Nuk duam ta kufizojmë mëshirën, por të jemi dëshmi e gjallë e saj*

Nuk duam ta kufizojmë mëshirën, por të jemi dëshmi e gjallë e saj*

ANGELO MASSAFRA O.F.M.  /

“Mëshira dhe mëkatarja” është njëri prej fryteve më të bukura të Vitit Jubilar të Mëshirës, që sapo u mbyll, një Letër Apostolike e Atit të Shenjtë Françeskut, që paraqitet si një përmbledhje e mrekullueshme e një rrugëtimi kaq të dendur dhe të pasur me hir.

Ndërsa falënderojmë Atin e Shenjtë për këtë dhuratë, duam edhe që ajo të arrijë çdo besimtar shqiptar, me qëllim që edhe në këtë tokë të përhapet era e mirë e Mëshirës së Hyjit dhe të marrim sa më shpejt të jetë e mundur fryte prej saj.

Edhe Kisha jonë në Shqipëri, në fakt, e ndien nevojën që ta njohë veten në atë grua mëkatare, “Mëkatarja” pikërisht që, vetëm në pranimin e përvuajtë të gjendjes së vet, është në gjendje të pranojë bollëkun e “Mëshirës” që vjen prej Hyjit.

Edhe Kisha jonë në Shqipëri i bën hapat e vet duke kërkuar ekuilibrin e drejtë mes Ligjit, që ka një vlerë fillestare, dhe dashurisë që e tejkalon pafundësisht atë, duke shkuar përtej dhe duke lexuar në zemrën e mëkatarit dëshirën dhe nevojën për t’u falur me qëllim që të fillojë një jetë të re.

Edhe Kisha jonë në Shqipëri, në fund, nuk dëshiron ta kufizojë Mëshirën e Hyjit, por ka dëshirë të bëjë gjithçka është e mundur për të qenë dëshmi e gjallë e dashurisë, në një kontekst si ky i yni, ku tundimi për të dënuar ndonjëherë është më i fortë, sesa shpresa për t’i parë ata që gabojnë të aftë për t’u shëlbuar. Në fakt, nëse gjithçka kufizohet vetëm te dënimi, atëherë bota do të kishte vende vetëm për mëkatarë të rinj, por me siguri do të kishte më pak hapësirë për persona të bërë të rinj prej mëshirës.

Kështu, duke lexuar këtë Letër Baritore, dëshirojmë t’i pranojmë sugjerimet e Atit të Shenjtë dhe t’i zbatojmë ato sa më shpejt të jetë e mundur. Citojmë atë të një diele të vitit kushtuar thellimit të Shkrimit të shenjtë; angazhimin e meshtarëve për ta bërë Sakramentin e Pajtimit vendin ku dëshmohet butësia e Hyjit, por edhe ku shprehen qartësisht parimet morale të besimtarëve; nisma “24 Orë për Zotin” duhet të vazhdojë, që të gjithë ta sprovojnë se ekziston një Hyj i Mirë dhe i mëshirshëm që i mikpret të gjithë, edhe ata që kanë bërë mëkate të rënda si aborti; vëmendja ndaj familjeve në vështirësi; Dita Botërore e të Varfërve të Dielën XXXIII gjatë Vitit.

Por ftesa e Atit nuk kufizohet vetëm në këto sugjerime, por na hap ndaj “fantazisë së mëshirës”, me qëllim që mund të jetë për të gjithë ne një nxitje që të vihemi në anën e Hyjit për të bashkëndarë ndjenjat më të larta të zemrës së Tij atërore, që të gjithë i do dhe i fal.

Urojmë që kjo Letër Apostolike të lexohet, të njihet dhe të vihet në zbatim prej të gjithëve, me qëllim që edhe në këtë tokë shqiptare dashuria e Hyjit, nëpërmjet nesh, bijve të vet, të arrijë çdo person dhe koha jonë të bëhet “kohë e përhershme hiri”, që është prani e vetë Hyjit.

 

Shkodër, më 8 dhjetor 2016

* Paraqitja e Arqipeshkevit, Imzot Angelo Massafra, e dokumentit papnor Misericordia et misera ne gjuhen shqipe, e publikuar pak dite me pare

Previous Mesazhi i Paqes i Papa Françeskut per vitin 2017
Next Nihilizmi terrorist dhe mesazhi i Papës për paqen

Sugjerime