42.

[11] Joani Karavidhopoulo, Ungjilli sipas Markut, bot. Pournara, Selanik 1988, fq. 328.

[12]Grigor Teologu, Fjalimi 37,6, PG 36, 289B

[13]Anastasi (Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë), Globalizmi dhe Orthodhoksia, bot. KOASH, Tiranë, fq. 86.

[14]  Klimi i Aleksandrisë,  Pedagogos, 1,4,10,1, Sources Chretiennes. T. 1-226

[15] Jn. 4:1-30

[16] Mt. 15:21-28.

[17] Lk. 10:38-42

[18] Jn. 2:1-12.

[19] Mt. 19:6 “Dhe kështu nuk janë më dy, por një mish i vetëm…….”.

 

*Pedagog i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” Shën Vlash – Durrës

Previous Nuk ka meshtarë? Deo gratias!
Next Familja e Shenjtë e Nazaretit, ikona e parisë së Zotit*

Sugjerime